Nga Ndoc Logu
Historia e fjalës dhënë, pra e Besës, ashtu si pabesia, është e lashtë. Eshtë shumë e hershme se besimet fetare. Ajo na vjen si jehonë nëpër shekuj, e cila ka lindur ndoshta që me njerëzimin, ku historia e ka të vështirë për ta saktësuar. Për besën akoma nuk ka një “datëlindje” të saktë, siç mund të ndodh me një akt, vendim apo rezolutë. Por jam i sigurt se as ditë mbarese nuk do të ketë. Besa lindi përnjëherësh me shqiptarin dhe do të rrojnë sa vetë populli nga i cili lindi, e pasuroi, e përmirësoi, e burrërori duke i dhënë cilësi e vlera të reja, duke e bërë Besën pjesë të tij. Kështu mund të pranohet edhe për rastin e historisë së Besës së kombit tonë. Dy legjendat tona, nga më të bukurat e më të lashtat, e çdo vendi: Besa e Kostandinit me Doruntinën dhe ajo e murimit tek legjenda e Rozafatit në Shkodër, janë dëshmia më autentike të lashtësisë së besës, që janë pjesë e historisë dhe e kulturës sonë, pse jo edhe e tragjedive tona. E themi tragjedive, sepse Besa ka lindur si nevojë e shmangies e efekteve negative të pabesisë.
Roli që ka luajtur dhe vendi që ka zënë Besa në jetën e popullit të trevës së Dukagjinit, është e shumëvlerëshme, por është edhe një pjesë e artit dhe kulturës së mrekullueshme të kësaj krahine. Ky tipar i veçantë i popullit tonë u fiksua në klube, organizata patriotike, në organe shtypi e deri në emra vendesh. Në tërë periudhat historike, Besa, na shfaqet së pari si një virtyt moral, me fuqi vepruese, nga më të bukurit e popullit, për të ruajtur vlerat e veta si krahinë, si popull, si komb. Dhe kuptohet, se: lufta për vetëqënje është shkalla e parë dhe ndër më kryesoret e emancipimit të një populli.
Ideja e bashkimit të kombit në luftë kundër të gjithë armiqëve për të ruajtur të paprekur kufijtë e Atdheut, nderin, dinjitetin, paverësinë, në tokën dhe hallet e veta, ka qënë një nga preokupimet e vazhdueshme të popullit tonë, dhe padyshim, edhe nga më të hershmit. Por për të arritur deri tek ky bashkim, që më vonë u quajt: unitet midis fjalës dhënë dhe veprimit, është dashur shumë mund, në përpjekjet e gjata shekullore, është bërë luftë e derdhur gjak, e shprehur në atë emër të bukur e me vlera të mëdha për kohën e vet: Beslidhje.
Besëlidhjet që i hasim në kohë e për probleme të ndryshme në të gjitha krahinat e Shqipërisë, kishin në qendër të vëmendjes, bashkimin e kombit, e cila ishte ëndrra e të gjithë brezave tanë, për të qënë të lirë, të pavarur e të vetëqeverisur. Këtë tipar të mrekullueshëm të popullit tonë, edhe në Dukagjin, e shohim të marrim përmasa gjithnjë e më të mëdha pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Përpjekje punë, gjak, mençuri, sakrifica dhe ide mjaft të mëdha, mjaft të avancuara për kohën, mbart në vetvete edhe Besëlidhja e Dukagjinit, që u mbajt në fundin e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit që kaloi, në Prekal të Dukagjinit me 25 shtator të vitit 1919 midis përfaqësuesve të Shalës, Shoshit, Pultit e Postribës me thirrjen proverbale:
“Kush asht trim e kush asht burrë,
Ta bajmë bashkë besën mbi gurë“. Sepse Besa për malsorin dukagjinas është si një vendim “Mos me i luajt besës sa curri”.
