Një thënie që ka mbetur në histori. Siç ka mbetur dhe jeta e këtij martiri të gjuhës shqipe që i mbrysur me ndjenjën e atdhedashurisë guxoi të meshonte shqip dhe të mësonte fëmijët me gjuhën e bukur shqipe. Atdhedashuri që i kushtoi dhe jetën për të mbetur përjetësisht në heronjtë e kombit shqiptar.

Papa Kristo Negovani do të lindte në Negovan afër Follorinës, në Greqinë Veriore që në mesin e shekullit 19-të banohej nga shqiptarë të Pilikatit të krahinës së Kolonjës.

Shkollën do ta bënte në Athinë, ku e dërgoi i ati, Harallamb Çali që ishte tregtar.

Vdekja e papritur e të atit që u vra nga banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë studimet dhe të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik. Për të mbajtur familjen u detyrua të emigrojë në Rumani, ku do të punojë si marangoz për 3 vjet.

Në Rumani ku komuniteti shqiptar ishte shumë i fuqishëm dhe kishte shumë patriotë, ai do të mbryset me idetë kombëtare, do të lexojë librat e shkrimtarëve të bekuar shqiptarë të Rilindjes dhe do të bëhet një nga idhtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare.

Ai do të mësojë shqip, ndaj kur kthehet në fshatin e lindjes do të shugurohet si prift dhe do të fillojë punën si mësues i gjuhës shqipe. Shtëpinë e tij Negovani do ta kthejë në shkollë dhe do t’u mësojë shkrim e këndim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve.

Ishte një njeri trim. Guxoi që dhe meshën ta jepte në gjuhën amtare, një veprim që binte ndesh me hierarkinë ortodokse greke.

Ditën do ishte mësuesi i shqipes në shkollë, mbasditeve  meshar i shqipes në kishë, natën do e kalonte duke shkruar shqip mesazhet e Naimit, poetit të tij të preferuar.

Do të shkruajë një sërë veprash të ndritura ku spikasin:

Istori e dhiatësë vietërë, Bukuresht 1899

Vjershë shkresëtoreja, Sofje 1899 

Vjersha Prisheja e Hormovësë , Sofje 1903, një përmbledhje vjershash me 78 faqe

Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë) ; – libri me 122 faqe dhe një tjetër me 16 faqeIstorishkronja e Plikatit, Selanik 1909, botuar pas vdekjes

Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ndonëse nuk dallohen për ndonjë vlerë të veçantë artistike, shkrimet e mëposhtme paraqesin interes gjuhësor e historik:

Vjershëshkresëtoreja(1899 – vargje);

I drunjti Kryq (1906 – vargje vepra në dy pjesë) – Sofje 1906 ;

Prishja e Hormovës (1904- vjershë lirike)

I vogëli Donat Argjendi (1908- novelë për fëmijë) – Sofje 1904 .

Papa Kristo në fillimet e tij do të lexonte shqip vetëm Ungjillin por më pas do të guxojë ta përdorë shqipen e tij të vyer gjatë gjithë meshës. Ai do të shpërndajë idetë e tij atdhetare duke dhënë në Kishë Kungatën e Krishtit dhe në shtëpi Kungatën e Kombit.

“Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët” – e kërcënoi Mitropoliti i Kosturit, Karavangjelisi duke dalë, një ditë të acartë shkurti, i tërbuar, nga Kisha, ku Papa Kristua meshonte shqip. Pas dy ditësh fshati u rrethua nga andartët grekë, që e kapën atdhetarin dhe e copëtuan me sopata.

Ai ishte një nga ata klerikë që do të vriteshin nga dora gjakatare e kishës greke dhe mbi të do binte mallkimi i shkronjave shqipe.

Dhe si gjithmonë këtë veprim të turpshën kisha ua mveshi shqiptarëve. Por patriotët shqiptarë nuk të falin gjakun e një patrioti. Hakun e Papa Kristos dhe vrasjes mizore të vëllait,  do ta merrte patrioti Bajo Topulli,  i cili në shtator 1906 do të vriste Fotin, peshkopin e Korçës.

Amaneti i madh i Negovanit do të ishte:  “Shkronjat e bëjnë Kombin të quhet komb. Po të mos kemi shkronjat shqip, dituria e kombeve të tjera do të na mbysë, nuk do të dëgjohen më fjala shqiptar e shqip!”/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here