Sipas studiuesve janë dy mbretër ilirë me emrin Monun, njëri mbret i Dardanëve ilirë kurse tjetri i Taulantëve ilirë. Ka rëndësi posaçërisht e dhëna fonetike e rrënjorit mon-, që shfaqet më vonë me trajta man-, mant-, mat- etj. gjithnjë në funksione onomastike pellasde-ilire (thrakase)-shqipe. Dhe, ç’është me rëndësi, se antroponimet me fjalën mon-man shfaqen në një territor të gjerë ilirë, si në Dardani, Thraki, Azi të Vogël, Maqedoni, Shqipëri, Dalmaci etj., mendim që po e përforcojmë me të dhëna konkrete të dijetarëve.
Sipas Fanulla Papzogllut: “Nga fundi i shek. III p. e. s. ishte mbreti dardan Monunios, vajza e të cilit u martua me mbretin ilir Gencin (gjysma e parë e shek. II p. e. s.). Emrin Monunios e kishte në fillim të shek. III edhe një mbret tjetër ilir, i cili është dëshmuar edhe me anë të një mbishkrimi të varrit nga Apollonia. Ai emër gjithsesi ishte ilir…disa mendojnë se Monuni ka qenë mbreti i Taulantëve, i fisit ilir të jugut në gjirin e Dirahionit. Duke e konsideruar mbret të Dardanëve, Drojzen mendon përfundimisht se sundimi i Dardanëve në kohën e Monunit është zgjeruar në tërë Ilirinë Jugore, deri te Dirahia, ku kinse dardanët u kacafytën me mbretin epirot Aleksandrin, të birin e Pirros…”.
F. Papazogllu e përmend këtë emër edhe si matronim, mandej edhe si antroponim në Azi të Vogël dhe në Thraki: “Emër gruaje Mania, mandej Manton Zivosoin dardanis. Kjo përputhje ka rëndësi të veçantë, sepse dëshmon lidhjen gjenetike të Dardanëve të Azisë së Vogël dhe të Ballkanit, si dhe ruajtjen e elementeve të moçme dhe ruajtjen e traditës. Nga e njëjta rrënjë është edhe emri Manioi në Thraki.” Kjo e dhënë e F. Papazogllut për përdorimin e antroponimeve të tipit Man tek ilirët dhe te thrakasët përforcohet edhe me mendimin e Prof. E. Çabejt, që thotë: “Man bashkë me mal e karpë është një nga ato fjalë që shqipja i ka të përbashkëta me trakishten e ilirishten”. Edhe D. R. Mioçeviqi e cek mbretin ilir “8. Monunije-i njohur në vitin 280 p. e. s. (Besohet se ishte i biri i Bardhylit të II ose i Grabosit?)”. Mirëpo, edhe për R. Katiçiqin emri vetjak Monnunius është i ilirëve dardanë, kurse V.I. Georgievi një Monunis e konsideron të Maqedonisë antike dhe të Dalmacisë. Janë me interes gjuhësor trajtat e antroponimeve ilire që na i ofron A. Mayeri: Monition, Monetinoi, Monadi e Moentinoi. Sidomos ka rëndësi-o-ja e rrënjës që më pastaj ka dhënë-a-: mon>man. /InforCulture.info