Nga Ferdinand Dervishi
Gusht 1946. Atmosfera e krijuar në Konferencën e Paqes në Paris ishte bërë e vështirë për delegacionin shqiptar. Grekët, të mbështetur kryesisht nga britanikët, kishin marrë revanshin në akuza. Politikisht mëshonin që Shqipëria të rreshtohej në listën e shteteve agresore, apo fashiste të Luftës së Dytë, ndërsa në një tjetër nivel takimesh, një grup historianësh të tyre rreshtonin argumente për të pastruar fushën e kundërshtive me qëllim që shteti i tyre të shtrinte kthetrat në drejtim të Vorio Epirit. Kështu, teksa politikanët e rinj komunistë shqiptarë përpiqeshin tu mbushnin mendjen fuqive fituese të luftës se vendi i tyre ishte viktimë e agresionit fashist, në një sallë të veçantë, nën mbikëqyrjen e drejtuesve të saj, historianët grekë dhe shqiptarë, ishin përplasur edhe më fort mes tyre me argumente dhe kundërargumente për përkatësinë tokësore të Vorio Epirit. “Është tokë greke. Që të gjitha gërmimet arkeologjike në Apoloni apo edhe në vende të tjera e vërtetojnë këtë. Aty janë gjetur me shumicë shkrime të vjetra në greqisht, monedha të vjetra greke…”, ishte pretendimi më këmbëngulës i grekëve. “Atëherë në bazë të kësaj logjike ju, grekëve, edhe francezët duhet t’ju japin edhe Parisin, duhet t’ju japin edhe këtë sallë ku ne po flasim, pasi në disa kisha të vjetra, jo shumë larg nga këtu, ka pllaka me mbishkrime në greqisht, por edhe monedha të vjetra greke…”, kishte qenë kundërpërgjigjja më e fortë dhe shkatërruese e një historiani shqiptar që fliste një frëngjishte të rrjedhshme. Pikërisht në këtë pikë ishte thyer keqas revanshi i historianëve grekë. Historiani shqiptar që i kishte sulmuar në këtë mënyrë ishte Profesor Petraq Pepo, i laureuar për histori në Francë dhe njëkohësisht pedagog në Liceun e Korçës e Normalen e Elbasanit, një personazh i mbetur me dëshirën e tij larg publicitetit, porse krejt solid dhe me përmasa të pazakonta në memorien e atyre që patën fatin ta njihnin nga afër.
Rrëfimi i të birit
“Unë jam njeriu që jam munduar të mbledh copëzat e historisë së jetës së tim eti. Natyrisht që nuk i kam nga vetja, por që të jeni të sigurt se nuk i ekzagjeroj, për çdo rast po ju them edhe emrin e personazhit që i konfirmon”, nis rrëfimin për të atin mjeku Leonidha Pepo, i biri i historianit të shquar, Petraq Pepo. Ndërsa të vërtetat apo historitë që rrëfen, flasin për një personalitet të fortë, për një njëri që i thoshte burgut hapu, apo e çonte të ardhmen në greminë, sa herë që bëhej fjalë për të mos ndryshuar bindjen e vet. Me pak fjalë pjesë e një race njerëzore që tashmë rezulton e zhdukur.
Ato që nuk harrohen nga njeriu dhe historiani Petraq Pepo nisin në një takim të vitit 1940 në Pallatin e Brigadave, ku Francisko Jakomoni, mëkëmbësi në Shqipëri i Mbretit Viktor Emanueli i III, kishte thirrur ajkën e intelektualëve shqiptarë. Qëllimi i këtij takimi të organizuar nga Jakomoni ishte tentativa për të kaluar në anën e fashizmit e sa më shumë intelektualëve shqiptarë, ose thjesht një seancë demagogjie në favor të “të mirave” që po sillte fashizmi në Shqipëri. Por përfund fjalimit të mëkëmbësit të Mbretit, në një kohë kur në sallë kishte rënë heshtje varri, çohet në këmbë dhe merr fjalën pikërisht historiani Petraq Pepo, në atë kohë mësimdhënës në Normalen e Elbasanit. “Kujt i tregoni ju se çfarë është fashizmi! Kujt i thoni ju se fashizmi çliroi Shqipërinë? Trupat tuaja ushtarake në vendin tonë thonë vetëm pushtim, fashizmi nuk sjell ndërtim, por robëri”, ishin pak a shumë fjalët e profesor Pepos që kishin trazuar shumëkënd.
