Nga Albert Vataj

Pakkush deri atëherë kishte shkelur me këmbë çdo krep dhe shkëmb ku gjallonte jeta e vështirë e shqiptarëve të viseve të thella, kishte jetësuar me pendë, gjithçka që kishte parë, dëgjuar e përjetuar, ishte shtruar me malësorët e Shqipërisë së Epërme në sofrat “ me buk e kry e zemër” si baroni austrohungarez, Franc von Nopça. Ai e njohu, e vlerësoi dhe e dokumentoi si një thesar të paçmuar, gjithçka që pa dhe dëgjoi, gjithçka që hulumtoi dhe e trajtoi si një pasuri shpirtërore e njerëzve të pasur të këtyre vendeve të egra.

Zakonet në varrim janë zakonet më konservative të popujve primitivë dhe nga ky shkak janë përhapur shumë në Ballkan. Sikur do të shikojmë gjurmët e gati çdo veprimi në varrimet në Shqipëri, edhe pse nganjëherë vetëm në ndonjë fshat të humbur, gjenden jo vetëm në Greqi dhe Serbi por edhe në Zibenbyrgen, bile edhe në Bukovinë. Rastet e izoluara kanë rëndësi etnologjike të jashtëzakonshme për të provuar se zakoni ka qenë i njëjtë në tërë gadishullin. Do t’i spjegojmë në pjesën paleotnologjike të veprës sonë, se cili është ky kult dhe çfarë elemente të huaj kanë hyrë në të.

GM041: Two men smoking in the Shala Valley (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM041: Two men smoking in the Shala Valley (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Nëse do të vdesë ndonjë njeri në familje, në fshat ose në fis, sipas pikëpamjes shqiptare, këtë e tregojnë më parë disa shenja. Më mirë e tregojnë shpatullat e bagëtive të imta, pastaj kraharorët e zogjve. Përmbi mënyrën sesi parashikohet e ardhmja në këto mjete: është përshkruar në një kapitull të posaçëm, këtu vetëm e përmendim. Vdekja parashikohet edhe nga shenja të tjera. Sipas pikëpamjes së shqiptarëve por edhe të sicilianëve, rumunëve dhe muhamedanëve të Bosnjës dhe të Bullgarisë, çdo njeri ka në qiell yllin e tij dhe veçanërisht shqiptarët besojnë se njerëzit e shquar si mbretër dhe zyrtarë të lartë kanë një yll më të madh, më të bukur, kurse njerëzit e rëndomtë kanë yje të vegjël, me më pak dritë. Sipas këtij besimi çdo yll që shkëputet tregon vdekjen e një njeriu. Një besëtytni, që i përngjan kësaj, gjendet në Baden. Që çdonjëri ka yllin e tij, këtë besim e kanë edhe në Zvicër, në Bohemi dhe Oldenburg. Dhe qeni i një fshati kur ulurin (kuis) natën me kokë të ulur paralajmëron vdekjen e dikujt. Këtë e besojnë jo vetëm shqiptarët por edhe sicilianët, dalmatinët (Lesinë), kuçovllahët, rumunët dhe banorët e Azisë së Vogël. Pastaj këtë besëtytni mund ta ndeshësh në viset gjermanike gjer në Suedi.

Duhet therur një pulë, që këndon si këndes, se tregon një lajm të zi, që në familje dikush do të vdesë. Ky besim është romak, italian, sicilian dhe e gjejmë edhe në Bullgari, Rusi dhe Bohemi. Në Zibenbyrgen ka një variant, sipas të cilit duhet që pula, që këndon si këndes, të shikojë nga perëndimi.

GM034: The cemetery of Boga (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM034: The cemetery of Boga (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Në kohën kur është shtruar sofra, është shenjë e keqe, po të këndojë këndesi, se paralajmëron vdekje në familje. Në këtë rast i urojnë që ngordhja t’i vijë atij dhe kështu e therin. Kur këndon pas buke paralajmëron vdekjen e një miku të shtëpisë. Kush shikon dy gjarpërinj në çastin që bashkohen ka një vdekje në familjen e tij, ose do t’i ndodhë një fatkeqësi. Këtë besëtytni e takojmë në Sicili dhe ka të ngjarë që burimin e ka në ato të Romës vjetër.

Në disa pika zakonet midis malcisë dhe qytetit të Shkodrës ndryshojnë. Sa vdes dikush i mbyllin kapakët e syve dhe i lidhin një shami nënë mjekër. Në malci i lidhin edhe këmbët, që kufoma të mos ikë. Ka të ngjarë që kjo e ka rrënjën te një besim i kotë, se në Lesinë kujtojnë që po të mos i lidhen (i qepen) këmbët, i vdekuri del nga vari dhe sillet si hije. Kjo ndodh edhe në disa vende të Bullgarisë. Në mënyrë simbolike në disa vise të Rumanisë, në Reshinar të Zibenbyngenit, i lidhin këmbët me një pe.

