Dy luanët e Dibrës; Sal Demir Alia – Sal Markja
Lufta e Salё Markja kundёr Hysni Pashёs,
(Qershor 1855)
Kishin kaluar njëmbëdhjet vjet nga lufta me Hajredin Pashën dhe gjendja në Dibër vazhdonte te ishte e rëndë. Vendi ishte shkatërruar, forca të afta për luftë mungonin, taksa e xhelepit rëndonte gjithnjë e më fortë në kurriz të popullit të lodhur e të tejskamur. Për të dalë nga kjo gjendje e rëndë, dibranët u ngritën në luftë çlirimtare jo vetëm për të frenuar rritjen e mëtejshme të shfrytëzimit feudal mesjetar osman, por dhe për të mbrojtur disa të drejta të vetëqeverisjes tradicionale autonome.
Nga ana tjetër, gjendja ekonomike dhe politike e Perandorisë Osmane ishte tronditur dhe nga dita në ditë ecte drejt përkeqësimit. Luftërat e më se katër shekujve e kishin dobësuar financën dhe ekonominë e perandorisë së madhe. Për të dalë nga kjo gjendje Porta e Lartë vendosi taksa shumë më të rënda se më parë. Këto taksa prekën të gjitha shtresat e popullsisë, të cilat reaguan fuqishëm. Qëndresa kundërosmane mori përmasa të mëdha, veçanërisht te fshatarësia malore, që kishte ruajtur një farë vetëqeverisje, duke mos paguar taksën e xhelepit.
Në Dibër Turqia kishte 11 vjet (1844-1855) që nuk merrte taksa, xhelep dhe ushtarë. çështja e zbatimit të reformave të Tanzimatit në Dibër kishte mbetur shumë prapa.
Për të shtypur qëndresën dibrane dhe për të vendosur sistemin e ri ushtarak, Stambolli dërgoi në Dibër Hysni Pashën. Por dhe Hysni Pasha si paraardhësi i tij, Hajredin Pasha, pati të njëjtin fat dhe ca më keq. Salë Markja dhe Salë Demiri i zunë rob dhe bashkë me 4000 ushtarë i dha udhën e Stambollit. Në traditën gojore thuhet se Hysni Pasha ishte i ri, pa eksperiencë, cinik e ambicioz. Ai kishte mbaruar një shkollë ushtarake në Stamboll dhe kishte shërbyer në një repart kavalerie në brigjet e Bosforit. Si njeri që udhëhiqej më tepër nga lavdia se pasojat, ndërhyri pranë Sulltan Abdyl Mexhitit, duke u zotuar se do ta nënshtronte Dibrën. Sulltani e miratoi kërkesën e bimbashit Hysni dhe dha urdhër të përgatiteshin dy fermane. Me njërin e gradonte pasha dhe me tjetrin e emëronte mytesarif në Dibër.Populli këndoi:
Hysni Pasha na rrajn gëzue
Shiçir Dibrën ma dhanë mue,
Ta baj zap sikur ta due.
