Fotoja pasqyron festimet në Vlorë, para godinës së Qeverisë së Ismail Qemalit, të përvjetorit të parë të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1913. Gjithsesi, rrallëherë në publikime, fotografia shoqërohet me emrin e autorit, mangësi e pafalshme, por fatkeqësisht, e zakonshme në shtypin dhe botimet shqiptare, shkruan në Gazetën Shqiptare studiuesi i fotografisë dhe publicisti, Qerim Vrioni.
Kjo fotografi i takon datës 28 Nëntor 1913, pra njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo paraqet mitingun festiv para ndërtesës së Qeverisë së parë shqiptare, autor i saj është fotografi Petro Dhimitri. Po si ishte gjendja politike dhe shoqërore në atë kohë, në Vlorë dhe në pjesën tjetër të vendit ?
Rreth një muaj para shpalljes së Pavarësisë nga Kuvendi i Përfaqësuesve të krahinave shqiptare me në krye Ismail Qemalin, “të famshmin aristokrat plot thinja e dinjitet”(Kadare Ismail—Mosmarrëveshja, Onufri, Tiranë, 2012, f.243), trupat ushtarake malazeze kishin rrethuar Shkodrën, qytetin e madh verior. Pas rrethimit 180 ditor, mandej një pushtimi 3-javor, qyteti iu kthye Shqipërisë në maj 1913 në zbatim të vendimeve të Konferencës së Paqes në Londër.
Po, kjo Konferencë që njihet më shumë si “Konferenca e Ambasadorëve në Londër”, më 29 korrik 1913 njohu Principatën e Shqipërisë të pavarur nga Perandoria Osmane. Më vonë, nën presionin e Serbisë dhe Greqisë, i hoqi asaj pjesë të mëdha sipërfaqesh dhe popullsie, të parës i dha Vilajetin e Kosovës, ndërsa të dytës, shumë nga Vilajeti i Janinës dhe Manastirit , si edhe Krahinën e Çamërisë. Kështu, Botës Shqiptare, iu shkëputën troje me një popullsi prej afro 1 mil. banorësh. Qytete të mëdha me shumicën e popullsisë shqiptare, si Prizreni, Dibra, Gjakova, Prishtina, Peja, Konica, Shkupi, Struga etj, mbetën jashtë kufijve.
Qeveria e Ismail Qemalit, ndonëse e formuar me figura të njohura atdhetare, nuk ushtronte pushtet të fortë në krahinat shqiptare larg trekëndëshit Vlorë-Fier-Berat, po ashtu edhe nga ana ekonomike, Administrata e Vlorës, nuk teprohet të quhet shumë e varfër. Vet Plaku i Pavarësisë, kish deklaruar, përveç të tjerash me dhimbje se, “na lanë vetëm baltovinat”. Në datat 1-4 mars 1913, rreth 300 atdhetarë nga Shqipëria dhe kolonitë shqiptare të Amerikës, Rumanisë, Bullgarisë, Italisë, Egjiptit etj., u mblodhën për gjendjen e vendit në Trieste në një Kongres. “Ai u zhvillua në një kohë kur viset shqiptare ishin të përfshira nga Lufta Ballkanike dhe ishte përkrahës i politikës asnjanëse të Qeverisë së Vlorës”(Saraçi Heral—Kongresi i Triestes-pasqyrë e rrymës oksidentale të shqiptarëve—Revista”Global Challenge, Vol.V,Nr.4-Nëntor 2016).
Fotoja “e vërtetë” e Pavarësisë është bërë kur festohej njëvjetori i saj
Përveç pushtetit krahinor të kapedanëve apo bajraktarëve, në atë kohë shqiptarët administroheshin nga Qeveria e Vlorës, me udhëheqës Ismail Qemalin, e cila njihej nga superfuqitë e kohës dhe ajo e Durrësit e drejtuar nga Esat Pashë Toptani, produkt i egoizmit të tij të shfrenuar. Shkurt, mund të thuhet se, vendi ishte si një arë e madhe e ndarë në shumë parcela e me pronarë të ndryshëm.
