Nga Dr. sc. Enver REXHA

Duke u nisur nga faktet – të dhënat historike, kuptohet se e tërë historia e ekspansionit Osmanë në Ballkan gjatë pjesës së dytë të shekullit XIV dhe atij XV, ka qenë një histori e bashkëpunimit të tyre me sundimtarët vendës të krishtere. Kështu ndodhi që shumë historianë të besojnë se fitorja më e hershme turke buzë lumit Marica në Bullgari në vitin 1371 ka pasur shumë pasoja të rënda dhe të mëdha për regjionin e Ballkanit. Pikërisht, pra, kjo ishte hapja e rrugës për pushtimin e përgjithshëm osman të Ballkanit. Këtej si pasojë do të rrjedhin edhe luftëra të tjera në këtë drejtim po të atij karakteri e me rëndësi për çështjen tonë që e shqyrtojmë është Beteja e Kosovës (1389), një çështje që u trajtua më lart dhe mitin serb që lindi mbi bazat e kësaj ngjarjeje historike nëpër kohë dhe vazhdon të jetojë edhe sot në historiografinë serbe dhe popullin serb. Duhet ritheksuar se Beteja e Kosovës ishte një nga përpjekjet e popullatës vendëse “aleancës së popujve” ballkanikë kundër pretendimeve osmane në Ballkan. Duke folur mbi Betejën dhe duke ofruar burime lidhur me atë ngjarje, si ato të krishtere, po ashtu osmane, italiane etj., dhe literaturën historike që përkitazi me këtë ngjarje rrjedh nga kohë më të vonshme, kemi theksuar se nuk mund t’iu besohet shumë. Por nga ajo që mbetet të besohet është se aleanca e popujve të krishterë pësoi në këtë Betejë disfatë të plotë nga osmanët. Që nga koha e zhvillimit të Betejës, po ashtu të dhënat tregojnë dhe vërtetojnë se osmanët vërshuan në veri dhe në perëndim të Ballkanit duke nënshtruar trevat e saj, në fillim duke ju mjaftuar me krijimin e një vargu “shtetesh” të vogla nën vazalitetin e tyre të plotë. Por nga të gjitha të dhënat lidhur me zhvillimin e Betejës dhe ngjarjen është më e rëndësishmja, njëkohësisht dhe me e çuditshme ajo se si ngjarja hyri në ndërgjegjen dhe vetëdijen e popullit serb. Tek serbët Beteja e Kosovës, siç do të shohim, nuk hyri si ngjarje historike, kuptuar thjesht me gjithë zhvillimet dhe rrjedhojat politike të saj, por si ngjarje e përshkruar nga legjendat që do të krijohen në mit dhe krejt ato që do bë mbijnë disa dhjetë vjet dhe shekuj më vonë. Është për t’u theksuar se miti serb për Kosovën nuk pushon ndërkohë, mirëpo formën e plotë dhe zhvillimin e saj e arrin tek në shekullin XIX e XX, e që ekziston edhe sot, si tek populli dhe intelektualët si dhe tek historiografia serbe të cilët e përdorin me qëllime të caktuara.

Çka është miti? Miti është lloj i veçantë i krijimtarisë gojore popullore, rrëfenjë për qenie të mbinatyrshme, për heronj legjendarë, për ngjarje e dukuri të çuditshme, ku pasqyrohen parafytyrimet primitive të njerëzve, për prejardhjen e botës e të jetës mbi tokë, për natyrën dhe shoqërinë; rrëfenjë e trilluar për diçka që nuk ka qenë e nuk është në të vërtetë, përrallë, legjendë. Mitet, megjithëse janë trillim, ato tregojnë dhe shpjegojnë të kaluarën dhe parimet e bashkësive përkatëse të institucioneve, të zakoneve dhe të zhvillimit shoqëror. Mitet janë më të vjetra se tregimet, ato janë pjellë e fantazisë, kurse tregimet historike mund të kenë mbështetje edhe në realitet. Në rrethana të ndryshme shoqërore gjatë historisë, mitet kanë pasur modifikime të shumta, ato mund të kenë kuptimin religjioz, laik – jofetar, historik, shoqëror etj. Miti dhe mitologjia nuk tregojnë gjithmonë e në çdo rast edhe shkallën kulturore të individit ose të mjedisit, ku ajo ende është e pranishme, megjithëse parimisht ajo është shenjë prapambeturie ose varfërie shpirtërore, ideore. Sot mitologjinë e luftojnë shumë shkencëtarë. Këtej në të sotmen rëndësia e Kosovës në “ndërgjegjen kombëtare” të serbëve nuk ka të bëjë vetëm me Betejën e Kosovës dhe mitin për atë Betejë. Serbët janë të prirë që Kosovën ta mbajnë për “vend të shenjtë” të tyre duke u ushqyer me ndjenja nga tri burime: Nga “Beteja vendimtare” e Kosovës; Nga kujtesa e “bërthamës” së mbretërisë së tyre mesjetare dhe nga “trashëgimia kulturore” (kishat dhe manastiret) e asaj kohe. Pa marrë parasysh se sa pak kanë të bëjnë miti e legjenda me faktet historike, ato për serbët patën dhe do të kenë një rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë drejtim do të mundohemi të shpjegojmë si dhe pse dhe për çfarë qëllimesh u sajua ky mit. Në rend të parë do të theksonim që të gjitha dëshmitë që kanë të bëjnë me Betejën e Kosovës dhe e gjithë ajo që ka arritur deri në ditët e sotme, duhet të kuptohet se kanë qenë nën ndikime të ndryshme fetare, letrare dhe politike gjatë shekujve.

