Ka qenë gjithnjë kurioze për shqiptarët të dijnë se ç’bënë pasardhësit e Skënderbeut dhe ai ishte i pasur ai. Në fakt ka pasur herë pas here pretendime për fronin e Skënderbeut dhe përpjekje të tilla janë pasqyruar dhe në Konica.al. Por çfarë dihet shkencërisht dhe nga të dhënat e historianëve…

Prof. dr. Ferit Duka na vjen në ndihmë edhe për këtë kërshëri. Sipas të dhënave historike që ai ka, i biri i Skënderbeut bëri disa përpjekje për t’u rikthyer dhe për të vazhduar rrugën e të atit. Me përpjekjen e fuqive perëndimore ai u përpoq të restauronte pushtetin e Kastriotëve në tokën e marrë prej osmanëve. Sigurisht, përpjekjet duheshin konsideruar thjesht si tentativa, sepse ishte e pamundur të merrte shkëlqimin e të atit. Fuqia osmane ishte e jashtëzakonshme, ishte një superfuqi e kohës.

Kështu që Gjoni u kthye përsëri në Napoli. Një tentativë tjetër ishte dhe ajo e Gjergjit, nipit të Skënderbeut, prapë me nxitjen e perëndimorëve, por dhe kjo tentativë mbeti e pakurorëzuar sa duhet. Bëri disa zbarkime të parëndësishme në zonat e Lezhës dhe Himarës. Kishte prapa Venedikun, por nuk u realizua ndonjë gjë, me përjashtimin e asaj që dhe njëherë u rizgjua ndërgjegjia e shqiptarëve për të kaluarën, por përkohësisht.

Historia dëshmon se Skënderbeu ka pasur një marrëdhënie specifike me mbretin e Napolit, Alfonsin. Sipas traktatit të Gaetës së vitit 1451, Skënderbeu u shpall vasal i tij, një lëvizje taktike dhe mjaft e zgjuar për të tërhequr përkrahjen e Alfonsit, fuqinë e tij ushtarake për të ndihmuar Skënderbeun në një kohë të vështirë. Duke qenë se prijësi shqiptar ishte një diplomat shumë i zoti bëri një pakt vasaliteti me Alfonsin, i qëndroi besnik këtij pakti, i vajti në ndihmë kur ky mbret rrezikohej dhe pa dyshim, pasardhësit e tij gëzuan të gjitha privilegjet e të atit, me lidhjet specifike që kishte me Alfonsin.

Osmanologu i njohur thekson se ka disa autorë seriozë që folën për pasardhësit e Skënderbeut. Është pretenduar deri në Rilindjen Kombëtare për pasardhës të tillë dhe pretendime për kurorën e prijësit shqiptar.

Ajo që del në pah nga disa biografë arbëreshë është fakti se Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut u martua me Jerina Brankoviç, vajza e despotit serb Lazar Brankoviç. Dy linja të familjes së Kastriotëve u vendosën në jug të Italisë, njëri prej të cilëve ishte Pardo Kastriot Skënderbeu dhe tjetri Achille Kastriot Skënderbeu, të dy bij të Ferrantes, djalit të Gjonit dhe Jerinës. Ata bënin pjesë në borgjezinë italiane duke marrë çmime të shumta fisnikërie dhe u bënë pjesë e Urdhrit të Lartë të Napolit. Vajza tjetër biologjike e Ferrantes ishte Irene Kastrioti Skënderbeu. Lindi në Andreana Acquaviva të Aragonës dhe trashëgoi pasurinë atërore duke e çuar më tej kurorën me një martesë me princin Sanseverino. Ajo pati një djalë, Nicolo Bernardino Sanseverino. Trashëgimtarët e saj udhëhoqën familjet qeverisëse (ose ish-qeverisëse) të Belgjikës, Luksemburgut, Austro-Hungarisë, Prusisë, Serbisë dhe disa anëtarë të familjes mbretërore britanike. Pasardhës i shquar i kësaj familjeje përfshin Filippo Castriota, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, themelues i Shqipërisë moderne dhe autori i famshëm Giorgio Maria Castriota. Një familje që e çuan lart emrin e Kastriotëve.

Në fund të kësaj gjenaologjie për heroin tonë kombëtar është normale të bëjmë një pyetje: A ishte i pasur Skënderbeu?

Sipas profesorit është e vështirë të thuhet. Natyrisht që kishte pasuri sepse ishte pinjolli i një familjeje që sundonte një principatë të rëndësishme të Mesjetës. Duke qenë i tillë pa dyshim që kishte pasuri. Por gjithçka e vendosi në shërbim të luftës. Dhe kjo është një vlerë e shtuar e tij, sepse ai të gjithë pasurinë e tij e shkriu në shërbim të idealit, atdheut e lirisë. Atë që pakkush e bëri për Shqipërinë tonë. Ndaj dhe e nderon historia. Ndaj dhe çdo shqiptar e evropian përkulet para emrit dhe figurës së tij legjendare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here