Një panoramë befasuese e qeverisjes së princ Vidit. Ambasadori i SHBA-së në Greqi e Mal të ZI në vitet 1913-’14 shkruajti një varg shënimesh mbi Shqipërinë e kësaj periudhe dhe shumë çështje, tradicione e të dhëna mbi prejardhjen e Shqiptarëve.
Shënimet e një libri të vockël, shkruar nga një amerikan me shpirt të madh, në kohën më të trazuar të fateve të Shqipërisë, janë një dëshmi historike mjaft e rëndësishme. Por jo vetëm kaq. Ky libërth është i mbushur me kureshti, i mbuluar prej një atmosfere të veçantë, fryt i këndvështrimit të një diplomati me dhunti të forta letrari. “Shqiptarët” i shkruar nga George Fred Williams në vitin 1914, dhe i botuar në gjuhën shqipe për herë të parë në vitin 1934 me përkthimin e Shaban Ballës ka njohur një ribotim në vitin 2004, plot 90 vjet pasi ishte shkruar dhe 70 vjet pas botimit të parë. Në parathënien e këtij ribotimi Sajmir Lolja shkruan: “Botimi apo ribotimi i një libri të tillë është një gjë shumë e mirë, sepse shpreh respektin për një njeri shpirtmadh e shpirtdrejtë si Xhorxh Fred Uilliamsi, për edukimin e shkollimin e tij dhe respektin për vlerat që përcjell pena e tij. Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që ajo histori e dhimshme e Shqipërisë e fillimit të Shekullit XX, në vend që të ishte për arshivë, vazhdon poshtërsisht të nëpërkëmbet edhe në kohën e tanishme”. Ky libër tregon se sa tragjike kanë qenë ndaj shqiptarëve përçarjet e shkaktuara nga armiqtë. I vetquajturi mbret Princ Vidi qëndroi në Shqipëri në periudhën 7 Mars – 3 Shtator 1914. Siç edhe shkruan Xhorxh Fred Uilliamsi, nga ajo rrëmujë mizore e Luftës I Botërore, shqiptarët vetëm e pësonin.
Pena e Xhorxh Fred Uilliamsit përcjell rëndësinë e vlerave njerzore që duhet të kenë udhëheqësit që organizojnë, drejtojnë apo udhëheqin shtetet. Nga ky libër që s’ngjan shumë me ato të tejreklamuarit, që mund të konsiderohet si një botim që kalon qetazi, për të gjithë lexuesit që s’kanë mundur ta kenë në dorë do të botojmë një pjesë që lidhet pikërisht me qeverisjen e princ Vidit e që na përcjell këndvështrimin e veçantë të George Fred Williams-it.
Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme qe e tërheqin në drejtime të ndryshme. S’ka vullnet, s’ka program e as autoritet të njohur në këtë tokë. Propaganda, intriga dhe shpifjet e fshehin të vërtetën. Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.
Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet: (1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha. (4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha dhe një delegati të Shqipërisë. (7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteve të vendit që ndodhen si dhe qetësija e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë. (8) Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve të huaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit.
I lutem lexuesit me i studiuar këto pika që të formojë një vetgjykim se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: egzekutimi, legjislatura dhe administrimi i gjyqit. Shihet se dy të fundit nuk janë përmendur veçse si një lloj autoriteti i lënë komisionit ndërkombëtar për të formuar një qeveri kombëtare me autoritet. Funksioni egzekutiv natyrisht përfshin një kryetar egzekutues që do të ketë kontrollimin e administratave qytetare dhe të sigurimit të popullit. Marrëveshja (e Londrës) përmban një princ, por ia dha komisionit ndërkombëtar kontrollimin e administratave qytetare dhe të financave. Dhe në njërën anë e vendos sigurimin e popullit nën komisionin ndërkombetar, kurse në anën tjetër thotë: “komanda vepruese dhe eprore për të mbajtur qetësinë e popullit i jepet një organizatë ndërkombtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”. Se çfar fuqirash i mbeten princit nuk kuptohet, kurse administratat, financat dhe sigurimi i popullit iu dhanë duarve të tjera. Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhesh pa pyetur dëshirat e popullit dhe funksionet e autoriteteve të vendit e sigurimi i popullit u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara ndonjë statut në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm të deklaruar me urgjencë. Me sa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar kryengritje. Po të mos ngrihesh populli Shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për Shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë. Nga kjo marrëveshje e Londrës doli një ngatarresë sa nuk bëhesh më e madhe dhe më e keqe. Fuqitë e mëdha pastaj vijuan programin e tyre duke zgjedhur për antarë të komisionit gjashtë persona me pozita konsujsh. Pa e fyer këtë pozitë diplomatike, kjo vepër qe një punë e keqe sepse lëshimi i një shteti në duar të tilla nuk qe në duar të njerëzve me përvoje diplomatike. Sigurisht, që formimi i një shteti nuk u vendos në duar të përshtatshme tregohet nga fruti i veprës së tyre.\
Xhorxh Fred Uilliams
Qeveria e Vidit
Si princ i kësaj principate u zgjodh Uilliami i Vidit, major i gardës Potsdam Lancers, një zotëri pa farë përvoje në qeverisje dhe pa vetitë e duhura për një kryetar shteti. Ai qe nip i Mbretëreshës së Rumanisë, e quajtur Karmen Silvia, dhe duhet shënuar se përkrahja financiare dhe shtyrja e saj si dhe detyrimi i gruas se tij ambicioze u bënë shkak që ky të pranojë këtë detyrë. Tragjedia e gabimeve filloi para se të vinte Princi në Durrës. Esad Pasha, kryetar i ca fiseve të Shqipërisë së Mesme, pa pasur autorizim prej popullit, shkoi në mënyrë solemne dhe i dhuroi kurorën Princit Vid në emër të Shqipërisë. Që në ditët e para tërhoqi vërejtjen një zënie midis nëpunësit të pallatit me mjekun e oborrit, e cila përfundoi me ikjen e shpejtë e shumë zemërueshem të mjekut nga Shqipëria. Komisioni Ndërkombëtar në bazë të marrëveshjes së Londrës priste që princi të vinte me bashkëpunuar me të për të zgjidhur problemet e ndryshme të shtetit. Por shpejt e mësua se Vidi po vinte si mbret dhe kishte kërkuar që të pritet me gjithë madhështitë që i kanë hije një pritjeje mbretërore. Kur ata deshën të bëjnë ca paragatitje dhe për këtë deshën të bashkëpunojne me nëpunësin e pallatit, ai u përgjegj se nuk kishte kohe me humbë me ta. Se me ç’të drejtë Princ Vidi e mori titullin mbret askush s’ka qenë i zoti ta shpjegojë. Ai në marrëveshjen e Londrës figuron si Princ.
Malësorët
Në fjalimin e tij mbretëror (!?) princi theksoi se do të mund të kishte rast me bashkpunuar me komisionin ndërkombëtar, kurse marrëveshja (e Londrës) e thotë që ai duhet të bashkëpunojë. Qeverimi ose mbretërimi filloi duke i ofenduar haptazi përfaqësuesit e fuqive të mëdha, të cilët kishin në dorë portofolin dhe pothuaj gjithë autoritetin, (sepse ata kishin kontrollin e financave dhe të administratave – shën. përkth.). Princi emëroi një kabinet, por ministrat e tij nuk kishin autoritet të caktuar ose të dalluar dhe në këtë mënyrë çdo gjë që morën përsipër komisioni e kundërshtoi. Ndërkaq epirotët, që zenë Shqipërinë e Jugut, deklaruan pavarësinë e tyre. Esad Pasha kërkoi 25000 vetë të armatosur për t’i shtruar këta, por ushtarë nuk kish. Koloneli hollandez Tompson që kishte komandën e xhandamërisë u ngarkua me mision prej princit për të bërë marrëveshje me “epirotet”. Ai fitoi besimin e tyre dhe erdhi në një marrëveshtje shumë të mirë, por Esadi siguroi mohimin e misionit të kolonelit nga ana e kabinetit dhe ky mision u flak edhe prej princit. Më vonë kur komisioni ndërkombëtar bëri marrëveshje në Korfuz me kryengritesit e Jugut, antarët protestuan se ky komision nuk dinte kurrgjë mbi marreveshtjen e kolonelit Tomson e as mbi misionin e tij.
Kur unë erdha në Durrës, njëri prej antarëve të komisionit më mohoi pikat më kryesore të marrëveshtjes së Korfuzit, një kopje të së cilës ia paraqita të vërtetuar prej sekretarit të komisionit. Në këtë mënyrë vijonin punët në krijimin e një shteti. Mbledhjet e komisionit bëheshin edhe më të vështira nga mosmarrëveshjet dhe ngatërresat në mës të përfaqsuesve të Austrisë dhe Italisë, të cilët mundoheshin me ia hedh fajin njëri-tjetrit. Kabineti edhe ky u nda dhe në Maj të vitit 1914 Esad Pasha, ministër i luftës, u arrestua si komplotist kundër qeverisë, u vu në një luftanije të Austrisë dhe u dërgua në Itali. Në anën tjeter, Shqiptarë kryengritës, rebelet, me armë në dorë u dukën para dyerve të Durrësit. E vetmja kërkese e tyre ishte që princi të lejë Shqipërinë dhe prej asaj kohe e deri në fund ajo ka qenë britma e tyre për çdo marrëveshtje që thirreshin me bërë.
