“Unë jam tani në shtratin e vdekjes. Po të lë një mbretëri me forca të mjaftueshme mbrojtëse, por ty si pasardhës të pa shkathët për moshën që ke për ta qeverisur mirë. Megjithatë, nëse ti ndërkohë bëhesh i guximshëm dhe i virtytshëm, do të jesh në gjendje t’ i përbuzësh të gjitha fyerjet e armiqve. Nuk është madhësia e një shteti që e bënë të respektueshëm fronin mbretëror, por shkathtësia e atyre që e mbajnë. Nëse ti je plotë cene, je skllav i ministrave tu, mendjelehtë ndaj zërave lajkatarë të oborrtarëve tu, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa rrëzimi poshtë nga pika kulmore në të cilën je vendosur. Ti duhet ta admirosh dhe ta kultivosh virtytin si bazë të fronit mbretëror. Virtyti nuk është një hije. Ndoshta do të ta thonë një ditë kështu, mos harro se kushdo që të thotë këtë është i pabesë dhe tradhtar, që për të qeverisur në vendin tënd, përpiqet të krijojë intriga maksimale të rrejshme, të cilat pastaj, herët a vonë, do të shkaktojnë rënien tënde.
Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të ligët ose do të largohen prej teje, ose nga interesi i tyre personal, do të mundohen të jenë të mirë dhe të dobishëm.
Me virtyt ti do të mund ta mbash me lehtësi mbretërinë e trazuar që po të lë, të acaruar nga luftërat e pandërprera; forcoje, ktheja qetësinë ; gjithashtu nëse je i guximshëm dhe punëtor , përpiqu të etablosh një gazetë në tërë mbretërinë, të çliruar nga çdo cenzurë, e cila do të shkruante për çdo padrejtësi, për të gjithë dhunën që do të ushtronin guvernatorët e provincës tënde, dhe që miqtë e farefisi i tyre do të qëndronin në oborrin mbretëror e do të mundoheshin ta mbanin të fshehtë nga ti, apo ta zbukuronin me pretekstin e drejtësisë dhe domosdoshmërisë.
Shqyrto gjithçka vetë, dhe nëse gjyqtarët, mësuesit, oficerët apo klerikët do të kryejnë krime dhe padrejtësi, atëherë ata të dënohen pamëshirshëm në vendin ku është kryer krimi. Do ta shohësh pastaj që pasardhësit e tyre do të mësohen që të bëhen të drejtë dhe njerëzorë. Por nëse ti vetë nuk përmbahesh nga dhuna, lëndimet dhe veset, të jesh shëmbëlltyrë e veprave të mira, të gjitha dekretet tuaja do të shërbejnë vetëm sa për t ́i shtuar mëkatet dhe krimet. Kur të marrësh timonin e qeverisjes në duar tua, kujdesu për Drejtësinë e cila është baza e të gjitha virtyteve. Ti duhet t’ i mbrosh zejtarët dhe punëtorët si njerëzit më të dobishëm të shtetet tënd, dhe të ndalosh rreptësishtë që të mos ndjehen të shtypur nga të pasurit.
Ti duhet të jesh i butë dhe miqësor ndaj bashkëpunëtorëve tu; duhet të gjendesh shpesh në mesin e tyre, të bisedosh me ta, t’ i pyesësh përmes ministrave tu nëse është zbatuar vullneti yt në pikëpamjen e së drejtës. Udhëheqësi që rri mbyllur gjithmonë brenda me oborrtarët e tij shikohet nga bashkëpunëtorët tjerë si armik ose tiran i tyre.
