Arabia Saudite synon të mbjellë 10 miliardë pemë në shkretëtirë si pjesë e një fushate ambicioze të bërë publike nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.
Mbretëria e pasur thotë se kjo lëvizje e saj synon të ndihmojë përpjekjet për uljen e emetimeve të karbonit, e të luftojë ndotjen dhe degradimin e tokës gjatë dekadave të ardhshme. Salman, sundimtari de facto i eksportuesit më të mirë të naftës në botë, i ka të qarta prioritet e veta në lidhje me reduktimin e emetimeve të karbonit duke gjeneruar deri në 2030-tën gati 50 përqind të energjisë së vendit nga burime të rinovueshme.
Riad do të punojë gjithashtu me shtete të tjera arabe për një “Nismë të Gjelbër në Lindjen e Mesme”, me qëllim mbjelljen e 40 miliardë pemëve shtesë, lëvizje kjo të cilën princi e përshkruan si “ programin më të madh të ripyllëzimit të planetit”. Në deklaratë nuk jepen detaje se si do të vihet në jetë ky projekt në një vend ku burimet ujore të ripërtëritshme, janë të kufizuara.
Por në të shkuarën është përmendur mundësia për të përdorur ujë të ricikluar dhe pemë lokale që kërkojnë më pak ujitje sesa të tjerat, si dhe mbjellja e reve, një proces ky që kombinon lloje të ndryshme agjentësh kimikë, përfshirë jodurin argjendi, akullin e thatë dhe madje edhe kripën e zakonshme të tryezës me retë ekzistuese në një përpjekje për të rritur mundësinë e reshjeve të shiut./Top Chanel/