Me një marrëveshje tjetër të materializuar me një vendim të Këshillit Ministror Nr. 247, datë 8 maj 1923, pagesat për vizat për udhëtime mes Shqipërisë e Italisë janë hequr reciprokisht, duke shënuar kështu rastin e parë të “lëvizjes së lirë” me kuptimin që i japim sot.

8 nëntori i vitit 2010 është ndoshta data më e rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve që nga rënia e komunizmit. Ishte dita kur Këshilli i ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të BE miratoi liberalizimin, duke iu dhënë shqiptarëve të drejtën e lëvizjes së lirë, me pasaportat e tyre biometrike në 27 vendet e zonës Shengen. Merrnin fund kështu radhët e gjata nëpër ambasada që për 20 vjet me radhë kishin realizuar në Tiranë edhe një biznes miliona dollarësh, ku padyshim tregu i zi mbante pjesën më të madhe. Heqja e vizave u përjetua si një festë e madhe, si një çlirim. Por në të vërtetë ishte vetëm kthimi i një dinjiteti që dikur shqiptarët dhe pasaporta e tyre e kishin patur.

Pasaportat e para otomane

Për herë të parë shqiptarët kanë marrë një pasaportë si qytetarë të ish-Perandorisë Osmane. Sipas të dhënave historike vetë perandoria më e madhe e kohës e ka filluar relativisht vonë një procedurë të tillë, duke i shpërndarë pasaportat e para pas miratimit të një ligji të veçantë të miratuar në vitin 1867. Procedura është rishikuar edhe një herë me ligjin e vitit 1883, sipas të cilit taksa për pajisjen me pasaportë caktohej 50 grosh dhe çmimi i vizave 20 grosh.

Në atë kohë ligji përcaktonte që për të varfrit pasaportat jepeshin falas pasi të kishin paraqitur një dëshmi nga autoritetet lokale. Pasaportat shtypeshin nga Ministria e Brendshme dhe u jepeshin kërkuesve në qendrat e Prefekturave prej policisë e në qarqe prej zyrave të gjendjes civile. Ligji kishte përcaktuar se kushdo që kapej pa pasaportë nxirrej jashtë trojeve të perandorisë ose detyrohej të merrte pasaportë duke paguar dyfishin e çmimit. Në ligj thuhej shprehimisht që “Ata që udhtojnë jashtë viseve të Mbretnis otomane janë të lirë në marrjen e pasaportës.

Por ata që hyjnë në këtë Mbretni janë të detyruem me paraqitë pasaportën. Pasaporta ka fuqi për nji vjet. Taksa e pasaportës asht 50 grosh por për puntorët qi shkojnë në vende të hueja fqinje, asht 10 grosh. Të vobektve u jepet pasaportë gratis. Taksa e vizës së pasaportave 50 groshare, është 10 grosh, dhe e atyne 10 groshare është 2 grosh. Nuk merret taksë vizash prej pasaportave të dhanuna gratis. Viza ka fuqi vetëm për nji udhtim, por afati i saj mund të zgjatet edhe për gjashtë muej”. Në kohën e sundimit osman, veç pasaportave janë përdorur edhe “lejet e kalimit” të quajtura murur tezkeresi. Leja e kalimit ishte një dokument zyrtar që duhet të kishte çdo i huaj që udhëtonte brenda perandorisë, dhe që ishte vënë në fuqi me një ligj të veçantë më 1861. Ato ishin dokumente që lëshoheshin nga nëpunësit e gjendjes civile të vendit. Ishin të detyruar të pajiseshin me lejekalim të gjithë ata që kishin mbushur moshën 20 vjeç. Lejet jepeshin me një afat 1-vjeçar me çmim 5 grosh, plus çmimi i pullës për vajtje-ardhje 2 grosh.

Patriotizmi në pasaportën shqiptare

Qeveria e Vlorës ka trashëguar për sistemin e pasaportave të njëjtin legjislacion. Në vitet e para të vetëqeverisjes, nuk ka patur kohë për ndryshime e modifikime ndaj në fuqi kanë mbetur ligjet e kohës së perandorisë osmane. Ndërkohë pushtimet e huaja pas vitit 1914 mes ndryshimeve të tjera kanë bërë edhe ndërhyrje në këtë drejtim. Kështu sipas të dhënave arkivore të kohës, Administrata e Korçës që qeverisej nga francezët nuk ka lëshuar pasaporta por ka dhënë vetëm lejekalime për t’u përdorur në zonat e pushtuara prej saj. Ndërkohë administrata italiane e Vlorës përcaktoi rregulla e vetë për lëshim pasaportash, lejekalimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera policore. Ndryshe është vepruar nga administrata austro-hungareze e Shkodrës, e cila kishte përcaktuar që “për në Shqipni dhe për jashtë Shqipnije të jepen pasaporta si ato t’Austris të përkthyeme pikë për pikë”.

