Fragment nga romani ”Mbretëresha Olimpia”

Nga Resmi Osmani

…Pas sillës, Olimpia i tha Roksanës që ta ndiqte pas me gjithë djalin. Shkuan në sallën e armëve që mbretëreshës i shërbente edhe si kabinet ku priste e përcillte. Roksana me djalin për dore, priste në heshtje. Olimpia ecte çapejak nëpër sallën e vogël, pastaj qëndroi përkitazi së resë dhe i nguli sytë e flakëruar drejt e në ninëza, saqë Roksana u drodh e u mpak.

-Dua të më rrëfesh si vdiq im bir!

Më shumë se kërkesë ishte një urdhër.

Roksana nuk e priste atë këkesë.Ia kishte rrëfyer edhe herë të tjera. Ai rrëfim për të ishte i dhimbshëm, i trishtuar, e bënte të përjetonte çastet e agonisë së të shoqit dhe të ndjente në zemër e shpirt, atë shkretëtirë me dhimbje që le vdekja e njeriut më të dashur. Kur e rrëfente e mbysnin lotet, ngashërimet dhe dënesat. Ajo e kishte dashur mbretin. Olimpia e pikasi drojen dhe mosdashjen e saj për t’i rirrëfyer heqjen e mbretit para se t’i shuhej jeta.

– Bija ime, e ndiej, që për ty ky rrëfim është sfilitës,- i tha ajo me zë të butë, që shprehte keqardhje.- Por unë jam nëna.Kam pengjet e mia. Dua të ma rithuash edhe një herë pa harruar asgjë, asnjë hollësi, asnjë vogëlimë: , ditë pas dite, orë pas ore, ashtu si ngjau.

Pas një tropari heshtjeje, Roksana që risolli para syve të mendjes ndodhinë e kobshme, nisi rrëfimin e saj:

-Në pranverë, pas kthimit të lodhshëm nga India, me një pjesë të ushtrisë dhe oborrit, mbreti la Ektabanën dhe zbriti në qytetin madhështor të Babilonisë, që ndodhet në brigjet e lumit ujëshumë Eufrat. Qyteti nuk ka shok për nga buluria, thesaret dhe madhështia, prandaj e shpalli kryeqytet të  perandorisë.

Para se të niseshim erdhi admiral Nearku dhe i tha mbretit se kishte takuar disa magë sirianë nga Kaldea, që i kishin thënë të mos shkonin në Babiloni se shenjat nuk ishin të mbrothët,por Mbreti qeshi dhe nuk ia vuri veshin.Kur mbërritëm, mësuam për disa ndodhi, të cilat, Mbreti si besimtar që ishte, i mori ato shenja si kumte që i dërgonin zotat: në muret rrethues dhe kullat u pa që ziheshin me krokama një tufë korbash, dhe disa syresh, të shpupluara e çoroditura ranë para këmbëve të tij. Në parkun e qytetit, një gomar, kishte vrarë me shkelm një luan. “Mbreti i kafshëve, vdiq nga shkelmi i një gomari”,- vërejti mendueshëm Mbreti. Pati edhe shenja të tjera.Këto e shqetësuan.

Apolidori, satrapi i babilonisë, bëri therrore dhe thirri falltarët të shihnin shortin e Aleksandrit. Ata nuk ngurruan t’ia thoshin: shenjat nuk kishin dalë të mira. Mbreti nuk u zemërua por vërejti:” Sa keq që fati dhe dashuria e zotave duket se po na braktisin!”

U vendosëm në pallatin mbretëror që ishte i zhytur në luks e në ar, si një ëndërr e përrallë e bukur. Mbreti nisi të mos ndjehej mirë, mjedisi i shkaktonte angështi,i dukej sikur një shpirt i keq na sillej rrotull.U bë mosbesuaes ndaj shokëve dhe miqve.më shumë dyshues ishte për bijtë e Antipatrit,kasandrit dhe Jolaut. Ndryshe ngasa e kishte zakon , ai që s’trembej nga asgjë, u pushtua nga turbullimi dhe ankthi i pritjes së ndonjë të keqeje, që s’e dinte nga i vinte. Përditë delte për gjuetinë e luanëve, si në kërkim të rreziqeve dhe bënte shëtitje me anije në Eufrat.Pallati u mbush me shortarë sirianë, që i thirri për të bërë therrore, pastrime të shpirtërave të këqinj dhe që të parathonin të ardhmen.

Mbreti mblodhi këshillin e luftës dhe rrëfeu qëllimin e vërtetë të ardhjes në Babiloni: përgatitjen e ushtrisë për pushtimin e Arabisë. Do të ndërtoheshin në kantieret e Tiros 1000 anije. Një pjesë e ushtrisë do të hidhej në Afrikën e Veriut që të pushtonte Kartagjenën, dhe prej andej do të kapërcente detin për pushtimin e Iberisë. Kësisoj,-thoshte ai,-perandoria si një rreth i mbyllur, do të niste nga Shtyllat e Herkulit në perëndim e deri në Gang të Indit.