Kur i mbeten sytë të hapur një të vdekuri, ose kufoma nuk ftohet shpejt, atëherë kjo është shenjë që në familje do të vdesë dikush tjetër. Këtë besim e kanë edhe rumunët. Pasi pushojnë ulërimat e para të grave, lajmërojnë me lajmëtarë burrat, të cilët nuk tregojnë asnjë shenjë pikëllimi, fisin, miqtë dhe të njohur të largët të të vdekurit. Në Malcinë e Vogël, si në disa vise të Lituanisë prusiane, shpejt pas vdekjes së dikujt, bëjnë kurban për të vdekurin një qengj ose një dash, sipas zakonit të vjetër romak, të cilin e hanë ata që vinë për varrim. Po të bjerë varrimi në një ditë kreshme, atëherë e shtyjnë për t’u ngrënë të dielën.

Në Moldavi dikur thernin dele të zeza ose desh, bile pasi të kishte rënë nata, dy ditë pas varrimit. Gjakun e linin të kullonte në një gropë, lëkurën ia falnin priftit, që ndodhte në varrim. Përkundër në Hercegovinë dhe në Shqipëri në shtëpinë e të vdekurit nuk gatuhet gjellë në kohën midis vdekjes dhe varrimit.

GM024: Young woman from Puka (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM024: Young woman from Puka (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Në Nikaj sofra e parë shtrohet në kohën kur i vdekuri ndodhet në shtëpi: në Apripa, ku mora pjesë edhe unë, u shtrua pas mesdite, pastaj ishte bërë varrimi. Hëngrën 13-20 gra dhe afër 400 burra. Edhe boshnjakët shtrojnë sofra, vetëm që muhamedanët nuk hanë veçse hallvë. Pasi e lajnë dhe e veshin të vdekurin, siç bëjnë në Bosnje, Rumani dhe në Bullgari, e mbulojnë pastaj me një mbulesë. Të pranishmit ruajnë natën të vdekurin dhe pinë ndërkaq raki dhe kafe.

Në Shqipëri, pikërisht si në Stamboll, në Rumani, në Zibenbyrgen, Maqedoni. Hercegovinë dhe në Malin e Zi, e ruajnë të vdekurin që të mos e kapërcejë atë ndonjë mace, se i vdekuri do të dilte nga varri dhe do të bëhej lugat. Edhe në Baden të Gjermanisë dhe në Zvicër i nxjerrin macet dhe qentë nga dhoma dhe shtëpia e të vdekurit. Edhe në Azinë e Vogël kujdesen që macet të mos e kapërcejnë kufomën, se nuk kalbet dhe kjo është shenjë e keqe. Por sidoqoftë këtu nuk ka konsekuencat e tmerrshme si në Ballkan. Shikojmë, që kjo besëtytni ballkanike e ka humbur fuqinë në Azinë e Vogël.

Në malcitë e veriut një ditë pas vdekjes ftojmë njerëz për të lëshuar vajin (kujën). Vaji përbëhet nga këngë të improvizuara me “Ku! Ku!” dhe “Le! Le!”, ku mburrin virtytet e të vdekurit. Vaji ka qenë përhapur dikur në tërë Evropën e Jugut dhe janë gjetur mbetje në Francën e Jugut dhe në Sicili. Varrimi bëhet kudo të nesërmen por mund të shtyhet, kur nuk lejojnë rrethanat, se çdo fis në Shqipërinë e Veriut ka varrezat e tij dhe prandaj farefisi lakmon ta varrosin në varrezat e fisit të vet. Vetëm kelmendasit, që vdesin në bjeshkë, nuk i zbresin te varrezat, por i varrosnin në bjeshkë. Por kur një shaljan vdes jashtë Shalës, si p.sh. afër Shkodrës, atëherë lakmojnë, me gjithë largësinë ta shpien në shtëpinë e tij. Prandaj koha e varrimit është e lidhur me largësinë e varrezave me kohën, që iu duhet miqve për të arritur në vend, etj.