Populli i Rashkës qysh nga mesjeta, kuptohet të kishin hyrë në jetën shpirtërore të ortodoksizmit shënsavijan. Kushtimisht theksuar, që nga kjo kohë do të merret karakteri nacional, që sigurisht në këtë ndikonte lidhja e afërt e interesit të shtetit dhe të kishës. Qysh në kohën e nemanjëve, ishte formuar motivi biblik për shenjtërinë e lozes së sundimtarëve, që populli e pranoi dhe e kuptonte atë si kult fetar, detyrë tradicionale dhe metodë që në momentet e rrezikut, të mbrohet në rrethin e kultit të saj. Tema kryesore e shkrimeve më të vjetra të dala viteve dhe decenieve të para pas Betejës së Kosovës (1389), kryesisht kishtare ishte heroizmi i Llazarit dhe ushtarëve të tij, humbja e të cilëve në luftë me turqit ka kuptimin e ndërmarrjes së mundshme për fenë dhe lirinë. Ndër shkrimet më të vjetra pas Betejës, është ai që dëshmon për shpejtësinë dhe zgjerimin e kultit për martirizimin e Kosovës dhe ngritjes së kultit ortodoks për Llazarin. Po ashtu, filli i kultit ortodoks për Llazarin do të shihet qysh në rastin kur kufoma e tij rivarroset në manastirin Ravanicë (të cilin vetë e kishte themeluar) në mes Nishit dhe Beogradit. Kjo ngjarje ndodhi një vit pas Betejës dhe qysh aso kohe filluan të shkruhen tekste religjioze që atë e shpallin martir, dhe krijohet një liturgji e veçantë për festimin e 15 qershorit (1389 – E.R.). Disa nga shkrimet religjioze, shihet për nga përmbajtja e tyre që përmbajnë traditën e fuqishme të “shenjtërisë mbretërore” e duhet të themi se përkujtimet mbi Llazarin përbëhen kryesisht nga “recitale” ku përshkruhen virtytet dhe arritjet e tija të larta. Shkrimet e para që shihen të jepen mbi Llazarin gjatë shekullit XV në përbërje tematike me përmbajtje kronologjike të ngjarjeve janë të rëndësishme për vazhdimin e njohjes së mëtejmë të “idesë” – ‘’serbe’’ mesjetare. Duke pasur pikën nismëse dhe mbështetjen e fortë të traditës së shkruar “kisha serbe” e mbante, zhvilloi dhe e shpjegonte përmes manastireve dhe qendrave të tjera fetare “idenë” mbi Kosovën, që merrte gjithnjë e më tepër karakteristika më të gjera në vetëdijen popullore. Tradita tregimtare popullore i mori elementet bazë mbi “idenë” e Kosovës nga shkrimet kishtare dhe krijoi nga ajo bazën e vet për zhvillimin e mëtejmë të epit dhe kronikës gojore. Në këtë drejtim, ngatërrimin e burimeve të vlefshme historike me elementet e traditës popullore mund ta shohim siç theksuam nga fillimet e shkrimeve që nga përkthimi nga italishtja të historisë së J. Dukës, e duke vazhduar edhe te shkrimet e L. C. Tuberoni, M. Orbini dhe J. Llukareviqi. Edhe dorëshkrimi i autorit të panjohur “tregimet mbi Betejën e Kosovës” pa mëdyshje paraqet një kompilim mirë të menduar që në shkrimin e tij shihet se ka përdorur të dhëna nga Orbini por edhe legjendën, të dhënat nga tradita dhe kënga popullore.