Duke kujtuar edhe intrigat e shteteve të ndyshme me interesa të kundërta me njera-tjetrën, thuajse gjithmonë në dëm të Shqipërisë, kuptohet mirë gjendja politiko-ekonomike e Shtetit të ri, por edhe ajo shpirtërore e Themeluesit të tij në kremtimet festive të aqpritura nga shqiptarët. Ndoshta si një mallkim jashtëtokësor a qiellor për shqiptarët, fill pas Vitit të Lirisë, 1912, i cili iu dha atyre Pavarësinë, ja behu Viti i Mbrapshtë, 1913, që iu hoqi gjysmën e trojeve të banuara nga ata, duke i lënë jashtë shtetit amë.
Petro Dhimitri
Është lindur në Korçë në vitin 1869 (Kotherja Niko-Enciklopedi e fotografëve korçarë-Korçë, 2010, f.27). Petro Dhimitri njihet edhe me dy mbiemra të tjerë, “Shqiptari”, në sajë të veprimtarisë së dalluar atdhetare dhe “Fotografi” nga profesioni. Mjeshtërinë e fotografimit ai e mësoi në Stamboll, por nisi ta ushtrojë atë në vendlindje së pari si fotograf shëtitës (Gerad Girad—Notes on Early Photography in Albania, july 1982, f.250). Ai, ka lënë mjaft fotografi dokumentare dhe historike, duke përfshirë mes tyre disa të çetave patriotike, të kapedanëve e atdhetarëve të shquar, ai ishte edhe vet pjesëtar i çetës së Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos (Naçe Piro-Krijues e pasurues të traditës fotografike—Revista “Skena dhe Ekrani”, Nr.1,1988).
Si arshivues të historisë, Petro Dhimitrin e veçon edhe fotografia masive e mijra atdhetarëve të mbledhur më 14 shkurt 1910 në Kodrat e Shëndëllisë (Korçë), në “Mitingun e Shkronjave Shqip”, që në të vërtetë ishte një manifestim i fuqishëm i shqiptarëve për liri kombëtare. Si aktor teatri, ai luajti edhe në dramën “Besa” të Sami Frashërit, që u shfaq në Korçë në vitin 1908, prej atij ka mbërritur edhe fotoja e trupës teatrore pas shfaqjes (Naçe Piro-artikull i cituar), ndër të parat në qytetin e Korçës. Nga fundi i nëntorit të vitit 1913, ai shkoi në Vlorë për të marrë pjesë në kremtimet e Përvjetorit të Parë të Pavarësisë, dhe natyrisht për t’i përjetësuar ato me aparatin e tij fotografik, duke kryer kështu një shërbim të çmueshëm për historinë e vendit.
Ndër shkrepjet e bëra në Vlorë kanë mbërritur disa foto, mes tyre, si më e vlertë mbahet kjo që po përimtohet. Sipas studiuesit francez të fotografisë, Gerard Girard, në fakt duket që Petro Dhimitri ishte në qëndër të fotografisë atdhetare para dhe pas vitit 1912 (Gerard Girard-artikull i sipërcituar, f.250)
Fotografi Petro Dhimitri është ndarë nga jeta në Korçë, në vitin 1949, pa lënë trashgimtarë të drejtëpërdrejtë në atdhe. Ai, mbetet një nga përfaqësuesit më shquar të asaj shejze që njihet me emrin “Fotografët e Rilindjes”, e njëkohësisht nga më të dalluarit në gjininë dokumentare të Fotografisë Shqiptare.
