Filip Guraziu
Vizita në Kështjellën e Rozafës, në fëmijëri, ngjallte kureshtje të pamasë, jo vetëm për faktin se aty përjetohej me emocione të veçanta lufta epike e shkodranëve dhe e venecianëve kundër hordhive turke, por sidomos që përjetohej si në asnjë vend tjetër sakrifica sublime e Rozafës, “qumështi i së cilës vazhdon të rrjedhë ende sot në muret mijëravjeçare të kështjellës…”
Pavarësisht se si dhe çka tregon legjenda, morali përfundimtar që mësonim ishte konstruktiv: asgjë nuk ndërtohet, asgjë nuk arrihet pa sakrifica…, por, natyrisht në ato vite, moralit që merrnim nuk i jepnim aq rëndësi në krahasim me keqardhjen që ndienim për murosjen e Rozafës…
Shumë vite më vonë, në moshë madhore, kuptova se si për shumë problematika, ngjarje dhe personazhe të botës ballkanike që mbesin “pa origjinë dhe autorësi” pasi të gjitha palët i pretendojnë si të tyre, edhe legjenda e Rozafës kishte pasur të njëjtin fat.
Megjithëse pranohet nga historia se origjina e Kështjellës së Rozafës i përket shekullit III p. K. dhe se në vitin 168 p. K. poshtë mureve të saj qe zhvilluar beteja përfundimtare në mes legjioneve romake dhe ushtrisë ilire të mbretit Gent (kronika e kohës nga Titius Livius), historia serbe pretendon se janë ata që e ndërtuan Kështjellën e Rozafës dhe si rrjedhim legjenda është e tyre.
Për historinë serbe nuk ka aspak rëndësi fakti i njohur dhe i dokumentuar, që turmat serbe kaluan Danubin, duke u vendosur me marrëveshje në territorin e Perandorisë Bizantine, pra në Ballkan, vetëm në shekullin VI. ps. K. dhe se pretendimi i tyre sipas kësaj logjike vetvetiu zhbëhet, për ata ka rëndësi vetëm një gjë; që legjenda e Rozafës të jetë e tyre… dhe kaq!
Po sikur legjenda e Rozafës të jetë shpikur jo në kohën e themelimit të kështjellës (siç pretendojnë shqiptarët), por në kohën e lartësimit dhe forcimit të mureve rrethuese, që mund te jene bërë edhe nga serbët, duke filluar nga shekulli XI ps.k.? Ky këndvështrim i ri i problemit na detyron që të arsyetojmë më thellë…
Argument në favor të pretendimit serb duket sikur është fakti që legjenda e Rozafës, ose më saktë, legjenda e sakrificës si premisë e ndërtimit dhe përparimit, është mjaft e përhapur në hapësirat etnike serbe, por kjo qëndron vetëm në sipërfaqe sepse po të “gërryejmë” pak më thellë, kuptojmë se “akti i sakrificës” qëndron në themel të historisë së mbarë njerëzimit që nga kohët e “mjegullës historike”… dhe për të mos shkuar më larg, atë e gjejmë të përhapur ndër popujt e vjetër autoktonë të Ballkanit shumë e shumë shekuj më parë se të identifikohen gjurmët e kulturës serbe.
Argument në disfavor të pretendimit shqiptar duket se mund të jetë fakti që legjenda e sakrificës së Rozafës ka në themel “tradhtinë”, gjë që bie në kundërshtim me “besën” si “institucion juridik” me të cilën njihen dhe krenohen shqiptarët. Por, në lidhje me këtë argument, gjithashtu duhet të pranojmë se në analizë të fundit, tradhtia si pjesë përbërëse e legjendës së Rozafës, në njëfarë mase është sekondare dhe zbehet në krahasim me aktin e sakrificës (moment kulminant) që bëhet për të ndërtuar të ardhmen kundër asaj “force të errët” që shkatërronte çdo gjë.
Por çfarë ishte ajo forcë e errët shkatërrimtare që pengonte ndërtimin dhe përparimin e shoqërisë së asaj kohe? Universi dhe natyra konsiderohen të përjetshme, si rrjedhim të përjetshëm duhet të jenë edhe ndikimet e tyre ndaj shoqërisë njerëzore, pra “forca e errët” shkatërruese e legjendës së Rozafës duhet të ketë qenë prezente në të gjitha zhvillimet e historisë së njerëzimit gjatë rrugëtimeve që ajo ka bërë, e deri në ditët e sotme si dhe në ato që do të pasojnë. Historia e
mbarë njerëzimit e provon këtë, kurse historia e shqiptarëve çuditërisht e përforcon aq shumë këtë tezë sa gati, gati fillon e të mbushet mendja se kjo “forcë e errët” që vazhdimisht shkatërron, na qenka kryesisht e lidhur me shqiptarët!