GM022: Northern Albanian men greeting one another (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM022: Northern Albanian men greeting one another (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Në Shqipëri (malcinë e veriut) nuk është, si në Malin e Zi, nevoja e një varrimi kishtar. Unë vetë jam ndodhur në dy varrime në malci dhe në fushë, ku ka munguar prifti. Sa më shumë njerëz e shoqërojnë të vdekurin te varrezat aq më shumë nder i bëhet atij dhe farefisit të tij. Shumë herë ndodh, që numri i tyre arrin 300 gjer 400 veta. Për ngushëllim përdoren formulat: “Ti shnosh!” me “Ju shnosh!”. Diçka në këtë mënyrë ngushëllojnë në Palestinë me fjalë: “Kokat shëndosh!” Përgjigja është: “Qofshin shëndoshë moshatarët dhe fëmijët e tuj!”

Në Shqipëri ndryshon afati i varrimit sipas vendit. Në Lezhë u vra natën vonë një kelmendas; të nesërmen shpejt në mëngjes e shpunë te varrezat e Nikshit në Eregnat dhe në mesditë e varrosën. Një mërturas, që ishte vrarë një ditë më parë dhe që ia kishin shtruar kufomën në varrezat e Apripës, e varrosën pasi perëndoi dielli. Të vdekurin e shtrijnë në një arkivol (tabut), i venë një mbulesë, pastaj dy burra të fortë e kapin arkivolin, i cili përbëhet nga dy breza druri të sharruar, midis të cilëve është mbërthyer një pëlhurë dy e gjysmë ½ pëllëmbë e gjerë dhe e mbartin me ndihmën e dy rripave, që i kanë lidhur në anët e brezave dhe që i varin mbi supet.

Në Malcinë e Madhe dhe të Vogël, para se ta nxjerrin të vdekurin nga shtëpia, e ngrein qivurin tri herë dhe tri herë e lëshojnë përdhe. Kjo e ndalon vdekjen të vijë përsëri në atë shtëpi. Në këtë rast në Rumani prekin me arkivol tri herë pragun e shtëpisë. Në Glasinac të Bosnjës e ulin arkivolin tri herë rrugës, për te varrezat, por në pjesën tjetër të Bosnjës duket se ky zakon mungon. Në Glasinac ngrehin gurë, atje ku kanë ulur të vdekurin rrugës për te varrezat. Ndalja rrugës për te varrezat, që është zakon në Glasinac, na kujton gjer diku një ngjarje në Rumani. Trashëgimtarët atje janë mjaft në gjendje të përballojnë shpenzimet e ceremonive kishtare siç janë lutjet, që bën popi, sa herë ndalet kufoma, duke kapërcyer ndonjë rrugë ose ndonjë përrua. Në këtë rast në Rumani nuk ngrehin gurë; atje ngrehin stivë gurësh vetëm në vende ku dikush ka dhënë shpirt nga shkaku i një fatkeqësie. Në Shqipëri ngrenë muranë në vendin e një vrasje. Këtë zakon e gjejmë te muhamedanët e Palestinës dhe përgjithësisht në Atlasin e Algjerisë (Stuhlmann). Murani iu përgjigjet “Marterln” në Alpet.

GM080: View of the Dukat Valley south of Vlora, taken from Llogara Pass (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM080: View of the Dukat Valley south of Vlora, taken from Llogara Pass (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Në Malcinë e Madhe është zakon në vendin e shtëpisë, ku ka qenë shtrirë i vdekuri të venë një çanak me miell, që është caktuar për të vobektit. Në Trebinjë venë në atë vend një sahan me grurë, që ia flakin të vdekurit nga pas, nganjëherë bashkë me sahanin. Edhe në Maqedoni, siç bëhet edhe në Cerenicën e Malit Zi, i hedhin të vdekurit, kur e nxjerrin nga shtëpia një qyp nga pas. Romakët duket se kanë pasur një zakon të këtillë, se e thotë formula: “fractus est ei deus”. Edhe në Rumani kanë zakon në këtë rast, të thyejnë një qyp. Në Gjermani kjo të mbron kundër kthimit të shpirtit (Ëuttke).

Në Shqipëri, kur e nxjerrin të vdekurin nga shtëpia mbartësi i parë i qivurit pret tre dhëmbë (si në çetele) te trari, që mban derën. Gratë mundohen të ndalojnë, që t’u nxjerrin të vdekurin jashtë dhe bien mbi kufomë dhe e puthin atë. Të gjithë ata, që e takojnë rrugës grupin, që përcjell të vdekurin, përshëndetin njerëzit dhe të afërmit e të vdekurit me fjalët: “Zoti të dhëntë kyvet!”. Në Kelmend e vënë kufomën e zbuluar në një hije të varrezave, e lajnë dhe nderojnë, po të mos e kanë bërë më parë në shtëpi, i veshin petkat më të mira, i venë armët përbri dhe disa mollë në këmbët e kryqëzuara.

