Daut Dauti

Një miqësi e promovuar nga gazetaria


Turqia dhe Japonia janë ndër miqtë më të mirë të njëri tjetrit. Kontaktet e para tregtare sporadike mes këtyre dy vendeve janë nga koha e hershme Perandorisë Otomane. Por, në vitin 1887 perandori japonez e dërgoi një delegacion në Stamboll në krye me princin Komatsu Akihito. Me këtë rast u themeluan mardhëniet zyrtare dhe shtypi otoman e përcolli këtë vizitë me senzacion të madh.
Dy vite më vonë sulltan Abdylhamiti vendosi t’ua kthej vizitën japonezëve dhe e dërgoi në Japoni një delegacion prej 600 vetave. Shtypi japonez e përcolli vizitën me interesim të jashtzakonshëm dhe i dha popullaritet të madh kësaj ngjarje. Delegacioi otoman qëndroi në Japoni tre muaj dhe krijoi senzacion te popullata e këtij vendi. Me 15 shtator 1890 anija otomane e quajtur Ertuğrul u nis të kthehej në Stamboll. Ende pa u larguar nga Japonia, rrugës për në Kobe, në një mot me stuhi, anija u përplas për një shkëmbi dhe nga 600 veta sa kishte delegacioni shpëtuan vetëm 69. Nuk do të kishin shpëtuar as këta sikur të mos mobilizohej ushtria dhe popullsia vendase për shpëtim.
Shtypi japonez sërish u aktivizua dhe i kushtoi rëndësi të madhe kësaj tragjedie. Gazetat u organizuan dhe mblodhën para për t’iu ndihmuar familjeve të otomanëve që humbën jetën gjatë fundosjes së anijes. Brenda pak ditësh populli japonez dha rreth 4. 3 milionë jen. Gazetat japoneze e caktuan gazetarin Shotaro Noda që këtë fond t’ia dorëzonte personalisht qeverisë otomane në Stamboll.
Qeveria japoneze i angazhoi dy luftanije që t’i kthente në Stamboll mysafirët e mbijetuar së bashku me gazetarin Noda. Kur anijet japoneze mbërrin në Stamboll, edhe shtypi otoman, sikur ai japonez, e elektrizoi popullin me shkrime pozitive. Dhe kështu, gazetari Noda, i cili vinte nga një familje e vjetër dhe e njohur e samurajëve, u popullarizua edhe jashtë territoreve otomane në Evropë. Noda dërgonte artikuj nga Stambolli që lexoheshin me interesim të madh nga japonezët.
Kur anijet japoneze po ktheheshin, sulltan Abdylhamiti e luti Nodan të qëndronte në Stamboll si oficer dhe të punonte në shkollën ushtarake otomane që kadetëve t’ua mësonte gjuhën, kulturën dhe artin luftarak japonez. Noda pranoi me dëshirë të madhe. Madje, Noda së bashku me një kadet të quajtur Mustafa Asim Efendiu, e krijuan fjalorin e parë tregjuhësh: osmanisht – japonisht – frengjisht.
Në vitin 1892 Noda u kthye në Japoni por nuk qëndroi gjatë dhe erdhi sërish në Stamboll pasi që i pëlqente qyteti dhe njerëzit. Qëndroi në Stamboll edhe 10 vite ku kishte hapur një shitore të mallrave japoneze por dërgonte artikuj pa ndërprerë për gazetat japoneze. Noda lexonte edhe literaturë që botohej në Stamboll dhe u konvertua në mysliman dhe hyri në histori si myslimani i parë japonez.
Gjatë kësaj kohe otomanët dhe japonezët u lidhën edhe më shumë mes veti për shkak të interesit që po rritej. Interesi kryesor i këtyre dy palëve ishte qëndrimi dhe veprimi anti-rus. Noda para se të kthehej përfundimisht në vendlindje, e vizitoi Evropën dhe Amerikën. Ai vazhdoi me gazetari deri kur vdiq më 1904, disa javë pas fillimit të luftës ruso-japoneze. Këtë luftë, e cila zgjati më shumë se një vit dhe që u bë për dominim në Kore dhe Manxhuri, e fituan japonezët. Japonia ishte më e vogël se Rusia në të gjitha aspektet. Por, japonezët duke qenë luftarak, nuk e kishin parasyshë fuqinë e Rusisë të cilën e deklasuan.
Sidoqoftë, gjatë kësaj kohe përfitoi edhe Perandoria Otomane për shkak se Rusia nuk qe në gjendje të angazhohej në Ballkan kur kishte filluar kriza e Maqedonisë. Por, rusët pas vitit 1905 u kthyen sërish që ta destabilizojnë Ballkanin.
Kur në vitin 1980 filloi lufta irako-iraniane, qeveria turke intervenoi dhe u angazhua që japonezët që ishin në këto dy vende t’i evakuonte. I mblodhi japonezët dhe me aeroplana turk i ktheu në Japoni. Me këtë rast qeveria japoneze kërkoi t’ia paguante shpenzimet turqve. Qeveria turke u tha japonezëve se nuk kishte nevojë pë mbulim të shpenzimeve dhe ua përkujtoi rastin kur ata (japonezët) i kishin kthyer pa shpenzime anëtarët e delagacionit nga fundosja e anijes Ertuğrul që kishte ndodhur para një shekulli.
PS. Në fotgrafinë 1 është gazetari Shotaro Noda kurse në të dytën një grup i përzier i oficerëve ushtarakë otomano-japonezë. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here