Nën mikroskopin e ekspertëve është mutacioni “Delta” i koronavirusit, i cili ka shkaktuar shqetësim në tërë Evropën, por edhe botën, kryesisht për shkak të rritjes së transmetueshmërisë.
Athanasios Exadaktylos, president i Komunitetit Mjekësor Grek, ka folur në televizionin grek “MEGA” në lidhje me normat e larta të transmetimit, duke theksuar nevojën për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.
“Në grip transmetimi është 1 në 1.1, domethënë dhjetë persona infektojnë 11 të tjerë. Në fazën e parë virusi ishte 1 në 4, një i infektuar ia transmetonte virusin katër tjerëve dhe katër infektojnë gjashtëmbëdhjetë. Në mutacionin britanik kishim 50% më shumë transmetueshmëri, domethënë një infekton gjashtë dhe gjashtë infektojnë tridhjetë e gjashtë.
Në mutacionin “Delta” kemi 50% më shumë transmetueshmëri se mutacioni britanik. Një infekton nëntë, dhe nëntë infektojnë tetëdhjetë e një “, theksoi z.Eksadaktylos dhe shtoi se “personat e vaksinuar nuk rrezikojnë të sëmuren rëndë apo të vdesin”, shprehet mjeku.