Zakoni të mbajnë vaj, (ta vajtojnë) pastaj ta ruajnë të vdekurin, ta lajnë dhe ta nderojnë është kaq universal, sa që në Shqipëri i venë të vdekurit pemë (fruta), ndërsa në Rumani ky zakon mungon. Të njëjtin zakon shqiptar e kanë grekët, maqedonasit dhe bullgarët dhe përdoret shumë, se këto fruta janë caktuar për farefisin e dhuronjësit në botën tjetër. Në Greqi i japin ftoj të vdekurit për farefisin në botën tjetër, një vajzë të vogël ia vënë në prehër. Në Bullgari nuk ka rëndësi vendi se ku, në Maqedoni i venë pemët midis këmbëve të të vdekurit. Në Prusinë Lindore iu venë fëmijëve të vegjël mollë. Në Rumani përputhet me këtë zakoni që, kur përcillnin të vdekurin, të marrin me vete një pemë (dru) me kokrra artificiale, të cilin e vendosin përbri varrit.

GM048: Father and daughter in Okol in the Shala Valley (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM048: Father and daughter in Okol in the Shala Valley (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Kur vdes një vrasës para se të marrë ndjesën e kishës, atëherë e varrosin jashtë varrezave dhe vetëm pas 3 vjetëve e nxjerrin nga varri, e varrosin brenda në varrezat dhe bekojnë varrin e tij. Një kusar (cub), që vritet në kohën kur grabit, nuk varroset kurrë në tokë të bekuar, por mbetet jashtë varrezave. Edhe gërbulët (lebrosët) varrosen jashtë varrezave, për të mos infektuar të vdekurit e tjerë. Në Rumani, meqenëse vendi i varrezave është i vogël, shumë herë i varrosin të vdekurit në varre të vjetra. Kokat e të parëve i mbledhin me mundim dhe i hedhin mënjanë përsëri në varr. Por kur rastësisht varrimi bëhet ndaj të ngrysurit, atëherë ndodh që mbeten jashtë copë kockash, kështu që kudo nga të gjitha anët shikon kocka njerëzish.

Në varr i vdekuri është shtrirë me fytyrën nga lindja.  Në Çelëz varret shikojnë nga jugë-lindja. Në fusha më flisnin për një varr të vjetër që këmbët duhej t’i kishte nga ana e lindjes. Besëtytnia maqedonase se nuk është mirë të flejë njeriu me kokën në perëndim, se kështu janë orientuar kufomat në varr dhe besëtytnia bullgare se ai që fle me fytyrën nga dielli vdes, kanë padyshim lidhje me zakonin e vjetër, sipas të cilit varet orientoheshin prej perëndimit nga lindja.

Ky zakon gjendet edhe në Rumani, që çdo i vdekur të varroset në mënyrë që këmbët të drejtohen nga perëndimi dhe koka nga lindja. Këtë zakon të orientimit të varrit e kanë edhe sot ortodoksët e Bosnjës por katolikët e kanë humbur atë. Në Malcinë e Vogël e gërmojnë varrin e grave ½ m më thellë se të burrave që është zakonisht 1 m i thellë. Gërmimin e varrit e fillon punëtori më i vjetër, pasi ka prerë tre dhëmbë në bishtin e kazmës ose lopatës. Në Bosnjë e kanë ruajtur këtë zakon si duket vetëm në Grahovo, por vetëm që dhëmbët i bëjnë në bisht pasi të kenë gërmuar varrin. Kur gërmojnë të tri goditjet e para, në Shqipëri, i bëjnë me belin (kazmën) prapa kurrizit. Pasi mbaron punën e tij, punëtori nuk ia jep shokut veglën në dorë, por e lëshon mbi tokë, prej ku e ngre punëtori tjetër.

GM078: Ploughing on the banks of Lake Ohrid near Pogradec (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM078: Ploughing on the banks of Lake Ohrid near Pogradec (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Kur punëtorë hapin një varr nuk i urojnë me: “Puna mbarë!”, as me “l’lumshin krahët”. Asnjerit nuk i lejohet, të kapërcejë një varr të hapur, as nuk është mirë të lihet bosh, por duhet vënë brenda një vegël (lopatë ose kazmë). Edhe në Rumani kujdesen që një fëmijë të mos e kapërcejë varrin e posagërmuar.