“Misto Treska ish-diplomat, përkthyes dhe publicist i njohur më ka rrëfyer këtë moment. Sipas tij, pas ndërhyrjes së babait, e gjithë salla ngriu. Ndërsa disa nga miqtë, të frikësuar për fatin e tij të mëtejmë, e këshillonin me zë të ulët që të hiqte dorë”, rrëfen Leonidha, i biri i Profesor Pepos.
“Ngelëm të gjithë si hunj. Nuk e kuptuam ku e gjeti atë guxim”, kishte qenë përshtypja e një tjetër shqiptari të shquar, Aleks Budës, aty i ftuar.
“Një ditë më pas babait i hodhën prangat dhe e internuan në Itali”, vazhdon rrëfimin i biri. Por kalvari me pushtuesit italianë i profesor Pepos nuk merr fund as pas 2 vitesh internim, sepse në 1943 ai arrestohet sërish dhe mbyllet në kampin e përqendrimit të Porto Romanos në Durrës. “Të dhëna për këtë që po them gjenden në librin e diplomatit dhe gazetarit, Ylli Poloska, me titull ‘Në skëterrën fashiste”, përmbyll këtë histori i biri i Profesorit të historisë duke përsëritur se i ati në çdo kohë kishte qenë një guximtar i pandreqshëm, apo më saktë një besnik i verbër i bindjeve të tij.
Konferenca e Paqes
Një tip i tillë përzgjidhet edhe nga krerët komunistë të vendit, së bashku me Aleks Budën, si konsulent në Konferencën e Paqes, që u zhvillua në Paris më 1946. Profesor Pepo i kishte dhënë mësim, mes të tjerëve, edhe Enver Hoxhës në Liceun e Korçës dhe nuk është çudi të ketë qenë përzgjedhje e tij. Në Konferencë beteja vendimtare parashikohej të ishte me grekët, të cilët tentonin rreshtimin e Shqipërisë në anën e shteteve agresore e bashkëpunëtore të fashizmit. Fqinjët e jugut ishin përgatitur më së miri me argumente, duke synuar që në këtë konferencë të tentonin ndryshimin e kufijve shtetërorë, pra aneksimin e Vorio Epirit. Shpatën e kishte marrë në duar Kryeministri grek, Kostantin Kaldaris. Ai lëshon një sërë akuzash e argumentesh të mirëstudiuara për efektin që mund të bënin. Sipas tij “më 1907 kryeministri grek Teotokis dhe ai shqiptar, Ismail Qemali, kishin nënshkruar një traktat që i linte Greqisë Vorio Epirin??? Por edhe SHBA (Senati), sipas tij, njihnin karakterin helenik të Epirit të Veriut dhe rekomandonin bashkimin me Greqinë”. Ndërsa në një tjetër seancë Kaldaris lëshon një tjetër broçkull. Thotë se “partizanët shqiptarë që luftuan për çlirimin e Shqipërisë ishin grekë dhe luftonin për bashkimin e atdheut të tyre… se 28 mijë dëshmorët e Shqipërisë ishin vorioepiriotë…” Më tej i njëjti, për të mbrojtur akuzat e veta ndaj shqiptarëve, nxjerr një faksimile të gazetës shqiptare “Tomorri”, të vitit 1940, që kishte në faqen e parë me germa të mëdha një thirrje publike të antizogistit Omer Nishani: “I bëj thirrje popullit shqiptar të futet në Partinë Fashiste. Ky njeri, ky fashist, është tani President i Shqipërisë”, tha dikur Kaldaris triumfues, duke tundur në ajër origjinalin e gazetës. Një çast më pas, pa e lënë atmosferën të ndryshonte, Kaldaris nxjerr edhe një tjetër faksimile duke vjellë helm: Po ju rrëfej edhe se cilin kanë Shef të Shtabit të Ushtrisë. Shikoni këtë urdhër të lëshuar nga Spiro Moisiu, në kohën që ka qenë Komandant i Batalionit ‘Tomorri’. Këtu është një urdhër sulmi. Thotë: Në orën 12:30 të sulmohet territori grek. Ky njeri, që është tani në krye të ushtrisë shqiptare, ka vrarë e prerë deri në Kostur…”
