THANA DHE BINDI
Kjo që po ju rrëfej ka ndodhur moti. Nuk do t’ju merrja kohën e lojës, me top apo me kompjuterë, sikur të mos ta shihja të nevojshme se duhet ta dini këtë që ka ngjarë me të vërtetë. Është e vërtetë, më besoni.
Dikur moti, në kohë shumë të lashta, këtu ku ne jetojmë sot, njerëzit banonin në kasolla prej gurësh e balte. Ata nuk kishin ujësjellës, si kemi ne sot. Të rriturit e fëmijët e kalonin gjithë kohën në natyrë. E punonin tokën sa për bereçet, zinin peshq e shkonin në gjueti nëpër pyjet e dendura.
Sa të pasura që i kishin lumenjtë! Sa të dendur ishin atëherë pyjet, ditën e bënin natë. Çka nuk kishte në ato pyje: arrinj, kaproj, derra ujq, rinoçerë. Por, trimat nuk ia kishin frikën në atë kohë. Kishte edhe drenusha krenare e bambi këmbëgjatë, lepurusha, kitra lozonjare e shpendë të larmishëm.
Kur vetëtonte në ato pyje, e vetëtimat ishin të shpeshta në atë kohë, kështu së paku thotë legjenda, hakarritej i tërë pylli e u shtinte tmerrin edhe trimave e trimëreshave.
Njerëzit dikur mendonin se në të gjitha gjërat që u ndodhnin kishin gisht hyjnitë, andaj ua kishin frikën e u luteshin pareshtur. Pyjet bujshme ua kishte rritur hyjnesha Thana. Ajo kujdesej edhe për të gjitha shtazët e shpendët në të. Gjuetarët e nderonin shumë. Në shenjë falënderimi i dhuronin pjesët më të mira të presë së gjahut të ditës.
Çdo gjë nga legjenda do të përfundonte këtu, sikur një ditë të mos ndodhte diç e papritur. E papritura ngjau në mes të hyjnive, por pati pasoja të rënda edhe për banorët e këtyre anëve. Qe se ç’ ngjau:
Ato ditë bënte vapë e madhe. Ishin etur shtazët, drunjtë e shkurrat. Ishte etur edhe vetë hyjnesha Thana, andaj nxitoi të shkonte sa më shpjet te burimi më i madh, sepse të gjitha të voglat ishin shterë ndërkohë. Para se të arrinte në cak, pa se hyu Bind ishte nisur po te i njëjti burim. Bindi ishte hy i burimeve të kulluara dhe i të gjitha ujërave. Kur e pa, Thana nxitoi hapin. Bindi po ashtu. U takuan kokë për koke mu te ama e ujit.

  • Largohu Thanë! Jam i pari! i tha Bindi.
  • Largohu ti! Unë arrita e para! u përgjigj Thana.
  • Unë jam hy i burimeve, kam të drejtë të jem i pari! u hidhërua Bindi.
  • Pyjet e mija kanë nevojë për ujë, edhe shtazët, prandaj unë kam përparësi! iu gjegj Thana.
  • Kam përparësi unë, se pa mua nuk mund të jetoni! u krekos Bindi.
  • Ti nuk mund të jetosh pa pyjet e mia! u mllefos Thana.
  • Ha, ha! qeshi Bindi: Pa pyje nuk mund të jetoj? Merri me vete pyjet tua dhe do të shohësh si mund të jetoj!
  • Mos më hidhëro, o Bind! Vërtetë rrënjët e pyjeve të mia ta marrin ujin, por ta kthejnë përmes gjetheve. Do të bëhesh stërshterrë e i thatë pa mua!
  • Fjalë grash! Nuk të lë të parën dhe pikë! Unë jam hy i këtij burimi dhe i të gjitha burimeve të botës!
    Kështu, plasi shamata në mes hyjnive. Thana u hidhërua shumë dhe e gatiti shigjetën e artë që e mbante mbi krahun e majtë. Bindi zuri të qeshë, por ama u zhduk me të shpejtë së bashku me burimin. Thana e hidhëruari mos më keq e mori me vete pyllin dhe banorët e tij. Asnjeri dhe as tjetri nuk u dukën më gjëkundi.