Rrugë me gropa para fotografisë
Nuk dihen ende saktësisht vendi (gazetë, revistë, libër) dhe koha kur i është shfaqur sëpari publikut fotografia “28 Nëntor 1913” (ky mbetet titulli më goditur i saj). Gjithsesi, kjo foto ka parë dritë në shtyp dhe botime të ndryshme në vend, qysh para vitit 1991. Veçse, pas vitit 1945, jo si originali, por e riprekur dhe viktimë e praktikës së njohur të diktaturave që siç e përshkruan studiuesi Astrit Lulushi, “Fytyrat e personave historikë, por të padëshirueshëm për regjimin (komunist-shën.im) u hoqën nga fotografitë autentike” (Lulushi Astrit-Pak Ndryshe—Tirana-Times, Tiranë, 2010, f.149). Kështu, nga fotoja origjinale u fshinë të gjithë njerëzit që ishin në ballkon, shumica antarë të kabinetit të Qeverisë dhe nënshkrues të Aktit të Pavarësisë (madje edhe ata që ishin në dy dritaret anash) dhe u la vetëm Ismail Qemali. Megjithatë, retushuesi, një njeri i aftë dhe i nderuar, Pertef Sinani, kish harruar t’u hiqte dy-tre të padëshiruarve duartë e vendosura te parmaku i ballkonit, kësisoj fotoja u botua gjatë disi e përçudnuar . Në një bisedë para 10-12 vitesh, me autorin e këtyre rradhëve, retushuesi i ndjerë e pranonte me humor të ëmbël harresën e tij, por ngaqë urdhëruesit nuk e kishin pikasur gabimin, ai nuk pati asnjë pasojë nga kjo pakujdesi. Po ashtu, fotoja e riprekur në shtypin e kohës, psh. revista “YLLI”, shoqërohej me titullin, “Ismail Qemali shpall pavarësinë më 28 Nëntor 1912” (Populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë-Revista “Ylli”, Nr.11, 1969, f.10).
Pas vitit 1991 fotografia nisi të paraqitej e plotë si imazh, por me plasaritjen e titullit të rremë. Pavarësia u shpall në Sarajet e Vlorajve (te selamllëku), në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës (kushuri me Ismail Qemalin). Aty, u krijua edhe Qeveria e Parë e Shtetit të ri shqiptar, ku qëndroi deri nga marsi i 1913. Pas kësaj, Administrata e Qeverisë u vendos buzë detit, në Skelë, në një banesë dykatshe, ndërtesa e ish-karantinës së doganës.
Kjo diçiturë e gabuar vazhdoi deri në vitin 2007, kur u korrigjua (nga autori i këtyre rreshtave) dhe saktësua data e fotos, e cila u afrua një vit. Kështu, fotoja pasqyron festimet në Vlorë, para godinës së Qeverisë së Ismail Qemalit, të Përvjetorit të parë të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1913. Gjithsesi, rrallë herë në publikime, fotografia shoqërohet me emrin e autorit, mangësi e pafalshme, por fatkeqësisht, e zakonshme në shtypin dhe botimet shqiptare.
Dita e 28 Nëntorit 1913
Ajo ditë ka qënë një e premte e kthjellët e me shumë diell, sikur vet natyra kish dashur që festimi i Ditëlindjes së Parë të Shtetit të bëhej sa më mirë. Shqiptarët e prisnin me padurim këtë ditë, duke shpresuar se do ta festonin edhe shumë e shumë vite të tjera, e ndoshta kanë uruar edhe për festimin e 10, 20, 50 e madje edhe 100 vjetorit.
Sipas studiuesit Ilir Ikonomi, me rastin e 28 Nëntorit (1913-shën.im), Ismail Beu (Qemali-shën.im) dha një pritje në selinë e Qeverisë, ku përveç parisë, kishte të ftuar edhe anëtarë të KNK, konsuj e komandantë të anijeve luftarake dhe austriake në Gjirin e Vlorës (Ikonomi Ilir-Esat Pashë Toptani-Njeriu, lufta, pushteti-UET Press, Tiranë, 2016, f.194). Shtëpitë dhe dyqanet e qytetit ishin stolisur me flamuj kuq e zi, nisja e një tradite të bukur të shqiptarëve asokohe, sidomos midis L1B dhe L2B, e cila jo fatmirësisht, ende nuk ka shenja rifillimi.