Duke i studjuar me vëmendje të shtatë pikat e këtij akti besilidhje, arrihet në përfundim se: ajo lindi si domosdoshmëri e kërkesave të reja të luftës së popullit tonë, fill pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ku fatet e popullit shqiptar ishin bërë objekt kryesor dhe lakmi e fuqive imperialiste. Ishte koha kur populli ynë “… filloi jetën e vetë të pavarur si një shtet çifligaro- borgjesz, i rrethuar prej armiqsh, të cilët nuk hoqën dorë nga synimet për të na coptuar, ose për të na vënë në orbitën e ndikimit të tyre…”
Në Beslidhjen e Dukagjinit në fjalë, 100 vjetorin e së cilës e përkujtojmë sot, lihen me një anë çështjet krahinore, hakmarrjet vetjake, ndasitë fetare dhe këmbënguljet nga të gjithë për t’ju bërë ballë bashkërisht, me një luftë të fortë dhe të organizuar, të gjitha atyre dukurive e veprimeve të njerëzve, qofshin edhe qeveri, që ceënonin lirinë e zakonet e mira të popullit e të krahinës. Këto kërkesa ridhnin nga nevoja sepse në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit që sapo kaloi “ … detyra kryesore e popullit shqiptar ishte lufta për ta mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të shtetit shqiptar…” Pikërisht kjo ishte edhe problemi më kreyesor pas të cilit u kapën burrat më të mënçur e të dëgjuar të Dukagjinit, që formuan këtë besëlidhje.
Që në kohë të hershme, shekuj më parë, beslidhjet ishin kuvende të një rendësie të madhe, të pazëvendësueshme, për të disiplinuar një seri rregullash të jetës shoqërore e vetjake, si në trevën e Dukagjinit ashtu edhe midis krahinave të ndryshme. Veçanërisht e rendësishme ishte kjo në të nëntë bajrakët e Dukagjinit. Ata, pra Beslidhjet, ishin dhe u trajtuan, u futën në jetën e krahinës, si një virtyt moral me fuqi vepruese i së drejtës zakonore të krahinës e trashëguar nga brezat. Një vend të veçantë dhe të nderuar, zënë Besëlidhja e Dukagjniit e vitit 1919, e cila vendin më kryesor ja kushton mbrojtjes së vendit, luftës kundër pushtuesve që synonin coptimin e Shqipërisë. Ja si shprehet ajo:
“Me ndihmue shoqi shoqit me gjithë mjetet tona kombëtare për me ndalue çdo invazion të çdo armiku me qëllim të pushtimit e të coptimit të Shqipërisë“, thuhet në pikën e parë të kësaj Beslidhje.
“Me i dal sot me sa të na marrin fuqia e flamurit, vetqeverimit të lirisë se tokave të Shqipërisë si nga gegnia ashtu edhe nga toskënia…”.
Kuptohet fare lehtë se me sa mençuri e përgjegjësi është formuluar kjo pikë. Kjo kërkesë e vendosur në Beslidhjen e Dukagjinit plot 100 vjet më parë, tregon për shkallën e lartë të vetëdijes kombëtare të burrave të mënçur e atdhetarë të Dukagjinit, që sfidon sot tërë politikën shqiptare, sharlatan dhe krerë partish të sotme, që mburren gjoja me patriotizëm e gjoja me atdhetarizëm. Ky fakt edhe sot e kësaj dite është mësim atdhetar se si duhet të mendojmë e të punojmë. Eshtë nga ana tjetër edhe një goditje e fortë e politikës përçarëse gjoja jug-veri e anasjellatas. Eshtë aktuale edhe për një fakt tjetër. Kjo Besëlidhja u mbajt vërtet në Prekal të Dukagjinit, një zonë tërësisht katolike, por në këtë kuvend mori pjesë edhe Postripa tërësisht myslimane. Pra këtu e 100 vjet më parë, ishte kapërcyer në mënyrë shëmbullore, gjoja keqkuptimi, dhe ishte arritur mirëkuptimi, jo vetëm midis bajraktarëve, por edhe midis besimeve fetare. Ky është një shembull i shkëlqyer, jo vetëm për qytetin e Shkodrës sot, por edhe për mbarë vendin. Mbi të gjitha, kjo ka vlerë për t’u marrë si shëmbull sot nga vetë dukagjinasit.
