“Facebook”, ka hequr qindra llogari të lidhura me një agjenci misterioze reklamash që vepron nga Rusia, e cila kërkonte të paguante ndikuesit e mediave sociale, për të njollosur vaksinat Covid-19, të bëra nga Pfizer dhe AstraZeneca.
Një rrjet prej 65 llogarish në “Facebook” dhe 243 llogari në “Instagram”, u gjurmuan në Fazze, një frimë reklamash dhe marketingu, që punonte në emër të një klienti të panjohur.
Rrjeti përdori llogari të rreme për të përhapur pretendime mashtruese që nënçmuan sigurinë e vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca. Njëri pretendoi se goditja e AstraZeneca do ta kthente një person në shimpanze. Llogaritë kishin në shënjestër audiencat në Indi, Amerikën Latinë dhe në një masë më të vogël, SHBA, duke përdorur disa platforma të rrjeteve sociale duke përfshirë “Facebook” dhe “Instagram”.
Rrjeti Fazze, gjithashtu kontaktoi ndikuesit e rrjeteve sociale në disa vende me oferta për t’i paguar ata për ri-postimin e përmbajtjes mashtruese.
“Megjithëse ishte i turbullt dhe nuk kishte një shtrirje shumë të mirë, ishte një strukturë e përpunuar”, tha Gleicher në një konferencë, duke njoftuar veprimet e së martës.
‘YouTuberi’ francez Leo Grasset, ishte ndër ata që u kontaktuan nga Fazze. Ai tha në maj se i ishte kërkuar të postonte një video prej 45 deri në 60 sekonda në “Instagram”, “TikTok” ose “YouTube” duke kritikuar shkallën e vdekshmërisë së vaksinës Pfizer.
Kur Grasset i kërkoi Fazze të identifikonte klientin e saj, firma nuk pranoi. Grasset refuzoi ofertën dhe doli në publik me shqetësimet e tij.
Oferta nga Fazze, u bëri thirrje ndikuesve të mos përmendin se po paguheshin, dhe gjithashtu sugjeroi që ata të kritikojnë raportimin e mediave për vaksinat.
“Shumë flamuj të kuq. Vendosa të mos e bëja.”- tha Grasset.