Me rëndësi është të theksohet se motivi i tradhtisë, si njëra ndër legjendat që lidhet me Betejën e Kosovës fillon të paraqitet që nga autorë të përmendur. Kështu në shkrimet më të reja si në kronikën e “Studenicës” dhe “Cetinës”, vetëm flitet për tradhtinë e njërit nga udhëheqësit e Betejës që kishte ndikuar edhe në humbjen e luftës e tek në fund të shekullit XV në “kronikën turke” të K. Mihajloviqit nga Ostrovica, do të shohim se tradhtia lidhet me një grup të njerëzve dhe për shkak të tradhtisë dhe mospajtimeve nga njerëzit e ligë lufta u humb. Në këtë drejtim, motivin e tradhtisë për emrin e Vuk Brankoviqit e lidhi i pari, M. Orbini. Lidhur me mundësinë e tradhtisë është folur shumë, që më në fund edhe lidhet për emrin e Vuk Brankoviqit. Duke komentuar këtë çështje, S. Çirkoviq thekson se sipas stilizimit të të dhënave për tradhtinë e tij, ato duket se kanë mundur të dalin nga burimi i shkruar, por burime të tilla nuk ka apo nuk janë ruajtur. Për tradhtinë e Brankoviqit përveç Orbinit e përmendin edhe shkrime të tjera, si: J. Llukareviq, kronika e Brankoviqit, Perashtanini i panjohur, kronika e Podgoricës si dhe të gjitha tekstet e mëvonshme dhe këngët popullore. Motivi i heroit dhe i tradhtisë që paraqitet një kohë të gjatë në të gjitha shkrimet e mëvonshme të autorëve të ndryshëm, do të vazhdojë gjatë. Në këtë drejtim është me rëndësi edhe personi apo figura që e mbyti Muratin. Sipas K. Filozofit, vrasës i Muratit është një njeri i shquar; sipas Oruçit, ai është një beg nga kundërshtarët e fuqishëm të krishterë; sipas kronikës së Bogdanit “Kronikës bullgare” një ushtar trim etj. Të huajt para shkruesve serbë do të përmendin emrin e tij si bizantinasi Halkokondili dhe Ashik Pasha Zade nga historianët turk. Kështu K. Mihajloviq në fillim të shekullit XVI do të thotë se vrasësi i Muratit është Millosh Kobiliq dhe e dhëna doli më tepër se 100 vjet pas Betejës. Në tregimet e mëvonshme figura e Milloshit paraqitet “si luftëtar i fortë, i mirë, i arsyeshëm dhe me vlerë”, duke e ruajtur njëherit dy mbiemrat e tij, edhe Kobiliq e edhe Obiliq. Mirëpo, duhet pasur parasysh se kulti i Millosh Obiliqit mund të “vërtetohet” vetëm nga të dhënat popullore. Traditën e rikujtimit të Kosovës si dhe kultit të Llazarit kisha do ta vazhdojë ndërkohë. Kulti i krijuar mbi Llazarin dhe “idenë e Kosovës” një kohë të gjatë do të vazhdojë të zhvillohet në Manastirin Ravanicë. Të dhënat tregojnë se në fund të shekullit XVII vetëm Ravanica ishte apo mbeti vendi që e festonte kultin e Shën Llazarit. Disa kisha mund të kenë rikujtuar datën e 15 qershorit (më 28 qershor sipas kalendarit bashkëkohor) në shenjë të ditës së Shën Vitusit (“Vidovdan”) që në kalendarin zyrtar të kishës kjo ditë i ishte kushtuar profetit Amos të Dhjatës së Vjetër, kështu që vetëm në shekullin XIX, Shën Vitusi – Vidovdani formalisht filloi të figuronte në kalendar. E tërë ideja, pra, e kremtimit fetar dhe kombëtar serb e kësaj date është trillim i shekullit XIX. Tradita e epikës popullore si njëra më e rëndësishmja për serbët që mbështet krijimin e mitit serb mbi Kosovën vështirë se mund të merret si dëshmi për ngjarjet historike për të dhënat që ofrojnë. Shembull për këtë shiko figurën e Markut (Kraljeviq Marko, kur dihet se ky ishte vazal i Muratit I në Betejën e Kosovës) e cila këtë figurë e paraqet më të rëndësishme, ndoshta se edhe vetë Llazari apo Millosh Kobiliqi, të cilët luftuan dhe ranë në luftë kundër turqve. Për më tepër vlen të konsultohen punimet të cilat janë përplot me qëndrime të tilla. Në këtë drejtim të gjitha burimet historike serbe tregojnë se Marku ishte vazal i sulltan Muratit I dhe kishte marrë pjesë në Betejën e Kosovës më 1389 dhe kishte luftuar por në anën e turqve, bashkë edhe me disa sundimtarë të tjerë të krishterë.