Studiuesi Ikonomi vazhdon, i rrethuar nga antarët e Qeverisë, Ismali Beu doli në ballkonin prej dërrase dhe mbajti një fjalim të gjatë para popullit. Ai falenderoi Fuqitë e Mëdha, të cilat i përmendi me emër. Poshtë ballkonit, nxënësit e shkollave me flamuj të vegjël në duar këndonin këngë patriotike, të tjerë hiqnin valle. Loja e aktorit të njohur Sandër Prosi në rolin e Ismail Qemalit në filmin “Nëntori i Dytë”, në mungesë të regjistrimeve filmike autentike, sjell në një farë mënyre në përfytyrim Plakun e Pavarësisë.
Fjala e Kryeministrit të Parë të Shqipërisë, ka gjasa të jetë pritur e përcjellë me brohoritje të shumta nga gjindja, si “Rroftë Shqipëria”, “Rroftë Flamuri”, “Rroftë Liria” e ndoshta edhe me emrin e tij. Hamendësojmë se brohoritje të forta ka pasur edhe pas shqiptimit të emrit të çdo Fuqie të Madhe gjatë fjalimit. E ai, mbase ka buzëqeshur i përmbajtur, e ndër mend i kalonin shqetësimet e shumta të jashtme dhe të brendshme, të cilat ishin përballë shtetit të tij të ri e të përgjysmuar. Por poshtë ballkonit njerëzit lipset të gëzonin këtë ditë e s’kish pse duhet të dinin për vështirësitë e qeverisë së tij-ndofta ka menduar ai i trishtuar. Sot është ditë feste e, njerëzit mund të shfaqnin fare lirshëm harenë e tyre shumë të ligjshme e të natyrshme, madje edhe të paprovuar ndonjë herë.
Mitingu është mbajtur mbasdite, ndonëse njerëzia, kishin nisur grumbullimin në qëndrën e qytetit qysh prej orëve të para të mëngjesit. Gazeta e Vlorës “Përlindja e Shqipeniës”e atyre ditëve shkruan ndër të tjera se “Pas kësaj nisnë këngët kombiare (kombëtare-shën.im) nga ana e popullit të Vlorës dhe të tjerave vise të Shqipëriës”(Përlindja e Shqipeniës-Kremtimi i festës kombëtare të 15 Nëndorit (28 nëntor-alla franga)-E mërkurë, 20/3 vjesht’ e III 1913, faqe 2).
Fotoja të fut në atmosferën e festës, duke ngacmuar fantazinë e shikuesit të përfytyrojë grupe lebrish duke kënduar këngë patriotike me shumë zëra, me veshjet e tyre karakteristike, të zbritur nga fshatrat me gëzim të paprovuar kurrë. Natyrisht në kremtime kish vend të merituar e nderuar edhe për fshatarë nga Myzeqeja, Mallakstra, Bregu i Detit, Tepelena e krahina të tjera të vendit, por sigurisht pa përjashtuar banorë (qytetarë) nga qytetet kryesore të Shqipërisë, duke përfshirë edhe nga Kosova e nga Krahina e Çamërisë. Kjo përbën herën e parë dhe të vetme, kur Përvjetori i Pavarësisë është kremtuar në ndërtesën e Qeverisë, ku ushtroi më gjatë veprimtarinë e tij kabineti i Ismail Qemalit.
Fare pak gjasa ka që të ishte kënduar e hequr valle kaq lirshëm dhe hareshëm më parë për Shqipërinë, Skenderbeun, Flamurin, Lirinë, madje edhe Ismail Qemalin. Veçse qysh prej asaj dite, ato do hynin natyrshëm në repertorin (jo protokollar) të festimeve të përvitëshme të 28 Nëntorit në Vlorë, Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Ulqin, gjithkah banonin dhe banojnë shqiptarë. Ashtu siç ëndëronin Rilindasit e ndritur, Shqipëria kishte mbyllur dritaren nga lindte dielli, dhe e kish hapur andej nga perëndonte ai.