Hysni Pasha, më të dy fermanët në xhep, u nis për udhë. Pasi la prapa brigjet e Besforit duel në Selanik. Nga Selaniku vjen në Manastir. I fryrë nga fermanët që mbante në xhep, vazhdoi udhën drejt Dibrës. Pasi bëri disa veprime ushtarake në Prizren, kaloi nëpër Lumë dhe ra në Dibër të Poshtme. Atje, ashtu si paraardhësit e tij, bëri përpjekje t’i nënshtronte krerët e maleve pa luftë. Për këtë thirri disa prej tyre dhe “u kërkoi besë që të rrinin urtë, të paktën për një kohë të caktume”. Elez Murrja, Salë Demiri, Nel Hoxha dhe Salë Markja,* që përfaqësonin katër nga “Nandë Malet” e Dibrës, të Luznisë, Çidhnës, Muhurrit dhe të Grykës së Vogël, nuk i pritën mirë kërkesat e Pashës. Përfaqësuesit e maleve i dhanë përgjigje me dy “Jo, jo!” të Elez Murrës prej Selanie. Atëherë pasha iu kërkoi të mos krijonin trazira për një kohë të caktuar e për këtë kërkoi garanci lënien peng të djalit të Salë Markes, Sulës, me qëllim që të përkulte Salë Marken e ky i fundit të thyente krerët e maleve. Nga Dibra e Poshtme vazhdoi rrugën dhe u stacionua në Shehër të Dibrës. Aty, pasi vendosi trupat në fushë të Hudovës, thirri parinë në një mbledhje të këshillin administrativ të qytetit të Dibrës së Madhe, për t’iu komunikuar vendimet. Në këtë mbledhje ishin thirrur e kishin marrë pjesë dhe disa nga krerët e Dibrës së Poshtme, si Elez Murrja, Bar Zeneli i Dohoshishtit, Sheh Ibrahimi i Tominit e Sheh Hyseni i Peshkopisë; nga Bulqiza ishte Dalip Karaj dhe nga Gryka e Vogël ishte Salë Markja. Vendimet apo kërkesat ishin këto:
– të vendoset administratë në Dibër të Poshtme nën pushtetin e një
kajmekami;
– të vendosen mydyrlleqet në krahinat:Rekë,Zhupë,Gollobordë, Grykë e
Vogël, Grykë e Madhe bashkë me Bulqizën, Maqellarën, Luzninë,
Muhurrin, Çidhnën, Reç e Dardhë;
– të vendosen kakakollet në të gjitha myderlleqet;
– të caktoheshin myltezimët dhe taksidarët si dhe ndonjë spahi për meratë
dhe pronat e shtetit;
– taksat të paguheshin për tre vjetët e kaluar;
- të mblidhnin nizamë, të paktën 3-4 mijë vetë, të cilët do të dërgoheshin në
Stamboll;
-të formohet një tabor me nja 200-300 vetë nën komandën e mytesarifllëkut; - t’i mblidhen popullit të gjitha llojet e armëve dhe të grumbullohen në
gazermë.
Edhe paria e Dibrës e kundërshtoi prerë Hysni Pashën nëpërmjet Taf Perës. Pasha e kërcënoi Perën se do ta hidhte nga dritarja, por ky ia ktheu qetë: “Biemë të dy bashkë!”. Kjo e zemëroi Pashën, i cili i arrestoi disa nga krerët dhe i nisi për në Prizren si:Tafë Perën,Myfti Abdurraman Efendinë, Sheh Nimetullain, Ibrahim Tërshanën, Halil Camin,Llan Pustinës etj. Populli, i indinjuar nga ky veprim, nisi të tubohej. Stambolli për ti qetësuar u dha leje të internuarve të shkonin në Mekë për haxhillëk e, kur u kthyen në Dibër me që s
kishin asnjë shenjë fetare, populli u këndoi:
Se ç`na erdhi një devër tjetër
Zunë haxhitë me ardhë pa mjekër.
Ndërkohë që këta krerë mbaheshin në burgun e Prizrenit,tregtarët dhe zanatçinjtë e qytetit të Dibrës mbanin mbyllur dyqanet.Ky qëndrim i qytetarëve të Dibrës së Madhe e detyroi Hysni Pashën të kthehet përsëri te bisedimet.
“… Hisni Pasha thotë ni fjalë
Iljas agë të na xhojsh ni gjalë
Që t’na qesi ni tellall
tellallxhiu po bërtet
Eni, mor Shehër, se pasha u thërret
Se ka ni fjalë në hiqmet”
Nga ana tjetër Hysni Pasha çoi e thirri përsëri përfaqësuesit e maleve. Këtë radhë, bashkë me Salë Marken shkuan dhe Has beg Karasani e Salë Demiri.
Mbledhja u zhvillua pranë tybes së Këlleç-Babas.Këtu Hysni Pasha lexoi dhe një herë tetë kërkesat e parashtruara në mbledhjen e këshillit administrative dhe iu kërkoi krerëve te maleve të mos bëheshin pengesë në realizimin e tyre.
“Malet nuk na ndigjojnë, Pashë hazertli,” – i përgjigjet Salë Markja.
“Gjarpër, – i gërthet Hysni Pasha, – ke 20 vjet që i ngatërron gjithë punët në Dibër.”
