6.1 C
Pristina
Friday, September 24, 2021
Home RETROSPEKTIVË Mitrovica e vjetër në dy pamje(Foto)

Mitrovica e vjetër në dy pamje(Foto)

Çfarë ndodhte në qytetin e shumëdiskutuar afër 100 vjet më parë dhe ca më pas

mitrovica-1
mitrovica-2

Tafil Boletini ishte një ndër nipat e shumtë të Isa Boletinit, njeriut më të dëgjuar në Kosovë në luftën për liri e për pavarësi. Boletini është një fshat në bjeshkët e Shalës, vetëm pak kilometra larg Mitrovicës, pikërisht atje nisi lufta e këtij fisi të pazakontë, kundër të gjitha regjimeve, që ata i konsideronin si antishqiptare dhe kundër së drejtës hyjnore. Kulla e Boletinëve, e rindërtuar në fund të shekullit XIX, e djegur gjashtë herë, ishte rindërtuar nga një usta serb i krahinës, i ndihur nga një mjeshtër i gurit nga Zerqani i Peshkopisë. Vetë Isa Boletini, pinjoll i një familjeje luftarake shqiptare, njihej si një njeri i drejtë edhe në raportet me bujqit e tij serbë. Kronikat bëjnë me dije se ai, sa e sa herë u ndihu fqinjëve të vjetër serbë në telashet që kishin me autoritetet, apo se sa herë u fali detyrimet që ata kishin si bujq ndaj tij. Në 1903 është e famshme ndërhyrja e tij përkundrejt komitaxhinjve serbë që kishin nisur një aktivitet të paligjshëm në rrethinat e Mitrovicës. Në Koloshin, një zonë me përbërje etnike serbe, me sa duket, edhe me ndërhyrjen e perandorisë ruse, njerëzia kishin nisur të armatoseshin me armë serbe të sekuestruara nga rusët përgjatë luftimeve me Perandorinë Osmane. Isa Boletini, nuk priti gjatë. Me anë të një aksioni të drejtuar prej tij u sekuestruan me mijëra mauzerë që vinin që përtej kufirit serb. Perandoria e lodhur osmane u mundua të mohojë rëndësinë e ngjarjes. Për Stambollin kishte më shumë interes që të mos hynte në një konflikt të ri me Rusinë. Një konsull i ri rus u vendos që të vendoset në Mitrovicë, krejt përballë sarajeve të Boletinëve. Çështja rrezikoi që të pëlciste një luftë të re ruso-turke, meqenëse shqiptarët e komanduar nga Isa, në asnjë mënyrë nuk e pranonin një konsull, që kishte dërguar armë fshehurazi për të cenuar lirinë e tyre të brishtë.

Më në fund, pas shumë diskutimesh, Isa pranoi të shkonte si peng i Sulltanit në Stamboll, vetëm e vetëm që të shmangej gjakderdhja në Kosovë. Kushti i tij më kryesor ishte që asnjë konsull rus të mos vendosej në Mitrovicë. Por fjala nuk u mbajt nga Sulltani dhe trazirat vazhduan.

Isa Boletini u kthye në bjeshkët e tij në 1906, kohë në të cilën Rusia u mund nga Japonia në luftën e asaj kohe. Odiseja e tij patriotike vazhdon gjatë, derisa u vra në një pritë të organizuar në Podgoricë së bashku me shtatë njerëz të tij të afërt në janar të 1916. Tafil Boletini ishte njëri nga nipat e shumtë, që shpëtoi rastësisht. Më pas ai do të ishte një ndër figurat më kryesore të kosovarëve në “shtetin amë”. Përgjatë Luftës së Parë Botërore, nën okupacionin austro-hungarez, ishte Kryetar Qarku i Rajonit të Mitrovicës, pastaj pati funksione të larta shtetërorë thuajse në të gjithë Shqipërinë. Vdiq aksidentalisht në verën e 1970. Ishte një nga njohësit më të mëdhenj të trazirave ballkanike të kapërcyellit mes shekujve XIX e XX.

Një tjetër dëshmitar me vlerë është malazezi Bato Tomasheviç. Ky ka lindur në 1929-n bash e në Mitrovicë. Deri në 1943 jetoi, për shkak të situatës familjare në vende të ndryshme në Mal të Zi e në Kosovë. Ishte një ndër partizanët më të rinj të brigadave proletare të komanduara nga Jospi Broz Tito. I shkolluar jashtë, ishte një ndër partizanët më në zë të jugosllavizmit, por gjithsesi një ndër dëshmitarët më të njohur të atyre ngjarjeve që ndodhnin në kufijtë jugosllavo-shqiptarë.