Libri Xhorxh Fred Uilliams
Duke vënë fenë si shkak për lëvizje luftarake
Një njeri me mend nuk do të kishte pranuar detyrën me ushtruar tiraninë mbi një popull luftëtar si ky pa qenë i siguruar nga fuqitë e mëdha se do t’i japin forca ushtarake, sepse gjithë themeli i kësaj pune ishte forca. Biles, edhe kur vendasit u ngritën me armë në dorë kundër tij, e para gjë që duhej të bënte qe që të kërkonte fuqi të armatosur ose të linte Shqipërinë duke u kthyer në vendin e tij. Por kur vendasit mohamedanë e kundërshtuan atë me armë, ai mori me pagesë malsorë katolikë të Veriut për të mbrojtur Durrësin. Edhe mohamedanët e Vlorëes u vunë në ndihmën e princit, ca nga të cilet u lanë për të kundërshtuar kryengritësit e Jugut dhe të tjerët u prunë në ndihmë të Durrësit, kundër kryengritësve të Shqipërisë së Mesme. Problemi më i madh i një qeverie në këtë vend është për të prurë në marrëveshje ose për të bashkuar elementët e besimeve të ndryshme me qëllim që të zhduket sa më parë kundërshtia në mes tyre e cila ka qenë futur prej sundimtarve turq. Brenda pak javësh sundimi të Princ Vidit, gjendja u bë shumë e keqe. Në Shqipërinë e Jugut mohamedanët vritnin ortodoksët e në Durrës malësorët katolike thernin mohamedanët brenda pamjes se pallatit të princit, i cili ishte i sigurtë vetëm nën grykat e zjarrit të topave të luftanijeve të fuqive të mëdha që ishin në molin e Durrësit vetëm për të mbrojtur princin dhe familjen e tij. Dukej haptazi se pa u bashkuar për bashkëpunim elementët e besimeve të ndryshme, qeveria e tij ishte më kot.
Vidi u ngul në Durrës më 21 Shkurt 1914 dhe më 24 Maj të këtij viti, mbas një mesymje nga kryengritësit, ai me familjen e tij fluturoi në kryqzorin italian Misurata. Megjithatë të nesërmen u kthye prapë në pallatin e vet, por ikja që kish bërë një ditë më parë prej qyteti në luftanie ia humbi rëndësinë dhe e bëri të pamundur që ai të kishte pamjen si sundimtar i një populli ndaj të cilit burrëria, zemra dhe trimëria janë gjëra fare të zakonshme. Një veprim i vogël i komedisë u luajt më 5 Qershor kur në drekën e kësaj dite luftania Tegelhoff duhej të dëfrente princin. Një ceremoni mbretërore qe paramenduar dhe ministrat e pranuan, por atë ditë komisioni ndërkombetar po mundohej për të ardhur në marrëveshje me kryengritësit e për këtë kishin frikë se mos alarmoheshin dhe dëshpëroheshin këta nga krismat e topave. Komisioni doli fitues në ndalimin e ceremonisë, por jo me kryengritësit të cilët nxirnin të vetmen fjalë: “princi lipset të shkojë nga toka e jonë”. Në anën tjetër të gjithë degët e fuqive sunduese çdo minute vinin në mosmarrëveshje më të mëdha dhe ngatërroheshin më keq në mes tyre. Disa ia ngarkonin gjithë shkakun e ngatarresave oficerëve hollandezë, të cilët kërkonin me patur fuqinë eprore dhe jepnin urdhëra mbi ata të qeverisë së rregullt. Prandaj më 22 Maj, anëtarët e kabinetit shkuan si një grup dhe i dhanë dorëheqjen mbretit duke thënë haptazi se nuk durojnë të përdoren më si kukulla në duat e oficerëve hollandezë dhe të marrin përsipër gabimet trashanike dhe keqbërëse të tyre. Por në anën tjetër në këtë kohë oficerët hollandezë ishin të vetmit mbrojtësit e Durrësit duke komanduar malësorët shqiptarë, gjuhen e të cilëve as që e kuptonin. Ditën e 15 Qershorit komandant kolonel Tompson u vra dhe me qinda njerez u vranë në kënetë….. (Vijon numrin e ardhshëm)
Shkëputur nga përkthim i vitit 1934, kapitulli “Rënia e qeverisë së Vidit”