Kështu “tradita e Kosovës” përveç ngritjes dhe rolit të madh që i kushton Llazarit që zakonisht mbivlerësohet në këtë drejtim edhe figurat tjera me rëndësi që i paraqet si individë në ngjarje historike, si Millosh Obiliqi, Jugoviqët etj., janë të ndërtuara sipas gojëdhënave dhe këngëve popullore duke përshkruar kështu veprimtarinë e tyre e cila shihet plotësisht e pambuluar nga ana e burimeve historike, pra është vetëm imagjinatë kreative. Pra, kjo “traditë” nuk mund të merret si një e vërtetë objektive e ngjarjeve, ajo është dhe do të mbetet një pasqyrim artistik, shfrytëzimi i së cilës kërkon gjithnjë një ballafaqim me të dhënat e burimeve historike. Këtej, letërsia artistike serbe e mbushur me retorikë siç thekson një autor serb, është aq e varfër dhe e zhveshur nga të dhënat e vërteta për Betejën e Kosovës, sa nuk mund të shërbejë si burim historik. Duke parë se në Serbi gjatë shekullit XIX, kryesisht kah fundi i shekullit, historia mësohet nga këngët popullore kishin reaguar dhe tërhiqnin vërejtjen studiuesit I. Ruvarac dhe L. Kovaçeviq (themelues të kritikës së historisë në Serbi). I. Ruvarac boton një studim për “Llazarin” ku i hedh poshtë plotësisht të dhënat nga tradita popullore dhe këngët epike që synohej të paraqiteshin si burime historike mbi ngjarjen, por kuptohet se ky asokohe sulmohet ashpër nga J. Tomiq dhe shumica e intelektualëve serbë të asaj kohe. I. Ruvarac (1832-1905) u linte porosi të drejtë gjeneratave serbe të flisnin qartë që nuk dinin asgjë për Milloshin (Obiliqin – E.R.). J. Tomiq e vlerësonte poezinë dhe traditën popullore si burim historik shumë të besuar. Në mënyrën e të kuptuarit romantik, ai i pakënaqur me zgjedhjen e këngëve mbi Kosovën, të cilën e kishte bërë S. Novakoviq, vetë i zgjodhi këngët dhe i botoi por duke intervenuar në ato, aty ku ai kishte menduar se duhet. Pasi që ishte sulmuar nga kritika, J. Tomiq kishte dhënë përgjigje: “Mbytjani dikujt të kaluarën e tij, me këtë ia keni rrezikuar ardhmërinë”. Është me rëndësi të theksohet se popullata serbe e Kosovës tek në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe atë kah fundi i shekullit filloi të dinte për “traditën” dhe historinë e ngritur mbi Kosovën. Traditën mbi Kosovën e sjellin dhe e shpërndajnë tek serbët (sllavët, E. R.) e Kosovës priftërinjtë dhe mësuesit të ardhur nga Serbia, numri i të cilëve në fund të shekullit ishte rritur shumë. Librat nga Serbia u dërgoheshin ‘’popullit serb’’ në Kosovë që nga viti 1969, posaçërisht në këtë drejtim veçohen librat historike të punuara në hijen e romantizmit dhe të nacionales, tekste të cilat përmbanin më së shumti këngë historike popullore të ngritura mbi “idenë e Kosovës”. Se në të vërtetë popullata e paktë serbe (sllave, E. R.) në Kosovë nuk dinte asgjë lidhur me mitin mbi Kosovën, vërteton edhe autori nga Rusia, A. Gilferding. Ky gjatë gjysmës së shekullit XIX vizitoi Kosovën e duke mbledhur dhe hulumtuar të dhënat për historinë e saj, tregon se, në Kosovë në Nerodimje nuk këndohen këngët për Millosh Obiliqin dhe Llazarin. Duke pasur parasysh ndikimin e traditës dhe epikës popullore që kishte të merr karakter të veçantë në dijen kombëtare historike të serbëve, më së miri e shfrytëzuan shkrimtarët nacionalistë dhe ideologët kombëtarë, krijues të Serbisë gjatë shekullit XIX. Shekulli XIX ishte periudhë kur po krijoheshin identitetet kombëtare në shumë vende të Evropës. Kështu edhe Serbia duke luftuar