Qeveritë shqiptare të krijuara pas 1920 fillimisht kanë vendosur (Vendimi nr. 310 datë 13 maj 1920) pajisjen e të gjithë shtetasve “me pasaporta si ato t’Austris të përkthyeme “ad-literam”, për të cilat duhej paguar 10 franga ari për daljet jashtë vendit dhe për pasaportat për Brenda vendit 2 franga ari. Por kjo ka zgjatur shumë pak. Në korrik 1920 janë shtypur dhe shpërndarë nëpër prefektura e nënprefektura leje kalimi e pasaporta të reja për t’u përdorur si për brenda edhe për jashtë vendit. Po atë kohë, me një vendim të posaçëm (Nr. 4993 datë 22 korrik 1920) është përcaktuar edhe taksa për vizat në vlerën 2 franga ar. Po në atë vendim përcaktohej që për studentët që ishin jashtë vendit pasaportat e vizat jepeshin falas. Interesante është se në atë kohë ka qenë e ndaluar lëvizja nga një prefekturë në një tjetër pa leje kalimi. Por me një vendim të marrë në janar 1921 është hequr detyrimi për t’u pajisur me lejekalimi për brenda vendit. Në vitet në vijim, pas dekretligjit të votuar në Parlamentin e kohës më 29 nëntor 1922 “Për pasaportat” janë bërë ndryshime të vazhdueshme mes të cilave spikasin edhe ndëshkimet.

Duke qenë se shumë krahina shqiptare ishin jashtë kufijve zyrtarë të vendit, por edhe për të ndaluar tendencat për ndërrim të kombësisë në atë kohë përcaktohej që “Çdo nënshtetas shqiptar që ndodhet në nji vend ku shteti ka përfaqsues dhe n’ udhtimin e tij kalon nga ay vend dhe merr nji pasaportetë nji Mbretnije të huej e nuk merr pasaportë shqiptare, ka për të pague 500 franga ari gjobë, dhe pasaporta e huej anulohet e i jepet nji pasaportë e re”. Po kaq i rëndë ishte edhe dënimi për hyrje daljet pa viza. “Ata nënshtetas qi vijnë nga jashtë me pasaporta të pavizueme ose pa pasaporta e nuk duen a nuk kanë me pague gjobën e caktueme prej 500 franga ari, gjoba u kthehet në dënim për 5 franga ari për nji ditë burgimi”, thuhej në ligj. Ishte përcaktuar që pasaportën të drejtën e të cilës e gëzonin shtetasit mbi 18 vjeç, ta lëshonin me firmën e tyre prefektët e më pas edhe nënprefektët. Në pasaportat e shtypura në atë kohë theksohen fort elementet kombëtare, të cilat ishin të materializuara në porositë që u jepeshin shtetasve të shtypura në një faqe të veçantë të këtij dokumenti, e ku thuhej:

Ta dish dhe të jesh i sigurt se fatbardhsia dhe lumnija e jote gjinden në Shqipnië cila t’ep nder e të jep emnin Shqiptar.

Rueje mirë karakterin komtar dhe kryenaltsin shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit kudo që të jesh.

Çdo shqiptar ‘asht vllau i yt nderojë kurdoher dhe ndihmojë kur të ket nevojë

Mos e përbuz gjuhën e nanës s’atë tue fole në gjuhë të huej kur nuk `dsht nevoja

Ndero flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon Shejin e komsis, shnderon vehten e vet.

Dashunija për atdhe ndihet ma tepër në mërgim, prandej këtë dashuri ‘rueje edhe kur të kthejsh në vendin t’and.