Në këtë situatë të pashpresë të krijuar, barrën kryesore të sulmit e mban politika, moslëshimi pe nga delegacioni shqiptar i kryesuar nga Enver Hoxha, komunikimi i tij mbresëlënës me mediat, por gjithsesi kthesën e bën ndihma e vendeve aleate të Bllokut Komunist të Lindjes. Për shembull, delegati jugosllav, Moshe Pijade, anëtar i Byrosë Politike të P.K. Jugosllave, me origjinë izraelite, kishte gjetur argumente shkatërruese kundër grekëve. “Jam këtu t’ju bëj me dije deri ku shkon agresiviteti grek ndaj shqiptarëve. Grekët ndjekin një politikë karakteristike të monarkive ballkanike. Këto ditë na kanë bërë propozime për të ndarë Shqipërinë mes Greqisë dhe Jugosllavisë, Madje propozimi na është bërë drejtpërdrejt nga zoti Kaldaris”, ishte deklarimi i Pijades, që i la të gjithë pa frymë. Ndërsa vulën, apo humbjen përfundimtarëve të grekëve në këtë betejë e firmosin pikërisht dy historianët shqiptarë, Petraq Pepo dhe Aleks Buda. Të cilët dërmojnë me argumente logjike e shkencore kolegët grekë. Pepo rrëzon argumentet greke për Vorio Epirin duke shkoqitur se nuk kishte asnjë lidhje mes mbishkrimeve apo antikave greke, të gjetura në brendësi të territorit shqiptar, me pretendimet për Vorio Epirin. Se ato, reliket apo mbishkrimet, nuk tregonin më shumë se shkëlqimin e epokës greke, po aq sa e tregojnë edhe të njëjtat shenja të lënë në territorin shqiptar nga kultura romake. Gjithsesi batuta e Pepos: “Atëherë në bazë të kësaj logjike ju, grekëve, edhe francezët duhet t’ju japin Parisin meqë edhe këtu ka mbishkrime greke”, ka mbetur në opinionet, por edhe mediat e kohës, si kulmi i një debati të fituar me zgjuarsi. Sepse e gjithë lufta bëhej që opinioni në Konferencë, por edhe ai francez e botëror, i informuar përmes mediave, të kthehej në favor të Shqipërisë dhe këtij qëllimi iu arrit. Përfundimisht Shqipëria u rreshtua në krah të shteteve fituese të Luftës së Dytë dhe njëkohësisht historia dëshmon se grekët dështuan në të gjitha tentativat e tyre.
I pabinduri
Pas çlirimit Profesor Petraq Pepo kryesisht mbetet një studiues i historisë në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave. Ai firmos një varg punimesh që të gjitha të klasit të lartë, si dhe një numër librash po mbi historinë. Por, edhe pse jeton në një shoqëri që kishte nisur me hir e pahir t’i bindej diktatit të plotë të komunistëve në pushtet, Profesor Pepo mbetet i njëjti, i papajtuari i madh me çdo shfaqje harbutërie.