Kur bie shi dhe mbushet varri me ujë, atëherë thuhet, i vdekuri ka qenë njeri i keq, kur çel moti, thuhet e kundërta. Në Bohemi besojnë pikërisht të kundërtën. Ndërsa gërmohet varri fillon vaji i përgjithshëm. Në Malcinë e Vogël marrin pjesë të gjithë burrat, që kanë ardhur për varrim dhe nga gratë vetëm ato të farefisit. Në Kelmend i afrohen të vdekurit në gropë, sipas familjeve, natyrisht burrat veç dhe gratë veç. Gratë shkojnë me radhë sipas rangut në familje, ato në krye të mbuluara me shami koke dhe të gjitha duke qarë; pastaj tërhiqen mënjanë, për t’iu lëshuar vend atyre që vinë nga pas dhe ulen te koka e të vdekurit. Ka grupe burrash, që ngushëllojnë heshtas; të tjerë afrohen duke ruajtur zakonin e Malcisë Madhe dhe të Vogël. Në këtë rast, me këmbën e mëngjër përpara, qëndrojnë radhë përkrah njeri tjetrit me duart mbi hijet, afër 30 hapa larg nga i vdekuri. Kryetari i grupit del tani nga radha me këmbën e majtë përpara i thërret të vdekurit me emër, e pyet ku është dhe përse i la shokët, pastaj marshojnë të gjithë si me këmbajka [Mangallkë (Korça)] me gjunjë të ngrirë, kokën lart, me shikim jo të natyrshëm të ngulur në një drejtim nga përpara, pa asnjë lëvizje tjetër të trupit, përveç rrotullimit që shkaktojnë hapat, i afrohen kufomës. Gjesti nuk është aspak qesharak, përkundrazi ecja e ngrirë e njerëzve, që i afrohen të vdekurit, të ngjeth mishin.

GM043: Child staring out a window in Theth (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM043: Child staring out a window in Theth (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Ndërkaq kali i të vdekurit në Kelmend, qëndron pranë të zotit, por sa afrohet njeri nga grupet që vajtojnë, ia nxjerrin atij përpara dhe kthehet me të te i vdekurit. Gjatë kohës, kur përcjellin të vdekurin i varin kalit në qafë dhe në kokë shami të zeza të disave nga gratë, që erdhën në varrim. Pas këtij akti çdo anëtar i grupeve vajtonjëse ndahet nga i vdekuri dhe të gjithë shpërndahen në varrezat, duke formuar grupe. Ulen përdhe bisedojnë me njeri tjetrin dhe pinë duhan.

Siç dihet, trakasit e vjetër dhe, më vonë, në fillim të kohës mesme, edhe popuj të tjerë, kishin zakon ta varrosnin kalin bashkë me të zotin. Nga pikëpamja historike është interesant që ky zakon ka mbetur në disa vise të malcisë, ku kuajt janë të rrallë. Kelmendasit kanë jetuar më parë në një vend ku kali luante rol më të madh, nga ç’luan në vendbanimin e sotshëm. Përmend me këtë rast, që kali lot një rol me rëndësi në kultin e të vdekurve të çerkezëve dhe të osetëve. Ceremonia me kalin duket se mungon në Malcinë e Vogël, dhe fakti që ekziston në Malcinë e Madhe shpjegon mbase, përse në shumë varre janë skalitur figura kuajsh.

Edhe në Malcinë e Vogël i afrohen grupet qivurit në mënyrën që përshkruam këtu, por, përveç ulërimave dhe vajtimeve, është zakon që në ekstazë të grisin gjak fytyrat, të rrahin kraharorin me grushte, sa të buçasë. Në Malin e Zi rrahin kokën me grushte dhe në Çeki kraharorin. Në Kelmend pasi kanë gërmuar varrin, përgatitin qivurin. Me ndihmën e një shufre të drejtë matet shtati i të vdekurit dhe qivuri ndërtohet tamam pas trupit. Këtë zakon e kanë edhe rumunët dhe thonë, se do ishte keq, sikur qivuri të ishte shumë i madh sa të mos e mbushte tërësisht kufoma e të vdekurit. Në rastin, që ndodha vetë, arkivoli ishte te supet gati dy herë më i gjerë se te këmbët, kishte pra formën e një trapezi. Në Malcinë e Vogël nuk goditin qivure. Në vend të këtij veshin varrin me afër 60 cm. mur të thatë. Edhe në Malin e Zi e quajnë përdorimin e qivurit një zakon të importuar.

