Nga Ervin Koçi

Dikur Shqipëria prodhonte shumë produkte dhe ndër të tjera edhe armatime e municione. Në dy kombinate mekanikë ose që njiheshin si “uzina sekrete” që ishin njëri në Poliçan të Skraparit dhe tjetri në Gramsh, vendi ynë prodhonte pushkë e automatik të tipit Kallashnikovë, si dhe municione luftarake nga fishekët e armëve të gjahut, deri tek predhat e kalibrave të ndryshëm për topa e tanke.

Është jo normale kur mendon që sot një vend që dikur orvatej të prodhonte edhe automobilë e traktorë, e që riparonte edhe motorët e avionëve MIG, sot nuk është i aftë të prodhojë as maska e as doreza plastike njëpërdorimshe, kur janë artikuj aq shumë të kërkuar nëpër botë, për shkak edhe të pandemisë së COVID-19. Por më e tmerrshme është kur mendon se gjithë ajo industri, e sidomos ajo mekanike dhe ajo e armatimit, u sabotuan dhe shkatërruan sistematikisht në këto 30 vite tranzicion dhe kaos socio-politik, në një kohë që gërmadhat e fabrikave, kombinateve dhe tuneleve të asaj kohe qëndrojnë ende në këmbë si skelete dinozaurësh që të kujtojnë një epokë që duket sikur i përket legjendave.

Këtë e kanë konfirmuar më së miri edhe një grup gazetarësh te huaj aventurierë të cilët kanë eksploruar fshehurazi gjatë verës së shkuar ish-Kombinatin Mekanik të Poliçanit, ose njohur ndryshe si ish-Uzina e Armëve. Në emisionin e tyre që e transmetojnë në rrjetin YouTube, ata kanë treguar nga afër situatën aktuale brenda ish-Kombinatit Mekanik të Poliçanit, si dhe pajisjet dhe makineritë që shërbenin për prodhimin e municioneve të ndryshme, që sot qëndrojnë ende të konservuara brenda disa tuneleve të ashtuquajtur sekret.  Me anë të filmimeve nga brenda tuneleve, ata kanë përshkruar gjendjen aktuale të makinerive dhe të seksioneve të kombinatit, që kanë mbetur tashmë jashtë përdorimit. Por ajo që të bënë përshtypje janë habia dhe kureshtja e gazetarëve aventurierë, që kanë mbetur “gojë hapur” dhe thellësisht të çuditur nga mënyre se si është ndërtuar ky kombinat dhe se si ka funksionuar puna në të.

Pak histori…

Ish-Kombinati Mekanik Poliçan ishte një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim e municion. Kombinati ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në Jug të qytetit të Beratit. E quajtur ndryshe edhe “Uzina e Prodhimit të Municioneve”, Kombinati Mekanik Poliçan, pasi u ndërtua dhe filloi aktivitetin e tij në mesin e viteve ‘60–të. Më saktë, uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë, linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe defensive, minave kundërtank e kundër këmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatorë KD 8, fishekzjarrëve 180 mm etj.

Me kalimin e viteve dhe me fitimin e përvojës, krahas prodhimit të municioneve, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë proces eksperimentimi u përfshinë dhjetëra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vendi. Si rezultat i kësaj pune, në vitet ‘80–të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e gamës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndërruan nga Uzinë në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake. Në atë periudhë, në Kombinatin Mekanik Poliçan u instaluan 12 linja kryesore për prodhimin e artikujve të lartpërmendur. Cikli i punës ishte i mbyllur duke realizuar në Kombinat prodhimet ushtarake, instrumentet dhe veglat e punës, deri në ambalazhimin e prodhimit të gatshëm. Linjat e prodhimit ishin të përbëra nga makineri speciale, si torno, freza, makineri metalprerëse etj., të destinuara për prodhimin e municioneve. Vetëm 5- 10% e kapaciteteve prodhuese kishin karakter universal dhe mund të përdoreshin për prodhime civile.