Prania e qeveritarit është e dobishme për vendin e tij sikurse prania dhe ngrohtësia e diellit për plleshmërinë e tokës. Dëgjo ankesat dhe kërkesat e popullit tënd me fytyrë të qeshur për të mbjell një besim tek ata, në mënyrë që të të ndihmojnë për të korrigjuar abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesu që kombi yt të ushtrojë fenë e krishterë, por mos persekuto askënd; mos detyro askënd që ta marrë fenë kundër vullnetit të tij. Dielli, që është imazhi i Zotit, shkëlqen pa dallim si për turkun ashtu edhe për të krishterin. Kushdo që të këshillon për të luftuar për kauzën e Zotit është një mashtrues që dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i plotfuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka pa ndihmën e askujt. Klerikët janë të nevojshëm për njerëzit sepse ata janë të kufizuar. Nëse fati ndonjëherë të sjellë të bëhesh endacak, i varfër dhe i pakënaqur, mos e ndërro fenë për interes. Ndërrimi dhe ndryshimi i bindjeve qytetare dhe politike janë shpesh shenja të dobësisë, por edhe një krim në aspektin fetar. Nëse ajo çfarë kanë përqafuar etërit tuaj si më të arsyeshmen dhe më të mirën, dhe e ke marrë si trashëgim me mbretërinë, ti nuk mund ta braktisësh atë si një mosmirënjohës: dhe njeriu mosmirënjohës është qenia më e urryer në botë. Mbyti që në fillim të gjitha teoritë e teologëve dhe kastës më të rrezikshme për lumturinë e një shteti. Ne kemi parë perandoritë më të lulëzuara që janë copëtuar dhe janë tronditur nga kundërthëniet e këtyre fanatikëve fatkeqë; krahina kryengritëse që nuk dëgjojnë më zërin e ligjit, vullnetin e mbretërisë dhe këshillat hyjnore të Fesë së vërtetë. Shih mbretërinë e Konstandinit nën skllavërinë e Mehmetit dhe perandorinë e Johan Paléologut të shkelur nën këmbët e kuajve arabë. Ai ishte besëtyt dhe priftërinjtë e tij lakmitarë, injorantë, oborrtarë të rremë dhe të zhytur në luks dhe mashtrim kurse tani princa, priftërinj, oborrtarë të vdekur apo si të vdekur nga skllavëria.
Nëse ti ke fatin t’ i mbash të diturit, filozofë në krahinat tua, të cilët janë ndriçuar nga pishtari i arsyes dhe jo nga shkëlqimi i rremë i sistemit, do t’ i lejosh të shkruajnë në qetësi dhe të ngrihen kundër paragjykimeve dhe intrigave nga kushdo qoftë që do të flasë në emrin e Zotit, për ta bërë mbretin dhe drejtësinë që të heshtin. Ti duhet t’ i mbrosh ata priftërinj kundër zellit të indinjuar të të ashtuquajturve adhurues të prirur dhe hipokritëve të vegjël, duke i shpërblyer ata për punën e tyre në gjykatat tuaja, ose në oborrin tënd mbretëror.
Kur dikush të flet keq për dikë, ti duhet ta dëgjosh vetëm me njërin vesh, por ruaje gjithmonë veshin tjetër për të dëgjuar të akuzuarin: të nxitosh me gjykimin tënd të prerë është shenja më e pamohueshme se njeriu nuk posedon asgjë. Duhet të jesh bamirës ndaj të gjithë personave.
Ashtu siç do të shkëlqesh në botë duke u spikatur me gradën që do të marrësh së shpejti, duhet të shkëlqesh për të tjerët me zemërgjerësinë tënde, cilësi kjo dalluese e princave. Një monark edhe po të jetë i varfër, duhet të jetë bujar. Kurseji kënaqësitë tua të tjera për ta bërë të plotë bujarinë, mbroji meritat e secilit dhe shpërble kudo, pa druajtje.
Mirësia duhet ta shoqërojë një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, i ngre altarët Zotit nga mirësia.
Frikësoju vetëm asaj fuqie që rigjallëron një dorë të dobët e të humbur të njeriut. Kujdesu gjithnjë për epokën tënde, të popullit tënd, farefisit tënd, që të mos i turpërosh apo t’ i mërzitësh e tu bësh dëm me mizorinë, arrogancën dhe injorancën tënde. Mos harro se njerëzit kanë lindur për të qenë të lumtur.
Dashuria nuk ka rrëmbyer kurrë fjalën time, vendimet e mia. Unë kam ndjerë ëmbëlsinë e saj vetëm në përqafimin e nënës tënde. Dashuria është kënaqësi për njeriun vetëm në mënyrën e bindjes dhe të rrëmbimit ndaj tjetrit. Unë nuk kam rënë në këtë pasion. Një princ me një karakter të këtillë nuk është gjithmonë i dobët ndaj kësaj shtyse: ai është gjithashtu i pajisur me dhuntinë e dashurisë ndaj njerëzimit, por nëse
i dorëzohet këtij pasioni, ajo e dobëson qenien e tij, e zbut shpirtin e tij, e dobëson forcën e tij trupore, dhe nuk mund të kundërshtojë shtytjet e rrezikshme që e rrëmbejnë. Për më tepër, dashuria e frymëzon me butësi dhe e bën atë armik të lakmisë, të rrugës së ndyrë që errëson virtytet më të shkëlqyera. Sidoqoftë ti do t ́i kërkosh për nuse here pas herë vajzat nga mbretëria e Transilvanisë, sipas propozimit që sapo më bëri ajo mbretëri përmes ambasadorit, me të cilën do të jetosh në bashkëshortësi të mirë dhe si shok besnik, ashtu siç më ke parë mua duke jetuar me nënën tënde.