Duke shikuar foton na vjen në kujtesë një foto tjetër e po asaj dite, por e realizuar mijra kilometra largë në Odesë (Ukrainë), ku shqiptarë të atjeshëm, të shpërngulur shumë vite më herët nga atdheu, kanë nisur të festojnë Ditën e Flamurit. Një portret i madh i Skënderbeut, në qëndër të fotografisë, duket se i mban mbledhur grusht me njeri-tjetrin, e njëkohësisht, të pashuar dashurinë për gjuhën, historinë dhe vendin e të parëve të tyre.
Të tjerë 28 Nëntorë
Pas vitit 1913, 28 Nëntori, ose Dita e Madhe e Shqiptarëve, është festuar thuajse rregullisht nga shteti shqiptar. Si kulmore mund të shënohen disa, sidomos ato jubilare. Më 1932 (20-vjetori) u sollën eshtrat e Themeluesit nga Kanina (ku ishte varrosur më 1919) me ceremoni në Vlorë e, mbi vendprehjen e tij u ngrit Monumenti i Flamurtarit (vepër e skulptorit Odise Paskali). 25 vjetori i Pavarësisë (1937) u festua me madhështi nga Mbretëria Shqiptare e Zogut I. Viti 1942 (30 vjetori) u kremtua me propagandën e Shqipërisë së Madhe nga pushtuesit italianë. Dy vite më pas, 1944, 28 Nëntori shënon hyrjen në kryeqytetin e vendit, Tiranë, të Qeverisë Demokratike (komuniste), duke legjitimuar çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj. Gjysëm-shekulli Pavarësi (1962), u kremtua solemnisht, sidomos në Vlorë (pas prishjes me kampin lindor), gjithsesi me mjaft veprimtari festive. Më 1972 (vite mjalti me vëllezërit kinezë), me rastin e 60 vjetorit, u përurua në Vlorë, në Sheshin e Flamurit, Monumenti i Pavarësisë (vepër e Kristaq Ramës, Shaban Hadërit e Muntaz Dhramit). 19 vite më vonë, më 1991, në ngritjen tradicionale të Flamurit në Shtyllën e ideuar nga poeti Ali Asllani, Flamurit Kombëtar iu hoq ylli i kuq i komunizmit dhe u valvit ashtu siç e kish ngritur Plaku i Vlorës, 79 vite më parë.
Ndërsa ceremonitë e festimet e 100-Vite Pavarësi, natyrisht ishin më të pritshmet e më tërheqëset, ato patën kulmet e tyre në Vlorë e Tiranë, por të hareshme u zhvilluan edhe në Prishtinë, Tetovë, Ulqin, Preshevë e në shumë qytete të shteteve të tjera në botë ku banojnë e punojnë shqiptarë.
Secili nga këta 28 Nëntor ka veçoritë e tij, por asnjë nuk mund të barazohet me të vitit 1913, sepse atë ditë, veç të tjerash, festimet bëheshin nën drejtimin dhe praninë e Flamurngritësit dhe të nënshkruesve të Aktit të Madh të Pavarësisë. Ndonëse pa bandë muzikore e fishekzjarre, altoparlante, paradë ushtarake e koncerte dita 28 Nëntor 1913, ishte e thjeshtë në madhështinë e saj për të shpërfaqur dëshirën e kamotshme të shqiptarëve për liri e pavarësi, por dhe e papërsëritshme në Historinë e Shqipërisë.
Fotografia
Ende deri tani nuk është gjetur ndonjë foto e datës 28 Nëntor 1912, ndonëse ato ditë në Vlorë thuhet se ka pasur edhe fotografë të huaj, italianë dhe austriakë, përveç ndonjë shqiptari. Pas asaj date (më 30 nëntor ose 1,2 dhjetor) kanë mbërritur 2-3 foto, njera me të gjithë përfaqësuesit e Kuvendit, tjetra Ismail Qemali dhe Isa Boletini, të dyja në oborrin e Sarajeve të Vlorajve, por edhe këtyre, ende nuk u dihet gjithashtu, autorësia.