Pa më të voglin dyshim, këto dy vendime të atë Belidhje, e kanë burimin tek tradita, tek Besa, tek ëndrra shekullore e Dukagjinit për të qënë të bashkuar, të vetëqeverisur, edhe shmangia që i bëri populli konfliktit të rrezikshëm të pranverës së përgjakshme të vitit 1997, që e kishin organizuar si tradhëtarë shqiptarë, që këtej e kanë zanafillën. Ishin pikërisht këta që organizuan vitin 97, po këta kishin kundërshtuar tre vjet më parë Kuvendin e Pajtimit Mbarëkombëtar, në krye të cilit ishin akademiku Rexhep Qose dhe figura të tjera të nderuara shqiptare.
Gjon Marashi
Duke ju kthyer rrënjëve të kësaj Besëlidhje në trevën e Dukagjinit dhe motiveve që mbartin dy pikat, që cituam më lart, gjejmë se origjina e saj është shumë e hershme, disa shekullore. Në kryengritjet e gjata të populli tonë kundër tërë sunduesve, veçanërisht atyre otoman, vala e kundërshtimeve u rrit shumë. Të organizuara mirë dhe të gjata në vite, ishin kryengritjet gjatë viteve 1536,1556-1570, të cilat edhe në Dukagjin morën një karakter të veçantë luftarak e atdhetar. Në të gjitha këto kryengritje, vendin qëndror e zinin përgatitjet e tyre në kuvendet tradicionale. Për të bashkuar popullin në ato lëvizje, në Dukagjin në ato vite,u formua edhe Lidhja me karakter politik “Malet e shqiptarëve” me iden e madhe:
“Si të partë që u lidhën motit,
Si në kohën e Gjon Kastritotit”, thotë një këngë.
Edhe mbas këtyre, lëvizje të tilla nuk u ndërprenë në Dukagjin. Vazhdimi i tyre ishin ato të viteve 1687-1691 në tërë Malësinë e Veriut, në Dukagjin, që avash-avash u bënë një faktor me rendësi për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare. Kryengritjet e besëlidhjet përgatitën truallin, formuan bindjen dhe ngritën vetëdijen në mbarë popullin për pjesëmarrjen në lëvizjet e mëvonëshme, që e çuan krahinën e Dukagjinit, si mbarë popullin shqiptar, drejt Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në të cilën edhe Dukagjini kishte pjesën e mundit, të mençurisë dhe të gjakut të derdhur, për të njëjtat motive atdhetare:
“Pa e lëshue Besën nga dora,
Se pushk e besë na i la i pari”, me porosin e mbarë Dukagjinit: “Besa dore të mos lëshohet”, sepse betimi i tërë popullit Dukagjinit, për një qëndresë: “Me ba dekën si me le” arriti deri atje sa:
“Varem në kamë e lidhem në vargoj,
Shqipënin ma nuk e lëshoj,
Nuk e lëshoj shumë as pak,
Pllalm për pllam pa e la me gjak” ishte vendimi i burrave të Dukagjinit.
Një vend i veçantë në Beslidhjen e vitit 1919 i kushtohet faktit se: shqiptari, praktikisht dukagjinasi, duhet të jetë e të mbetet një shqiptar i ndershëm, besnik i vendit të tij, i zakoneve të mira dhe i çdo gjëje të ndershme, si dhe i papërlyer në ligësi me të huajt e në dëm të vendit të vet.
“Mos me iu ba kollë e mos me trezue vendin tonë dhe me dënue ashpërsisht mbas zakoneve të vendit çdo shqiptar, që kërkon me e prishë bashkimin e qetësinë e Postripës, të Shalës, të Shoshit e të Pultit, tuj u ba vegla e ndonji anmiku”.