Do të armatosesh me guximin dhe qëndrueshmërinë ndaj fatkeqësive dhe me qetësinë ndaj dështimeve. Mos ju dorëzo përtacisë; ajo është nëna e të gjitha veseve. Mos u kënaq me leximin e romaneve, ato turbullojnë mendjen. Mos bjerë në gjumë duke u besuar traktateve të fqinjëve tu; ata do të presin momentin kur do të jesh i pakënaqur për të të mposhtur dhe do të kenë pretendime të rreme për trashëgiminë që unë të kam lënë. Mos përfito kurrë nga spiunët për të marr vesh se çfarë thonë njerëzit për administratën tënde. Bëj mirë dhe lëri të flasin dhe të shkruajnë çfarë të duan: të gjithë janë një mburojë e mirë e mbretit; edhe spiunët do t’ i hakmerren atij mjaftueshëm përmes plumbit të përfoljes dhe shpifjes.
Lëri njerëzit e tu të shkruajnë, mundohu të marrësh përgjigje nga sekretarët tu për gjërat paksa më të rëndësishme dhe më të përgjithshme, por sekretet shtetërore nuk duhet të jenë për të tjerët, por vetëm për ty dhe aty duhet të jesh vetë sekretar.
Mos shpërfill askënd, edhe më i vogli dhe më i varfëri mund të të shkaktojë telashe, ashtu sikundër mund të jetë i dobishëm për ty me këshillat dhe guximin e tij.
Bëhu i durueshëm nga veprimet e luftës, dhe i patrembur nga rreziqet; i butë dhe njerëzor, kurrë mizor apo agresiv. Fshihi dhimbjet që mund të t’ i shkaktojnë fatkeqësitë tua; Armiqtë e tu do të jenë gjithmonë të gatshëm të të fyejnë dhe të të përulin në fatkeqësitë tua dhe ministrat e tu do të të tradhtojnë. Afroji të diturit, të huajt me përvojë dhe bëji këshilltarë tu, ndonëse nuk janë as fisnikë, as të pasur dhe as titulluarë. Të drejtat favorizuese që ua lë fisnikëve, janë rrjedhojë e politikës, ti mund të bësh fisnikë sa të duash.
Për injorantët e pasur mund të ofrosh shërbime nderi duke kursyer pronën tënde për mirëmbajtjen e trupave, oborrin tënd mbretërorë të shkëlqyer në kurriz të mburravecëve dhe të atyre që nuk kanë asnjë avantazh tjetër përveç arit të grumbulluar.
Mos u mbyll në mendimet tua. Shpjegoju oborrtarëve se kushdo që ju mashtron dhe ju dezorienton në punën rreth administratës publike, do të dënohet. Poetëve që të thurin ode dhe epistolarë për të të bindur se je më i madhërishmi, më fisniku, më i lavdishmi, heroi më i guximshëm luftarak nga të gjithë mbretërit, dërgoju si dhuratë një copë letër, bojë dhe penë përmes një memeci të panjohur nga oborri, me urdhrin që ta thonë krejt të vërtetën e asaj çfarë kanë shkruar dhe, nëse nuk mund ta bëjnë këtë, nëse janë të kufizuar për të dhënë këshilla të mira, atëherë lëri të paktën ta kuptojnë se nëse vazhdojnë të shkruajnë vetëm të pavërteta të këtilla të rrezikshme , ata do të mbyten si helmues të së vërtetës nga vetë ti si mbrojtësi i shenjtë i saj.
Kujdesu që të kesh gjithmonë ushtarë të mirë, të disiplinuar; që ushtarët tu të mos bëhen përtacë, të kalojnë kohën e tyre kot, ti duhet t ́i ushtrosh ata dhe t’i trajtosh jo si skllevër, por si shokët tu më të mirë. Kur je në luftë, duhet të sillesh si gjeneral, dhe në betejën të cilës nuk i dihet epilogu, duhet të luftosh si një ushtar.
Emri mbret është një titull shumë i nderuar, por ky titull është i lidhur me shumë përkujdesje dhe detyrime të mëdha që duhet përmbushur.
E para nga të gjitha është t’i bësh njerëzit t ́i duan dhe t ́I respektojnë gjërat. Zoti nuk na ka veshur me fuqi supreme për të dalë jashtë realitetit, por që të jemi mbrojtës të çështjes së përgjithshme. Për një zemër të butë, një shpirt të virtytshëm, lumturia e përgjithshme e popullit është kënaqësia më e madhe që mund ta përjetojë. Neglizhenca dhe një dashamirësi e rezervuar që në të vërtetë quhet injorancë e një princi, e bën atë të pakënaqur dhe ti duhet ta dish se je mbret vetëm për t’ i ngushëlluar, respektuar dhe mbrojtur ata.
