Si u luftuan epidemitë e 1912-1939, plani i Mbretit Zog për shëndetësinë
HASAN BELLO/Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, edhe për sistemin shëndetësor shqiptar u krijuan rrethana të reja. Por koha e shkurtër në të cilën veproi qeveria e përkohshme e Vlorës nuk e lejoi atë të merrte masa për organizimin e këtij sistemi. Qeveria e Principatës shqiptare me qendër në Durrës hodhi një hap të rëndësishëm në fushën e organizimit të sistemit shëndetësor. Me një vendim të posaçëm, ajo themeloi Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë Publike, drejtimi i së cilës iu besua përkohësisht ministrit të Arsimit, dr. Mihal Turtullit.
Në organikën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë, inspektor i shëndetësisë shqiptare ishte dr.Ruzhdi Pobrati. Më 14 mars 1919, me ndihmën e G.Crayon në Shqipëri erdhi Kryqi i Kuq Amerikan. Ai hapi për herë të parë në Tiranë një spital me 30 shtretër në shtëpinë private të Hamdi Bimbashit ku filloi të bënte vizita, mjekime dhe ndërhyrje të vogla kirurgjikale. Ato realizoheshin plot humanizëm dhe mjeshtëri nga mjekja kirurge amerikane Bruck dhe dr. Osman Jonuzi, i cili ishte i specializuar për kirurgji dhe gjinekologji në Turqi.
Pas Kongresit të Lushnjës, kur u vendos të hapej Spitali Civil në Tiranë, Kryqi i Kuq Amerikan vendosi që të gjitha mjetet operatore që posedonte në spitalin e tij të vogël prej 30 shtretërish t’ia kalonte këtij spitali dhe atij të Shkodrës. Sapo u mor në dorëzim nga Kryqi i Kuq Amerikan, spitali u shndërrua në institucion shtetëror dhe shpenzimet e tij vjetore në ngarkim të buxhetit të shtetit kapën shifrën e 50.000 frangave ari. Nga 30 shtretër, kapaciteti i tij u shtua në 50 shtretër dhe për çdo vit shtroheshin 500-600 pacientë, nga të cilët 100-120 prej tyre u nënshtroheshin ndërhyrjeve serioze kirurgjikale. Drejtor i Spitalit Civil në Tiranë u caktua dr. Osman Jonuzi, i cili, së bashku me ndihmësin e tij, dr. Ruzhdi Pobrati, fillimisht hapën dy pavijone, atë të Kirurgjisë dhe Gjinekologjisë. Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim dha kryetari i bashkisë, kleriku dhe patrioti Ismail efendi Ndroqi.
Vaksinimi i fëmijëve në qytetin e Durrësit
Ai aprovoi në Këshillin Bashkiak propozimin e prof. dr. Rifat Frashërit dhe dr. Osman Jonuzit për hapjen e spitalit të parë të Tiranës dhe vendosi që ky spital të hapej te Hani i Pashës (Hani i Elbasanit), në krahun e djathtë të kullës së Sahatit. Ky spital qëndroi i hapur deri në vitin 1932, kur u ndërtua spitali tjetër modern “Zogu I”. Ai kishte një kapacitet prej 50 shtretërish dhe ishte i organizuar në disa reparte: Kirurgjia, dr.Osman Jonuzi; Patologjia, dr. Syrja Pojani dhe dr. Ruzhdi Pobrati. Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100- 200 ndërhyrje kirurgjikale. Më vonë, spitalit iu shtuan mjekët e specializuar jashtë vendit si dr. Sabri Tefiku dhe Janko Theodhosi (patolog), dr.Ismail Tartari (radiolog), Kristo Kristidhi (okulist), Besim Zyma (otorino-laringolog), Jorgo Jorgoni (pediatër), Vasil Laboviti (kirurg ndihmës) etj.
Një kujdes i posaçëm në këtë periudhë filloi t’i kushtohej organizimit të institucioneve shëndetësore. Për këtë qëllim u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë (DPSH-ja), e cila varej nga Kryeministria dhe gëzonte të gjitha të drejtat e drejtorive analoge që ishin nomenklaturë e Kryeministrit. Në krye të saj u emërua prof. dr. Rifat Frashëri, një personalitet i njohur dhe i afirmuar në arenën ndërkombëtare.