Dëshmia e Tafilit

Në shkurt të 1916-s, dy nipa të Isa Boletinit mbërritën më në fund të Mitrovicë. Kthimi i tyre tragjik u prit me të qara. Familja thuajse ishte shuar. Një muaj më parë Isa Boletini dhe të tijtë ishin masakruar mbi Urën e Moraçës. Kulla e fortë kishte mbetur vetëm e banuar nga gra e fëmijë, bizneset ishin shuar, Por ndërkohë vendi kishte një sundues të ri, më shpresëdhënës se serb, armiku i vjetër shekullor. Por gjendja e paqes vazhdoi vetëm tri vjet, pastaj erdhi ripushtimi. Tafili vetë e përshkruan kështu vendin në kujtimet e tij: “…Shpinë e kisha në qendër të qytetit. Përballë kisha hotelin ‘Skanderbeg’. Shikonja shqijet (serbët) që vikasnin ‘Sloboda, sloboda’. E pashë kur flamurin dhe tabelën ‘Skanderbeg’ e përplasën nga ballkoni dhe ngehën flamurin dhe tabelën ‘Car Dushan’. Nga dëshpërimi m’u terrën sytë e gati rashë prej penxheres e poshtë. Gjatë natës ata manifestuan me këngë e me valle kurse ne rrinim të strukur nëpër shtëpia, tue ruejt dyert e tye pritë kur po na sulmojnë. Sikur të mos ishin ardhur francezët para serbëve këta kishin vendosë me ba kërdinë atë natë. Megjithëkëtë, bash nëpër lagje kishin hi në 17 shtëpi e i kishin torturue njerëzit derisa u morën çdo gjë me vleftë, si ar dhe plaçka të çmueme… Sa e nemun paske qenë moj Kosovë! Ç’do sakrificë kot po të shkon, ç’ka po shpreson e ç’ka pop son?! Ato pak privilegje që na i kishte lanë Austria u çdukën përnjiherë. Serbët, sikur të ishin fajtorë shqiptarët përse Austria e kishte okupue vendin dojshin me fyre mllanin mi ta. Edhe haptazi i thoshin masat barbare si e spastrue Kosovën nga elementi shqiptar…

Dëshmia e Batos

Malazezi Bato Tomasheviç e rrëfen kështu historinë e tij në lidhje me Mitrovicën, kjo ndodhi fill pas Luftës së Parë Botërore: “…Midis dymbëdhjetë familjeve, pra rreth gajshtëdhjetëmijë njerëzve, që shkuan në Kosovë nga pjesë të ndryshme të Serbisë dhe Malit të Zi, ishin dhe prindërit e mi dhe motrat Ljuba dhe Stana… Të nesërmen në mesditë ata mbërritën në Mitrovicë, një qytezë e vogël gjithë pluhur ose baltë, në varësi të motit me rreth nja njëqind shtëpi. Kjo ishte qendra pritëse për të gjithë të porsaardhurit në Kosovë. Këtu, në komandën ushtarake, kolonëve u jepeshin dokumentet për një shtëpi e për një tokë, përpara se të iknin për të marrë në zotërim pronën e tyre të re nën një eskortë ushtarake, pasi në disa raste kishte pasur konflikte të drejtpërdrejta me shqiptarët. Mitrovica ishte skenë e një konfuzioni të papërshkrueshëm, me turma njerëzish që vraponin në të gjitha anët, disa që përpiqeshin të blinin qumësht për fëmijët e tyre, bukë apo ndonjë ushqim tjetër që mund të gjendej, të tjerë që kërkonin ndonjë vend për të kaluar natën…”.

Pikërisht në këtë vend, malazezi Petar Tomasheviç (i ati i Batos) kishte vendosur të ringrinte jetën e tij të vobektë. Duke qenë kolon i ardhur rishtas, dhe pra me një thes me favore, ai arriti, edhe falë marrëdhënieve të ekuilibruara me krerët vendas shqiptarë që të bëhej shef i milicisë së Mitrovicës.

