Evropianët për të futur në dorë Shqipërinë, po përdorin kundër myslimanëve individë të caktuar nga vilajetet e krishtera të rajonit, duke hapur shkolla dhe zhvilluar gjuhët latine, sllave dhe greke, me qëllim që të shkaktohet ndarjet fetare e gjuhësore në mes të popullit të Shqipërisë, e për të krijuar kështu rrëmujë. Shkaku kryesor i kësaj gjendje tashmë të krijuar është mungesa e shkollave në gjuhën shqipe. Komshinjtë e krishterë tashmë e kanë bërë obligim mësimin e gjuhëve të tyre. Zaten, nuk gjenden shkolla të rregullta për myslimanët. Për këtë shkak, meqë shqiptarët që nuk e njohin gjuhën osmane, përveç disa shkollave që gjendet tek-tuk, shumica ka mbetur në injorancë…”, raportonte Abdyl Frashëri

Shkruan: Shasivar KABASHI, Rahovec

Më 30 maj 1880 qeveria e Stambollit, në një mbledhje që kishte bërë, kishte vendosur që në parim t’i pranonte kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por, një telegram i ardhur vetëm tre javë më vonë nga Valiu i Prizrenit do të ndryshonte gjithçka. Valiu, duke i raportuar Stambollit për gjendjen dhe fjalët që qarkullonin në Prizren, i përdori fjalët “autonomi e plotë” dhe “ndarje”, çka bëri që Porta e Lartë ta rimendonte edhe njëherë vendimin e marrë. Ndërkaq, në korrik të po atij viti, për shkak të kërcënimeve greke e malaziase në kufijtë jugorë e veriperëndimorë të vendit, në Gjirokastër do të mblidheshin përfaqësuesit e veriut dhe jugut për të formuar kështu një “qeveri të përkohshme shqiptare”. Ndërkaq  në muajin tetor Dibra e Madhe do të priste përfaqësuesit e Lidhjes, për të kaluar në kërkesa direkt autonomiste për shqiptarët.

Në këto zhvillime, për ta sqaruar këtë gjendje të krijuar, më 14 tetor 1880 Abdyl Frashëri, përfaqësuesi i Toskërisë në Lidhjen e Prizrenit, kishte përgatitur një raport të gjatë për vetë të parin e shtetit, sulltan Abdulhamitin II. “Raporti i Abdullah Hysniut rreth Shqipërisë” – mbajnë titullin dokumentet që gjenden tashmë në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll. Ndërkaq një studim të hollësishëm mbi këto dokumente tashmë ka bërë edhe shefja e departamentit të Historisë në Universitetin e Ankarasë, Prof. Dr. Selda Kiliç. Për të paraqitur sa më mirë gjendjen e Shqipërisë së asaj kohe, Abdullah Hysni Frashëri, e kishte ndarë në tre pjesë kryesore raportin e tij. Pjesa e parë flet mbi shtetet evropiane, kurse dy të tjerat rreth arsimit dhe ndarjes administrative të Shqipërisë.