GM070: Harvesting corn near Elbasan (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM070: Harvesting corn near Elbasan (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Etiketa kërkon që, gjatë gjithë kohës së varrimit, farefisi të mos tregojë asnjë shenjë tronditje, bile të shfaqen me orë të mira, duke i përgjigjur çdo ngushëllonjësi, që shtëpia ka akoma shumë burra, të cilët janë aq trima dhe të zotë, si ai që la jetën, që humbja të duket kështu sa më e pakët që të jetë e mundur. Pasi janë mbledhur mjaft njerëz, qivuri është ndërtuar dhe varri gërmuar, në Kelmend e vendosnin qivurin anës më të gjatë të varrit, bile atje ku është grumbulluar dheu i gërmuar dhe kapakun e vënë pranë qivurit. Në çastin kur e ngrenë të vdekurin nga hija e madhe, për t’a mbartur pranë varrit, edhe grupet e njerëzve lënë hijet dhe mblidhen rreth varrit. Pasi mblidhen të gjithë, e vënë të vdekurin në qivur dhe burrat e farefisit afrohen për ta puthur në fytyrë dhe për tu përshëndetur me të; pastaj i marrim për kujtim kutinë e tabakos ose ndonjë copë veshje, e mbulojnë me savan dhe i mbërthejnë qivurit kapakun. Në Bogë është zakon, në këtë rast, t’i çierrin pakë savanin ose gishtin e vogël kufomës, se të dyja këto e ruajnë (konservojnë) atë në varr.

Në kundërshtim me zakonin shqiptar, që ta ruajnë kufomën të mos tretet, rumunët dhe grekët dëshirojnë që, kur ta hapin varrin pas disa viteve të mos gjejnë veçse kockat. Për kufomat, që nuk treten pas një kohe të gjatë, thuhet se shtrigojnë. Duhet pra, që të shpejtohet tretja e tyre, të hiqet mallkimi, që rëndon mbi të vdekurin, sipas pikëpamjes greke dhe rumune. Pal Nika në Flet, në Shqipërinë e Veriut, që pas shumë viteve e gjeti të patretur trupin e të atit, besonte se kjo tregonte që i ati, një burrë famëkeq në kohën e tij, kishte qenë në një farë mënyre i shenjtë.

GM047: Two girls of Okol the Shala Valley wearing xhubletas (bell-shaped skirts) (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM047: Two girls of Okol the Shala Valley wearing xhubletas (bell-shaped skirts) (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Ceremonitë e varrimit në Malcinë e Madhe ndryshojnë pak nga ato të Malcisë së Vogël. Në Malcinë e Vogël i venë të vdekurit në gojë një metalik (monedhë) para se ta varrosin, të cilin më parë e sjellin tri herë rrotull varrit, pastaj i venë mbi kraharor një qiri të ndezur. Në disa rrethe në vend të qiriut venë mollë, siç thamë më lart. Në Malcinë e Madhe nuk është zakon t’i venë të vdekurit metalik në gojë. Meqenëse metaliku është tepricë e besëtytnisë pagane, kisha e ka ndaluar, por prapë, në mos haptas përdoret fshehtas. Sipas pikëpamjes shaljane, të vdekurit i venë metalikun në gojë, që t’i paguajë zotit të varrit varrin, në rast që ai kërkon dëmshpërblim, se siç thamë më lart trualli i varrezave është i ngushtë dhe lehtë mund të dëmtohet varri përsëri. Për këtë arsye edhe në Glasimac të Bosnjës, i venë të vdekurit në varr para të vogla (metalike). Në Hercegovinë i venë në varr të vdekurit disa pare të vogla vetëm atëherë, siç pretendojnë, kur janë gjetur atje kocka. Zakon i “ovëlls”, sepse për këtë është fjala, sipas Tozerit, ka qenë në Greqi dhe në ishujt e Greqisë deri në bregdetin e Azisë së Vogël dhe, sipas Abbotit, edhe në Maqedoni. Mariana shkruan se dikur ka qenë në formën e vjetër edhe në Rumani. Edhe sot është zakon në Bullgari dhe në Rumani t’i venë të vdekurit në dorë të holla dhe, veç kësaj, kur e mbushin varrin, ndërsa njerëzit e shtëpisë hedhin dhe, të afërmit e të vdekurit hedhin në varr të holla të vogla.

Meqenëse në Malcinë e Vogël, si dhe në Malin e Zi, nuk ndërtojnë, në fund të varrit shtrojnë kashtë dhe lëkurë bagëtish, marrin armët e të vdekurit, e shtrijnë me rrobat e tij në varr, e mbulojnë me një savan, shpërndajnë mbi të duhan dhe mbi muret e thatë anës venë binarë, kështu që, kur ta mbushin varrin me dhe, të mos bjerë dhe mbi kufomën. Në Zibenbyrgen dhe në Bukovinë përdorin qivure dhe çdonjëri hedh një lopatë ose një dorë dhe në varr, me fjalët: “Hallall buka dhe kripa, që kemi ngrënë së bashku!”, pastaj përshëndetin të afërmit me: “Zoti ju dhashtë kyvet!” dhe “U pastë lan nafakën prapa!”.