Vazhdon dëshmia e Bato Mihajlloviç, malazezit të lindur në Mitrovicë: “…Shkollimi në Kosovë nuk ishte i detyrueshëm, por ishte falas për ata që donin ta ndiqnin atë. Në klasën time, tok me nja njëzet fëmijë nga familjet kolone kishte edhe gjashtë a shtatë nxënës me origjinë turke ose shqiptare. Në ditën e parë, të sjellë nga baballarët e tyre ata rrinin të gjithë bashkë në një kënd të korridorit, veçmas nga ne dhe nga prindërit tanë. Të paduruar, të irrituar, ende të shqetësuar, ne të gjithë prisnim të rriteshim një e nga një… Nga fundi i vitit tim të parë shkollor ndodhi një incident, duke shënuar kulmin e gjithë atyre që kishin ndodhur më përpara, i cili mund të kishte çuar në pasoja fatale. Ndonëse isha gjithnjë në grupin e nxënësve serbë, unë nuk isha në radhën e parë të atyre që bënin ‘shaka’ me djemtë myslimanë. Një ditë, gjatë një pushimi të shkurtër midis orëve të mësimit, disa nga djemtë më të rritur dhe më të fortë të klasës sime, me xhepat e mbushura me mbeturina mish derri, rrethuan një numër djemsh shqiptarë që qëndronin bashkë në një cep të oborrit, i mbërthyen ata dhe filluan t’u fusin dhjamë derri në gojë. Unë ende e kam para syve pamjen e tmerruar dhe neverinë në fytyrat e tyre, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin dhe të nxirrnin nga goja mishin e derrit, që feja e tyre ua ndalonte ta preknin me dorë, pale më ta fusnin në gojë. Kjo nuk mund të durohej nga shokët e mi shqiptarë të klasës, të cilët nxorën thikat që mbanin të fshehura me vete dhe u turrën pas dhunuesve të tyre që tërhiqeshin. Pavarësisht se nuk kisha marrë pjesë në këtë fëlliqësi, unë ia mbatha kur pashë xhindosjen e djemve myslimanë. Por, ndoshta ngaqë nuk ndihesha fajtor, unë nuk vrapova aq sa të tjerët, kështu që isha i fundit që arrita deri te muri i oborrit të shkollës. Ata kishin mundur të kapërcenin atë, ndërkohë që unë isha duke u kacavjerrë. Papritmas ndjeva një dhimbje therëse në pjesën e prapme të kërcirit. Një nga ndjekësit më kishte goditur duke më shkaktuar një plagë të thellë pak më poshtë kupës së gjurit. Plagosja ishte e rëndë dhe më bëri të çaloj për disa javë me radhë. Një pasojë e këtij incidenti ishte që paskëtaj, mësuesit bënin ndalesa të herëpashershme, duke kontrolluar nxënësit shqiptarë dhe çantat e tyre për thika. Fëmijët kolonë nuk u kontrolluan asnjëherë”.

Fatet njerëzore janë gjithnjë të njëjtat. Ato nuk pyesin edhe aq gjatë nëse je shqiptar, malazez, serb, maqedonas, italian, grek, amerikan… Për familjen malazeze kolone Tomasheviç në Kosovë po shkonte çdo gjë mirë, porse… rrëfen vetë Bato: “… Rreth kësaj kohe (1936) babai mori një duzinë hektarësh në fshatin Pirçe, gjysmë ore larg me karrocë nga Mitrovica. Ai ndërtoi një shtëpi në këtë tokë dhe ne filluam të shkonim atje për fundjava dhe pushime. Por, kur gjithçka dukej se po shkonte si jo më mirë, sipas planit të babait, kur jeta jonë ishte mjaft e gëzuar, familja jonë ishte e grumbulluar dhe plot gjallëri dhe gjithsekush shihte punën e tij, si rastis shpesh në jetë ndodhin një ngjarje që ndryshoi gjithçka”.

Kjo ngjarje, që ndryshoi gjithçka ishte se Petar Tomasheviç kishte pritur, fare pa e ditur dhe fare pa pyetur, në familjen e tij arkivolin e një komunisti. Kjo iu shtua edhe akuzave se kishte miqësi me shqiptarët dhe se kishte toleruar ndaj tyre. Familja e kolonëve malazezë ngriti plaçkat dhe u shpërngul nga malet nga ku kishte ardhur. Një njeri i thjeshtë, duke përdorur alternativat e kohës, kishte dashur të jetonte në paqe me të tjerët dhe të shtonte mbarësinë e familjes së vet. Një ëndërr krejt e logjikshme. Mirëpo kjo asokohe kishte qenë e pamundur. Po sot?

Për këtë shkrim u përdorën materiale nga: Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë 2003: Bato Tomasheviç, Jetë dhe vdekje në Ballkan, Onufri, Tiranë 2009

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Robert De Niro dhe Al Pacino kanë gjatësi të trupit gati të njejtë, por në filmin ‘Irishman’, De Niro duket gjigant..

Daut Dauti Robert De Niro dhe Al Pacino kanë gjatësi të trupit gati të njejtë, por në filmin 'Irishman',...

OBSH: Ndotja e ajrit vret shtatë milionë persona në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka fuqizuar të mërkurën udhëzimet e reja për kualitet të ajrit, duke thënë se ndotja e ajrit është...

Balli Kombëtar i kërkonte Amerikës në prill 1945 të rrëzojë Enver Hoxhën

Nga Thanas Mustaqi Më 14 prill 1945 krerët e Ballit Kombëtar të arratisur në Itali i sugjeronin Uashingtonit që...

Ujqit, 40 Fakte magjepsëse dhe interesante të ujkut

A keni frikë pak nga ujqit? Për mijëra vjet, qeniet njerëzore i kanë adhuruar ata, kanë frikë dhe madje i kanë urryer.

Recent Comments