Pse thoshin partizanët kosovarë: Na tradhtuat, o vllaznit e Shqipnisë së moçme! – Nga Ylli Polovina

ditari i pabotuar i një partizani nga Skrapari, shkurt 1945

Me forcat e brigadës së tyre, të Tretës, kali i shalës “Tigri” dhe shtatë partizanët e nisur nga Shkodra në 2 dhjetor 1944, shkuan në Kosovë dhe prej andej drejtuar në kahun e Bosnjës, u takuan në Sinicë. Ishte një qytezë në një lartësi prej 1500 metrash.

Forcat e Brigadës së Tretë ende nuk kishin rënë në kontakt me armikun dhe prisnin urdhrin për veprim. Në pritje ata jetonin në banesa të mira të vendasve, të pajisura me soba që temperaturën brenda shtëpisë, kur jashtë qe minus njëzetë, e bënin 25 deri 30 gradë. Vazhdimisht në qytezë organizoheshin mbrëmje tematike me biseda edukative, me koncerte e këngë, pjesë të vogla teatrore, por më së shumti edhe me vallëzime në çift, kryesisht vals. Sllavet qenë femra të bukura e pasiononte për dashuri, por partizanët shqiptarë bënin kujdes të mos shkonin larg rregullave të rrepta të luftës.

Sjellja e banorëve të Sinicës ndërkaq qe mbresëlënëse, plot mirësi. Për luftëtarët e ardhur nga Shqipëria jepnin një dhomë nga dy që mund të kishin, ose flinin të tërë në të vetmen e tyre. Hanin së bashku njëlloj, i ndanin përgjysmë edhe sikur vetëm patate të pjekura apo të ziera t’u pat mbetur. Kur nuk kishte për të ngrënë nuk hanin të dy palët. Ndërkohë të gjithë partizanët shqiptarë duhej të kryenin shërbimin e rojës, por ishte aq ftohtë sa ata ndërroheshin çdo gjysmë ore. Më tepër po t’i lije ngrinin nga akullima e tmerrshme.

Miqësia me serbin, ngrohtësi, mollë dhe çorape

Në Senicë, ndërsa Brigada e Tretë priste urdhrin nga lart për të hyrë në luftime, skraparlliu Musa Hysi ishte njëri prej atyre që pati pasur më tepër fat. Ndërsa shokët e kompanisë së tij flinin të gjithë në një ndërtesë, Musai qe vendosur në një shtëpi, në të cilën jetonin i zoti, e shoqja dhe një fëmijë djalë vetëm 8-9 vjeç. Qenë serbë.

Aty jo vetëm hante mirë, por mbrëmjeve shëtiste edhe me kalë. Kishte shpëtuar nga të ftohtit dhe uria, por jo nga morrat. Një natë ata iu rikthyen dhe nisën ta shponin ku të mundnin. Atëherë i zoti i shtëpisë bëri një veprim disi më ndryshe nga ai që kishin provuar në fshatin në të dalë të Novi Sadit. Ai ndezi një zjarr, pastaj vuri mbi të një kazan të mbushur me borë. Kur kjo shkriu dhe ujët u nxeh, hodhi në të të gjitha teshat e Musait.

Ndërkohë erdhi një çast kur ata të komandës urdhëruan kthimin e tij në ndërtesën e përbashkët. Gjithsesi edhe pas kësaj tek shtëpia e serbit Musa Hysi herë pas here shkonte për të shkëmbyer ndonjë përshëndetje. Ata i kishin hyrë në zemër. As familja serbe nuk e fshehte të njëjtën ndjenjë. Kur brigada u largua nga Senica Musai shkoi të përcillej me çiftin dhe birin e tyre të vogël, t’i shprehte edhe falënderimet. Ndërsa puthi në faqe djalin dhe u përqafua me të zonjën e shtëpisë, bashkëshorti i saj hodhi një çantë në shpinë dhe i tha se do ta shoqëronte një copë udhë. Ecën bashkë afro një orë, deri sa kaluan pas një kodre dhe Senica nuk u duk më. Aty serbi iu hodh në qafë dhe e përqafoi me zjarr. Pastaj i vuri çantën në krahë. Qe plot me mollë.

Kur në mbrëmje bashkë me kompaninë e tij dhe brigadën mbërritën në Rashka, në fund të mollëve Musai gjeti edhe një palë çorape të leshta.