    Njerëzit ngelën të vetmuar. Nuk dinin ç’ kishte ndodhur. Thatësia mbretëronte kudo. Burimet s’kishin ujë. Pyjet e dikurshëm ishin zhdukur. Cicërimë e zogjve nuk dëgjohej më. Gjuetarët ngelnin duarthatë. As gruri më nuk mbinte. I luteshin Bindit ditë e natë, po s’kishin më çka t’i dhuronin për t’ia zbutur zemrën. I luteshin Thanës natë e ditë, po nuk gjenin gjë që t’i ofronin për dhunti.
    Ishte bërë aq tmerr sa fëmijët e pleqtë shtriheshin përtokë. Kasollat nisën të rrënoheshin pa kujdesin e njerëzve të etur e të uritur. Vetëm disa të rritur endeshin poshtë e përpjetë me shpresa të humbura. Me fjalë të tjera, gjithçka dukej e shkretë si mos më keq.
    Gati çdo gjë do të merrte fund, me to edhe ky rrëfim, sikur mos t’i kujtohej një djaloshi mendjehollë që t’i kërkonte hyjnitë e grindur. Bredhi fushave të thata e maleve pa dru deri sa nuk e takoi një plak të stërmoshuar në majën e majës së Sharrit. Plaku ishte shtrirë i molisur, me fytyrë nga qielli. Shihej sheshazi se i lotonte shpirti, por në sy nuk kishte një pikë loti, as për be. Djaloshi iu afrua:
  • Ç’të gjet kështu, o plak?
  • Ujë, ujë! belbëzoi plaku.
  • Ujë nuk ka as për be. Askund! i tha djaloshi.
  • Ah, ajo e marra! belbëzoi përsëri plaku.
  • Po cili je ti, që rri kështu i vetmuar majë malit? e pyeti djaloshi.
  • Nuk më njeh? u habit plaku.
  • Si të njoh? Nuk më dukesh se je i këtyre anëve.
  • I këtij dheu jam, o bir! murmuriti plaku.
  • Po fol njëherë, si të thonë? sikur humbi durimin djaloshi.
  • Jam Bindi!
  • Mos more! Nuk e besoj.
  • Jam Bindi vetë!
  • Tallesh ti me mua? Ti plak i rraskapitur të jesh Bindi vetë?
  • Ajo e marrosura ma bëri këtë mynxyrë! shkrumoi plaku.
  • Për kë e ke fjalën? pyeti djaloshi.
  • Për hyjneshën tuaj, Thanën! foli me inat plaku.
  • Po ti ishe ai që i more burimet!
  • I mora burimet, po m ‘u shterën shpejt! Ajo i mori pyjet!
  • U pa puna Bind, na morët në qafë! E paske marrë edhe veten në qafë, ju përlafshin të këqijat! Duhet të pajtoheni patjetër, ndryshe nuk bënë!
  • T’’i bij në gjunjë asaj lazdrajke, jo kurrë! Më parë vdes! Foli me inat plaku.
  • Por, pa të s’mund të jetosh! As ne pa të mirat që na i sillni ju të dy!
  • Mos jetofsha më, vetëm në gjunjë të mos i bij! ishte përgjigja e fundit e plakut.
    Bëri se ç’bëri djaloshi, por e pa se plaku nuk bindej dot. E la majë malit dhe vazhdoi rrugën. Brodhi fushave të thata e maleve pa dru derisa nuk e takoi një plakë të stërmoshuar majë Bjeshkëve të Nemuna. Plaka mundohej kot të fshihej nga rrezet e diellit. As për be nuk i bënin hije fijet e gjata të flokëve të thinjura.
  • Ç’ të gjeti kështu, moj plakë? e pyeti djaloshi.
  • Hije, hije, pak hije! belbëzoi plaka.
  • Hije nuk ka as për be, askund! iu gjegj djaloshi.
  • Ah, ai i marri! belbëzoi plaka me gojë të shkrumuar.
  • Po cila je ti, që rri e vetmuar majë malit? e pyeti djaloshi.
  • Nuk më njeh? u habit plaka.
  • Si të njoh? Më duket se nuk je e këtyre anëve!
  • E këtij dheu jam, o bir! murmuriti plaka.
  • Po fol, njëherë, si të thonë?
  • Jam Thana. Thana vetë!
  • Tallesh ti me mua? Ti plakë e rraskapitur të jesh Thana? u habit djaloshi.
  • Ai i marri ma bëri këtë mynxyrë! tha plaka.
  • Cili i marrë? pyeti djaloshi.