Fotoja ka mbërritur në ditët tona e pastër teknikisht e me dritë-hije të theksuara (dielli i fortë) edhe në sajë të punës me shumë kujdes të fotografit. Ka të ngjarë që mjeshtër Petroja ka vendosur aparatin mbi çatinë e banesës së vogël njëkatshe përballë ndërtesës së Qeverisë, kjo duket ngase aparati dhe ballkoni janë thuajse në të njëjtën vijë horizontale. Sidoqoftë, nuk përjashtohet edhe përdorimi i një platforme të vogël druri, rreth 50-60 cm. e lartë, që mund të çvendosej ngado. Kjo kuptohet edhe nga disa foto të po asaj dite e vendi, në të cilat njërëzit janë fotografuar me kënd rënie, nga lartë poshtë. Mesa dihet, Petro Dhimitri ka përdorur procesin e fotografimit me pllaka xhami industriale dhe me aparat të vendosur mbi trikëmbshin prej druri..
Fotoja është kapur në formatin peizazh për të përfshirë sa më shumë njerëz dhe sipërfaqe të ndërtesës, përkundër një shkrepjeje të po asaj dite në Rrugën e Muradijes (më vonë “Liria” e sot “Justin Godard”), rruga kryesore e qytetit të Vlorës në atë kohë, ku Petro Fotografi ka përdorur formatin portret, për të kapur brenda objektivit ndërtesat 2-3 katshe në të dy anët e saj e të stolisura me flamurin kombëtar dhe zbukurime me dafina.
Këtë foto e shqetëson disi grafikisht një shtyllë vertikale druri që pret në mes, thuajse të gjithë katërkëndshin e imazhit. Ndoshta mjeshtër Dhimitri nuk ka gjetur vend më të përshtatshëm për fotografim dhe e ka pranuar atë brenda fotos. Nga 2-3 foto të tjera të mitingut, dallohet se shtylla mbanë në majë Flamurin Kombëtar. Kështu, shqetësimi pamor i shtyllës zbehet nga kumti atdhetar që përcjell ajo si objekt që mban simbolin e kombit.
Fotografia “28 Nëntor 1913” shënon, veç të tjerave, fillimin e festimeve të përvitëshme të “Ditës së Madhe”, vargu i të cilave do të jetë i pafundëm, përsa kohë do jetojnë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, por edhe ngado në botë. Po ashtu, në foton tonë nuk është sendërtuar vetëm dora e një fotografi të aftë, por edhe shpirti i një atdhetari të kulluar, siç ishte Petro Dhimitri.
Nga një këndvështrim fotoja hynë në lëmin e fotogazetarisë, si pasqyrim pamor i një ngjarje, veçse jo i një ngjarje dosido. Kjo shkrepje gjendet më mirë në gjininë e fotografisë dokumentare, sepse ajo ngërthen edhe vlera të veçanta historike, çka shpaloset në tre vektorë. Ngjarja është historike (Festimi i Njëvjetorit të Pavarësisë, e papërsëritëshme), ka persona historikë (Ismail Qemali dhe antarët e kabinetit të tij dhe ndodh në një vend historik (ndërtesa e qeverisë, sot Muzeu i Pavarësisë në Vlorë). Fotografia e Petro Dhimitrit me emërtimin më të saktë, “Vlorë, 28 Nëntor 1913”, shërben edhe si një Urë kujtese e përhershme që lidh të shkuarën me të tashmen e të ardhmen e shqiptarëve, duke e kthyer këtë jo vetëm në një ikonë të veçantë të Historisë së Fotografisë Shqiptare, por edhe në një imazh të vyer e të ndritur dokumentar në Historinë e Shqipërisë.