Fuqitë evropiane

Raporti i parë fillon mbi mendimet rreth planeve dhe qëndrimeve të shteteve evropiane rreth Shqipërisë. Duke analizuar qëndrimin e fuqive evropiane, në një anë, dhe duke pasur parasysh, në anën tjetër, sulltan Abdylhamitin, që ishte një nga padishahët që luajti më së shumti me kartën fetare të Islamit dhe aplikoi politikat e pan-islamizmit, Abdyl Frashëri, që në hyrje përdorë një dozë dhe kartë fetare: “Nuk është hera e parë që të krishterët evropianë punojnë kundër popujve myslimanë. Historia na ka treguar shumë raste në lidhje me këtë. Bota e krishterë evropiane, që pretendon të jetë në një nivel qytetërimi në këtë shekullin tonë, e maskuar në një perde të rreme të humanizmit, po ushqen armiqësi të madhe me Islamin dhe botën islame. Në këtë drejtim, ata vlerësojnë çdo mundësi dhe aleancë të mundshme kundër nesh, në mënyrë që t’i shkatërrojnë popujt e Islamit.” – do ta fillonte kështu raportin Frashëri. Sipas tij, planet e evropianëve janë të fshehta dhe ato duhet të nuhaten mirë: “Këto synime armiqësore të shteteve evropiane dhe ide negative kundër botës islame tashmë janë të njohura. Janë të pasionuar të punojnë kundër shtetit osman, që është mbrojtësi kryesor i gjithë botës islame. Evropianët nuk i shpalosin qëllimet e këqija dhe idetë negative për shtetin osman. Sepse, nëse e bëjnë këtë gjë, përveç që do të ngjallej reagim në të gjithë botën islame dhe ku mund të krijohej një situatë lufte ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, në të njëjtën kohë, nga frika se do të humbin ndikimin në shtetin osman dhe gjithë botën islame, punojnë me qëllime të fshehura dhe metoda të ndryshme”. Evropianët, sipas tij, tashmë po synojnë që shtetin osman ta dëbojnë nga pjesa evropiane e tij, duke i ndarë vilajetet mes popujsh krishterë të rajonit. “Evropianët, janë në përpjekje të vazhduar për t’i dobësuar dhe tkurrur ngadalë otomanët. Nuk mund ta tolerojnë ekzistencën osmane në Rumeli, pra në Evropë. E para e këtyre synimeve është që tokat osmane që ndodhen në Rumeli t’i ndajnë nga shteti osman dhe këto toka ta shkëpusin tërësisht kontaktin me shtetin. Maqedonia dhe rreth saj, pra vilajetet e Selanikut dhe Edirnesë, që së voni u ri dizajnuan në Elajetin e Rumelisë Lindore, do të futen nën administrimin e principatës bullgare, ku veprimet e këtyre të fundit po shihen me sy të mirë nga evropianët”. Duke shkuar nga e përveçmja dhe duke u bërë më konkret, ai prek edhe thelbin e problemit që trajton, çështjen shqiptare: “Por, në anën perëndimore të Rumelisë, popullsia dominuese janë myslimanët, pra shqiptarët, që me një guxim të rrallë ishin kundër Evropës, duke mos pranuar asnjë administratë tjetër, pos shtetit osman, dhe gjithashtu mbetën besnik ndaj Islamit dhe Kalifatit. Kështu, duke kuptuar që do jenë pengesë në realizimin e synimeve të