Pse “dezertonin” kosovarët nga brigadat partizane shqiptare

Në fund të shkurtit 1945 gjendja në brigadë nisi papritmas të keqësohej: partizanët shqiptarë nga Kosova filluan të largoheshin. Në të vërtetë ngjanin me dezertime, sepse qenë ikje të paparalajmëruara. Shpjegimi që iu dha, ishte veshur me fjalët “është dora e armikut”.

U dendësua puna politike, por ikjet vazhduan. U bë thirrje për vigjilencë, sërish largimet e fshehta vijuan. Atëherë njëri prej ikësve u kap, u dënua me pushkatim dhe ai u krye aty ku ato çaste ndodheshin, në Bozhdozinoje. Vrasja u bë para batalionit të tretë, ku kosovari pati qenë si partizan.

13717955_1183270768392362_1018831624_o

Siç duket mjaftoi kaq për shpërthyer një pendim i madh për çfarë po bënin ndaj bashkëkombësve të Kosovës. Më lehtë do të kishin pushkatuar një prej Shqipërisë, shtetit të tyre, por jo prej trojeve etnike të ndara nga fati i lig. Ndërkohë, fjalë pas fjale, nisi të bëhej përherë dhe më e qartë arsyeja e atyre “dezertimeve”. Kosovarët iknin nga brigada, sepse familjarët u dërgonin lajm të ktheheshin sa më shpejt për t’i mbrojtur nga një fatkeqësi e madhe që i pati zënë. Dy divizione partizane jugosllave, të hyra nga Maqedonia dhe Mali i Zi, kishin shpërndarë këshillat nacionalçlirimtare të ngritur prej brigadave partizane shqiptare, patën vendosur menjëherë pushtetin e tyre ushtarak dhe po bënin terror ndaj popullsisë civile, veçanërisht mbi familjet e nacionalistëve, gjithë atyre që ishin shpallur për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Drejt vendlindjes ishte kthyer deri edhe vetë brigada e Tretë kosovare, e nisur me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm NÇ të Jugosllavisë për në Mitrovicë, në luftime me gjermano-çetnikët. E rikthyer me shpejtësinë më të madhe ajo në Drenicë dhe në Pejë u përlesh me njësitë që vareshin prej Josip Broz Titos.

Ishte ky çast kur dy divizioneve nga Shqipëria, të ndodhura me luftime në Bosnjë, u erdhi urdhri nga Enver Hoxha të marshonin me shpejtësinë më të madhe drejt Kosovës. Në javën e parë të marsit, për tre ditë e net, njësitë partizane shqiptare mbërritën në vend dhe vunë qetësi. Pas kësaj kosovarët filluan të zbrisnin nga mali me armë në krahë dhe në besë të dorëzoheshin tek vëllezërit e tyre bashkëkombës. Rifilloi regjistrimi dhe rreshtimi vullnetar në brigadat e ardhura prej Shqipërisë.

Ishte  një shtim i madh, batalionet u bënë brigada.

Entuziazmin e këtij shumimi e ndërprisnin herë pas here oficerë jugosllavë, të cilat mbanin në duar lista dhe nga njësitë kërkonin njerëz për t’i arrestuar. Komandat partizane shqiptare nuk ua jepnin, përveç ndonjë rasti kur qenë të bindur se personi i kërkuar pati kryer krim.

Istok, masakra e përbindshme

Kompania ku ndodhej Musa Hysi pas marshimit të shpejtë për në Kosovë, u vendos në mbrëmje në Istok, në një ndërtesë të madhe, dikur shkollë. Të nesërmen mori lejedalje për të parë qytetin dhe i bëri përshtypje mungesa nëpër rrugë e njerëzve. Takoi një të ri dhe e pyeti pse kishte kaq shumë shkreti. “Kanë frikë të dalin se i mbyt shkjau”, u përgjigj ky. Pastaj tregoi një vend me kallamishte të gjata. Shkuan atje dhe “Të hedhur në mënyrë të parregullt, shkruan Musa Hysi, të lidhur me tela telefoni (kabëll) me ngjyra të ndryshme, të kuq, jeshil, pashë kufomat e më shumë se 30-40 vetëve. Ishin veshur me rroba të reja, por pa kapuçin e bardhë të tyre. Mu rrotullua zemra, siç thonë pleqtë. Veshët filluan të më buçasin. Sytë mu errësuan dhe mendja mu paralizua. Nga kjo gjendje e rëndë më nxori djali duke thënë “Nuk është vetëm kjo, more shoku partizan. Ka edhe më”. Duke shkuar përpara më mori përdore sikur unë të isha i vogël. Më çoi tek një gropë tjetër (gropë i thënçin), se serbët (apo malazezët), s’di se kush kishte qenë në këtë masakër të përbindshme, nuk kishin marrë mundimin që të kishin hapur një gropë dhe t’i mbulonin, por ashtu siç ishte vetë terreni, i kishin palosur dhe lënë pambuluar.