Largoji sa më shumë astrologët, magjistarët dhe alkimistët që mundohen të prodhojnë florinj dhe diamante. Një princ është gjithmonë i pasur kur është i mençur dhe i ndritur. Le të gdhendin në mermer të bardhë me shkronja të zeza mbi portat e të gjitha kështjellave tua dedikimin për të burgosurit apo të arrestuarit: mjerë ata guvernatorë, priftërinj, që ia fshehin mbretit pafajësinë e shtypur, dhe bëjnë që , përmes zemërimit dhe krenarisë tij, të përkeqësojnë dhembjet e fajtorëve. (duhet të jesh i kujdesshëm që financuesit e tu të mos jenë fajtor për asnjë monopol të monedhës dhe taksave e nevojshme për mirëmbajtjen e shtetit.)
Mbroji njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoji shpirtrat e këqij. Ji i ndjeshëm ndaj ofendimit, por akoma më shumë ndaj shërbimeve të bashkëpunëtorëve të tu dhe miqësisë me njerëzit e ngjashëm me ty.
Suksesi i një lufte është mashtrues, duhet ta njohësh edhe paqëndrueshmërinë e tij; atëherë maturia dhe guximi do të të shërbejnë më shumë se fati. Duhet ta kuptosh fitoren, por mos harro se, edhe mund të pësosh disfatë. Sfidoje veten në çdo gjë, por para së gjithash: kurrë mos të të prijë zemërimi; atëherë njeriu i thjeshtë bëhet i ligë dhe mbreti një përbindësh.
Unë të jap mallkimin tim, nëse ti lë pas dore një të burgosur, cilido qoftë ai, të qëndrojë njëzet e katër orë pa u marrë në pyetje, si dhe nëse çështjen e një vejushe apo të një të miture nuk e shqyrton brenda tetë ditësh.
Liria e njeriut dhe prona e pacenueshme e të pafajshmit janë gjërat më të shenjta në botë. Hakmerru pa kërcënuar, pa bërë ndonjë paralajmërim. Asnjëherë mos merr këshilla nga gratë; por vepro ashtu që ato të këshillojnë armiqtë tu. Rri më shumë mbi kalë se në shtrat.
Mos harro se politika e turqve është të mbjellë përçarje midis princave të krishterë; ata i detyrohen gjithë madhështisë së tyre për këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bënë dhe do t ́i bëjë ata që të kenë më shumë pushtime se armë. Në fund, nëse fati xheloz nën mëshirën e të cilit të lë si trashëgimtar, e do që ti të biesh nga froni, atëherë mos harro se unë isha babai yt, dhe se ti nuk bënë të biesh poshtë ndryshe, veçse me shpatë në dorë.
Do të kesh shumë punë me mbretërinë e Romës, përkrahësi dhe mbrojtësi së të cilës kam qenë deri më tani. Interesat e mia më detyruan të pajtoj politikën time me të tyre. Rrethanat në të cilat jam ndodhur unë nuk më kanë lejuar që të luftoja njëkohësisht kundër uzurpimeve turke dhe pikëpamjeve të Papës.
Për të mirën e shtetit tim kam qenë gjithmonë i lumtur në të gjitha veprimet e mia. Roma është arrogante vetëm ndaj princave të dobët dhe fatkeqë. Roma gjithnjë ka pusur frikë nga unë, prandaj gjithmonë më ka bërë lajka; i ka ndryshuar qëndrimet dhe doktrinat sipas rastit, por frika nga humbja e atyre shteteve, të cilat gjithmonë i kërcënonte Mehmeti, e bënte që vazhdimisht të mbante një qëndrim unifikues ndaj meje, duke m ́i konfirmuar të gjitha të drejtat dhe zotërimet e mia. Papët i kanë parë me pesimizëm përpjekjet kërcënuese dhe iluzionin e fuqisë së tyre metafizike se do të mund të fitonin diç nga një ushtar i vjetër si unë, por ata nuk do të heqin dorë nga përpjekja për të përfituar nga papërvoja dhe mosha jote e njomë në të qeverisur, për të të përmbysur. Mos harro se midis praktikave të ndryshme që ata përdorin për të arritur këtë qëllim, më e pagabueshmja është përmes konfesionit. Por është e lehtë t’ i kuptosh dhe t ́i bësh të dështojnë: nëse prifti dëshiron të dijë më shumë gjëra të tjera përveç mëkateve tua dhe ceremonive fetare, ti duhet ta refuzosh atë si një mashtrues dhe ta dënosh si të tillë, le të jetë shembull për të tjerët si ai.
