Kështu e përshkruan Marin Barleti, betejën e Torviollit 1444 që hapi siparin e epopesë Skënderbejane në veprën e tij madhore “Historia e Skënderbeut”Më në fund për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë:«Atë ditë luanët kanë komanduar luanë».Në mesin e shkrimit do te lexoni:“Kështu Epiroti atë ditë, siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë, korri një fitore me të vërtetë të madhe, sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato që kanë mundësi jo vetëm ta ndjellin fatin për të dalë faqebardhë, por edhe ta detyrojnë për një gjë të tillë; nuk mungoi as koha, as vendi, as rregulli i përsosur në të gjitha veprimet, as arsyeja e drejtë dhe njëkohësisht e domosdoshme për t’u përleshur. Më në fund për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë: «Atë ditë luanët kanë komanduar luanë». Pjesa jo më e vogël e këtyre ishin veteranë, që kishin shërbyer dikur si ushtarë bashkë me të atin e Skënderbeut, kështu që ata mund t’i merrje jo për ushtarë, por për mjeshtër të zgjedhur të ushtrisë. Prandaj dukej se, po të fitonin në një betejë të tillë e po t’ia thyenin një herë hundën armikut, lufta kishte marrë fund.Pasi u arrit fitorja, Skënderbeu e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp me qetësinë më të madhe. Në mëngjes, plot krenari për fitoren, iu përvesh punëve të tjera.29 qershor 1444, beteja e Torviollit !Skënderbeu, pasi e radhiti kështu ushtrinë, qëndronte pa lëvizur, as kishte mundësi që të tijtë ta shtynin dikur të jepte shenjën e sulmit kundër armikut, para se të shikonte se edhe barbari, i rreshtuar sipas zakonit të vet, po lëshohej në betejë, sepse kishte frikë se mos, po të shpërthenin ushtarët në sulm kundër armikut të parreshtuar, shkelnin rregullin nga dëshira për të sulmuar dhe sillnin në rrezik gjendjen e mbarë ushtrisë.Ali pasha(komandanti turk), duke vënë re formimin e ushtrisë sonë dhe duke përsëritur: «Më të paktë, gjithmonë më të paktë dhe më në rrezik», tallej me atë rreshtim si ai e me atë madhëri të një ushtrie të parrahur (të papërvojë, – Ali pasha tallej kështu me të gjithë ushtritë me të cilat ndeshej), që po marshonte me aq rregull drejt varrimit të vet.Një legjion otoman kishte bërë më me guxim përpara legjioneve të tjera; kundër tij u turrën me guxim ushtarët e pararojës. Barbarët, pasi e prishën rregullin që në sulmin e parë, nuk e mbajtën dot veten, po u tërhoqën gjer te çadrat duke marrë me të vërtetë arratinë dhe me një frikë, që s’e fshihnin dot, nuk pritën që të provohej fati i gjithë ushtrisë. Por Skënderbeu, duke pasur frikë për ndonjë dredhi të armikut dhe duke menduar për ndonjë pusi, lëshoi menjëherë një pjesë të kalorësisë, që të frenonin vrullin e shokëve dhe ta kthenin secilin në radhët e ushtrisë dhe në vend të vet. Po kjo u bë edhe në krahun e majtë. Kështu, pasi të dyja palët u kthyen te të vetët, po bëheshin gati përsëri për përleshje, për një ndeshje më të rregullt të të gjithë ushtrisë. Por barbarëve u ishte shtuar guximi, sepse një pakicë e tyre kishte vënë gjoja në lojë një pjesë të madhe të ushtrisë sonë.Beteja, pra, filloi rishtazi. Tanushi dhe Moisiu, pasi i ndanë në mes tyre krahët e armikut, ia nisën ndeshjes me rreptësi. Ashtu edhe Kastrioti, si u dha zemër aty për aty kalorësve, sulmoi atë pjesë të ushtrisë armike, që kishte marrë përsipër. Kalorësit në pritë, pa u hedhur ende armiku me të gjitha forcat kundër tanëve, dolën pa vonesë nga pusia me një potere shumë të madhe dhe, para se të zbrisnin në fushë të gjithë kuajt, radhët më të shumta dhe të gjithë ata më të fundit e ushtrisë turke, të tmerruar nga frika e papritur, morën arratinë, duke lënë betejën dhe kampin. Gjithë ata të vijës së parë, që u mbyllën ndërmjet të dy krahëve nga tanët, iu dorëzuan legjionit të mesit. Mbetej një pykë e ushtrisë armike, që Skënderbeu nuk mund ta lëvizte nga vendi dhe as guxonte t’i binte përmes që ta çante; në atë vend barbari, më i shumtë në numër, kishte formuar disa si ledhe. Atje Ali pasha, i rrethuar, siç u duk menjëherë në fund të betejës, nga lulja e gjithë ushtrisë dhe nga armët e më trimave, po mbante në këmbë fatin e luftës tashmë të lëkundur.Aidini gjithashtu në qendër të frontit e kishte larë tani tokën kudo me gjak të barbarëve. Lufta ziente këtu më e ashpër se kudo, sepse armiku, gati i rrethuar, duke parë se s’i mbetej asgjë tjetër përveç armëve, po sulmonte sa mundte më rreptë, për të mos rënë pa u shpaguar. Përveç kësaj, atje kishte tërhequr edhe të tjerë fati dhe lajthitja ogurzezë e luftës e shumë veta, kur kishin dëgjuar se në ç’rrezik gjendeshin shokët e vet, u kishin shkuar shpejt në ndihmë. Kështu, sa më shumë barbarë që grumbulloheshin, aq më tepër zgjatej edhe beteja edhe nuk dihet se ç’përfundim do të kishte marrë sikur Vrana Konti, duke shpërthyer menjëherë në sulm me forca dhe me vrull të freskët, të mos ishte përleshur me armiqtë, që tanimë ishin lodhur dhe po u merreshin këmbët, edhe sikur të mos kishte përlarë çdo mbeturinë që qëndronte akoma. Megjithëkëtë kalorësia e këtij e sulmoi barbarin më me vonesë dhe u shkoi në ndihmë të vetve, kur ishin pothuaj në rrezik, sepse, nga frika se mos ushtria mbetej krejt e zhveshur prej çdo ndihme rezervë, gjeti, si më të sigurt, kohën për të shpërthyer në sulm, kur pa se ishin përleshur me të gjitha forcat të dy krahët dhe Garda Mbretërore. Me këtë mënyrë u grinë të gjithë e s’mbeti këmbë, përveç treqind vetave, kundër të cilëve, në bazë të së drejtës së luftës, Kastrioti s’e pa të udhës të shfrynin, gjersa po i ngrinin duart të paarmë dhe gati të mbaruar nga plagët.Si mbaroi, pra, kjo punë dhe mori fund tërë ai mund i luftës, legjionet fitimtare po drejtoheshin me gëzim të madh e me brohori për te Skënderbeu, ku gjithçka e gjetën në gaz, sepse ushtria krutane e kishte bërë copë gjithë pykën dhe, pas një kërdie të tmerrshme, i dha kapedanit të turqve arratinë duke e ndjekur larg e më larg./Teri Hoxha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here