GM035: Two shepherds in Theth (Photo: Giuseppe Massani, 1940).
GM035: Two shepherds in Theth (Photo: Giuseppe Massani, 1940).

Franc Nopça rrëfen Shqipërinë e një shekulli më parë

Orët, zanat, hijet, gjarpërinjtë, hijet, xhindet, katallanët… Një botë e tërë, të cilën e kemi zbuluar përrallash, por njëherë motit, në mos edhe sot diku-diku, në Shqipërinë e Veriut besohej…

Orët, zanat, hijet, gjarpërinjtë, hijet, xhindet, katallanët… Një botë e tërë, të cilën e kemi zbuluar përrallash, por njëherë motit, në mos edhe sot diku-diku, në Shqipërinë e Veriut besohej megjithëmend. Si dëshmi e kësaj jete të pasur besimesh, besëtytnish, zakonesh, dokesh, plot një shekull më pas na vjen një libër me autor baronin Franc Nopça: “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe- Me disa veçanti nga krahinat e Zadrimës dhe nga Shkodra”, një botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, përkthyer nga dr. Mihal Zallari, dhe përgatitur për botim nga akad.assoc Marenglen Verli dhe dr. Edmond Malaj, shkruan “Panorama”. Siç mësojmë, Nopça, si një paleontolog dhe albanolog, ishte pasionuar pas jetës zakonore të vendeve të Ballkanit dhe udhëtoi shpesh në Shqipëri dhe në Jug të Ballkanit si në Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Serbi prej vitit 1903 dhe Luftës së Parë Botërore. U përqendrua më së shumti në Shkodër, ku kthehej pas çdo udhëtimi nëpër malësinë e Veriut, ku përveçse mblodhi pasuritë shpirtërore të kësaj zone, na ka sjellë deri ditët tona një koleksion të mrekullueshëm fotografish, publikuar nga studiuesi Robert Elsie. Origjinalët e fotografive prej xhami ndodhen në Muzeun Hungarez të Historisë Natyrore (Magyar Természettudományi Múzeum) në Budapest. Përmes shënimeve të Nopçës, sot na vjen mënyra se si shqiptarët e shihnin botën një shekull më parë, ku besonin, çfarë i trembeshin, si jetonin, cilat ishin traditat dhe zakonet e tyre me raste lindjesh, dasmash e vdekjesh, si ushqeheshin e mjekoheshin. Por, Nopça nuk është mjaftuar me një mbledhje materialesh. Ai bën edhe një studim krahasimor mes zakoneve shqiptare dhe ato që ai ka hasur në vende të tjera të Ballkanit apo edhe në Europë, që nga Maqedonia, Greqia, Rumania, Bullgaria, deri në Francë, Gjermani e Lituani.

Lindja

.. Kur lind në Malci një djalë, atëherë ia lajmërojnë këtë të tërë fisit me zbrazje pushkësh dhe fqinjët dhe farefisi përgjigjen me pushkë. Lindja e një vajze nuk gëzon njeri. Në Hercegovinë, si edhe në Gjermani dhe në disa vise të Rumanisë (kuçovllahët) besojnë se do të ishte shenjë e mirë sikur fëmija të lindte me këmishë (cipa e vesë)…

Foshnja porsa lind, e lajnë me ujë të vakët dhe e mbështjellin me pelena prej leshi, e vënë në djepin e vogël, i japin të thithi një brumë, që e bëjnë me gjalpë, sheqer e me ujë të ftohtë të mbështjellë me pëlhurë; pastaj e mbulojnë me një pallto, që të mos bëhet llafazan. Nuk kam dëgjuar gjë nëse përdorin magji në ujin e banjës. Foshnjën, që mezi i hap sytë, e forcojnë, duke i fërkuar kokën me të verdhin e vesë; pastaj ia lidhin kokën  me një copë pëlhurë. Edhe në Rumani i mjekojnë fëmijët e dobët me të verdhën e vezës. Si në Bullgari e në Rumani, ashtu edhe në Shqipëri, besojnë se shtrigat mund t’iu bëjnë keq lehtas fëmijëve të porsalindur. Pra, i mbrojnë ata me hajmali dhe me hudhra.

