6.1 C
Pristina
Thursday, October 21, 2021
Home RETROSPEKTIVË Si u sollën eshtrat e Vaso Pashës nga Libani në Shqpëri

Si u sollën eshtrat e Vaso Pashës nga Libani në Shqpëri

Nga Sulejman Tomcini
Ish ambasador i Shqipërisë në Egjipt dhe vendet Arabe

Në atë kohë unë kisha rreth një vit që ushtroja detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit dhe mbuloja si jorezident edhe disa vende të tjera arabe si Libanin, Sirinë etj. Në vitin 1978, m’u ngarkua detyra e tërheqjes së eshtrave të patriotit të madh të Rilindjes, Vaso Pashës, vdekur në Liban në vitin 1892 dhe varrosur në “Varrezën e Pashallarëve”, në lagjen Hazimie të Bejrut. Ai qe emëruar guvernator i Malit të Libanit, zonë e banuar nga popullsi katolike maronite në vitin 1883, i cili, në bazë të një marrëveshjeje, të garantuar nga shtetet e mëdha të kohës, gëzonte një status special dhe, në këtë kuadër, edhe qeverisjen nga një guvernator katolik, shtetas i Turqisë.

Të nesërmen e mbërritjes në Bejrut mora kontakt me protokollin e Ministrisë së Jashtme. Kredencialet u paraqitën në sarajet e Baabadas, që thuhet se qenë ngritur nga Vaso Pasha.

Në vizitën që i bëra Ministrit të Punëve të Jashtme, Fuat Butrus, i ngrita edhe problemin e tërheqjes së eshtrave të Vaso Pashës. Ai shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të ndihmuar në këtë drejtim.

Në përmbushjen e këtij mision një ndihmë të çmuar më dha miku i vendit tonë, zoti Melhem Mobarak, një qytetar libanez i apasionuar pas Shqipërisë dhe historisë së saj, me lidhje të gjëra në vendlindjen e tij dhe sidomos me Ministrinë e Jashtme të Libanit, të cilën gjatë viteve 1951-1952 e pati drejtuar i ati i tij. 

Me Melhemin isha njohur gjatë një vizite në ambasadën tonë në Kajro, në janar të vitit 1978. Me këtë rast biseduam edhe për mundësinë e tërheqjes së eshtrave të Vaso Pashës. Më tha se ky problem ishte trajtuar nga ambasada shqiptare në Kajro që në vitin 1967, por, për disa ngatërresa proceduriale, nuk ishte realizuar dot. Po ashtu më tha se në Ministrinë e Jashtme të Libanit, kishte konstatuar nje gadishmeri te plotë pë ndihmë në këtë drejtim. Në Ministri punonte edhe vëllai i tij Saimiri, që me vonë u bë ambasador i shtetit të tij në disa vende perëndimore. Edhe Saimiri e kishte ndjekur problemin, duke krijuar opinion pozitiv në dikaster. Me një fjale, kur unë shkova në Bejrut, në sajë të përpjekjeve të z. Melhim, problemi ishte gati i zgjidhur dhe mua më mbetej vetëm trajtimi i tij nga ana diplomatike e zyrtare.

Meqë detyra ime ishte marrja e eshtrave të Vaso Pashës, përveç kontakteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, zhvillova takime edhe me organet lokale të zonës, ku shtrihesh varreza e Hazimies. Më thanë se, bashkë me Vaso Pashën, ishin varrosur edhe e shoqja dhe e bija. Më propozuan t’i tërhiqnim të tre. Po kështu u mendua që varret, të cilat ishin prej betoni, të mos i prishnim: eshtrat t’i terhnim nga poshtë. Unë u propozova që në varret bosh të shkruhej që eshtrat e tyre u tërhoqën nga qeveria shqiptare në shenjë respekti e vlerësimi për shërbimin që Vaso Pasha i ka bërë çështjes së pavarësimit të Shqipërisë nga Perandoria Turke. Këto sugjerime iu përcollën Ministrisë tonë të Jashtme, e cila i aprovoi, e kështu filloi puna. Nuk e di nëse varret bosh jenë ende në Hazimieh dhe, nëse po, a është shënuar që eshtrat e tyre u tërhoqën nga qeveria shqiptare.

Më në fund përgatitjet përfunduan, përcjellja do të bëhej me një ceremoni të përmortshme dhe si datë u la 31 maji. Pikërisht në këtë datë, në një shesh afër Varrezave të Pashallarëve në Hazimieh u organizua ceremonia zyrtare.  Pas ceremonisë u nisëm direkt për në aeroportin e Bejrutit. Ishim urdhëruar që kthimi do bëhej nëpërmjet Stambollit.   Nga Stambolli në Shqipëri kthimi do bëhej në rrugë tokësore.

Në Kapshticë kishin dalë për të na pritur shume banorë të Korçës dhe Bilishtit si dhe personalitete të ndryshme qendrore e vendore. Arkivoli i patriotit të madh u vendos në një makinë të mbështjellë kuq e zi dhe të mbushur me kurora me lule dhe u nis për në Korçë. Me kaq detyra ime mbaroi. Te tjerë u kujdesën për dërgimin e eshtrave në Tiranë e pastaj në Shkodër. Me date 16 qershor në Tiranë u organizua një ceremoni madhështore për përcjelljen e tyre në Shkodër dhe po atë ditë ato mbërritën në Shkodër, ku u vendosën në shtëpinë muze të Vaso Pashës. Më 25 qershor eshtrat u rivarrosën me nderime të mëdha në Varrezën e Dëshmorëve, përkrah patriotëve të tjerë që luftuan e punuan për Atdheun.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Këshilla nga psikologët e Harvardit për të rritur fëmijë të mbarë

Kohët kanë ndryshuar shumë dhe me kohë të reja vijnë zakone të reja, grupe sjelljesh dhe qëndrimesh që duken shumë të ndryshme...

Kush ishte kroati që diktoi shqipen në 1920-ën në mes të Beogradit

Fillimi i interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Serbi, e ka zanafillën më 1905, kur Universiteti i Beogradit, që atë vit...

Historia e Shqipërisë dhe roli i saj në vorbullën e Luftës së Parë Botërore

Historia e panjohur të studiuesit të arkivave të historisë, italianit, Eugeni Buçioli, i cili disa vjet më parë, ka botuar albumin e...

Mashtrimi me bukën, ja si të dalloni nëse përmban ngjyrues ose jo

Fetën e bukës mjafton që ta lini në ujë rreth një orë për të parë rezultatet e para. Për...

Recent Comments