“Letra Kufini” me vendet fqinje

Pasi vitit 1922, kur qeveria kishte rregulluar plotësisht kornizën ligjore për pasaportën shqiptare nisin marrëveshjet dypalëshe me shtete e tjera për rregullimin e hyrje daljeve. Është e natyrshme që të parat dhe më të rëndësishmet do të ishin vendet fqinje, me të cilat flukset e udhëtimeve ishin shumë më të larta. Kështu që në vitin 1922 sipas një marrëveshje të bërë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, u vendos që taksa e vizës së pasaportave për italianët dhe ajo e pasaportave për shqiptarët do të ishte reciprokisht 10 franga ari për një vizë, pavarësisht numrit të hyrje-daljeve. Por me një marrëveshje tjetër të materializuar me një Vendim të Këshillit Ministror Nr. 247, datë 8 maj 1923, pagesat për vizat për udhëtime mes Shqipërisë e Italisë janë hequr reciprokisht, duke shënuar kështu rastin e parë të “lëvizjes së lirë” me kuptimin që i japim sot. Megjithatë për shtetin e atyre kohëve shumë më i rëndësishëm ka qenë rregullimi i lëvizjeve me dy fqinjët e tjerë, Jugosllavinë e Greqinë me të cilët kishim krahina të tëra shqiptare të mbetura jashtë kufijve tokësorë. Kështu më Jugosllavinë që në qershor të vitit 1922 është firmosur një marrëveshje që “tue dashtë t’i përmbahet parimit të reciprocitetit”, ka përcaktuar që pagesa për vizë të jetë 10 franga ari. Po ashtu, edhe në vendimin e 9 nëntorit 1925 është përcaktuar që në udhëtimet me Jugosllavinë taksa e vizës vajtje-ardhje me vlefshmëri 6 muaj për shumë hyrje dalje të jetë 10 franga ari, ndërsa taksa për vizat 3-mujore 5 franga ari. Dy muaj më pas taksa për vizat 6-mujore është zbritur në 7,50 franga ari.

Por më e rëndësishme se sa udhëtimet e qytetarëve të dy vendeve për kohën ka qenë qarkullimi ndërmjet banorëve të zonave kufitare. Rregullimi ligjor i kësaj marrëdhënieje është realizuar me një traktat të veçantë mbi trafikun midis Shqipërisë dhe Greqisë e Jugosllavisë i firmosur më 13 tetor 1926 dhe i dekretuar më 17 dhjetor të po atij viti. Sipas traktatit për udhëtimet e këtyre banorëve do të përdoreshin leje kalimi të posaçme që quheshin Letër Kufini, e cila kishte një format të përcaktuar dhe të ngjashëm me pasaportën. E veçanta e atij dokumenti ishte se në të, veç fotos së kryefamiljarit mund të vendoseshin edhe fotografitë e anëtarëve të tjerë të familjes të cilëve u shërbente si njohje autentike për kalimin e kufirit. “Letrat e kufinit” ishin të vlefshme për një vit dhe me ta mund të pajisej çdo shtetas mbi 12 vjeç. Fëmijët nën këtë moshë kishin të drejtën që të lëviznin pa dokument por me detyrimin e shoqërimit me prindërit. “Letrat e kufinit” ishin të përjashtuar nga çdo taksë. Pra, shënohej kështu rasti i dytë i “lëvizjes së lirë” ndërshtetërore për shqiptarët. Në traktat ishte e përcaktuar që “Kalimi i kufinit do të mund të bahet vetëm për pikat e caktueme për këtë qëllim e vetëm prej të lemit deri në të ram të djellit”. Në rastet kur puna zgjaste edhe në orët e natës personat duhet të njoftonin autoritetet përkatëse dhe nuk lejoheshin qëndrimet më shumë se 3 ditë. Po ashtu, në traktat ishin të rregulluara edhe udhëtimet për drejtuesit e mjeteve apo karrove që kryenin transport mallrash apo njerëzish ndërmjet zonave kufitare.