“Me i lehtësue ushtrimin e punës çdo të huaji, që njihet miku i Shqipnisë e i kombit shqiptar e që vjen në bajrakun tonë për me marrë vesh hallet, dertet dhe dëshirat tona…”
Pra siç del nga sa cituem më lart, në Beslidhjen në fjalë ripërsëriten ato cilësi të mrekullueshme të popullit të Dukagjinit siç janë: dashuria për atdheun, respekti për njeriun e punës ndershme, që punon me nder e përgjegjësi për të mirën e krahinës, të popullit e të vendit në përgjegjësi. Nga ana tjetër, Beslidhja në fjalë, tregohet e rrebët ndaj atij që do të prishë rregullat, parimet e vendit, zakonet e mira të Dukagjinit dhe vendimet e Beslidhjes që rregullonin jetën shoqërore të krahinës.
“Cilido prej bajrakut të Dukagjinit ose të Postribës, prej parijes ose prej vegjëlisë që guxon me punue kundra shorteve të kësaj bese ka me pas dënimin ma të randë mbas Lekë Dukagjinit”, – thuhet më poshtë në pikat e kësaj Beslidhje.
Në tëra pikat e kësaj Belidhje, mençuria e popullit dhe nevoja e kohës nuk lanë pa marrë edhe disa vendime, për ato çështje, që siç duket, koha i kishte shtruar si domosdoshmëri, veçanërisht për situatën që ndodhej Dukagjini në atë kohë. Ja sa bukur, sa me përgjegjësi shprehet ky shqetësim i tyre për rregull, rend e siguri.
“Mos mu vra, mos mu grabit, mos mu plaçkitë e mos mu ba dam me kurrfarr mnyre shoqi shoqit…”
“Me pas liri kalimi prej Postribës në Shalë, në Shosh e në Pult pa fare ndalimi ditën as natën”.
Duke i krahasuar me realitetin e sotëm, dy vendimet e mësipërme të kësaj Beslidhje, veçanërisht në drejtim të vendosjes së rendit, të sigurisë të jetës së njeriut, të pronës e pasurisë së tjetrit, sot mbas 100 vjetësh kur janë marrë këto vendime, si çdo shqiptar i ndershëm, konstatoj me dhimbje, se jo 100 vjet, por 1000 vjet kemi ecur prapa. Teoria ogurzezë, për luftën kundër komunizmit, ndër të tjera u zbatua edhe me parullat e çekuilibrimit si : “Prona e të gjithëve, prona e askujt”, “ Shqiptarët e vranë frikën” , “Tani janë të lirë të bëjnë ç’të duan”, “Vendimet e Kanunit kanë më vlerë më tepër se teoria e Marksit” etj. Këto parulla të veshur me një pelerinë të zezë politike, ju shërbyen disa njerëzve, mbas vitit 1990, si hapsira dhe liri për të kryer veprime që as mendja e njeriut nuk mund të rrokte. Megjithatë, pjesa më e madhe e popullit ka reaguar që me kohë ndaj kësaj barbarie të pashëmbullt, dhe po kthehet përsëri tek vlerat e veta të mrekullueshme të familjes e të krahinës.
Njera nga këto vlera, është edhe puna e Shoqatës sonë Atdhetare “Dukagjini” nëpërmjet veprimtarive të saj dhe gazetës, për t’ju rikthyer historisë vlerave tona, për të shmangur me çdo kusht konfliktet dhe gjakmarrjen midis dukagjinasve të tjerëve, e cila ka 28 vjet që është plagë më e rendë, më e rrezikshme, një tragjedi e vërtetë, më e rendë se disa luftra të marra së bashku. Vlera pozitive, për këtë çështje, i gjejmë edhe tek Beslidhja e Dukagjinit, tek Beslidhja jonë, e vitit 1919, për të cilën flasim. Në këtë Beslidhje spikat kudo ideja e bashkimit, e qëndresës, e mbrojtjes kolektive, e ruajtjes së jetës, i njeriut dhe pasurisë, për të bërë bashkarisht çdo sakrificë në emër të lirisë së atdheut, për zakonet e mira të poullit, për jetën e qetë e në mirëkuptim midis njeri-tjetrit.