tyre, ata kanë vendosur ta zhdukin këtë popull të shtetit osman. Për këtë shkak, gjashtë shtete të mëdha sulmuan me flotat e tyre sikurse grabitqarët mbi një kasaba të vogël (Ulqin), për t’u ndeshur me një grusht burrash që ishin betuar të vdesin për Din dhe Dovlet.” Frashëri trumbeton që Shqipëria dhe shqiptarët janë kryesorët e myslimanëve në Evropë. “Sikurse dihet, në Rumeli, nuk ka vend tjetër më të fortë, më me ndikim dhe me shumicë myslimane, pos Shqipërisë. Prandaj, tokat e Shqipërisë dhe shqiptarët kanë tërhequr vëmendjen e Evropës. Për këtë shkak, diplomatët evropianë, për të nisur kështu fushatën kundër botës islame, synojnë ta zhdukin këtë popull, që është përfaqësuesi kryesor i islamit në kontinentin evropian”. I gjithë Kongresi i Berlinit, sipas tij, është një ndërmarrje për ta zvogëluar sa më shumë Shqipërinë myslimane, madje një përpjekje edhe për të futur përçarje ndërmjet qeverisë dhe shqiptarëve, në mënyrë që të arrihet më lehtë dominimi. “Për ta zhdukur Shqipërinë, që është përfaqësuesja e Kalifatit të Madh Islam dhe shtetit osman në Evropë, ata sulmuan nga çdo anë; Kongresi i Berlinit i dha toka Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë, për më tepër që lejoi Austrinë të zbresë deri në Pazar të Ri, duke e lënë kështu Shqipërinë në një rrezik të madh. Por, kur ata panë besnikërinë e shqiptarëve ndaj shteti të tyre dhe vendosmërinë për të qëndruar kundër tyre, armiqtë kuptuan se dëshirat e tyre nuk mund të realizoheshin aq kollaj. Në këtë gjendje, si me nguti, dëshiruan ta pushtojnë Shqipërinë, duke i dhënë vende të rëndësishme sa Malit të Zi sa Greqisë. Në një formë të njëjtë, Porta e Lartë është kërcënuar përmes notave të protestave e ndërhyrjeve ushtarake që krahinat që janë pika kyçe të Shqipërisë, si Preveza, Janina, Manastiri e Shkodra, t’i jepeshin Malit të Zi, Bullgarisë e Greqisë. Në fakt, pa e vendosur në pikëpyetje besnikërinë e shqiptarëve ndaj shtetit osman, për t’i arritur qëllimet e tyre dëshiruan që shteti osman të përdorte ushtrinë kundër shqiptarëve. Për një të ardhme dhe selamet të shtetit e miletit, shqiptarët treguan gajret dhe përkushtim natë e ditë kundër qëllimeve dashakeqe të armiqve dhe shteti osman, përballë kësaj rezistence të shqiptarëve, refuzoi ta përdorte forcën ushtarake. Pra, shqiptarët i qëndruan pranë shtetit osman edhe kur vetë drejtuesit e shtetit kërkuar të mos përdorim armët kundër armiqve”. Frashëri, duke e mbyllur raportin e parë, vë në pah rrezikun e vazhdueshëm nga fqinjët dhe thekson rëndësinë e vigjilencës në këtë pikë: “Por tashmë dihet këmbëngulja dhe vendosmëria e armikut. Por ky rrezik për momentin duket i kaluar. Në të ardhmen duhet marrë parasysh ky rrezik dhe duhet përgatitur për një përplasje ushtarake që mund të vije nga jashtë. Gjithashtu duhet merren edhe masat politike”.

