Kultivimi i orizit (oryz sativa), i domestifikuar dhe kultivuar si drithë që herët në Kinë, kishte arritur në Lindjen e Mesme më vonë, prej ku në kohën e helenizimit (vitet 300 para Krishtit) kishte arritur edhe në të gjithë Perandorinë Romake. Mendohet që janë disa drejtime prej kah orizi mund të ketë arritur në Evropë:

– nga Persia drejt Egjiptit (shek. IV-I);

– nga Egjipti në Greqi e tutje, në Spanjë e Sicili (shek. VIII);

– në Itali (shek XIII-XVI).

Në Ballkan orizin e sollën osmanët. Madje, mendohet se atë e sollën që në fillim akinxhinjtë, të përcjellë nga çeltukxhinjtë, kultivues profesionalë të orizit, që vepronin nën kushte strikte të sanksionuara përmes Kanun-i Celtukciyan, sepse orizi si i ushqyeshëm e kalorik ishte shumë strategjik për nevoja të armatës gjigande perandorake. Madje, fushat e orizit ishin has i sulltanit, familjes së tij dhe shtresës së lartë.

Orizi u bë një ingredient i rëndësishëm i kuzhinës osmane si pilaf (pilav), sutlijash a zerde, sidomos i asaj të pallatit, por edhe të karavan-sarajeves, dhe kishte çmim e vlerë. Familjet e çeltukxhinjve duhej të kishin status të veçantë, dhe liroheshin nga taksat avarize, sepse kjo ishte një punë e rëndë së cilës i iknin bujqit. Në fakt, në mjaft nga këto fusha e moçale të cilat kërkonin kushte të veçanta të irigacioneve të ujit për kultivimin e kësaj bime akuatike, shoqëroheshin nganjëherë edhe me malarie, që si epidemi i zhbënte popullatat myslimane kultivuese, që më pastaj ziheshin nga popullatat e krishtera në male që rrinin përskaj, shkruan KOHA.

Kultivimi i mëhershëm i orizit shënohet në rajonin e Plovdivit, gjegjësisht në fushat e Thrakisë, që konsideroheshin “hambar i Stambollit”. Mirëpo, ato në një masë më të vogël rendimentesh ishin të përhapura edhe në shumë vende të Ballkanit qendror, në Nish, në hapësirat rreth Krushevcit, Paraqinit dhe vendeve në afërsi të lumenjve Nishava, Toplica, Resava etj.

Orizi kultivohej edhe në sanxhakun e Smederevës dhe të Shkodrës.

Që herët Bertrand de la Brocier (1421) e përmend rajonin e Nishit për kultivim orizi, sikurse edhe gjermani Jacob von Betzek (shek. XVI), apo udhëpërshkruesi anonim francez që e përmend më 1621.

Në Kosovë kultivimi i orizit përmendet në Bistricën e Prizrenit, në fshatin Likë, në shekullin XVI, ku ishte braktisur fusha e mbjelljes për shkak të kushteve. Mirëpo, si hapësirë tjetër kultivuese përmendet sidomos rrethina e Pejës, afër Bistricës së Pejës, ku më 8 gusht 1575, nën një koncesion trevjeçar e kishte fituar shfrytëzimin njëfarë Memi Dede, për kundërvlerë prej 150.000 akçesh. Por, për shkak të problemeve financiare, projekti ishte vonuar për dhjetë muaj, dhe atë e kishte marrë në kushte të tjera nën çmim azapi Sylejmani, i biri i Aliut, nga kështjella e Lezhës, për një periudhë trevjeçare, duke filluar nga viti 1578. Më 4 shtator 1581 shohim që kjo hapësirë kultivuese ishte stabilizuar dhe ishte dhënë në koncesione me çmim prej 162.000 akçesh, nga Sulejmani dhe Oruqi./KD

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here