Pjesa II
Historia e vjetër dhe e re e Dukagjinit, është e mbushur me qindra raste, që bëjnë fjalë për këto vlera, ku burrat kanë shkuar drejt vdekjes pa ju dridhur qerpiku i syrit, pa ju ligështuar gjuni, sepse “ Trimi lidhet vetëm për besë“. Këngët popullore, për këto ngjarje, na i sjellin nga shekujt amanetet e tyre, të cilat janë thirrje për bashkim, për luftë, për lirinë e nderin, që janë edhe amanete për ne dhe ata që do të vijnë pas nesh. Momenti i qëndresës tek shtatë shaljanët legjendar rreth vitit 1806 evokon pikërisht këtë ngjarje:
“Shtatë shalnjanët kanë ra në Shtoj,
Ja dhan besën shoqi- shoit,
Shoqi -shoit ja kanë dhanë besën,
Në saraj të Shkodrës po biem e desim”.
Pra siç del Besa për dukagjinasin ishte betimi më i pathyeshëm, ishte më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër, edhe se vetë jeta. Por Besa ishte edhe amanet.Për Besën dukagjinasi, jep djalin, gjithçka ka, vetë jetën, për nderin, për vendin, për jetën e dikujt. Kështu, fillë mbas shtatë shaljanëve, rreth viteve 1816, Marash Tuçi nga Brashta e Shoshit, ja nisi pushkën Pashait Shkodrës se ja preu mikun në besë, i cili i thirri berberit ku po rruhej:
“Ndale berber briskun,
Se ma preu Pasha mikun”.
Dhe menjëherë del jashtë dhe ja nis pushkën xhandarëve të pashait aty ku sot quhet “Dugjajt e reja”.
Beslidhja e Dukagjinit e vitit 1919, ishte njera nga Beslidhjet më të qarta, që mori shtatë vendime mjaft të avancuara për kohën e vet, siç i pamë edhe më lart. Ndryshe ajo ishte Belidhja më e përparuar në dy shekujt e fundit në trevën e Dukagjinit. Ajo ishte pasardhëse e lidhjeve të tjera siç ishin “Djelmia e Shalës” e vitit 1905 me në krye Mehmet Shpëndin, e cila kishte si qëllim: të mbronte të drejtat e vegjëlisë fshatare. Dhe përësi kemi një ripërsëritje të kësaj Beslidhje në majin e vitit 1907. Këto dy akte beslidhjesh u botuan si shtojca në Kanunin e Lekë Dukagjinit, që u botua në shkodrër me 1933.
Aktete Beslidhjes Dukagjinit vitit 1919, shohim të kenë marrë jetë dhe fuqi vepruese, për qëllimet e mësipërme, deri në nëntorin e vitit 1926. Por tre vjet më përpara, në tetorin e vitit 1923, duke parë se rezistenca kundër qeverisjes atëherëshme po rritej, u bë një përpjekje, jo nga dukagjinasit, nga nënprefketura e Dukagjinit dhe administrata e Shkodrës, për të formuar një Beslidhje me Dukagjinin me qëllim “… që të mbahet qetësi e me ju nënshtruar urdhërave… “ Por kjo mbeti thjesht një dëshirë e përpjekje e tyre e dështuar, sepse nuk u pranua nga Dukagjini.
Në qershor të vitit 1925, A. Zogu, duke pa rezisteca kundër tij po rritej, si rrjedhojë e marrjes pushtetit me dhunë dhe me mercenar të huaj, armiqtë shekullor të kombit shqiptar, organizoi një kongres me baraktarët e vendit, që u quajt: “Kongresi i Baraktarëve”. Qëllimi ishte për t’ju kërkuar besë për besnikëri ndaj tij. E vetmja krahinë e Shqipërisë që nuk mori pjesë në këtë kongres pabesie, ishte Dukagjini. Dhe kjo ndodhi sepse:
“ Sa për vend e për liri,
Kam ra pre, kam bamun gjaqe,
Kam shkue jetën si bisha malit,
Zbath e çvesh dhe pa ngranë,
Por as mbretit, por as krajlit,
Tungjat jeta si kam thanë…”, thuhet në një këngë.