“Jo, Pashë hazertli, jo, unë nuk kam fuqi t’i ngatërroj punët në të gjithë Dibrën. Por Dibra asht e vorfën. Luftnat e kanë vorfnue ene ma shumë. Gjemtë e ri janë vra. Kanë metë vetëm pleqtë që nuk i duhen kërkuj. Ku të marrin dibranët për të pague taksa. Ku të gjejmë gjelmosha për t’i dhanë nizam?”
“Salë aga, Salë aga! Në qoftë se kam për të vrarë njeri në Dibër, ti do jesh i pari.”
Salë Markja që shquhej për qetësi dhe maturi të lakmueshme, shpërthen ashpër: “Taksat merri atje ku je msue me i morë. Ki asht llafi i parë. Tahej po të thom të ditin: halia e Shehrit edhe malet të kanë rrethue në të katër anët. Po e zgjate i ke ne shpajnë”.
Mbledhja u prish. Nuk dihet se në ç’rrethana Salë Markja, Salë Demiri e Has beg Karasani mundën të largoheshin nga qyteti i Dibrës së Madhe pa u arrestuar prej Hysni Pashës. Po atë ditë ata kalojnë Drinin e Zi dhe ngjiten në katundet e epërme të Grykës së Vogël. Në darkë Salë Demiri e Has beg Karasani ishin mysafirë në kullën e Salë Markes në Zogje. Rreth 17 majit 1855 Salë Markja thirri në një kuvend te Gurra e Mazhicës krerët e “Nandë Maleve” të Dibrës dhe parinë e qytetit të Dibrës së Madhe. Tregimtarët gojorë, pothuajse të gjithë pohojnë se në Kuvendin e Mazhicës kanë qenë mbi 300 vetë. Ali Leka nga Zogjet kishte dëgjuar nga pleqtë, pjesëmarrës në kuvend, se: “Salë Markja kishte pre dy qe ke Gjurra e Mazhajcës për krerët e maleve, çekçët e tyne dhe parinë e Dibrës së Madhe”. Salë Demiri i drejtohet Salë Markes:
“Ç’ke ba kështu, or Salë?”
“Dasëm,dasëm, – i përgjigjet Salë Markja, – do ta najsim këtu në Gjurrë të Mazhajcës e do ta mshelim në Fushë të Shehrit.”
Ishte hera e parë që krerët e maleve të Dibrës tuboheshin në një kuvend me parinë e qytetit të Dibrës së Madhe e kjo ishte meritë e Salë Markes.
Në mëngjesin e 17 majit krerët e Maleve të Dibrës dhe paria ishin nisur për udhë në drejtim të Mazhicës. Nga qyteti i Dibrës së Madhe kishte ardhur: Cen Daci, Maliq Zajmi, Hasan Ballanca (i vjerti), Osamn Shemsi bagu etj. Nga Bulqiza kishte ardhur Dalip Karaj me çekiçët e tij; nga Gryka e Madhe Jashar Zeneli e Ismahil Baloshi; nga Gryka e Vogël ishin Salë Markja e Rrahman Dema; nga fusha e Shehrit Isuf beg Allajbegia; Elez Murrja, Sali Nikolli, Hysen Manuka nga Luznia; Salë Demiri, Ali Lusha (i vjerti), Demir Noka (i vjetri), Hasan Bulku-Sulhasani nga Qidhna; Kurt Hoxha nga Muhurri; Mahmut Troci e Jusuf Doda nga Reçi; Osman Musa nga Dardha; një i fisit Duka të Ostrenit të Madh; një i fisit Lela nga Selishta; Mahmut Met’hasani nga Sohodolli, Bajram Bardulla nga Peshkopia, Bajram Zenelhasani nga Dahoshishti, etj.