Nuk kuptova as atëherë dhe as sot, pas 37 vitesh kur po shkruaj këto radhë kujtimesh, pse i kishin lënë të zbuluar. Ata ishin vrarë me plumb, me dru një nga një apo në varg. Nuk kuptohej vrasja e tyre. Ata ishin njëri mbi tjetrin e në brinjë, kokë e këmbë e duar të lidhur. Djali më çoi edhe tek një vend tjetër. E njëjta gjendje…”

“Po na mbyt shkjau”!

Pas kohëqëndrimit të shkurtër në Kosovë divizionit shqiptar iu dha urdhri për t’u kthyer përfundimisht në atdheun e vet. Në maj u nisën me tren nga ana e Prilepit, por kur hynë në një tunel ky u ndal dhe tymi i lokomotivës që përpiqej më kot të tërhiqte vagonët e mbushur me partizanë të Shqipërisë, filluan të kolliteshin, t’u merrej fryma, të alivanoseshin dhe shumë prej tyre të vraponin nëpër terr për të dalë nga tuneli sa më shpejt. Dëgjoheshin gjithkund thirrjet-klithje të partizanëve kosovarë “Po na mbyt shkau!”.

Partizanët nga Shqipëria nuk zbritën prej vagonëve, edhe pse ishin në gjendje fort të rëndë. Më në fund erdhi një lokomotivë tjetër dhe e nxori trenin nga tuneli. Klithmat tronditëse të kosovarëve “Po na mbyt shkjau!” Musa Hysit dhe të tjerëve të ardhur nga Shqipëria iu ngulitën thellë në tru.

Arritën më në fund në Manastir dhe prej andej në Resnë, ku u vendosën në një kazermë dykatëshe. Këtu, në pritje të urdhrit për të hyrë në Shqipëri, kaluan një periudhë të qetë, me një treg të mbushur me fruta dhe çdo të diel banja në liqen. Po afronte 10 korriku 1945, kur në Tiranë do të festohej dyvjetori i ushtrisë shqiptare dhe do të bëhej një parakalim.

Një ditë të papritur erdhi urdhri që kosovarët të largoheshin nga repartet e Shqipërisë, sepse do të shkonin në divizionin e 25-të të Jugosllavisë. Ky ishte dislokuar në Manastir. Vendasit qenë në prag të zgjedhjeve për Skupshtinën  (parlamentin) e tyre në Beograd, dhe të gjithë nënshtetasit, përfshi edhe kosovarët, do të votonin.

Ishte një ditë nëntori i vitit 1945. E kthjellët dhe me diell. I gjithë reparti u mblodh në sheshin e kazermës. Këtu filluan të thirreshin emrat e kosovarëve dhe këta një nga një të dilnin prej rreshtit.

Qe një skenë tronditëse. Ata nuk dilnin nga rreshti, por dukej sikur këputeshin nga plumba që nuk i dallonte asnjë sy njerëzor. Të zverdhur në fytyrë shkonin si hije përballë dhe filluan atje pak nga pak të formonin një kuadrat të ri, veç të mjerë.

Përballë oficeri që thërriste emrat qeshte nën buzë. Partizanët shqiptarë qenë tulatur. Erdhi një çast dhe masa e kuadratit të ri u bë më e madhe se e atij prej të cilit dolën. As vetë nuk e dinin që kishin qenë aq shumë bashkëkombës të rreshtuar me ta.

Kur leximi i listës përfundoi, u dhanë komandë të largoheshin nga kazerma dhe kosovarët filluan t’i hidhnin këmbët si mbi prush dushku. Kokulur nuk flisnin, nuk ofshanin, por lotët u rrëzoheshin si breshër. Ato  binin mbi pluhurin e rrugës sikur të qenë rrebesh shiu.