në atë drejtim lindi-projektoi ‘’idenë’’ për të formuar një territor kombëtar të pavarur sa më të gjerë. Ideja e një lufte të organizuar për pavarësi do të zhvillohet asokohe tek serbët mbi “mitin kombëtar” tani të krijuar “ideja e Kosovës” e cila njëherit ju kujtonte atyre ‘’shtetin mesjetar – Mbretërinë e Nemanjëve. “Beteja e Kosovës” me heronjtë e saj të cilët kishin luftuar po kundër osmanëve, dhe me ngritjen e kultit të Llazarit e luftën “e shenjtë” të tij. Të gjitha elementet mbi mitin e Kosovës që do të krijohen gjatë fundit të shekullit XIX më i rëndësishmi do të del ai, “përbetimi i Kosovës”. Këtu bëhet fjalë për idenë e Llazarit që i qe ofruar mundësia të zgjedh a po e do mbretërinë tokësore apo hyjnore, kurse sipas saj ky zgjodhi atë të fundit. Ky vendim u quajt edhe si “marrëveshja me Zotin” dhe se serbët e konsiderojnë veten si “popull hyjnor”. Në traditën e folklorit popullor, këto të dhëna paraqiten në formë të këngës me titull “Rënia e perandorisë serbe”. Duke u bazuar në tekstet liturgjike rrjedh edhe e dhëna “a nuk është më mirë të vdesësh me lavd, se sa të jetosh me turp?”. Nga kjo që u tha, problemi në fjalë tek serbët në fund shekullin XIX çështja do të lidhet me ideologjinë kombëtare serbe e cila qëndrimet e tilla filloi t’i manipulonte dhe në interesat e shtetit serb, që njëherit qëllimet ishin për ekspansionin territorial të tyre për një “mbretëri tokësore” – ç’është e vërteta, ata mbi të gjitha janë të interesuar që të shtrihen (okupojnë – E.R.) në vetë Kosovën. Sipas një historiani serb: “Përbetimi i Kosovës” – zgjedhja e lirisë në “Perandorinë hyjnore” në vend të përuljes në robëri, në botën e përkohshme, mbetet ende një hallkë e përhershme që i frymëzon serbët me ndjenjën e etnitetit kombëtar”. Serbia për historinë mesjetare ka prodhuar një trashëgimi të pasur të epikës popullore, në poezi e këngë, si dhe të përkthimit të ngjarjeve në këso lloj trajtesash mitologjike, fill pas ndodhjes së tyre rëndom të kriposura me erëza të bollshme teatrale dhe të ndërlikuara me temat aktuale të ditës, me synim argëtimi dhe aktualizimi. Qyshdoqoftë “miti nacionalist” për Betejën e Kosovës që e njohim sot në kundërshtim me dokumentimet për përleshjen nuk është epikë mesjetare; ai nuk lindi në kohën e këtyre ndodhive, as nga tradita gojore arkaike ‘’serbe’’, por ishte përftesë e mëvonshme. Çkado, apo cilado qofshin të dhënat për Betejën e Kosovës, më me rëndësi është se ato më vonë mbështesin “idenë e Kosovës”, pra mitin serb të krijuar, si kushtrim më i madh për kombin serb dhe thirrje për domosdonë e hakmarrjes (kupto formimin e Serbisë së Madhe ku në rend të parë përfshihet okupimi i territorit të Kosovës – E.R.). Humbjet, kryesisht ato me rëndësi të madhe, tradicionalisht janë arsyetuar me motivin e tradhtisë. ‘’Serbët’’ nuk do të humbnin as “mbretërinë” në Kosovë, sikur të mos ishte “tradhtia” e Vuk Brankoviqit. Këto motive i gjejmë kryesisht tek memoaret në shekullin XIX të cilët ndihmuan në fillimin e përgatitjes së kryengritjes serbe. Shkrimtarët nacionalistë si dhe krijuesit e kombit të këtij lloji me shkrimet dhe qëndrimet e tilla do të veçohen ndër të parët serbët e shkolluar nga Vojvodina – Austro-Hungaria. Këta në të gjitha aspektet do ta ndihmojnë Serbinë si në ngritjen e vetëdijes, mënyrës së të menduarit, zhvillimin e arsimit, ndërtimit të vendit si dhe angazhimin në sferën politike, me një fjalë udhëheqjen nacionale e