Mbas vdekjes së Skënderbeut, i biri i tij, Gjoni, u çua e ndau në një anë gratë, fëmijtë e burrat e vjetër që nuk ishin të zott për armë; bashkoi, çka gjet, lundër e barkë tregëtie ndër limane shqiptare të Vlorës, të Portës (Portice), të Myzeqesë, të Durrësit, të Buenës, të Ulqinit e të Tivarit. Ndërsa ishin duke udhëtuar për t’u kapë në liman të Tivarit, ku ishin të mbledhura tok, të tëra anijet, bashkë me katër galé venedike, iu desh Gjonit, me shokë të vet, të hyjë në një luftë. Shkaku i këtyre të zezave qe, pse u nda Ana e Malit, që është një pjesë e Shqipërisë, prej Shkodrës, duke qenë se të dyja këto krahina janë të shkëputura prej një lumi të madh, që quhet Buena, lum plot peshq e ngjala, me të cilat vendi bën tregëti.

Duke parë se hovi i ushtrisë turke, së cilës i kishte prirë veziri, Isuf Pasha, ishte gati kah shtronte mbarë Shqipërinë e kah shkelte, prandaj, edhe atë krah andej lumit (Buenë), Anamalasit, duke drashtë më fort për shtëpia të veta, që ishin aty ngjet, u mblodhën në kuvend, e, duke u ndarë prej shkodranëve, i dërguan letër Isuf Pashës, duke i thënë se ata donin të zmbrapseshin e t’i binin në dorë (t’i dorëzoheshin), po qe se ai nuk i bënte ndonjë gjë të keqe Anës së Malit. Ua dëgjoi fjalën Pasha dhe këta u kthyen ndër vende të veta.

Mbet, atëherë, ana tjetër, dua të them krahina e Shkodrës, e cila, për të gjallë, nuk i lëshoi armët; por, sa të mos i binte në dorë Isuf Pashës e të rrinin ràje e tij, ndau të nisej; edhe me armë në dorë e çoi në vend fjalën e vet. Gratë e fëmijët i nisën e i bënë bashkë me çetën tjetër, që ishte me Gjonin e me do princa shqiptarë.

Kreshnikët e Shqipërisë, që ishin në krye të ushtërisë, quheshin: Kolë Mark Shini, Elí Malizìu e Marku i Matës. Ky i fundit zotëronte mbi pesëdhjetë katunde të Matës; ata dy tjerët ishin shtëpia të para në Shkodër. Në ushtri ishin edhe shumë gra, veshur si ushtarë, e që shoqëronin, me armë në dorë, burrat e tyre, e, pastaj, bashkë me ushtarë tjerë, hynë ndër barka.

