MARIO TESTINO KUJTON ORIGJINËN…
As fotografi shumë i njohur i modës, Mario Testino, nuk i ka rezistuar tundimit përballë bukurisë femërore arbëreshe dhe asaj të kostumeve arbëreshe. Përmes aparatit të tij, Testino ka përjetësuar bukurinë shqiptare të arbëreshëve të Italisë.
Pak kohë më parë, fotografi i famshëm me origjinë peruane, realizimet e të cilit, janë publikuar në kopertinat e revistave më të mëdha të modës, si: “Vogue”, “Elle”, “Vanity Fair” etj., vizitoi Horën e Arbëreshëve, për të parë nga afër kulturën e shqiptarëve të larguar nga atdheu i tyre, shekuj më parë.
Në profilin e tij, ndjekur nga miliona njerëz, në “Instagram”, Testino ka publikuar fotografinë e parë, shkrepur në Kalabri.
Ndër të tjera, fotografi shkruan:
“Elegancë, gruaja Arbëreshe. Vitin që shkoi, pata mundësinë që të fotografoj popullin arbëresh, me prejardhje shqiptare, që mbërriti në Siçili disa shekuj më parë, duke u bërë pjesë e Italisë, por pa i harruar kurrë traditat dhe lidhjet me vendin e të parëve.
Takimi me ta, ishte një përvojë e mahnitshme dhe më kujtoi, si peruan, se të largohesh nga vendlindja, nuk do të thotë të humbasësh atë që ti je”. /konica.al