politike të rindërtimit të shtetit serb. Ndër ta veçohen vëllezërit Telemakë, D. Obradoviq, I. Jugoviq, mitropoliti i Karllovcit S. Stratimiroviq e të tjerë. D. Obradoviq duke ndihmuar kryengritjet serbe të viteve 1806-1807 ndihmoi në thirrjen e popullit në proklamatën mbi unionin ruso – serb në luftën e përbashkët kundër turqve. Ky duke luftuar me kthimin moral dhe psikologjik tek serbët, ardhmërinë e shihte edhe në ndërtimin e poezisë popullore dhe të dytën traditën gojore të idealizuar për të kaluarën e ‘’shtetit të vjetër serb’’, por ndaj kërkesave të kohës së re. Në këtë drejtim edhe V. Karaxhiq do të bëjë një punë të “çmuar” në mbledhjen e krijimtarisë gojore të popullit serb. Karaxhiqi i ndihmuar nga qeveria dhe njëkohësisht i kompensuar, ishte ideator dhe kreator i planeve për rilindjen e arsimit dhe të kulturës së popullit serb. Duke u angazhuar në punën nacionale, ai e shihte të nevojshme që shkollat në Serbi duhet “krijuar librat shkollore më të mira, sipas modeleve evropiane, që edhe serbët e tjerë (në vendet e tjera) të pranojnë nga ne (librat, E. R.), si nga ëma e tyre e jo të marrin prej tjerëve”. “Puna nacionale duhet të zhvillohet me propagandë të shëndoshë nacionale që do të arrihej në dy mënyra: duke studiuar historinë – së bashku me prodhimtarinë gojore të krijuar nga populli: këngët popullore, tregimet dhe folklori – duhet përkthyer në gjuhë të huaja që populli i arsimuar i Evropës të njoftohet me popullin serb, të kaluarën e tij dhe kulturën”. Duke punuar në projektimin e “Serbisë së Madhe”, Karaxhiq me Serbi nënkuptonte, territorin nga Sharri deri te Sava e Danubi dhe nga Timoku në Drin. Ai në veprat e tija në shkrimin “Serb të gjithë dhe gjithkah” tregon shtrirjen e popullatës serbe: “Në të vërtetë dihet se serbët jetojnë në principatën serbe, “Metohi”, Bosnje e Hercegovinë, Zetë, Mal të Zi, Banat, Baçkë, Srem, Osijek deri në Sent-Andrej, Slloveni, Kroaci, Dalmaci dhe në gjithë hapësirën bregdetare nga Trieshti deri tek Bojana (Buna afër Shkodrës). Duke bërë ndryshimet për këto shkrime ndërmjet Serbisë së Madhe dhe gjithë serbët, autori I. Pilar erdhi në përfundim duke vërtetuar se serbët donin “të marrin dhe serbizojnë gjithë sllavenët e Ballkanit”. Tek Karaxhiq kishte lindur qe një kohë dëshira për mundësitë e shtetit të ri shekullor serb në hapësirën e mbretërisë së Dushanit dhe në perspektivën e largët edhe rikrijimin e tij. “Kur grekët morën Thesalinë, Shqipërinë dhe Epirin; edhe unë kisha me ndërhy në Bosnjë e Hercegovinë dhe Bullgari deri te Koxha Ballkani: kjo është krejt serbe, ndërsa rreth Shkodrës kemi me u rrah më vonë me grekët, sepse nuk është e drejtë që ata të kenë aq shumë det, e ne askund asgjë. Qeshni ju me mua derisa të kënaqeni, por kini parasysh që juve më pastaj grekët të mos ju përqeshin, ndërsa pasardhësit juve të mos u fajësojnë”, i tërheq vëmendjen V. Popoviqit në letrën dërguar më 27 mars 1827. Vuk Karaxhiq në rrethin e kulturës dhe Ilija Garashanin në udhëheqjen politike të shtetit, sajojnë, formojnë definitivisht programin nacional serb. Autori i memoarit (K. Nikollajeviq) të ashtuquajtur “Shtetet e bashkuara serbe” (Srpskim s jedinjenim dr`avama) ishte përfaqësuesi serb në Stamboll. Ky i bindur se Turqia nuk do të dalë nga kriza gjatë pjesës së parë të shekullit XIX propozon që: “Serbisë t’i bashkëngjitet Bosnja, Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria e Epërme (Serbia e Vjetër) […]”.