Salë Markja u parashtroi pjesëmarrësve plan-idenë, që trupat ushtarakë të Hysni Pashës të tërhiqeshin taktikisht nga qyteti në një vend të hapur dhe atje të goditeshin nga katër anët. Këtë e kundërshton Elez Murrja dhe ndonjë tjetër që thoshin që turqit duhen sulmuar dhe shpartalluar brenda qytetit, për t’i përzënë një orë e më parë që aty. Idenë e Elez Murrjës e hedhin poshtë dhe paria e Dibrës së Madhe, që nuk donin që qyteti të bëhej lamë lufte. Meqë shumica anonin nga ana e Salë Markes, që argumentonte që lufta në qytet ishte shumë më e rëndë se lufta në terren të hapur dhe më katastrofale për banorët e pambrojtur, u la që turqit të tërhiqeshin duke bërë një manovër në periferi të qytetit, pastaj të sulmoheshin në terren të hapur. Meqë propozomi i Salë Markes u pranua, ai mbeti dhe organizatori dhe udhëheqësi i kësaj lufte.Por puna nuk kishte mbaruar me kaq. Hollësi të tjera si thirrja e forcave kryengritëse vullnetare popullore dibrane të “inkuadruar” tradicionalisht në “Armatën” e Nandë Maleve të Dibrës, forma e manovrës për të tërhequr trupat turke nga qyteti, vendi i zhvillimit të luftimit, rrugët e afrimit, organizimi i luftimit, koha e sulmit, u diskutuan po atë ditë, por në një rreth më të ngushtë, disa metra larg Gurrës së Mazhicës, nën hije e një lisi të madh. Këtu ishte hedhur dhe ideja që t’u bëhej thirrje zanatçinjve dhe tregtarëve të qytetit të Dibrës që të hapnin dyqanet dhe së dyti, të dërgohej një përfaqësi nga malet e Dibrës për t’i “uruar mirëseardhjen dhe emërimin” mytesarif i Dibrës Hysni Pashës. Kuvendi caktoi Salë Demirin, Salë Marken dhe Rrahman Demën. Në pasditen e 17 majit 1855 pjesëmarrësit u larguan nga Gurra e Mazhicës. Salë Demiri e Mane Dema shkuan në Zogje në kullën e Salë Markes. Të nesërmen, 18 maj 1855, Salë Markja, Salë Demiri, Rrahman Dema u nisën për udhë. Nga Zogjet ranë në Kovashicë, në Mej të Kalasë në Homesh, Gjoricë, kaluan në vaun e Kojnarës dhe u futën në qytet. Paraditen e kaluan në konakun e Sheh Hysen Kuçit. Pasdite bënë një mbledhje me tregtarët dhe zanatçinjtë e qytetit dhe një pjesë të parisë që kishte marrë pjesë në Kuvendin e Gurrës së Mazhicës, ku u morën vesh për hapjen e dyqaneve dhe lëvizjen e lirë të popullatës. Po këtë ditë u porosit Iljas agë Qoku, t’i komunikonte Hysni Pashës ardhjen e një përfaqësie të maleve, në përbërjen e së cilës ishin Salë Demiri, Mane Dema dhe Salë Markja dhe se ky i fundit kishte bërë shumë punë që të hapej pazari.
“Salë Marken e ke me vete, – i kishte thënë Iljas aga Hysni Pashës. Porsa erdhi dha urdhër të hapet pazari dhe tani udhët janë plot me njerëz.”
“Jok, jok, jokërrr (Jo, jo, jooo). Jo,jo, – përsëriste me mosbesim mytesarifi i ri i Dibrës, Hysni Pasha.”
“Dilni e shihni me sytë tuaj, Pasha”, – i thotë Ilias aga.
“Allh, Allah, saber salamet, Allah! (O Zot, o Zot, duro të fitosh, o Zot)” – ra në shahdet Pashaj.
Duke marrë zemër nga këto zhvillime të papritshme, Hysni Pasha doli sokakut të qytetit i hipur në një kalë, duke demonstruar më tepë forcë se urtësi. Duke ecur në mes të dy rreshtave, që kishin formuar qytetarët në sokakun kryesor, Hysni Pasha me kërbaç në dorë i kërcënonte dibranët të rrinë urtë se në të kundërtën kërbaçi i priste. Duke vazhduar rrugën Hysni Pasha u gjend para Salë Markes, Salë Demirit dhe Mane Demës, të cilëve dhe atyre iu kërcënua duke luajtur kërbaçin.