  • Hyu juaj, Bindi! foli plaka plot inat.
  • Po ti ia more pyjet!
  • Ai i mori burimet, qoft i mallkuar. U mbyttë në ta, u mbyttë!
  • Nuk mbytet se burimet nuk i ka më! Vetëm nëse ti ia kthen pyjet ai do t’i ketë burimet. Duhet të pajtoheni se përndryshe të gjithëve na përlau e keqja! foli djaloshi me urti.
  • Ti bie në gjunjë atij lazdrani, jo kurrë! u inatos plaka.
  • Pa Bindin nuk mund të jetosh! u mundua ta bind djaloshi.
  • Mos jetofsha më, vetëm në gjunjë mos t’i bie!
    Mendoi çmendoi djaloshi dhe pa se puna po vete keq e më keq. Diç duhej shpikur.
  • E pashë Bindin! i tha plakës.
  • Ku, të shkretin! pyeti plaka kinse e pa interesuar.
  • Të shkretë e pashë dhe e lashë majë Sharrit!
  • Mirë e ka gjetur! u kënaq plaka.
  • Veç lot që nuk kishte për të lotuar. Po ta shihje, do të të dhimbej edhe ty! u mundua ta pajtonte djaloshi.
  • Të vdekur e pafsha!
  • I vdekur ishte! T’’u lut t’ia falësh gabimin! bëri hapin e provës djaloshi.
  • Atij budallai?
  • Po! foli i vendosur djaloshi.
  • Nuk e besoj!
  • Ishte i sinqertë. Kishte kuptuar se njeri pa tjetrin nuk kishit jetë, po as ne pa të mirat që na i sillni ju të dy. E di se ç’ tha? Si jetohet pa Thanën e bukur e mendjemprehtë? Jo, nuk jetohet pa Thanën jetëplotë, pa gumëzhimën e pyjeve të saja të gjelbëruara e përplot hije freskuese, pa banorët e pyjeve që lodrojnë hareshëm në mbretërinë e saj!
  • Ashtu të tha? nuk e besoi plaka.
  • Mu kështu si të thashë, edhe më bukur e tha! u gjegj djaloshi.
    Thana rra në mendime. Djaloshi priste vendimin e saj dhe shpresonte. Ndonëse vonoi mjaft, plaka iu drejtua djaloshit:
  • Pasi më paska lutur aq shumë, mbase pajtohem!
    Djaloshi deshi ta përqafonte, por plaka nuk e la. U nis turr e vrap drejt Sharrit. Plaku nuk kishte lëvizur vendit.
  • Ngrehu, o Bind! Ta sjell lajmin e pajtimit! i tha plot gëzim.
  • Nuk e besoj të pajtohet ajo kokëforte! lëvizi dorën mohueshëm plaku.
  • Jo vetëm që pajtohet, por thotë se vërtetë nuk mund të jetoni pa njëri-tjetrin.
  • Nuk e besoj!
  • Besoje se ç’ kë me të. Ajo më tha: “Si jetohet pa Bindin jetëplotë e mendjendritur? Pa Bindin që na sjell gurgullimën e burimeve të kulluara e freskinë e ujërave shtatpërdredhura? Si jetohet pa Bindin që përtërihet çdo ditë dhe sjell lëngun që është jeta vetë?”
  • Ashtu të tha? Nuk e besoi plaku.
  • Mu kështu si të thashë, edhe më bukur e tha! u gjegj djaloshi.
    Bindi ra në mendime. Djaloshi priste vendimin e tij dhe kishte shpresë të madhe. Nuk vonoi shumë dhe plaku iu drejtua:
  • Pasi më paska lutur aq shumë, mbase pajtohem! Djaloshi deshi ta përqafonte, por plaku nuk e la.
    Shumë shpejt djaloshi pa se hyjnitë nuk kishin nevojë t’ia zgjasnin dorën e pajtimit njëri-tjetrit. Duke u zhdjergur malit teposhtë pa se si hapësira nisi të vishej me dru të gjelbëruar. Lepurushat ia lëshonin rrugën, ndërsa pranë burimeve ujëplotë pa se si shtazët e etura pritnin në rresht. E gjeti dhe për vete një burim të vockël dhe u ngop ujë të freskët. Cicërima e zogjve e shoqëroi gjithë rrugës së kthimit.
    (Edi Shukriu, 1983)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here