Disa nga krerët e Mirditës në nisje për mbrojtjen e Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë nga forcat malazeze. Fotografuar në Shkodër nga Pjetër Marubi në vitin 1880.

Sipas dokumenteve të kohës, në frontin malazez, shkuan mbi 2000 burra nga 12 bajrakët e Mirditës.

Shumë mirditas dhanë jetën në mbrojtje të tokave shqiptare. Kontributi i tyre ishte përcaktues në këtë ngjarje të rëndësishme të kohës, e cila u është përcjell brezave edhe permes folklorit.

“Të mos kenke kjo Mirdita,
që me ja ndalun aty hovin,
si zanat pushkën që e ka,
edhe n’Shkodër pat me hi,
me u ba krajl edhe n’Shqipni”

Ndërsa at Gjergj Fishta në “Lahutën e Malësisë” do të shkruante:

“…bajrakët, qi ka Mirdita,
M’ krep t’ Rragamit neper prita
Kan zanë vend, nja trimi rrfeja:
N’za n’ Shqypni kta për kah feja:
T’ let kah kama e t’shpejtë kah dora,
Thonë, se kurr s’ u a sht ligun Ora.
N’ at log Zanash u ka pri,
Nji i Gjo’Markajsh, djalë zotni,
Kaluer atit pullali,
Si hyll drite n’ at Shqypni:
Prenk Bibë Doda aj emni i ti…”

Sipas at Gjergj Fishtës, në frontin malazez ishin 3000 mirditas.

Në disa dokumente të kohës, botuar në revistën “Leka” në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndër të tjera thuhet:

– N/Konsullata Austro-Hungareze në Tivar, dt. 12.5.1880.

“Malsorët tash për tash mbajnë fortesën e Tuzit, që do ta kishin malazezët, por këta janë tërhequr në Podgoricë. Malsorët presin me padurim mirditasit për të sulmuar malazezët, sëbashku me shqiptarët e tjerë të Gucisë, Pejës e Gjakovës”.

– N/Konsullata Austro-Hungareze në Tivar, dt. 01.07.1880.

“Sipas lajmeve të ardhura nga Ulqini, do jenë mbledhë 4000 Mirditas e Malësorë të gjithë të armatosur me martina, dhe çeta çeta janë përhapur nga Ulqini deri në malin e Mozhurit”.

– N/Konsullata Austro-Hungareze në Tivar, dt. 04.07.1880.

“Ka disa ditë që komanda me e lartë e Lidhjes Shqiptare i është besuar Preng Bib Dodës, kreut të Mirditasve”.

Mirditasit, ndër shekuj kanë qënë pushkëmbushur për Atdhe!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here