“Hë, pis turk!” – shpërthen Mane Dema dhe me një shpejtësi rrufeje nxjerr koburen e qëllon në Hysni Pashën, por në çast Salë Markja ia kishte ngritur bërrylin lart, duke iu dhënë plumbave drejtim tjetër. Ky atentat i ngelur në tentativë, i paketoi në burg Salë Marken, Salë Demirin dhe Rrahman Demën. Por dhe në burg mendja dhe sytë e Salë Markes nuk flinin. Ai, me anë të njerëzve që kishte jashtë, organizoi protesta, që u manifestuan menjëherë te qytetarët dhe malësorët që kishin rënë atë ditë në Shehër për të bërë pazar. I gjendur përpara kësaj gjendje aspak të lakmueshme, Hysni Pasha u detyrua t’i shtrinte dorën Salë Markës.
“Ty, Salë Markja dhe Salë Demirin do t’iu lë të lirë. Djalin tënd do ta mbaj dhe pak kohë. Mane Demën do ta vari në mes të qytetit me muzikë.”
“Pashë, hazretli, Mane Dema ka ardhë t’iu urojë emërimin si mytesarif i Dibrës. Ka ardhur me mue dhe Salë Demirin. Rrahman Dema ka besë dhe burrëni.”
“Jok, jok, ai ka dash të më vras.”
“Jo Pasha, jo, malësorët në këso rastesh qesin pushkë nga gëzimi. Kët bani dhe Rrahman Dema. Aj bashkë me mue përfaqëson Malin e Grykës së Vogël në të xhitha ngjarjet e Dibrës. Mali i Grykës së Vogël asht në gjendje të qesë mrena nji sahati deri në 3000 pushkë. Varja e Mane Demës hap telashe që vështirë që mshilen kollaj.”
“Allh, Allah, çmilet i çuditshëm ky mileti juaj, – dha shenja thyerje Pasha. Jetën do t’ia fali katilit, burgun jo.”
“Paç ymër! – e uroi Salë Markja Hysni Pashën. Në ndarje nga Mane Dema, Salë Markja i kishte thënë se “Shumë shpajt do të të lirojmë ene taj”.
“Majr, majr – ishte përgjigjur Mane Dema, – le të bahet si të bahet, unë atë mendje që kam pas dje, e kam sot, do ta kem ene nesër”.
Sidoqoftë, Salë Markja e kishte hedhur hapin e parë. Hysni Pasha ishte bindur se Malet e Dibrës nuk do të ngrini krye. Nga ky çast kishte nisur të zbatohej plan-ideja e tij e propozuar në Kuvendin e Mazhicës.
Gjatë 6,7,8 qershorit 1855, Salë Markja kishte arritur të organizonte rreth 2000 kryengritës nga të gjithë malet e Dibrës, të cilët qëndronin në gatishmëri në Allabegi, Bllatë, Kërçisht, Kodra e Pijanecit dhe Reshan për të hyrë në luftë nga çasti në çast. Salë Markja, që shquhej për mençuri, e kaloi në plan të dytë forcën, duke i lënë udhë mendjes. Ai arriti t’i organizonte kurth Hysni Pashës, që në historinë tradicionale të Dibrës njihej me emrin “Loxha” (loja) e Salë Markës. Ai kishte arritur deri atje saqë dhe një trupë “ushtarësh” rreth 300 vetë, nga më të zgjedhurit e Grykës së Vogël, që i mbante pranë vetes, t’i legalizonte nga vetë Hysni Pasha.
Në mbledhjen Këllëç-Babasë, kjo trupë apo “taborri” i Salë Markës, siç u quajt në atë kohë, kishe marrë visto të vepronte në të gjithë mytesarifllekun e Dibrës, për të mbajtur rend e qetësi e që në të vërtetë kishte një farë vartësie të dyfishtë, veç Salës dhe nga mytesarifi Hysni Pasha. Hysni Pasha u bind plotësisht në devotshmërinë dhe “sinqeritetin” e Salë Markës, rreth 7 a 8 qershorit 1855, merr ftesë prej tij për një drekë në natyrë, ku do të diskutonin bashkërisht rreth caktimit të mydyrlleqëve dhe të shkollave, në qendër të sanxhakut dhe në kazatë e Dibrës.
“Jok, jok, këtë drekë mund ta hamë dhe në zyrat e hyqymetit,” – kishte kundërshtuar në fillim Hysni Pasha.