“Im atë ka shkruar një libër për atdhetarin Themistokli Gërmenji. Por ky libër nuk u botua kurrë, sepse babait iu kërkua që të ndërhynte në tekst. Kjo sepse në atë kohë Enver Hoxha kishte shpallur Haxhi Qamilin si hero popullor. Ndërkohë në librin e tim eti dokumentohej kundërshtia e Gërmenjit me idetë e Haxhi Qamilit. Por babai e hodhi tej dorëshkrimin, duke preferuar që ai më mirë të mos botohej, sesa të ndërhyhej për ndryshimin e së vërtetës, apo historisë. Këtë dorëshkrim unë e ruaj të paprekur, siç ma ka lënë im atë dhe së shpejti do e çoj për botim”, rrëfen Leonidha. Por historitë e profesor Pepos janë edhe më grishëse se kaq. Kolegët e tij kujtojnë një moment kur Profesori i është kundërvënë vetë Kryeministrit Mehmet Shehu. “Gjatë gjithë jetës im atë ka mbetur besnik i bindjeve të veta. Nuk është thyer kurrë. Kolegët e tij më kanë treguar një situatë të pazakontë të krijuar në Elbasan në rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të Normales, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Mehmet Shehu. Në një ndërkohë, një studiues i njohur, që kishte marrë fjalën, i thur elozhe Luigj Gurakuqit, drejtorit të parë të Normales. Por duket këto lavde Mehmetit nuk i pëlqejnë. Ai ndërhyn brutalisht duke përbaltur Gurakuqin e treguar me gisht duke barazuar me heroin një drejtor pasardhës të Normales, që ishte shpallur Hero i Punës Socialiste. Në këtë kohë kolegët thonë se babai nuk ka duruar duke kërkuar të marrë fjalën. Një moment kur të gjithë i thoshin të kishte kujdes, të mos dilte të fliste, të mos i kthehej kundër Mehmet Shehut. Por për çudinë e të gjithëve ai, si dukur përballë Jakomonit, e kundërshtoi Kryeministrin e shqiptarëve, por këtë radhë për çudinë e të gjithëve nuk u ndëshkua. Sepse e njihnin që të gjithë si ‘kokë më vete”, përmbyll rrëfimet më pikante për të atin, i biri, mjeku Leonidha Pepo.
“Im atë shoqëroi të famshmin Oprandi në majë të Tomorrit”
Në dimrin e 1939, vitit të mbrapshtë për shqiptarët, banorët e rrëzë malit të Tomorrit, të njëjtit mal që përmendet në Iliadën e Homerit, duhet të kenë kundruar me kërshëri të zgjatur dy alpinistë të ngarkuar si kuaj. Njëri italian dhe tjetri shqiptar, të dy mustaqellinj, të dy të sertë e kokëshkretë, të vendosur të ngjiteshin në majë. Në majë të Tomorrit, malit që shërbente, apo ende shërben, si stacion i ecejakeve të perëndive, apo si vendçlodhje e përkohshme në autostradat e tyre qiellore. Italiani, që tymoste duhan me llullë, si ta kishte pjesë të pandarë të portretit, ishte i famshmi Giorgio Oprandi, piktor që në atë kohë kishte sigluar emrin si i pavdekshëm në historinë e artit italian dhe jo vetëm. Një vlerësim i vulosur përfundimisht pas prezantimit më 1917 të tablosë “Alpini duke vdekur – L’alpino morente”, që paraqiste një ushtar të qëlluar për vdekje, i përqafuar në këtë moment të fundit të jetës nga figura fluide e një femre. Një punim që rrëfen tragjedinë e ushtrisë italiane në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Tjetri, shqiptari, ishte historiani i njohur Petraq Pepo, që nuk mbetej asnjë hap më pas në vlera përballë mikut të përtejdetit. Profesori i historisë, laureuar në Francë, pak muaj më pas do kundërshtonte publikisht Francisko Jakomonin, mëkëmbësin në Shqipëri të Mbretit Viktor Emanueli III, duke e ditur që për këtë shkak do përfundonte në burg, i njëjti më 1946, gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris, ballë për ballë e drejtpërdrejt, do të hidhte në kosh me argumente pretendimet e historianëve grekë për Vorio Epirin e të tjera të ngjashme.
“Oprandi u shoqërua nga im atë”
“Giorgio Oprandi u shoqërua nga im atë në udhëtimin e tij drejt Beratit me destinacion përfundimtar malin e Tomorrit”, shqipton fjalët e para të historisë së panjohur, Leonidha, mjek kardiolog, i biri i Profesor Petraq Pepos. Sipas rrëfimit të mjekut, që në atë kohë ende nuk kishte ardhur në jetë, por që rizgjon nga memoria tregimet e të atit, piktori i famshëm italian kishte mbërritur në Shqipëri në kohë dimri. Periudhën e qëndrimit, pra dimrin, e pohojnë edhe autorë italianë që kanë shkruar pjesë të biografisë së Oprandit, madje kjo kohë e tij në Shqipëri fiksohet në këmbimin e viteve 1939-1940.