Tivari, qytet bregdetar i Shqipërisë, ka afër një mal të lartë e të gjatë rranzë të këtij mali, në anë prej detit, gjindet kështjella e Tivarit. Deri këtu kishte mbërrijtë ushtria turke, nën komandë të Isuf Pashës, duke marrë mbrapa shqiptarët (duke i ndjekur shqiptarët); këtu kishte rrethuar Gjonin me shokë të vet; ua kishte pré rrugën e s’linte të afrohej gjinden, që u kishte ardhur në ndihmë. Ndërkaq u erdh lajmi shqiptarëve, se barkat për ta ishin kaparue e mbledhur në liman të Pastroviqit, në tokë të Dalmacisë, që ishte nën sundim të venedikasve, e se aty prisnin gati për t’u nisë. Si i ranë në erë shqiptarët kësaj fjale, dualën prej kështjellës me armë në dorë, mësynë ushtrinë, i dhanë zjarr kështjellës, kaluan për mjedis të turqëve, duke bërë kërdinë mbi ta, e u nisën të shkojnë kahë Pastroviqi. Ndërmjet Tivarit e këtij limani, në një vend ku flitet serbokroatisht, kalon një lum, që dikohet prej maleve të Perasit të Malit të Zi, mbushë /gati për herë/ me borë. Kjo ikje ka ndodhur në fillimet e pranverës. Duke mos pasë pra, për doresh as lundër, as farë mjeti me se ta kalojnë lumin, që aso kohe ishte breg më breg, e, në anë tjetër, duke dashur të bëjnë një të sjellur tepër të gjatë, d.m.th. të shkapërcejnë malet e Kotorrit, të bijnë nëpër Kroaci e Slavoni, duke e vënë vehten në rrezik të ndeshin kund edhe në armik, e pleqëruan dhe e caktuan [që ta kalojnë lumin, njashtu, zhyt e mbyt]. I ranë, pra, më not ujit, si të dëshpëruar; por humbën njerëz shumë shqiptarë. Çka mundi të shpëtojë, vajti në Pastroviq, ku u bashkua me ushtarë, që kishin ardhë përpara; u venduan me ta ndër barka dhe u nisën. Gratë, pleqtë e fëmijët e kaluan më të parët detin; fìll pas tyre doli edhe Gjoni me ushtarë e kështu u kapën te brigjet e Sicilisë. Kur bënë t’i njehin barkët e njerëzit e nisur, e panë, atëherë, se gjind shumë u kishin mbetur rrugës, diku prej sëmundjes, dike prej urije, sepse ishin nisur për ngut; vërtetuan edhe se shumë anije nuk ishin me të tjera: stuhia e detit i kishte pasë shpërndarë e kurrë më nuk u muar gjë vesh për to. Qanë sa qanë rreziqet (gjendjen), që i kishin gjetur e, pastaj, mbasi u këshillua Gjoni me krerë, mori rrugën për në Palermo, ku, aso kohe, gjindej mbret Ferdinandi. Para tij shqiptarët bënë vaj e i dëftuan se sa ngusht kishin ra, duke iu lutur t’ua ngjiste dorën e t’u ipte leje të zbarkonin të gjithë njerëzit. Por mbreti, mbasi i njohu se kush ishin, nuk deshi kurresi t’i lërë që të dilnin në mbretëri të tija, duke drashtë mos t’i vinte ndonjë ngatrresë prej turqëve; megjithatë, u ndihmoi me bukë. U dha urdhër, pra, të largoheshin prej andej, përndryshe, u tha se do t’i mbyste në fund të detit barkat e tyre. E shpalli këtë urdhër nëpër mbretëri të vet edhe çoi gjinden, andej e këndej, për të pritur mos të guxonte kush të zbarkonte (të zhgarkonte) kund ndër limane të tija.

Me zemër të plasur, atëherë, u drejtuan kahë deti i Napolit; e, mbasi e pleqëruan punën me shoqi shoqin, burrërisht, si shqiptarë, e vendosën të zhgarkojnë, me ditë ç’me ditë, në liman të Salernit; prej andej të shkonin në Napoli e, pastaj, (së fundi) në Romë.

Mbasi lanë përmbrapa gratë e gjinden e papunë, të tjerët u vunë në rresht, si ushtarë, me flamur të Jeruzalemit e me ngjyrë të paqës, për të mos ngritë kend peshë, edhe u nisën. Zëvendësi i mbretit u bëri ballë e s’deshi një herë t’i lërë të hyjnë në qytet; por këta i thanë që mos të gabonte t’u bënte gjë, se kishin urdhrin e mbretit, Ferdinandit, që u jepte leje të zënë vend aty për ndonjë ditë. Përfaqësuesi ua lypi ta shohë dorën e mbretit, por, mbasi këta nuk kishin gjë me vehte, u shtrëngua t’i presë me forcë, aq sa shqiptarëve iu desh, atëherë, të qëndrojnë e t’i çelin shteg vehtes. Kështu, pra, në vend që të zhgarkojnë në Salerno, hynë brendë në Napoli, ku populli napoletan i priti bujarisht, duke i përshëndetur si miq e mbrojtës të fesë; u shënoi Kastelnovon, ku mund të zinin vend sa për një herë.

Gjoni, mbasi la aty me ta Kolë Mark Shinin në këmbë të vet, me porosi që ta njihnin të tërë si të ishte ai vetë, mori me vehte disa krerë e pak ushtarë e u nis të shkojë te Papa i shenjtë, mbërriti në Fondi, pushoi një ditë e, të nesërmen, mori rrugën për Romë. I ra Papës ndër këmbë, e, me lot për faqe, i tha se ai ishte një i pafat që, për dymbëdhjetë vjet rresht, kishte bërë luftë për fé e se, para tij, gjyshi e i ati, Skënderbeu me të vëllezër, të helmatisur prej turqve, kishin dhënë jetën e gjënë e vet për t’i dalë zot kishës, e se, tash, ai kishte rënë fort poshtë e ishte i salvuar prej armiqësh të krishterimit, dëmtuar me robë (njerëz të vet), për detë, i mërguar e i panjohur në dhé të huaj, pa iu dhimtë njeriu të gjallë; madje as mbreti, Ferdinandi, nuk kishte dashë ta lerë që të zinte vend në tokë të vet; kështu ishte duke rënë ndër këmbë të mëkëmbësit të Krishtit për t’i lypë ndihmë.

