Ky mund të jetë shkrimi ma i vjetër shqip që përmend kontinentin dhe vendet e saj. Dalë nga pena e rilindasit Naim Frashëri në një kohë kur librat në gjuhën tonë qenë të ndaluar, teksti përshkrun Shtetet e Bashkuara apo “Vëndet’ e bashkuare” si vendin më të zhvilluar të botës.
Njëherësh, poeti ynë kombëtar duket se e ka qujtë Kanadanë “Kanadë”, ashtu siç bëjnë sot kosovarët.
Tekstin e gjejmë në dy libra shkollorë: kapitullin “Dheshkronja” në Dituritë për mësonjëtoret e para (1886) dhe te Gjithësija (1895). Me germa të sotme del kështu:
Amerik’ e veriut ndahetë më katërë copë:
1. Anët’ e veriut, që janë shumë të ftohta, edhe më të shumëtë vënde janë t’Ingliterësë; kanë katërë miliunë njerës, m’i ditur’ i këti vëndi është Kanada dhe ka k. q. Kjebeknë.
2. Vëndet’ e bashkuarë, që janë prej 34 dhimokrative të bashkuara, dhe kanë 35,000,000 njerës: k. q. i gjithëve është Vashinktoni edhe më të mbëdhenjtë qytete janë Nevjorku me 800,000 njerës, Bostoni me 200,000, Filladhelfija me 560,000 etj. Ky vënt është më mbroth në dituri e në dritë dhe së gjithash nga gjithë bota.
3. Meksika, q’është një dhimokrati me 8 miliunë njerës, edhe ka k. q. Meksikënë.
4. Guatemalla dh’ Amerik’ e mezit, që kanë 2 miliunë njerës, edhe k. q. Guatemallënë: në këtë vënt është [kanali] Panama, që po e hapinë tani.
Se Naimi i veçon Shtetet e Bashkuara si vendin ma të zhvilluar të rruzullit është e qartë. Por, për se e ka fjalën kur thotë “në dituri e në dritë”? Shkencën dhe arsimin?
Burimi: N.H.F., Gjithësija (Bukuresht, 1895)/Telegrafi/