Tekstet që do të botohen nga autorë të ndryshëm serbë, që janë krijime të reja, që merren me studimin e historisë së Kosovës gjatë shekullit XIX, krijuan dhe zhvilluan nacionalizmin modern serb. Përveç shkrimeve mitologjike mbi Betejën e Kosovës (1389), po ashtu shihet se, shkruhet edhe për “shpërnguljen e madhe” të ‘’popullit serb’’ nga Kosova në shekullin XVII, kur dhe lindin qëndrimet se, kinse “toka” nga kjo kohë do të okupohet nga fiset shqiptare nga veriu i Shqipërisë. Miti nacionalist i historiografisë serbe mbi Kosovën, zhvillohet siç theksuam, gjatë shekullit XIX dhe atij XX në një shkallë më të gjerë duke marrë forma të reja e të ndryshme dhe gjithnjë duke qenë objekt propagande, në rend të parë, në mënyrat se si i përgjigjej politikës zyrtare e shtetërore të Serbisë. Nga shkrimet dhe qëndrimet e tilla të historiografisë serbe hartohet edhe programi kombëtar serb “Naçërtanija” nga kryeideologu i nacionalizmit Ilija Garashanin në vitin 1844. Programi në fjalë do të mbështetet nga politika shtetërore dhe kisha serbe gjatë gjithë kohës për të realizuar aspiratat për “Serbinë e Madhe”, ku kuptohet se përfshihej përveç territorit të Kosovës edhe gjithë Shqipëria Veriore. Asokohe duke u mbështetur në mitin mbi Kosovën dhe për t’i dhënë politikës së tyre një peshë akoma më të madhe, serbët e “zbuluan” e “shpikën” dhe termin “nacionalist” për territorin e Kosovës “Serbia e Vjetër” (Stara Srbija), emërtim ky “i ri” për Kosovën dhe territoret përreth që përshëndetej nga qarqe shkencore e politike serbe të kohës. Ky emërtim “gjeografik” figuron për herë të parë nga viti 1845 në “Hartën e Principatës së Serbisë” që u shtyp në Beograd. Ky emërtim për Kosovën nga kjo kohë do të vazhdojë të përdoret nga të gjithë historishkruesit, shkrimtarët, politikanët dhe publicistika serbe, kryesisht deri në gjysmën e dytë t shekullit XX, por për një pjesë të madhe vlen e përdoret edhe në ditët e sotme. Këtë emërtim e mbështeste dhe e pranonte edhe shkenca sllave – ruse të cilët shkruan shumë artikuj për “Serbinë e Vjetër” si për “vendlindje të serbëve”, vend me “trashëgimi të plotë të monumenteve fetare prej të cilave nuk heq dorë asnjë serb”. Këso kohe historiografia serbe do të punojë mbi krijimin e mitit “të ri” mbi Serbinë e Vjetër e cila do të paraqet dhe konceptoj shtrirjen e saj: kjo nënkupton Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit; nënkupton Kosovën dhe Maqedoninë, d.m.th. një pjesë të madhe të ‘’Mbretërisë së Dushanit’’; nënkupton ‘’Mbretërinë e Stefan Dushanit’’ në kohën kur ajo kishte shtrirje më të gjerë, prej Shkodrës dhe lumit Shkumbin e deri tek kufijtë e Mbretërisë Bullgare, dhe prej Pribojit e deri në Manastir. Asokohe me çështjen e ‘’Serbisë së Vjetër’’ do të jepen shumë mendime nga shumë autorë të historiografisë serbe dhe do të bëhen shumë pazarllëqe lidhur me përfshirjen e territoreve të saj. Disa mendojnë se zanafilla e ‘’Serbisë së Vjetër’’ fillon te Nemanja, themelues i Dinastisë mesjetare të Rashkës – nemanjëve, e disa të tjerë nisen nga Llazar Hrebljanoviqi apo knez Llazari i cili në Fushë të Kosovës e ka dhënë jetën duke e mbrojtur “Serbinë e Vjetër” prej pushtuesve turq. Ka edhe mendime se ‘’Serbinë e Vjetër’’ duhet kërkuar nga lashtësitë (antika – E.R.) për ta bërë më të fortë qëndrimin mbi të, dhe atë qysh nga ‘’koha e periudhës romake, sepse që nga ajo kohë në Ballkan ka vendbanime serbe’’. Duke mos u ndalur në veprimtarinë e tyre pseudoshkencore e propagandistike të ndërtuar mbi baza të mitit serb për Kosovën, autorët serbë do të vazhdojmë më tutje duke forcuar sajimin e tyre “Serbia e Vjetër”, nocion ky që siç thamë, përdoret për Kosovën “që do t’i përkushtohen qindra faqe punimesh e kuptohet se qëllimi ishte që nga kjo” mitologji do të mvarej Serbia në të ardhmen, se a do të jetë e vogël siç ishte, apo e madhe siç imagjinohej.