Një vit më vonë, në nëntorin e vitit 1926, në Dukagjin, ndodhi një ngjarje që është folur e lakuar shumë; disa e quajnë si kruengritje, disa si rebelim, disa si Besëlidhje, të tjerë si kryengritje a luftë. Pa u zgjatur, sepse kam analizë të veçantë, ajo ishte një kryengritje e mbështetur mbi një program beslidhjesh e vlerash të Dukagjinit. Nga aspekti i Besës veçohet fakti se: Disa nga të burgosurit e dënuar me vdekje dhe me 101 vjet thyen burgun e Shkodrës e ikën. Në përpjekjet për t’u larguar, njeri nga shokët u plagos e mbeti. Mark Milani nuk iku e me lanë shokun e plagosur. Ai u kthye, e ndërsa tërhiqesh me shokun e plagosur në krah, u kapën dhe u varrën në litar. Pra ai nuk u largua vetë, që i kishte mundësitë, sepse i kishte dhënë besën shoqi – shoqit që kurse ishin ngritur në kryengritje bashkë, sepse siç thotë kënga kushtuar këtyre burrave, për këtë ngjarje:
“Mark Milani burrë prej Shoshit,
Po t’mos ishte besa e Zotit,
Kurr s’ja pash shtyllët konopit”.
Pra trimi me përmasa legjendare Mark Milani, u flijua në litar për fjalën e dhënë, për shokun, për besën e burrit, për besën e shqiptarit, në emër të një ideali të madh, për të luftuar deri në vdekje kundër regjimit gjakatar të A. Zogut. Kështu Besa në trevën e Dukagjinit fitoi vlera më të mëdha e të qëndrueshme nga moti në mot e cila shfaqej heroike në bëmat e trimëritë e dukagjinasve.
Lekë Dukagjini
Përsëri në fundin e dhjetorit të vitit 1941, duke parë se influenca e LANÇL po rritej edhe në Dukagjin, veçanërisht në Shosh, pushteti i atëhershëm me disa krerë, bënë një përpjekje tjetër për të formuar një Beslidhje, për t’ju kundërvënë e shuar flakën e luftës, që po ndizej edhe në këtë trevë. Por edhe kjo para se të firmosej kishte dështuar, sepse populli i Dukagjinit nuk u bashkua me ta. Dhe po këto krerë, me urdhër të Anton Harapit, anëtarë i Regjencës fashizmit gjerman, në janarin e vitit 1943, formuan të vetëquajturin Komitet Qëndror të Besëlidhjes Dukagjinit, që kishte për qëllim të pengonte çlirimin e Shqipërisë. Por në këtë kohë në Shosh ishte krijuar çeta partizane e cila më vonë mori emrin: “Çeta partizane e Dukagjinit” dhe populli me në krye patriotët ishin lidhur besa besë me luftën për liri dhe kundër çdo pabesie në dëm të lirisë së Shqipërisë. Eshtë e njohur edhe një përpjekje tjetër e fashistëve në luftën e Reçit në Shkodër me 1943 për të formuar një Beslidhje kundër luftës e pro fashizmit. Por populli i Dukagjinit nuk bashkohej në të tilla “beslidhje” antipopullore. Popullit i kishte treguar vetë hisoria se në çfarë besëlidhjesh do të merrte pjesë.
Siç e thamë edhe diku më lart, mbas çlirimit të Shqipërisë nga dy pushtime njeri pas tjetrit, Besa në Dukagjin mori rëndësi të madhe dhe fitoi vlera të reja. Burrat më të mënçur e më trima të krahinës dhanë Besën vetë dhe kërkuan besën të tjerëve, për të krijuar marrëdhënie të reja mbi bazën e mirëkuptimit reciprok për të gjitha problemet e jetës. Kjo punë filloi me atë që u quajt “Komisioni i Pajtimit Gjaqeve” që rrokte një territor nga Ura e Mesit në Shkodër e deri në kufi me Malësinë e Gjakovës. Kjo punë pati efekte të mëdha, sepse u falën shumë gjaqe e konflikte të reja e të vjetra. Kjo punë çoi në atë që nga viti 1945 deri më 1990, vrasjet për gjakmarrje në Dukagjin, ishin më të pakta se në tre orë të vitit 1997.