“Si të doni, si të doni, pashë, hazertil, po përjashta ju ndigjoj më shumë vesh se mrenda. Para nji shumice njerëzish do të deftojmë jo vetëm mbështetjen e dibranëve për pashën tonë, por dhe dashnin për Sulltanin. Asnji nga pashallarët që kanë ardhur në Dibër nuk kanë mundur t’i mbledhin krenët e maleve në një sofër me qeveritarët, e këtë gjë po e ban pasha ynë hazerlit.”
“Jok, jok, mos na qitni nga hyqymeti,”- kundërshtonte pasha.
“Xhims sahati me kuaj asht prej këtu vendi ku do të shtrohen sofrat, madje përgatitjet kan fillu tue menue se pasha ynë do të na e çonte kët rixha.”
Hysni Pasha i nguli sytë si gozhdë në fytyrën e Salë Markës sikur deshi të lexonte se ç’fshihej në trurin e atij njeriu, që çdo ditë e më shumë bahej i pabesueshëm.
“Kam çue njerëz të armatosun për sigurimin e vendit nga ndonji paudhësi, – e vazhdoi bisedën Sala.”
“Allah, allah, – belbëzoi pasha, – më kishin thënë se te Salë aga do të gjeja njeriun e paparashikueshëm. Tani e shoh se nuk më paskan gënjyer.
Salë Markja qeshi nën mustaqe, kruajti kryet dhe shtoi:
“Një herë ta kam dhan’ besën. Krerët e maleve, paria e Shehrit të Dibrës kanë qejf të hanë nji drekë me pashën tonë, tu shtoftë ymëri! Tashtëj (tani) izëm Pashë!”
Salë Markja u ngrit dhe u nis për te “Guri i Shpu” në Bllatë të Epërme, aty ku dibranët tradicionalisht ishin tubuar në kuvende.
Nga ana e tij, Hysni Pasha ngeli në mëdyshje: të shkonte, druhej se mos këta qafira i përgatisnin ndonjë të pabërë. Të mos shkonte, përsëri keq. Ai i kishte thirrur dibranët në tre kuvende dhe ata kishin shkuar. Tani që dibranët e grishin për një drekë, ai tkurrej si një copë plënc i hedhur në prush. “Le të bëhet si të ketë thënë Allahu!”, – i kishte dhënë fuqi vetes. Duke menduar se qafir arnautët edhe të vdekur të hapin telashe, u jep urdhër zabitlerëve të shkonin të hetonin në vend se si qëndronte e vërteta. Ata shkuan dhe mbetën tejet të habitur. Salë Markja i kishte marrë të gjitha masat. Mjedisi jo vetëm nuk ngjallte asnjë fije dyshimi, por, përkundrazi, joshte çdo njeri për të marrë pjesë. Plani i Salë Markes përmbante detaje shumë të hollësishme. Në funksion të asaj dreke të madhe nuk kishte lënë pas dore zgjedhjen dhe caktimin e hyzmetçinjve nga djemtë më të mirë. Pranë Hysni Pashës ishte lënë të shërbente Azis Dema, djali i Rrahmadan Demës, që ky i fundit mbahej në burg. Hyzmetçinjve të tjerë të dorës së dytë u ishte venë detyra të detajuara individuale. Por, domosdo, kujdes më të madh Sala kishte treguar për taborin e tij, që ato ditë i kalonte të 2000 vetët.
Rreth 300-400 prej tyre, që njiheshin dhe nga zabitlerët e Hysni Pashës, rrinin si statuja bronzi. Pjesa tjetër, jo shumë larg, rrinin të fshehur, shtrirë përtokë e të mbuluar me gjethe e bar të njomë, me tytat e armëve në drejtim të vendit të shtruar për drekën e madhe.