Qëndrimet e tilla të shumta e të ndryshme mbi Kosovën që rrjedhin nga propaganda “shkencore” e Akademisë Serbe të Shkencës dhe politikës ditore serbe, e ndërtuar mbi bazat e “mitit nacionalist mbi Kosovën”, do të kishin qëllimet e veta. Edhe tani kjo propagandë nuk heq dorë nga qëndrimet se: “fati i Kosovës mbetet çështje jetësore e tërë popullit serb”; “përcaktimi gjithë serb i Kosovës”; “në Fushë të Kosovës, në ‘zemër të Serbisë’, para gjashtë shekujsh ‘Serbia’ e mbrojti veten dhe Evropën”; “Kosova – simbol i shtetësisë dhe i kulturës serbe – diçka si tokë e shenjtë e popullit serb”; “Aty qëndrojnë kishat serbe, varret tona, monumentet tona, e tërë historia jonë”; “Kosova është pragu i parë i Serbisë”; “Kosova është serbe dhe si e tillë duhet të mbetet”; “Kosova është tokë serbe për të cilën kurrë nuk mund të flitet ndryshe, përveçse për tokë serbe të shenjtë”; “Në Kosovë më 1389 u shpartallua ‘mbretëria serbe’ […] se Kosova u bë shqiptare pas shpërnguljes së madhe ‘serbe’ pas vitit 1690 […]”etj.

Përqendrimet e sipërtheksuara, sipas meje,  nuk donë koment. Arsyeja është se, historia flet ndryshe për ata që duan të jenë objektiv. Këto qëndrime dhe shkrime të historiografisë serbe të cilat krijuan mitin mbi Kosovën, mendojmë se janë të paqëndrueshme, qëllimkëqija e nacionaliste dhe janë të dëmshme për shqiptarët dhe për popujt fqinjë ballkanikë e më gjerë.

Ngjarjeve që mbetën ndër më të rëndësishme për ‘’historinë e vjetër ‘serbe’ nga vdekja e Dushanit, Beteja e Kosovës e më pas’’, janë përshkruar gati gjithherë ashtu si ai populli vetë për vete i nxori nga harresa historike. Pa dyshim këtë e kanë bërë nga mungesat e të dhënave historike për periudhë të gjatë kohore, duke u mbështetur në atë dhe nga tregimet të cilat janë për ato ngjarje shpejt të krijuara duke përfshirë edhe popujt fqinjë, duke i lidhur edhe me fatin e asaj që sot ndodh në Serbi. Por, pavarësisht nga këto “tradita kosovare” në shkrimet e tyre mbeti që nga fillimi e pakonsultuar me kritikën historike, depërtoi deri në ditët e sotme, gjithherë në vendin e caktuar në ngjarjet me rëndësi, shumë më e fortë, më e qëndrueshme dhe variante të ndryshme, me kohë shumë më e fortë “si një xhevahir i rrallë që shkëlqen” e krejt kjo në punime të autorëve tmerrësisht të dyshuar. Paraqitja e një numri të madh autorësh të cilët nuk pyetën shumë prejardhjen e arritjeve të tyre, thonë se, ashtu siç edhe kanë thënë se kjo “traditë” që i ka vënë bazat për një periudhë të gjatë në historinë serbe, ka lënë në errësirë, mjegull, një pjesë të kësaj historie e cila edhe sot është vështirë të trajtohet dhe të përmirësohet.

Për fund, miti i krijuar-konstruktuar për Kosovën u vërtetua e argumentua që u ndërtua nga autorë nacionalistë të historiografisë serbe me mbështetjen edhe të kishës ortodokse serbe e politikës qeveritare serbe gjatë fundit të shek. XIX dhe gjatë fillim shek. XX. Miti si i tillë, cilësohet nga historiografia e përgjithshme, si krijim-vepër e dëmshme që çoi në ashpërsimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërkombëtare të popujve të Ballkanit e më gjërë. Ardhmëria e popujve shihet në studimet reale të historisë së popujve. Tani në shekullin XXI, krijimi, mbështetja, thirrja në Mite – mitologji, nuk shkon, nuk kalohet, nuk pranohet me arsyen e shëndoshë se ka ardhur, më në fund, koha e paraqitjeve reale të të gjitha historive nacionale.    

Enver Rexha: HISTORIOGRAFIA SERBE PËR KOSOVËN (XIII – XIX), Prishtinë, 2009, f. 487

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here