Jemi në vitin 2019, plot 100 vjet mbas Beslidhjes së Dukagjinit të 25 shtatorit të vitit 1919. Në këto 100 vjet, Dukagjini ka parë e hequr shumë, siç i thonë. Në këto 100 vjet. Dukagjini përjetoi shtypje e masakra, përgjakje e terrore, lajka e premtime, nga pushtues e qeveritarë të ndryshëm, të huaj e shqiptarë, të cilët vazhdimisht ju referoheshin cilësive burrërore të krahinës sonë, duke u përpjekur me dinakëri, shfrytëzimin e këtyre cilësive të mrekullueshme: Besën e Dukagjinit. Duke e studjuar me vëmendje rrugën e ecjes Dukagjinit në këto 100 vjet, me përjashtime të vogla, me indivit të paktë në kohë e situata të ndryshme, konstatoj se: në përgjithësi ecja e Dukagjinit, ka qënë në drejtimin e duhur, drejt progresit dhe rritjes së vlerave të tij, ku në çdo periudhë e kthesë, është orientuar drejt së përparuarës, drejt rritjes vlerave, ku sot në vitin 2019 mund të thuhet me të drejt se kurrë nuk kemi qënë më të afirmuar se sot në të gjitha drejtimet.
Por, konstatoj me dhimbje se: kthesa e endërruar nga ne, për shumë probleme, në vitin 1991, u shoqërua me ngjarje e veprime tragjike për mjaft shqiptar, për shumë individë e familje të Dukagjinit. Në këto 29 vjet, jo vetëm u harruan, por edhe u nëpërkëmbën, u poshtëruan vlerat që patëm krijuar, ndër të tjera, edhe për trimërinë e Besën, nderin e dinjitetin, traditat e respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë, që krahina e jonë e Dukagjinit i ruajti, i pasuroi dhe i solli nëpër shekuj, si vlera të pazëvendësueshme të jetës së tij.
Situata dhe problemet me të cilat po përballet Dukagjini sot e 29 vjet, veçmas, për konfliktet e reja e të vjetra, për hasmërit e gjakmarrjet dhe tërë pasojat që rrjedhin prej tyre, i kanë vënë në një nga provat më të vështira të jetës së tij: Vlerat shekullore që patëm krijuar për Besën, për burrërinë, për nderin, për zakonet e mira, për vetë jetën. Jemi vënë në pikëpyetje të gjitha moshat e brezat, burra e gra, të ri e të moshuar. Por mbi të gjithë, janë vënë në provë, trimat dhe të mençurit, intelektualët e përkushtuar për ta shuar plagën e gjakmarrjes të derisotme, për të parandaluar të rejat, për t’i dhënë jetë e bukuri jetës përbashkët të familjes dukagjinase.
