Nga Fiqri Shahinllari
Që të qëndisësh do të thotë të kesh durim, pasion, imagjinatë krijuese…
Do të shtoja edhe disa “Që” të tjera, por po ndalem këtu duke nënvizuar se të qëndisësh duhet t’i kesh sytë xixë, të fortë. Të tillë i ka patur Marigo Pozio, qëndistarja legjendare e Flamurit Kombëtar që u ngrit nga plaku Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Po si përfunduan ata sy vezullues poshtë ballit të asaj korçares “hollake” e me trupin selvi? Sot ma k’ënda të shkruaj disa gjëra pak të njohura nga mjaft njerëz për jetën e peripecitë e Marigosë…
Thanas Floqi, një nga firmëtarët e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë, në ditët e para të nëntorit 1912 së bashku me Marigo Pozion e Petro Fotografin përgatitën të gdhendur në dru bocën e flamurit që më vonë u përdor si shtampë në qindra e qindra flamurë të tjerë. Duke u interesuar për të gjetur informacione te tjera lidhur me figurat e spikatura të Floqit të Korçës, mësova mjaft gjëra interesante. Përveç faktit që boceta e shqiponjës prej druri lyhej me bojë të zezë e stampohej edhe në qylafët e bardhë të lebërve, mësova se pas dy-tre vjetëve të vdekjes së Marigo Pozios u hodh në dyshim fakti nëse vërtet ishte Marigoja apo ndonjë tjetër, qëndistarja apo qëndistari i flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912. Sikur të mos kisha lexuar se Marigoja ka lidhje me mbiemrin Floqi, nuk do të zgjatesha fare në hollësitë e mëposhtme… Marigoja në vitin 1912 ishte vetëm 20 vjeçe. Kish lindur në Korçë më 2 shkurt 1892, bijë e Papakosta Poçit dhe e Lenka Ballaurit. U martua në Hoçisht me Jovan Pozion dhe prej Hoçishtit shkuan me banim e punë në Vlorë. Marigoja, siç shkruan shtypi, ishte atdhetare e famshme. Emri i saj lidhet me flamurin që ajo kishte qëndisur për pajën e saj por ja ia dërgoi Ismail Qemalit për ta ngritur në ditën e pavarësisë. Fizionominë e Marigosë, disa vite pas ngritjes së flamurit, ata që e njihnin mirë atë e përshkruajnë kështu: Ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare e me fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ritë e saj…. E zonja në fjalë sa t’ia kthente mendjen edhe burrit më me peshë.
Nga një artikull i shkruar nga Jakov Milaj në janar 1938 në revistën e përmuajshme kulturore “Përpjekja Shqiptare” e themeluar dhe e drejtuar nga Branko Merxhani, mëson se Marigo Pozio kish vdekur në Tiranë në gusht të vitit 1932 nga tuberkulozi. Nga një burim tjetër mësova që Marigoja kishte vdekur në shkurt të vitit 1932 e jo në gusht. Kjo hollësi për datën e vdekjes nuk ka rëndësi për komentin që po bëj. Marigoja vdiq nga tuberkulozi. Kjo sëmundje i kish marrë më përpara dy vajzat dhe djalin e saj të vetëm po edhe burrin, dyqanxhiun e pasur Jovan Pozio në Vlorë. Vitet e fundit të jetës Marigoja ishte verbuar. Kur themi vitet e fundit nuk po tregojmë për një grua të moshuar, për Marigonë plakë. Jo. Ajo kur ndërroi jetë ishte vetëm 40 vjeçe! A mund të përfytyrohet qëndistarja e flamurit me sy të verbër, sy që dikur kishin qenë shpuzë e flakë?!
Për varrimin e saj ishte përkujdesur i kunati, Kristo Floqi. Po qëndroj paksa këtu. Marigoja, e mbetur e ve dhe pa fëmijë, vitet e fundit i kaloi në Tiranë, në shtëpinë e së motrës, Ranias, (Urania) më e vogël se ajo. Rania ishte bashkëshortja e Kristo Floqit. (Motra tjetër, Angjeliqia, ishte gruaja e politikanit e kryeministrit Koço Kota). Për ironi të fatit, në atë shtëpi ku strehoi të motrën vdiq pas 15 e ca vjetësh në katin përdhes, (sepse shtëpia ishte shtetëzuar), edhe vetë Urania. Po në atë kat përdhes, pas Uranisë vdiq në vitin 1951 edhe i shoqi i saj Kristo Floqi i cili, siç shkruan Dr. Prof. Stilian Adhami, ishte viktimë e thurjes së Himnit të Mbretërisë.
Në kohën kur filluan të hidheshin dyshimet për autoren e qëndismës së flamurit shqiptar, ngrihet Kristo Floqi, ky kunatolli floqar që qënka kujdesur për të gjorën e të verbërën Marigo, në vitet e fundit të jetës së saj dhe thotë se kish shumë dëshmitarë të tjerë që e pohojnë se Marigoja ishte qëndistarja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Në fletoren “Arbëria” K.Floqi shkruan aty nga viti 1936 se “…flamurin Kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregëtari Diamanti sipas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin”. Midis atyre që kanë dijeni mbi faktin, Kristo Floqi përmënd Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza Isan e Ymer Radhimën.
Marigoja ishte me origjinë nga Korça por, siç shkruam më sipër, qe martuar në Hoçisht me Jovan Pozion. Për shkak të persekutimit otoman çifti u largua nga Korça dhe u vendos me banim në lagjen Muradie të Vlorës. Në këtë lagje korçarja e bukur u mor me veprimtari patriotike. Në shtëpinë e saj hynin e dilnin Çerçiz Topulli, Mihal Grameno e figura të tjera atdhetare. Për t’u shëruar nga sëmundja ajo shkoi të mjekohej në Vjenë. Atje takoi disa herë Aleksandër Moisiun, aktorin shqiptar më përmasa ndërkombëtare.
Por më vonë, vec fatkeqësive familjare, sëmundja i mori sytë dhe u zhyt në varfëri. Ajo u varros në Zvërnec pranë varreve të të afërmve të saj, ku mori pjesë një masë e madhe njerëzish vlonjatë…
Mirëpo për varrin e saj e për kujtimin e saj nuk u interesua njeri as në kohën e Zogut, as në periudhën komuniste.