Nga Etleva Pushi Kondakciu

As që kishim dëgjuar për to. As për pastruese apo punëtore shtëpie. Pastruese shkallësh jo që jo! Kishim fshesa melakuqeje që i ndërronim në mos çdo vit, një herë në dy vjet. Një për brenda shtëpisë e një tjetër për ballkon a për verandë.

Nuk kishim lecka çimentoje me shkop të gjatë. Nën zë i shanim ato “modernet” që kishin, na dukeshin dembele. “Sa më i shkurtër bishti i fshesës, aq më mirë e pastron shtëpinë!”, – thoshte im atë. Ai vetë nuk fshinte, as me bisht të gjatë dhe as të shkurtër. Të rrallë ishin burrat që pastronin. Kështu që edhe njiheshin, me emër madje, si burri i filankës, për shembull.

Nuk kishim detergjente të lëngshëm apo pluhur, sfungjerë me ngjyra, të ashpër e të butë, që nëse të vjen e të pastron njeri në shtëpi, ke frikë mos t’i ngatërron. Një gjethe fiku e pak rërë i bënte tenxheret xixë. Kishte nga ata që i pastronin vetëm nga brenda dhe ua linin të nxitën të moshohej bashkë me tenxheren që nuk hidhej poshtë pa i dalë ndonjë vrimë nga shtrembërimi.

Atëherë nuk kishim thonj të gjatë. Në shkolla kontrolloheshim të paktën çdo të hënë, me duart mbi shaminë e dorës. Ah, se m’u kujtua shamia! Ç’hiqnim për të gjetur shami, nga ato të mirat, prej pambuku, që mund të zjeheshin e të hekuroseshin. Pa ishin, pastaj, edhe ato të qëndisurat, ato të pajës.

Nuk kishim mbulesa tavoline prej letre. Kishim mbulesa pambuku të qëndisura me modele të gjetura me mik e të kopjuara me letër kalk, që fërkoheshin 2-3 herë në govatë, pastaj zjeheshin mirë e mirë, duke u përzier me një shkop të gjatë druri në kazan, derisa kazani të shteronte ujin e të shpëlaheshin me ujë të rrjedhshëm kur të vinte çezma.

Nuk kishte tanga sintetike. Kishte mbathje pambuku pe Korçe, që të mbanin ngrohtë në dimër e fresk të verë. Që mund gjithashtu të zjeheshin fort, me të brendshme të tjera, e jo bashkë me mbulesën e tavolinës së bukës apo me pecetat, siç shoh që lahen e nderen sot.

Sot rrallë sheh edhe tela rrobash. Dikur u shkoje një leckë të lagur e të shtrydhur fort tej e tej, siç i thoshim, e pastaj nderje gjithë lezet rrobat sipas një radhe të unifikuar në shkallë kombëtare. Peshqirët, kanatjerët dhe mbathjet e fshehura pas tyre. Të bardhat në dy rreshtat e parë, ato me ngjyrë në rreshtin e brendshëm, këmishët e varura nga jaka, bluzat e kapura me kapëse në vendet ku linin sa më pak shenjë. Nderja e rrobave ishte një lloj marketingu familjar. Nuk mund të merrje nuse nga një shtëpi që nxinte që nga jashtë, një që nuk dinte të lante as b… e veta.

Sot rrobat nderen, në fakt më shumë hidhen, në ato plastiket e bardha me përmasa dhe forma të ndryshme në ballkon. Nuk di nëse arrijnë rrobat e sapo lara t’ua fshijnë të gjithë pluhurin kur nderen. Duhet të kishin shpikur edhe një lavatriçe për ta larë gjithë plastikën. Një leckë e shkuar ashtu shpejt përciptazi nuk ma mund dot krupën që më ngjallin ato plastiket.

Shyqyr këto fshesat me korrent tani! E duan edhe ato një cikë mundim për t’u pastruar vetë, sidomos kur i ke thonjtë me majë dhe kur ndërtuesi i pallatit as nuk ka menduar për ndonjë vend, ndonjë lavaman apo ku di unë, ku t’i pastrosh gjithë këto mjete moderne pastrimi.

Fabrika e Korçës nuk hapet, e di, e di. As Kombinati i Beratit!/M.T/dritare.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here