Ishte kortezh, edhe pse nuk dukej asnjë arkivol!

“Tërë jetën, do të shkruante në kujtimet e tij partizani Musa Hysi, nuk do të më hiqej nga mendja kjo pamje”. I dukej sikur ata, tek iknin, po u thoshin “Na tradhtuat or vllaznit e Shqipnisë së moçme, na dorëzuat tek shkjau për të na zhdukur. Më mirë të na kishit vrarë vetë, se gjaku i vëllait falet. Kini me dëgjue tash e tutje për ne, por nuk e dimë në do t’u vijë ndopak keq”.

Me ngashërim në gjoks të gjithë oficerët shqiptarë vrapuan dhe u dolën bashkëkombësve tek porta e kazermës, u shtrëngonin duart, ua merrnin ato dhe i vinin në zemrat e tyre që vëllezërit nga gjaku t’ua ndjenin si u rrihte me vrull. Pastaj edhe ata filluan të përloteshin, t’i lëshonin lotët çurg.

“Edhe sot, shkruan Musa Hysi, i cili këtë gusht mbush dhjetë vite që nuk jeton më, “më duket se më djegin faqet”.

I përcollën me sy bashkëkombësit deri sa porta e madhe e hekurt e kazermës, e cila menjëherë pas kësaj u mbyll, tamam si të mbyllej kapaku i një arkivoli.

Partinë e dua, por më shumë dua Kosovën

13689725_1183270761725696_703774676_n

Në janar shkurt 1948 u mblodh aktivi i partisë për Korçën. Musa Hysi punonte si oficer në këtë qytet. Gjatë aktivit i bëri një pyetje të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë. Njiheshin, por në kujtimet e veta nuk e bën të ditur me emër dhe mbiemër. Ndoshta në 1984, kur Musai bëri dorëshkrimin, personi qe në funksione shumë të larta.

Pyetja ishte për çështjen nacionale, çfarë donte të thoshte për fatin e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, po ashtu edhe të Çamërisë në Greqi.

Përgjigjen i deleguari e dha pas pushimit. U shpreh me këto fjalë: “Me Jugosllavinë çështjet nacionale i kemi zgjidhur drejt. Kosova bashkë me popujt e Jugosllavisë ndërton jetën e re, sipas dëshirës së vet. Ndërsa me Greqinë nuk bëhet fjalë fare. Ajo pretendon se është në gjendje lufte me ne. Ajo kërkon të mbajë jo vetëm Çamërinë, por gjithë Shqipërinë e jugut”.

Pastaj iu drejtua pyetësit: “Musa, ti e di mirë se bashkë kemi qëndruar një vit nëpër shtëpitë e Jugosllavisë”. Pastaj menjëherë e pyeti: “I qartë?”

“I qartë”, iu përgjigj Musa Hysi, por ndërkohë shtoi “Puljen dhe Istrian e kërkojnë jugosllavët, kurse ne nuk na japin Kosovën”.

“Mirë, mirë!, foli i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë, ulu dëgjo dhe vëru veshin mirë! Pulia dhe Istria nuk janë si Kosova, e cila qoftë me ne qoftë me jugosllavët ndërton socializmin, jetën e vet. Jugosllavia po na ndihmon dhe ne. Ato, Pulia dhe Istria, janë me regjimet kapitaliste. Prandaj edhe ne e Bashkimi Sovjetik i mbështetim kërkesat e drejta të tyre”.

“E qartë”, u dëgjuan zëra nga salla.

Pas kësaj Musa Hysi në kujtimet e jetës së tij ende të pabotuara shkruan: “Unë u pajtova në heshtje dhe para syve më delte pamja e shkëputjes së kosovarëve dhe breshëritë e lotëve të tyre”.

U pajtua në shkurt 1948, por jo në 1984, kur shkroi këto fjalë e ndërkohë ishte në pushtet po ajo parti dhe po ai udhëheqës, të cilët vazhdonin të heshtnin për flirtin e gjatë që për Kosovën kishin bërë me Jugosllavinë. Dëshmi të tilla dolën vetëm pas vitit nëntëdhjetë.

Ky guxim tek partizani Musa Hysi ndodhi jo se nuk e donte partinë e vet, në radhët e të cilës pati hyrë me bindje të plotë në mars 1945, pikërisht kur ndodhej në trojet e bashkëkombësve, por sepse donte më shumë Kosovën. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here