Në mbarim të Këshillit të Luftës, mbreti dha një drekë të pasur për nder të admiral Nearkut, që ishte kthyer nga lundrimi prej Detit të Madh, në Eufrat e Babiloni. Në drekë ishim edhe ne, gratë.Në atë shoqëri të zgjedhur biseda ishte e këndshme dhe shakatë gazmore e të kripura. Të gjithë pinë verë të pa holluar, por veçmas Leka, piu me të tepërt. E vënë në zor, desha  t’i tërhiqja vëmendjen, por, e mjera, nuk guxova, ngaqë do të tërhiqja mbi vete furinë e zemërimit të Tij. Si të mos mjaftonte kjo, Medi, gjenerali nga Larisa që Mbreti e donte veç të tjerëve e ftoi në pallatin e tij Mbretin për aheng. Pinë gjith natën, vera derdhej pa kursim, orgjia ishte e dalldisur me muzikë dhe valltare, s’kishte të mbaruar dhe vijoi edhe të nesërmen gjer në drekë. Mbretin e sollën në pallat të dehur dru. Mezi mbahej më këmbë, nuk arrinte të kontrollonte veten dhe ra në gjumë të thellë.

Të nesërmen , pas banjës i filluan ethet; me të nxehta përvëluese dhe dobësi të trupit. I rrija mbi krye dhe i vija kompresa, jaki me llapa bimësh të shtypura dhe i jepnim për të pirë shurupe nga barëra shëruese. Pas përmirësimeve të përkohshme, i vinte zjarrmia dhe dobësia e ai binte në jerm.Pritëm të përmirësohej, por në ditët pas ardhëse, u keqësua edhe më. E mundonte dhe përvëlonte zjarrmia e brendshme, lahej në djersë, thoshte se në gojë kishte hidhësirë dhe në rropullitë një gërryerje të brendshme që s’i ndahej.Sapo i binte zjarrmia, ai kthjellohej. I bënim banjë dhe megjithse i drobitur, takonte shokët e armëve, gjeneralët, merrte njoftlime për përgatitjen e luftës së ardhme dhe jepte porosi. Në ato çaste, shpresoja se ai po e kalonte rrezikun, por s’qe e thënë. Ai e kuptoi se po i vinte fundi dhe na tha: “Kam rënë i sëmurë në shtrat e po vdes midis mjekëve më të zotë, por mjekimet e tyre nuk po më shërojnë, atëhere shërimi do të vijë nga vdekja!”….Pastaj ai thirri general Perdikën, që e quante si më të afërtin e shokëve që i qëndronin pranë dhe i dha unazën e tij me vulë, si shenjë trashëgimi e sundimi.

U shua në krahët e mi, ndaj të gdhirë më dhjetë qershor. I dhashë të puthurën e fundit, para se të jepte shpirt. E lava me lot, i mbylla sytë dhe i lidha buzën. Dukej sikur flinte. Edhe i vdekur ishte i bukur.

Kjo ishte e gjitha-tha Roksana, që ishte sbehur si meit dhe me duart që i dridheshin fshiu lotët.

-Jo,-tha Olimpia mendueshëm.- Ka edhe më.Kasandri dhe Jolau, djemtë e Antipatrit, a ishin pjestarë në gostitë?

-Po. Jolau nuk mungonte asnjë herë. Ishte qilartari i Mbretit. I shërbente verën dhe i mbushte kupat.

-Si e pritën gjeneralët lajmin e luftës së re, a di të më thuash gjë?

-Po. Perdika,më vonë më pati thënë se Ptolemeu, Seulku,Lisimaku dhe disa të tjerë nga shpura dhe truprojet e Mbretit, thanë se boll gjak e djersë kishin derdhur në luftë dhe se ishin të kënaqur me atë që kishin pushtuar dhe pronat që u kishte  dhuruar Mbreti. Tani-kishin thënë ata- na takon të çlodhemi, të pimë dhe të gëzohemi me gratë e reja të bukura e fisnike perse! Kështu kishin thënë ata midis tyre, pa guxuar t’ia thoshin edhe mbretit.

-Më the se kishte hidhësirë në gojë dhe dhimbje në rropullitë.Po të përziera e të vjella?

-Vetëm ditët e para. Mjekët i dhanë shurup shege dhe të vjellat iu prenë.

Për Olimpian, tashmë  s’kishte asnjë dyshim.Të birin e kishin helmuar.

Mbetej hakmarrja.

Fragment nga romani “Mbretëresh Olimpia”, Tiranë, ”Kristalin KH”,   2011

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here