Çështja e gjuhës dhe edukimit

Raporti i dytë flet kryesisht për gjendjen mbi arsimin dhe edukimin e shqiptarëve në shtetin osman. Mungesën e shkollave shqipe, mosintegrimin e shqiptarëve dhe moskrijimi i kushteve të përshtatshme për aktivitete edukativo-arsimore, shihen si faktorë kryesorë të gjendjes së rëndë të shqiptarëve në këtë fushë. Në anën tjetër, aktivitetet e shteteve fqinje, përmes shkollave dhe përhapjes së gjuhës ndër shqiptarë, shihen si politika asimiluese dhe aspirata politike e territoriale mbi shqiptarët. “Evropianët për të futur në dorë Shqipërinë, po përdorin kundër myslimanëve individë të caktuar nga vilajetet e krishtera të rajonit, duke hapur shkolla dhe zhvilluar gjuhët latine, sllave dhe greke, me qëllim që të shkaktohet ndarjet fetare e gjuhësore në mes të popullit të Shqipërisë, e për të krijuar kështu rrëmujë. Shkaku kryesor i kësaj gjendje tashmë të krijuar është mungesa e shkollave në gjuhën shqipe. Komshinjtë e krishterë tashmë e kanë bërë obligim mësimin e gjuhëve të tyre. Zaten, nuk gjenden shkolla të rregullta për myslimanët. Për këtë shkak, meqë shqiptarët që nuk e njohin gjuhën osmane, përveç disa shkollave që gjendet tek-tuk, shumica ka mbetur në injorancë. Disa, për shkak të kushteve sociale dhe veprimtarive tregtare që kanë, mësojnë greqisht, sllavisht ose një gjuhë tjetër të fqinjëve krishterë. Kështu, në Janinë dhe rrethet e saj, dita-ditës gjuha shqipe po braktiset dhe nga mospërdorimi i shqipes, greqishtja po e zë vendin e saj. Në pjesët e Kosovës dhe Manastirit – bullgarishtja, kurse në ato të Shkodrës – italishtja, kanë filluar të fliten. Kështu, pretendimet e grekëve, bullgarëve, serbëve dhe popujve tjerë, së bashku me gjuhët, po përparojnë në Shqipëri. Në fund, po fitojnë të drejtë pretendimet e tyre mbi gjuhën. Zgjidhja e këtij problemi është në atë që gjuha shqipe duhet të aplikohet dhe pranohet në mësimdhënien nëpër shkollat shqipe. Në këtë formë, të gjithë shqiptarët, qofshin myslimanë ose të krishterë, përveç gjuhës së tyre që duhet ta mësojnë, duhet që të kanë të detyrueshme edhe mësimin e gjuhës zyrtare të shtetit, osmanishtes. Arsimi nuk duhet të lihet në duart e të huajve dhe shkollimi që merret nga shkollat dhe mësuesit e huaj duhet të ndërpritet. Kështu Shqipëria duhet të shpëtojë nga kjo”. Përveç shteteve fqinje që përfitojnë nga situata, gjendje e pashpresë shihet edhe në reformat evropiane mbi rajonin, në të cilat, sipas Abdullah Hysniut, shqipja qëllimshëm po anashkalohet: “Greqia kërkon vilajetin e Janinës. Popullsia shumicë në vilajetin Janinës janë të krishterët. Me përjashtim të popullsisë myslimane, të cilët nuk ishin përfshirë me rregull në regjistrime në vilajetet e Manastirit dhe Kosovës, popullsia shihet në favor të të krishterëve. Të krishterët, pra, përpjekjet e grekëve dhe serbëve kanë vënë dorë mbi arsimin dhe tregojnë aktivitet të lartë në lidhje me gjuhët e tyre. Në këto vende, dita ditës greqishtja dhe bullgarishtja po zënë vendin e shqipes. Më e keqja e kësaj është në rast se fillon të zbatohet planet dhe rregulloret evropiane mbi Rumelinë, ku shqipja do të humbet tërësisht. Evropianët do të thonë që pasi deri tani shqipja nuk ka qenë gjuhë nëpër shkolla, nuk është e nevojshme edhe tani. Greqishtja dhe bullgarishtja që flitet nga popullsia e krishterë do të pranohen zyrtarisht si gjuhë lokale. Ky do të jetë edhe një hap drejt synimeve të tyre. Ndërsa popullsia myslimane, përveç prapambetjes në arsim, si edhe mbetjes mbrapa në aspektin tregtar dhe kapital, edhe fuqinë dhe ndikimin do të kenë tek popullsia e krishterë. Kjo gjendje do të jetë shkaktar kryesor i trazirave brenda pak vitesh.”