Në 29 vjetët e fundit, i kudo edhe në Dukagjin, vërshuan politikan të çdo kallëpi për fushatat elektorale, duke e ditur se stabiliteti i jetës në krahinë, bazohej me shumë tek zakonet dhe traditat e mira se sa tek bindjet politike, duke ju lutur për votat, duke ju kërkuar Besë dukagjinasve, dhe me dinakëri, duke ju dhënë gjoja Besë se mbas fushatës, do t’u zgjidhen tërë hallet. Këta politikanë e qeveritar besëprerë, mbasi merrnin votat nuk pyesnin më se përse në Dukagjin mbyllen shkollat nëpër fshatra, përse shuhet shërbimi shëndetësor, përse nuk rregullohen rrugët, përse ka kaq shumë hasmëri e gjaqe, përse nuk jepen bursa për studentët nga Dukagjini, përse nuk ka energji elektrike, përse nuk u zgjidhën hallet dukagjinasve që kanë lëvizur nga vendbanimet e tyre e tjera. Këta kur marrin votat i “harrojnë“ premtimet. Këta nuk mbajnë fjalë as besë. Këta e kanë braktisur popullin. Këta janë besëprerë. Këta janë të pabesë. A duhet t’u besojë më populli?Tradita e Dukagjinit ka lënë një amanet:
“Zakon t’parët na kan lanë,
Bes t’pa besit mos me i dhanë“
Në kushtet sotme, me problemet dhe hallet që po përballemi, të cilat kërkonjë zgjidhje, Dukagjini e çdo dukagjinas, mendoj se duhet të mendohet mirë se: në çfarë aleancash e beslidhjesh duhet të bëjnë pjesë, me kë dhe për çfarë problemesh, duke i përjashuar ato me partitë dhe bastardët politik. Së pari Dukagjinit i duhet mirëkuptimi dhe besë ndaj njeri-tjetrit. Eshtë tepër e rendësishme, që dukagjinasit të gjejnë mirëkuptim me veten e të tjerët, për ato probleme që thamë më lart, veçanërisht për të ndërprerë hasmërit e gjakmarrjen. Kjo duhet bërë patjetër, sepse nga shpirti i dukagjinasit pafajshëm e të ndershëm, thërret drejtësia kundër padrejtësisë, thërret gjaku i pafajshëm të mos përdhunohet nga gjaksorët e ri, sepse thërret nderi kundër antinderit e të pandershmëve, sepse na duhet mirëkuptimi e bashkimi dhe jo përçarja, sepse na duhet ecja përpara e jo kthimi prapa, sepse na duhet jeta e secilit dhe jo vdekja e kombëshme.
Në këto kushte e për këto probleme, duhet t’u kthehemi patjetër tek traditat e mrekullueshme të parëve tanë, të shprehura aq bukur në Besë e në Beslidhjet tona famëmëdha. Në vijim të këtij arsyetimi dhe për problemet e mësipërme:Ju propozoj burrave të mençur e trima të Dukagjinit, që kurrë nuk i kanë munguar, tërë brezave, rinisë përparimtare, intelektualëve të përkushtuar, që nëpërmjet shoqatës sonë të nderuar atdhetare “Dukagjini”, që pas një përgatitje serioze e të gjithanshme, të formojmë një Beslidhje tjetër të re, me emrin “Beslidhja e shekullit ri”, ose “Beslidhja e Dukagjinit e shekullit të ri”, e cila vitin që vjen, korespondon edhe me 115 vjetorin e Beslidhjes “Djemnia e Shalës” e legjendarit e prijësit saj Mehmet Shpendi, e vitit 1905. Ripërtëritja e Beslidhjeve dhe e vlerave të tyre, për Dukagjinin sot është më e domosdoshme se kurrë, sepse Besa e burrave të krahinës sonë, siç e pamë edhe më lart, ka jetë, fuqi vepruese, efekte dhe garanci më tepër se çdo kanun a ligj.
Si përfundim, Besa dhe Beslidhjet e Dukagjinit, erdhën nëpër shekuj si virtyte e vlera të pazëvendësueshme me asgjë tjetër në jetën e krahinës, të shprehura aq bukur në ato shtatë pika të Beslidhjes së vitit 1919, e cila aktualizohet sot më tepër se kurrë…
Mehmet Shpendi
Referencat
- Historia e Shqipërisë: Vëllimi 3, faqe. 8,19.
- 2.AQSH, FN/646,D N/4,D N/1 viti 1919.
- Fjalor i E SH faqe 564.
- 4.Kanuni i Lekë Dukagjinit, faqe 126-127, viti 1933.
- 5.AQSH,F N/646, D N/761, viti 1926.
- AQSH F N/646, D N/3, viti 1943.
- Historia LANC, V N/2 faqe 454.
- Lirika popullore V N/1 kebga 304.