Shenjti atë papë i tha që të kthente tek të vet, në Napoli, t’i mirrte me të mirë e t’i sundonte me dashuri; sa për tjetër, t’ia linte atij, se ai do t’i ndreqte të gjitha punët. Edhe njëmend, papa i çon letër Ferdinandit e mbretit të Francës që ta emëronin Gjonin si mbret të shqiptarëve edhe t’u jepnin ndihmë njerëzve të tij. Gjoni, me një shpresë të madhe në zemër të vet, u kthye e zuri vend në Kastelnovo, ku ndërtoi katër pyrgje, duke vënë në secilin shytin (stemën, emblemën) e shtëpisë së vet, sa për shenj, për t’u dijtë, kurdoherë, se ai e kishte ndërtuar atë godinë prej guri, mbasi Kastelnovi kishte qenë ndërtesë e vjetër dhe e ultë. Ndërtoi edhe një kishë të vogël, por fort të hijshme, për kujtim të emrit të vet, ku deshi ta varrosnin, e shihet edhe sot e kësaj dite monumenti i tij mermeri për bukuri, rrethuar me shtylla guri të ardhur, e me pesë kandila, që rrijnë ndezë pa pushim. Në mur është fytyra e tij, pikturë greke, mbuluar me një pëlhurë, punë dore fort e çmueshme. Çelësin e kësaj kishe e mban kapelani grek i Napolit, i cili e ka në kujdes rojen e këtij vendi. Për dhetë vjet ndenj Gjoni në Kastelnovo, pa pasë farë shqetësimi; por, për rrezik, lindën disa ngatërresa e hidhërime ndërmjet mbretërve dhe të vetëve. Shqiptarët, pa ndërruar kurrgjë, u mbajtën gjithmonë një; veç qenë shpërndarë, me familje të veta, nëpër mbretëri të Napolit e nëpër Sicilie. Mbas kësaj pune, mbreti i Spanjës i çoi ndihmë Ferdinandit, e, të dy së bashku, u vunë ta ndjekin për ta qitë jashtë prej mbretërisë së vet Gjonin me gjithë shqiptarë. Por, çka, se shqiptarët e qitun cekën të qëndrojnë me forcë e mos të luajnë gjurmën; u shtrënguan në Avelino, u dërguan shokëve për rreth, edhe e bën do luftë në Avelino e në Arianë. U zmbrapsën, pastaj, në Trebisaçje, për të bashkuar gjinden, që ishte e shpërndarë nëpër Kalabri, edhe sa për një herë, zunë vend aty për do ditë. Porse, në anë prej Koriljanit, iu vu në shpinë Ferdinandi e ua behi pa pritë pa kujtuar. Gjoni, si u gjet në mjedis të dy zjarreve, dha shenjin për paqë, duke lypur, veç, që ta çonin punën te papa për ta pleqëruar ai bashkë me mbretër të tjerë të krishterë, e duke u dhënë fjalën se do t’i rrinte (do t’i përmbahej) vendimit të tyre. Edhe e lanë luftën. Pleqësia e papës ia qiti Ferdinandit e mbretit të Spanjës t’u paguante shqiptarëve shpenzimet e t’u lëshonte vende për banim, njashtu si të binin në gòdi ata vetë me shoqishoqin; Gjonit t’i lëshonin Shën Pjetrin në Galatinë me do vende të tjera; posë kësaj, t’u jepnin shqiptarëve barate e çlirime të dhetash e pagesash për doganë të hekurit; t’u ndihmonin me të holla, veçse shqiptarët do t’u shpërndanin andej e këndej nëpër mbretëri të Napolit e të Sicilies (sikurse janë sot për sot); të bëheshin njësoj si vendasit e tjerë, as mos guxonin të themelojnë kund qytet, pa leje e pëlqim të Spanjës. . .”.

*Titulli origjinal: Ardhja jonë e shkretë në Itali (Emigrimi i shqiptarëve në Itali)

*Shkeputur nga libri “Jeronim De Rada, Vepra historike dhe filologjike” Përkthyer prej italishtes, pajisur me një studim hyrës dhe me shënime e komente plotësuese nga Prof. dr. Jup Kastrat, pjesë e kolanës së botimeve “Thesaurus” botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here