Më kot përpiqesh të kërkosh burimin e kësaj sjelljeje të njëtrajtshme të priftërinjve; ajo humbet që në fillet e këtij institucioni. Ky mision ambicioz, i skllavëruar nga paragjykimet dhe okultizmi, është përpjekur kudo që të nënshtrojë njerëzimin me forcë ose me shkathtësi, duke e bërë skreptin të lakohej nën turrën e druve .
Politika plotë fshehtësi e Romës ka qenë shpesh fatale për autoritetin e sovranëve. Fytyra e saj madhështore, e cila nganjëherë është vetëm vegël e atyre që e qeverisin, është e lidhur me duart e tyre hyjnore në sy të popullit nën qerren e pastër të interesit të tyre, të lavdisë së princave dhe popujve, Ati i të cilëve thotë se është.
Sidoqoftë, është po ashtu mjaftë e rrezikshme të kundërshtosh hapur këtë idhull të jashtëzakonshëm të fesë sonë. Papa është vetëm një njeri si ne të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij, me besimin në pagabueshmëri, në harmoni me Shpirtin e Shenjtë, por- mos harro- nga ky njeri është krijuar një Perëndi në tokë. Ai është vetëm pasardhës i Shën Pjetrit, i cili ju tha atyre që luteshin: ndaluni, unë s’ jam tjetër, veçse njeri. Por ai është larg nga ajo që ta ndjekim verbërisht dhe me bindje! Koka e pasuesve apostolikë ka bubulluar dhe shkëndijuar anatema në botë, ndaj atyre që kanë guxuar të ngrenë zërin dhe arsyen kundër orakullit të perëndisë kapitolike.
Në qoftë se Papa të dërgon peshqeshe, relikte, bekime? merri ato me kujdes dhe lëre popullin tënd të nxitur nga shembulli yt t`ju jap atyre admirimin.
Do të ishte një pakujdesi e rrezikshme nëse do të doje të ndriçoje mendjet e njerëzve të thjeshtë për këtë çështje. Vetëm Princi dhe ministrat e tij duhet ta kenë çelësin e kësaj fshehtësie. Por nëse Papa ndonjëherë përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve, dhe të murgjve, për të tërhequr para nga shtetet tua, për të kryer inkuizicionin me qëllim të mbrojtjes nga njerëzit e tij për herezi, apo më në fund, të të nxis për të ndërmarrë ndonjë luftë për çështje të Zotit, dhe nëse ti e pranon këtë, atëherë le të bie mbi ty dhe bashkëpunëtorët e tu, rrufeja e hakmarrjes qiellore.
Zoti di të hakmerret për fyerjet që i bëjmë; Ai nuk ka nevojë për asnjeri. Mos e kërcëno Romën kur Roma nuk të kërcënon, ngaqë ke refuzuar të të përdorë për ide të ndryshme. Por bëj luftë me këdo që dëshiron të prish lumturinë e njerëzve tu dhe të drejtën e Mbretërisë.
Ti duhet ta ndalosh me shkrim, pa të drejtë ankese, që asnjë nga të njerëzit e tu, të mos bëhet prift ose murg, para moshës dyzet vjeçare. Në mënyrë që pa ngarkesën e një letargjie hyjnore të mos përfitohet duke u ushqyer nga puna e të tjerëve, është e nevojshme më parë që njeriu të ketë kontribuar në zvogëlimin e shpenzimeve të shoqërisë nga e cila dëshiron të ndahet për të kënaqur vetveten. Gjatë kohës së luftës kurrë mos ua merr fshatrave banorët për t’ i bërë ushtarë; edhe priftërinjtë dhe murgjit duhet njësoj të të ndihmojnë për ta mbrojtur shtetin që i ushqen në paqe pa ndonjë përfitim.
Nëse Papa të kundërshton, bëje të të dëgjojë me butësi, por nëse ndonjëherë je i detyruar ta tërheqësh shpatën kundër tij, atëherë digje skelën, dhe duke ia puthur këmbët gjithmonë lidhja duart. Një politikë e tillë do të të mësoj që në çdo kohë të fitosh dashurinë atërore të pasardhësve tu dhe do të të mësoj të bëhesh shembulli edhe i shumë mbretërve të dobët, frikacakë, injorantë, të pa ditur, të cilët lejojnë papën dhe ministrat e tyre t ́ua cenojnë pushtetin që ua ka besuar Zoti për të përhapur lumturinë e kombeve, mbretër dhe etër të të cilëve janë”.