“Oprandi kishte ardhur në Tiranë me qëllim për të vizituar Shqipërinë, sidomos kishte fiksim zonën e Tomorrit. Nuk jam fort i ftilluar të them se si u poq me tim atë, por saktësisht di se përse Oprandi u bë bashkë më të në udhëtim. U bënë bashkë sepse im atë ishte njohës i mirë edhe i gjuhës italiane, sepse ishte historian i laureuar në Francë dhe sepse kishte edhe ai hobi udhëtimet, sidomos rrëshqitjet me ski. Ndërsa koha kur janë ngjitur në Tomorr ka qenë në dimër. Sepse kanë shkuar që të dy të pajisur me komplete skish. Im atë ishte një biçim manjaku për takëmet e sportit, sidomos të skive, të cilat unë i kam ruajtur, madje janë në gjendje perfekte”, rrëfen Leonidha, edhe ky në gjurmë të së atit, një udhëtues e skiator i thekur. Që të bëjë të plotë mbushjen e mendjes, Leonidha zbret në qilarin e shtëpisë dhe nxjerr prej andej skitë e vjetra të drunjta, por të mirëmbajtura të së atit, që janë të markës “Everest”, një palë doreza po aq të vjetra, prej bambuje, një çantë “me samar” me kafaz metalik që përshtatet me formën e kurrizit si dhe një thikë gjahu. Që të gjitha të prodhimit të para vitit 1940, apo ndryshe, rreth 70-vjeçare. “Kam shkuar gjithandej për ski me kompletin e vjetër të babait dhe profesionistët, qoftë edhe në vendet fqinje, në Mal të Zi, për shembull, kanë kërkuar, pa sukses, të mi blejnë”, përforcon Leonidha kureshtinë për sendet e vjetra të së atit.
Piktura dhuratë
Kështu dy udhëtarët e rrallë për vendin dhe kohën janë nisur për të eksploruar Tomorrin, malin e shenjtë. Italiani për të shuar kureshtjen, por edhe për të skicuar apo edhe peneluar pamje të natyrës që është treguar zemërgjerë me bukuritë e kësaj zone, ndërsa tjetri, shqiptari, për të plotësuar në terren njohuritë e tij për historinë, për sport, por edhe për ta nderuar duke e shoqëruar artistin nga përtejdeti. Leonidha nuk di të thotë më shumë hollësira, por që të vërtetojë këtë udhëtim katërçipërisht, tregon me gisht në murin e shtëpisë së tij një tablo në vaj që paraqet malin e Tomorrit, jo më e madhe se 50 me 40 centimetër, duke shpjeguar se ajo është dhurata që piktori i shquar italian, Oprandi, i bëri të atit pasi u kthyen nga udhëtimi në zonën e Beratit. Me penelata të thjeshta, piktori ka sjellë ekzaktësisht pamjen e këndvështruar nga perëndimi në lindje të malit të Tomorrit, që është i zbardhur nga bora. Ngjyrat e përdorura me kurnacëri janë më tepër jeshilja, e bardha dhe e kaltra, ndërsa kafja është lënë të plotësohet nga kanavaca e paprekur, që në këtë rast është krejt çuditshëm kompensatë druri e thjeshtë. Përfund tablosë është nënshkrimi i njohur i piktorit të madh, G. Oprandi. Piktura e ruajtur në gjendje të shkëlqyer konsiderohet si vlerë e patjetërsueshme dhe e trashëgueshme e familjes Pepo. Ndërsa historia italiane e artit nënvizon se në vitin 1941, piktori i madh Giorgio Oprandi, para se të mbyllej në vetvete për shkak të fashizmit, ekspozoi në Romë disa punime të frymëzuara nga personazhe e kostume popullore shqiptare. /InforCulture.info