Ndarja administrative e Shqipërisë

Një nga çështjet kryesore që i ka shqetësuar shqiptarët që nga fillimi i Krizës Lindore janë kufijtë politiko-administrativë. Pas rezultateve që solli Lufta Ruso-Osmane e viteve 1877-78, me humbjen e thellë të ushtrisë osmane, shtetet fqinje ballkanike ishin trimëruar tashmeë me ndihmën ruse dhe po kërkonin tokat e shqiptarëve. Prandaj, që nga kjo kohë e deri në krijimin e një Shqipërie të cunguar më 1913, intelektualë dhe politikanë shqiptarë nuk reshtën së kërkuari unifikim politik të shqiptarëve në kuadër të shtetit osman. Lidhja e Prizrenit ishte organizata që me këmbëngulje kërkonte unifikimin nën një njësi të vetme administrative. Por, për shkak se kjo hera-herës interpretohej si shkëputje e shqiptarëve nga shteti osman, Abdullah Frashëri kishte vendosur që t’ia sqaronte dhe argumentonte nevojën e një gjëje të tillë vetë sulltanit osman. “Shqipëria përbëhet nga vilajeti i Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Shqipëria ka një popullsi me më shumë se dy milionë banorë, nga të cilët një milionë e gjysmë janë myslimanë dhe pjesa e mbetur janë të krishterë. Në një pjesë të madhe të kësaj zone nuk janë aplikuar fare reformat e Tanzimatit. Zonat ku nuk u aplikuan reformat që solli Tanzimati janë një pjesë e madhe e elajetit, si Dibra e Madhe, Dibra e Vogël, Mati, Luma, Prizreni, Gjakova, Peja, Shkodra dhe gjysma e kazasë së Elbasanit. Duke i nënvlerësuar, janë lënë në gjendjen e mëparshme. Njerëzit që jetojnë në këto vende, për shkak të injorancës dhe konflikteve mes vete, nuk kanë mundur t’i shohin armiqtë e tyre, t’i kuptojnë qëllimet e tyre ose të qëndrojnë të fortë përballë tyre. Për këtë arsye, në një periudhë shumë të shkurtër kohore duhet të rregullohen këto gjera. Kjo, gjithashtu, mund të arrihet duke e unifikuar të gjithë Shqipërinë në një vilajet të vetëm. Për më tepër, për t’i dhënë fund ndikimit të fqinjëve mbi Shqipërinë, duhet që të mblidhen të gjitha tokat shqiptare në një vilajet të vetëm dhe të krijohet një vilajet i ri nën emrin “Vilajeti i Shqipërisë”. – do të argumentonte në këtë formë Frashëri. Nga një unifikim i mundshëm administrativ, sipas tij nuk do të përfitonin vetëm shqiptarët, por edhe vetë Perandoria, si në aspektin e efikasitetit të administratës e të sigurisë, por edhe në atë ekonomik: “Nëse e gjithë Shqipëria do të futej në një administratë të vetme, të ardhurat e përgjithshme (varidat-i umumiyesi) do të trefishoheshin. Jashtë kësaj, shumë lehtë mund të krijohet edhe një ushtri jashtëzakonisht trime dhe besnike. Nëse arrihet të krijohet një ushtri e fortë, qëllimet e armiqve do të priten, veçanërisht intrigave të sllavëve dhe grekëve nuk do t’u krijohet hapësirë veprimi, duke siguruar kështu pavarësinë e plotë dhe sigurinë e të gjitha territoreve të Rumelisë si pjesë përbërëse e shtetit osman në Evropë.”

Shqipëria një e vetme, kurse fjalëve që valinjtë dhe burokratët osmanë, që vepronin nëpër trojet shqiptare ia përcillnin Stambollit, Abdyli nuk ua vë veshin dhe, aq më tepër, i quan gënjeshtra: “Shqipëria nuk duhet të ketë asnjë specifikë tjetër si “administratë e veçantë”, por duhet të administrohet sikurse statutet e tjera të vilajeteve. Vetëm se duhet të bashkohen të katër vilajetet në një të vetëm dhe për të arritur qëllimet e një administrate efikase duhet të emërohet një vali që është administrator i fuqishëm. Nëse dëshirohet që Shqipëria të jetë e lidhur me shtetin osman, atëherë kjo është zgjidhja e vetme. Sepse, ndarja e tanishme administrative, sikurse folëm dhe më lart, u shërben planeve armiqësore të Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Është e kotë të merresh me thashetheme që shqiptarët janë në një aleancë me myslimanët e Greqisë dhe Malit të Zi për të shpallur një ‘administratë të pavarur’ të ndarë nga shteti osman, kjo për shkak se mbijetesa fetare tek shqiptarët është ruajtur në saje të shtetit osman. Shqiptarët e dinë shumë mirë që në rast ndarjeje nga shteti osman, do të shkatërrohet vatani dhe nderi i tyre. Nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm që nuk e di këtë. Kështu që, fjalët që nuk përkojnë me arsyen e shëndoshë, nuk janë tjetër pos gënjeshtra.”

Abdyl Frashëri duke qenë aktivë në politikën e kohës, kishte marrë përsipër barrën e drejtimit politik të shqiptarëve, që – përmes mendimit politik – çështjen shqiptare e avancoi në stade të larta. Këto raporte të shkruara direkt për sulltanin e kohës janë tregues i qartë për nivelin e lartë intelektual dhe argumentues të rilindësit të shquar, si dhe vlerë e çmuar për historinë e mendimit politik shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here