Në livadhet e Bllatës së Epërme, aty ku del një burim i ftohtë, jo shumë larg “Gurit të Shpu”, ziente puna që çdo gjë të shkonte sipas parashikimeve. Në dy kazanë të mëdhenj prej bakri zihej mishi. Më tej, dhjetë djelmosha, dy e nga dy, rrotullonin në hell pesë desh të mëdhenj, brirët e të cilëve dredha-dredha nga një gjysmë metri rrinin varur në degët e një lisi shekullor, poshtë të cilit ishin mbështetur tetë sofra të mëdha, që zinin nga dyzet burra. Pranë një grope në formën e një gjysmë oxhaku, një burrë i shëndetshëm më një dollap të madh piqte kafe. Më tej një kazan i madh me hallvë përhapte erën në gjithë luginën e Bllatës së Epërme. Tepsi të mëdha, tasa çorbe, gjyma uji, ibrik kafeje ishin vendosur në vende të dukshme që të tërhiqnin vëmendjen. Mbi barin e njomë ishin shtruar qilima, sixhade, shilte e jastëk të mbushur me lesh qengjash. Disa metra më tej ishin kulmosur disa armë. Nëpër livadhe kullosnin lirisht bagëtitë. Mbështetur pas një lisi, një bari përhapte me fyell melodinë e këngës kushtuar luftës së dibranëve kundër Hajredin Pashës.
Krerët e Maleve dhe klerikët myslimanë Sheh Ibrahimi i Tominit, Sheh Hyseni i teqesë së Peshkopisë dhe Sheh Emrullahu i teqesë së Shaban Dedesë ishin ulur këmbëkryq mbi barin e njomë në formën e një gjysmërrethi si në një odë të madhe që shtrojnë dibranët për miqtë. Salë Markja me një shkop në dorë rendte sa në një vend në tjetrin, duke i parë gjërat e duke dhënë udhëzimet e çastit që gjithçka të ecte mirë.
“Hëni, djem, gajretni trajma, një drekë asht kjo, mos na turpëroni!” – u fliste e i mbante në tension të rinjtë që ishin caktuar për punë.
“Ulu njëherë e pusho, or Salë aga,” – i tha Sheh Emrullahi i Teqes së Shaban Dedesë.
“Nuk e dij pse sot m’u duka vetja si një djal i ri,” – ju përgjigj Sala.
Ndërkohë, zabitlerët që kishte dërguar Hysni Pasha për të hetuar vendin ku do të hahej dreka, ishin kthyer për t’i raportuar Pashës.
“Hë?” – i pyeti Hysni Pasha.
“Çdo gjë në rregull, – i raportoi një bimbash. – Salë aga ishte pregatitur për të pritur bukëdhënësin tonë, të plotfuqishmin e botës, Sulltan Abdyl Mexhitin.”
“Bëhuni gati për udhë, – u dha urdhër Hysni Pasha zabitlerëve. – Sot do të hamë drekë me miletin e Dibrës.”
Pararoja e Pashës doli nga kazerma dhe mori udhën drejt Bllatës. U nis dhe Pasha më “gardën” e tij.
“Erdhi, erdhi!” – njoftoj një ushtar i Salë Markës që kishte hipur në një lis duke vrojtuar udhën në drejtim të qytetit të Dibrës së Madhe, ishte pararoja kalorësiake e Hysni Pashës që ndiqej nga një varg i gjatë kalorësish me komandantin e tyre në qendër. Sapo pararoja bëri ballë në livadhin e Bllatës, u duk dhe festja e kuqe e Hysni Pashës. Ai zbriti nga kali duke mbajtur dorën e djathtë në dorezën e shpatës, rëndë-rëndë u drejtua te vendi i shtruar me qilima e sixhade.
“Selam alejkum!” – përshëndeti pasha dhe u ul këmbëkryq në shilten që shërbente si kryevend.
“Alejkum selam!”– ia kthyen përshëndetjen krerët e Maleve dhe pari e Shehrit.
Në krah të djathtë të pashës u ul sheh Ibrahimi i Tominit, sheh Hyseni i Peshkopisë dhe sheh Emrullahu i teqesë së Shaban Dedesë. Më poshtë u ulën zabitlerët turq sipas gradave e funksioneve. Në krah të majtë të pashës zuri vend Salë Markja, Elez Murrja dhe të gjithë krerët e tjerë të Maleve.
Salë Markja, pasi u shprehu mirëseardhjen Hysni Pashës dhe turqve të tjerë, u briti hyzmetçinjve:
“Sofrat, djema!”
“Peqe,” – u dëgjua zëri i Hazis Demës. U shtruan sofrat për shtatë palë qejfe.
“Bujrëm, Pashë Hazertli,” – iu drejtua Salë Markja mytesarifit të Dibrës, Hysni Pashës dhe futi lugën në tasin e çorbës.