Mbas vitit 1992, si rrjedhojë e ristrukturimit të Ushtrisë dhe mungesës së fondeve, porositë për ushtrinë në Kombinatin Mekanik Poliçan u ulën në mënyrë drastike, duke sjellë si pasojë reduktimin e fuqisë punëtore nga 3200 në 1700 persona. Gjatë viteve 1994 –1997, prodhimi u ndërpre plotësisht. Nga korriku 2006 e deri sot ndërmarrja funksionon pjesërisht, me pavarësi financiare nga shteti. Aktiviteti kryesor i saj për disa kohë ka qenë, demilitarizimi i municioneve të tepërta të Forcave të Armatosura Shqiptare. Sasia e municioneve të asgjësuara në Kombinat që prej vitit 2001 e deri tani, ka qenë rreth 26000 ton (municione të shtimjeve te topave 57 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, bomba aviacioni 100 kg, 150 kg, 250 kg, predha mortaje 107 mm dhe 82 mm). Aktualisht po demilitarizohen municione mortaje 82 mm prodhim importi (rus, kinez), granatat e dorës dhe fishekë 7.62 mm.

Si funksiononte Kombinati…

Kombinati Mekanik i Poliçanit ose Uzina e Municioneve, siç u quajt fillimisht, zhvillonte aktivitetin e saj industrial pjesërisht në fushë hapur dhe pjesërisht në tunele (për arsye sigurie dhe sekreti). Kombinati përbëhej nga zonat “A”, “B”, “C”, “D”, “E” dhe “F”. Secila zonë kishte disa linja apo reparte prodhimi të ndryshme. Zona “D” ishte me magazina, ndërsa zonat “E” dhe “F” ishin poligone. Tunelet për një pjesë të Kombinatit u ndërtuan në vitet 1972-75 dhe në to u futën linjat e prodhimit dhe montimit të fishekëve dhe kapsollave 7.62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm, e po ashtu edhe të disa aktiviteteve të tjera.

Tunelet kryesisht u hapën poshtë rrugës nacionale Poliçan- Çorovodë, ndërsa godinat e tjera shtrihen edhe sot në luginën poshtë rrugës në distancë nga qyteti i Poliçanit. Ndërkohë në zonat “B” dhe “C” punohej me lëndë plasëse dhe kishte rrezikshmëri të lartë. Objektet ishin të vendosur në distancë sigurie nga njëri-tjetri. Në zonën “B” përfundoheshin predhat 60, 82, 107 dhe 120 mm të mortajave, ndërsa te zona “C”, aty ku ishte dhe lënda plasëse me ndjeshmëri më të lartë, prodhoheshin fishekët bazë të predhave (kallam i formuar me disa shtresa letre), ndezëset detonatorë dhe fishkët e gjuetisë (për pushkë gjahu çifte ose teke). Reparti mekanik kishte sasi të madhe makinerish metalprerëse ku numëroheshin rreth 25 torno, 17 retifika, 9 freza etj. Aty prodhoheshin stampa, shabllonë, puansonë dhe instrumente metalprerës. Prodhoheshin gjithashtu punto, xhunto meshkuj, matravida, kalizvarë, disqe prerës, si dhe shumë pajisje e vegla të tjera edhe për ekonominë civile. Aty ishte punësuar numri dërmues i forcës punëtore të të gjithë Poliçanit, madje punëtorë vinin dhe nga zonat përreth.

Në shumë raste kishte edhe familje të tëra që punonin në reparte të ndryshme dhe niseshin familjarisht në punë, duke zbritur shkallët e formuara në pjerrësinë e kodrës, ku në një skaj të territorit ishte edhe një godinë që shërbente si çerdhe dhe kopsht për fëmijët e punëtorëve. Nuk lejohej kalimi i punëtorëve nga njëra zonë te tjetra. Hyrja e atyre që shkonin për punë në uzinë, bëhej vetëm me miratim me shkrim të Zv.ministrit që mbulonte industrinë ushtarake, pavarësisht se kush ishte i interesuari dhe ku punonte.

Kombinati Mekanik i Poliçanit, fillimisht u projektua për këtë kapacitet prodhues vjetor:

Fishekë të kalibrit 7.62 mm: 21.000.000 copë

Predha mortaje 82 dhe 120 mm: 600.000 copë

Granata dore ofensive: 150.000 copë

Granata dore defensive: 150.000 copë

Mina kundër këmbësorisë: 200.000 copë

Mina kundërtanke: 50.000 copë

*Info/literaturë

Të dhënat, shifrat dhe detajet mbi këtë shkrim janë marë nga Google, YouTube, Wikipedia, Ministria e Mbrojtjes, libri “Industria Ushtarake” me autor, Fatosh Voshtina.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here