Duke ndjekur arsyetimin me metodën induktive, për të kuptuar më tepër, konstatojmë se në qytetin e Shkodrës gjatë viteve të komunizmit u shkatërruan vepra monumentale të papërsëritshme të kulturës shqiptare për të cilat vepra breza të tërë kishin dredhur djersë duke bërë sakrifica për t’i ndërtuar, si Pazari i Shkodrës me 2500 dyqane ndër të cilët dhe monumenti unikal në Ballkan, Bexhisteni; Kisha e Shën Markut e shekullit XI në Va të Dejës ku supozohet që është martuar edhe Skënderbeu; Xhamia e Parrucës me mozaikë të vyer të kulturës islame, Kisha e Shirqit e shekullit VI e lënë qëllimisht në mëshirën e ujërave të lumit Buna; Zemra e gjelbër e qytetit të Shkodrës (bahçet e shkodranëve) monument natyror i papërsëritshëm e të tjera…
Kurse në vitet e demokracisë edhe ato monumente kulture ekzistuese që mbetën, u zhdukën nga qarkullimi, si shtëpitë muze të Luigj Gurakuqit, Pashkio Vasës, Mark Kakarriqit, tavane druri të punuar artistikisht nga mjeshtrit lokale, shatërvani qendror i qytetit etj. Edhe në këtë moment, sot, drejt shkatërrimit po shkojnë monumente të tjera të rëndësishme të kulturës qytetare, si Xhamia e Plumbit, Kisha e Shën Stefanit (shekulli XIII), Kafja e Madhe etj.
Po sa projekte janë realizuar në Shkodër, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme dhe porsa ndërron administrata çdo gjë shkon në kosh të mbeturinave duke u zeruar? Më pas, askush nuk di gjë… dhe natyrisht fillohet përsëri nga fillimi!? Për ilustrim mund të kujtojmë: projektin turistik të hyrjes së Shkodrës të aprovuar edhe nga KKRT; projektin për kompensimin fizik të trojeve të qytetarëve shkodranë duke iu ofruar parcela shtetërore në Velipojë; projektin e qarkullimit rrugor dhe të vendosjes së semaforëve në qytetin e Shkodrës; projektideja e tangencialës së Shkodrës që do të ndiqte rrugën e vjetër karvanë (jo kjo e sotmja që ka dëmtuar rëndë mjedisin) etj…
Po të largohemi nga Shkodra, do të na kujtohet menjëherë përfundimi tragjik i qytetit të Voskopojës, qendër e madhe e dijes dhe e kulturës mesjetare; shembja me dinamit i varrit monumental të Nënës Mbretëreshë në Tiranë; degradimi i vazhdueshëm i shtëpive muze në Gjirokastër; shkatërrimi i mbikalimit në hyrje të Tiranës; lënia pas dore në mëshirë të fatit (drejt rrënimit) të “Urës së Zogut” mbi lumin Mat etj.
Paraqitëm efektet e “forcës së errët” në drejtim të shkatërrimeve materiale, por nuk janë më me pak vlerë ato shpirtëroret: Dhuna e bëri Shqipërinë vendin e parë ateist në botë! Poeti Kombëtar Atë Gjergj Fishta mbeti pa varr, komunistët e zhvarrosën dhe ia zhdukën eshtrat…!; Kolosi tjetër i letrave shqipe, Martin Camaj, vdiq “i vetmuar” dhe anonim për botën shqiptare, pasi ashtu pati vendosur Partia…, të njëjtin fat e pati dhe Ernest Koliqi, kurse Lasgush Poradeci vdiq në Shqipëri, por i harruar…!
Me ardhjen e komunizmit, pothuaj e gjithë elita intelektuale shqiptare e shkolluar ne Evropë u eliminua fizikisht, u burgos ose u keqtrajtua, pasi konsideroheshin borgjezë, pra armiq…! Kështu u trajtuan edhe klerikët katolikë që kontribuuan aq shumë për shkencën shqiptare, por këta me tjetër akuzë; si agjentë të Vatikanit…! Pikërisht në momentin kur një shqiptar i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare, mund të bëhej nobelist, “forcat e errëta” u vërsulën kundër tij deri në Suedi…! Së fundi, “vepra” e demokracisë, çdo ndërrim pushteti, shoqërohet me largim nga puna të profesionistëve të kualifikuar për t’i zëvendësuar me militantë partiakë… etj.
Rastet e mësipërme dhe të tjera më të shumta, që për mungesë hapësire nuk arrita t’i rreshtoja, mund të na ndihmojnë për të kuptuar se për fatkeqësinë tonë, “veprimi i zhbërjes dhe prishjes”, shpesh me motivin e vetëm “se e ka bërë kundërshtari”, ka hyrë thellë në shpirtin dhe psikologjinë tonë dhe se ky faktor mund të jetë një nga arsyet që “vendi i shqiponjave” vazhdon të mbetet gjithnjë i fundit në Evropë!
Ndërto ditën dhe prish natën! Pasojat: jo zhvillim, jo përparim, jo mirëqenie. Për më tepër, fakti që për të arritur deri te sakrifica e murosjes kundër asaj “force të errët” u përdor tradhtia (e kundërta e “besës”) na bën të besojmë (duke u bërë supersticiozë) se “forcën e errët shkatërrimtare” e kemi pasur dhe do ta kemi bashkudhëtaren tonë.
Kjo natyrisht na shqetëson pa masë! Po deri kur kështu?! A nuk është koha që t’i themi “Ndal” kësaj dukurie negative çoroditës?! Nuk është kurrë vonë të punohet me brezin e ri që po rritet, për të çrrënjosur përfundimisht atë psikologji të dëmshme dhe për ta zëvendësuar me vlerat më të spikatura humane; respektin dhe vlerësimin për punët e vyera të paraardhësit edhe sikur ky i fundit të konsiderohet kundërshtari yt. Mbi çdo gjë, “arsimim dhe edukim” i brezit të ri.
Përfundimi? Besoj se lexuesi tashmë e ka kuptuar domethënien e këtij shkrimi… le t’ia lëmë atij përgjigjen që shtrohet për zgjidhje…