“Ejvallah”, – ia ktheu Pasha me një farë krekosje dhe duke bërë lutjen “bismilah”, rrasi dhe ai lugën në tasin e çorbës. Pas çorbës u shtruan tepsitë me mish jani. Lëngu i trashë rrëshqiste në mjekrën e Hysni Pashës si qiri i djegur. Bejtexhiu Halil beg Sturçja (Krifca) që në këto raste nuk mund të heshte, aty për aty i thuri vargjet që thumbonin Pashën:
Xheç belanë pi Allahut,
Se u bane për ibret,
Kaftanin me vjam kau
Ene mjekra me sherbet…
Pastaj në sofra u vunë tepsitë me oriz e në fund, si zakonisht, sahanat xingate me hallvë.
Sheh Emrullahu i bani dua bukës:
“Zot e shtoftë e kështu u mbledhshim gjithmonë!”, -bekoi e fshiu sytë shehu.
“Amin!” – shqiptuan si në kor të gjithë.
“Kafetë!”- u thirri Sala hyzmetçinjve. Ky ishte dhe sinjali që shënoi fillimin e ngjarjes së madhe që përmendet dhe sot e kësaj dite në odat dibrane si: “Logja” (loja) e Salë Markes.
Tri të shtëna njëra pas tjetrës e ngritën në këmbë Hysni Pashën.
“Muhaser, Pasha!” (Je i rrethuar, Pasha!) – u ndie një zë i fortë. Ishte Salë Markja me kobure në dorë që nga çasti në çast mund t’i lëshonte rahmet për në dynjanë tjetër Hysni Pashës. Pasha nisi të dridhej. Kishte të drejtë. Koburja e Salë Markes në gjoks dhe Hazis Demës, djalit të Rrahman Demës në tëmth ia prenë fuqinë turkut që do të nënshtronte Dibrën. Elez Murrja ia hoqi tapanxhën nga brezi, ndërsa Hazis Dema i hoqi hanxharin. Të njëjtën fat patën dhe zabitllarët dhe ushtarët e Hysni Pashës. Ata hodhën armët për tokë, ngritën duart lart dhe ashtu të hutuar e të trembur rrinin si lepuj, në pritje të urdhrit të Salë Markes. Salë Markja iu afrua Hysni Pashës dhe i thirri fort:
“Thuaj qatipit të shkruaj dy urdhra, njërin për komandantin e garnizonit për sjelljen e 2000 nizamëve të tjerë nga qyteti i Dibrës në Livadhet e Bllacës dhe tjetrin për lirimin e Rrahman Demës dhe të Sulës nga burgu.
Qatipi shkroi dy urdhrat.
“Vëje myhyrin!” – e urdhëroi Sala Hysni Pashën.
Hysni Pasha u kërrus dhe duke shfryrë si një kacek i shpuar, vuri myhyrin.
“Merri, – i zgjati urdhrat Hazis Demës Salë Markja, – dhe mbathja për në Shehër nji dekik e ma parë.”
Pastaj u dha urdhër ushtarëve të tij dalin në kodrën e Pijanecit për të kapur rob ushtarët turq që do të vinin nga qyteti. Nuk vonoi shumë dhe Rrahman Dema me djalin e Salës, Sulën, të hipur në kuaj bashkë me Hazizin arrijnë te Guri i Shpu.
“Piroll të qoftë, or Salë Markja!” – iu drejtua Rrahman Dema Salë Markes.
“Piroll i qoftë Hazizit tand që ia mbajti Pashës mu në tamth të kresë,” – ia ktheu Sala.
Nga ana tjetër “ushtarët” e Salë Markes kapën rob dhe 2000 nizamët e tjerë të Hysni Pashës sapo kaluan kodrën e Pijanecit.
Të 4000 nizamët, me Hysni Pashën e çarmatosur, të futur në mes të dy rreshtave të taborit të Salë Markes, morën udhën e Prizrenit, kokulur, si ato delet e Lumës kur ktheheshin nga Jallia (Shqipëria e Mesme).
Në odat dibrane, në dasma e gëzime, nisi të këndohet kënga:
Hajde, hajde, or Salë aga
Në Stamboll të shkoi fjala,
Në Stamboll e ke Sheh Islami
Hysni Pashës majr ia bani!