Pa vizë në SHBA

Qeveria dënonte ashpër çdo shqiptar që pajisej me një pasaportë të një vendi të huaj. Ligji parashikonte gjobë të rëndë e nëse nuk kishte para për ta paguar atë, shkelësi i ligjit dënohej me 100 ditë burg. Por nga ky rregull kishte edhe një përjashtim. Fjala ishte për shqiptarët e Amerikës. Në vendimin nr. 506, datë 22 qershor 1922 thuhet “Qeverija shqiptare ka me i njoftun pasaportat të cilat nga ana e autoriteteve amerikane u janë dhanë shqiptarve të natyralizuem amerikan si mbas ligjve amerikane mbi kombësitë”. Në të njëjtën kohë qeveria ka urdhëruar zyrat e kufirit që nënshtetasve amerikanë që vijnë në Shqipëri t’u merret taksa e vizës për 10 dollarë. Ky rregull ka mbetur në fuqi edhe pas ndryshimit të qeverive dhe ardhjen në fuqi të Mbretit Zog. “Qeverija ka marre nji vendim nr 443 datë 30 gusht 1925 që deri sa të zgjidhet definitivisht cashtja e nderlikueme e pasaportave të shqiptarve të naturalizuem amerikan Qeverija shqiptare do t’i njohi pasaportat qi autoritetet e SHBA u japin, tue u konformue ligjve relative mbi nacjonalitetet, personave prej origjine shqiptare e të naturalizuem amerikan”, thuhet në ligjin e kohës. Ndërkohë një vit më vonë shënohet edhe rasti i tretë i “lëvizjes së lirë” për qytetarët shqiptarë të cilët fituan të drejtën për të udhëtuar për në SHBA pa vizë, një dëshirë që sot për fat të keq ende është një ëndërr. “Mbi dishirin e çfaqun prej Legatës Amerikane, Qeverija ka vendosun me aktin nr. 62 datë 10 nëntor 1926 që vizat e pasaportave të hiqen në bazë të reciprocitetit, por vetëm për personat që nuk janë emigrant”, thuhet në vendimin e marrë rreth 92 vjet më parë.

Udhëtimi në vendet e tjera

Për udhëtimet jashtë vendit qeveritë e asaj kohe kishin arritur të nënshkruanin marrëveshje reciproke për lëvizje pa vizë ose në rastet e tjera kundrejt pagesës prej 10 franga ar për një vizë. Kështu në bazë të një marrëveshjeje që Ministria e Jashtme shqiptare kishte arritur me Legatën e Turqisë më 1 dhjetor 1926 ishte vendosur që për nëpunësit civilë e ushtarakë, për studentët dhe për personat e varfër vizat bëheshin falas nga të dy palët. Ndërkohë pas shkëmbimeve reciproke të notave përkatëse ishte vendosur që me Rumaninë të veprohej në bazë reciprociteti për vizat të cilat kishin një çmim 10 franga ar, kurse vizat transit me çmim 5 franga ar. Edhe me Egjiptin për një vizë njëvjeçare me shumë hyrje-dalje çmimi ishte 10 franga ar ndërsa për vizën tranzite 1 frang ar. Me pagesë prej 10 franga ar ka qenë edhe viza njëvjeçare për hyrje-dalje në Angli dhe kjo është arritur me një marrëveshje të firmosur në vitin 1931. Ndërkohë me disa vende të tjera në vitet e Mbretnisë u hoqën fare vizat. Kështu më 1 shtator 1929 u hoqën vizat me Zvicrën, ndërkohë që më 31 mars 1931 janë hequr vizat edhe me Austrinë. Ndërkohë që në vitin 1928 ishte vënë në punë shërbimi konsullor shqiptar në vendet më kryesore të botës, për të cilin ishin përcaktuar jo vetëm të drejtat për dhënie pasaportash e vizash, por edhe tarifat e tyre të sakta, të ardhurat e të cilave shkonin për buxhetin e shtetit dhe për mbajtjen e konsullatave sipas rregullave të përcaktuara. Në udhëzimet e kohës thuhet se “Tagret e shenjueme ma poshtë, zbatohen me 50% shtesë, prej përfaqsive qi gjinden tej Evropës”, dhe jepen të përcaktuara tarifat përkatëse.

Tarifat konsullore

Pasaportë për shqiptar:
a) e vlefshme për një vit 20 franga ar
b) e vlefshme për 6 muaj 15 franga ar
c) për të varfrit 50 franga ar

Leje kalim (për kthim në Shqipëri) 7.50 franga ar
Zgjatim i vlefshmërisë së pasaportës
a) për shqiptar, i vlefshëm 3 muaj 15 franga ar
b) për të huajt 5 franga ar

c) i vleftshëm për një udhtim 10 franga ar
d) i vleftshëm për një hyrje dalje 20 franga ar
e) për 3 muaj (hyrje, dalje, tranzit) 30 franga ar
f) për puntorë të huaj 20 franga ar
g) për puntorët shqiptarë 10 franga ar

Burimi: Botasot.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here