Martesa në Shkodër

Dasma Shkodrane nje nga pikturat me te njohura te Kol Idromenos. Ne kete pikture deshmohen tradita e dasmes, veshjet, rituali_Publikoi Albert Vataj
Dasma Shkodrane nje nga pikturat me te njohura te Kol Idromenos. Ne kete pikture deshmohen tradita e dasmes, veshjet, rituali_Publikoi Albert Vataj

Pas fejesës, dhëndri godit banesën e re dhe familja e nuses përgatit pajën e nuses. Në Shkodër e hëna është dita e martesës, kurse në Rumani dhe në Maqedoninë greke të hënën e kanë për keq. Muhamedanët e Shkodrës martohen të dielën ose të enjten, pra si në Rumani. Fejesa në Shkodër, si edhe në Malci, bëhet pa u njojtur djali me vajzën, pa e parë kurrë njëri-tjetrin. Tani ka hyrë zakoni që ia japin dhëndrit fshehtas fotografinë e nuses. Praktikisht, ky gjest nuk ka asnjë rëndësi, edhe sikur në fotografi vajza të jetë e shëmtuar, se djali duhet të marrë për grua atë që i caktojnë prindërit. Duhet martesa të bëhet të hënën, atëherë është zakon, në dasma të mëdha, që mbajnë shumë ditë, të ftohen për të ngrënë drekën në familjen e nuses farefisi më i afërm i dhëndrit që të mërkurën para dasmës; të enjten thirren të gjithë miqtë, të njohurit dhe dy nga farefisi i dhëndrit, në këtë rast dorëzohet dhe dhurata që i bën dhëndri nuses… Dhuratën e sjell gjithmonë një djalë, ky duhet të jetë ogur, që nusja të lindë djem dhe jo vajza…

Të premten mbrëma i lyejnë flokët nuses, duke përdorur si mjet një çorbë të ngatërruar prej goglash, lule shqerrash, gur kali fletë kulpre, dafinë. Me këtë mjet lyejnë flokët të premten dhe i lënë ashtu të tërë ditën e shtunë. Një gjë të këtillë përdorin grekët e Maqedonisë…

Vdekja

Funeral malisor. Vite 1930. Mirditë? Funeral rite in Albanian mountains area, 1930s. Rite funéraire de montagnards albanais, années 1930.
Funeral malisor. Vite 1930. Mirditë? Funeral rite in Albanian mountains area, 1930s. Rite funéraire de montagnards albanais, années 1930.

Në disa pika zakonet midis Malcisë dhe qytetit të Shkodrës ndryshojnë. Sa vdes dikush, i mbyllin kapakët e syve dhe i lidhin një shami nën mjekër. Në Malci i lidhin edhe këmbët, që kufoma të mos ikë. Ka të ngjarë që kjo e ka rrënjën te një besim i kotë, se në Lesinë kujtojnë se po të mos i lidhen (i qepen) këmbët, i vdekuri del nga varri dhe sillet si hije. Kjo ndodh edhe në disa vende të Bullgarisë. Në mënyrë simbolike, në disa vise të Rumanisë, në reshinar të Zibenbyngenit, i lidhin këmbët me një pe. Kur i mbeten sytë hapur një të vdekuri, ose kur kufoma nuk ftohet shpejt, atëherë kjo është shenjë që në familje do të vdesë dikush tjetër. Këtë besim e kanë edhe rumunët. Pasi pushojnë ulërimat e para të grave, lajmërojnë me lajmëtarë burrat, të cilët nuk tregojnë asnjë shenjë pikëllimi, fisin, miqtë dhe të njohur të largët të të vdekurit. Në Malcinë e Vogël, si në disa vise të Lituanisë prusiane, shpejt pas vdekjes së dikujt bëjnë kurban për të vdekurin një qengj ose një dash, sipas zakonit të vjetër romak, të cilin e hanë ata që vijnë për varrim. Po të bjerë varrimi në një ditë kreshme, atëherë e shtyjnë për t’u ngrënë të dielën…

´Raporti mbi një udhëtim është në të vërtetë gjëja më e rrezikshme. Sepse çdo gjykim i papërshtatshëm jo vetëm që u bie në vesh malësorëve por edhe e keqkuptojnë jashtë çdo mase.´ A. Wirth, Në Shqipëri, ´Neue Rundschau´, 1908 Këtu citue simbas Nopcs-es në ´Nga Shala dhe Kelmendi´ Sarajevë
´Raporti mbi një udhëtim është në të vërtetë gjëja më e rrezikshme. Sepse çdo gjykim i papërshtatshëm jo vetëm që u bie në vesh malësorëve por edhe e keqkuptojnë jashtë çdo mase.´
A. Wirth, Në Shqipëri, ´Neue Rundschau´, 1908
Këtu citue simbas Nopcs-es në ´Nga Shala dhe Kelmendi´ Sarajevë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here