Krijimi i DPSH-së ishte një hap i rëndësishëm për organizimin e shërbimit shëndetësor. Kjo vihet re nga një sërë masash që kjo drejtori mori që në muajt e parë. Në vitin 1921, për nevojat e shëndetit mendor të popullsisë, shqiptare në qytetin e Vlorës u hap një spital neuropsikiatrik. Një kujdes i veçantë iu kushtua sëmundjeve ngjitëse. Kur konstatohej rënia e epidemive, merreshin masa të menjëhershme. Kështu, mjeku i Zyrës së Shëndetësisë në Bashkinë e Tiranës informonte DPSH-në se te nxënësit e shkollave të kryeqytetit kishte rënë sëmundja epidemike e variçellës. Për këtë arsye, ai urdhëroi ndërprerjen e mësimit për një javë. Një kujdes i veçantë filloi t’u kushtohej edhe udhëtarëve të huaj, që vinin me anijet e ankoruara në brigjet shqiptare. DPSHja urdhëroi kontrollin dhe ndalimin e personave që vinin nga vende ku ishin përhapur sëmundje ngjitëse.
Grup mjekësh të spitalit të Vlorës së bashku me Dr.Sezai Çomon në vitin 1920
Në kuadër të masave profilaktike për ruajtjen e higjienës së zonave të populluara, autoritetet shtetërore ndaluan hedhjen e mbeturinave në pjesët e lumenjve dhe të vijave ujore që kalonin në brendësi të qyteteve. Në vijim të kësaj politike, për hedhjen e mbeturinave u përcaktuan disa vende të posaçme. Ndërsa për bonifikimin e pellgjeve ujore u hapën kanalizime për tharjen e zonave kënetore. Një masë tjetër ishte spërkatja e këtyre vendeve me solucione antimalarike për dezinfektimin e tyre nga mikrobet. Në vitin 1924 u krijua Laboratori Bakteriologjik i Shtetit nga bakteriologu francez, dr. Bernard Daudy, i cili ishte punësuar me kontratë nga qeveria shqiptare.
Hasan Bello, studiues pranë Institutit të Historisë
Ky shërbim në fillim funksionoi në një dhomë të veçantë në Spitalin e Shtetit në Tiranë, por mbas 6 muajsh u zhvendos në një dhomë të posaçme në Durrës. Në vitin 1928, Laboratori Bakteriologjik u zhvendos përsëri në Tiranë, në një ndërtesë enkas për të. Atij iu sigurua bashkëpunimi i një mjeku shqiptar, i cili për dy vite ishte specializuar si bursist në Institutin Pasteur të Parisit. Në këtë vit u themelua gjithashtu edhe Laboratori Bakteriologjik i Veterinarisë, i cili, ndonëse varej nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare, duke qenë në të njëjtën ndërtesë, vazhdoi të bashkëpunonte ngushtë me Laboratorin Bakteriologjik. Në vitin 1926 filloi nga puna shërbimi Antirabik (kundër tërbimit), i cili më 27 shkurt të këtij viti aplikoi vaksinën e parë. Për të përfituar eksperiencë në këtë drejtim, DPSH-ja ftoi në Shqipëri prof. Puntonin, me detyrë drejtor i Institutit Antirabik dhe profesor i Bakteriologjisë në Universitetin e Romës. Autoritetet drejtuese të shëndetësisë, si në qendër ashtu edhe në zyrat rajonale të institucioneve lokale, i kushtuan një kujdes të veçantë mbikëqyrjes dhe kontrollit periodik të prostitutave, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve veneriane.
Ndërsa një aspekt tjetër për parandalimin e sëmundjeve epidemike ishte kontrolli mbi shitësit ambulantë të produkteve ushqimore (bozaxhinjtë, hallvaxhinjtë, salepaxhinjtë etj), të cilët tregtonin nëpër rrugët e qyteteve. Mjeku i Bashkisë së Tiranës i raportonte DPSH-së se kishte inspektuar të gjitha shkollat e kryeqytetit, ku kishte konstatuar se gjendja shëndetësore e nxënësve paraqitej e mirë dhe nuk ekzistonte asnjë sëmundje epidemike. E vetmja pengesë mbetej mosinformimi i pleqësive të lagjeve lidhur me lindjet dhe vdekjet. Kjo shkaktonte mangësi për hartimin e raporteve mujore, që çdo mjek ishte i detyruar t’ia dërgonte DPSH-së.
Shpërndarja e kininës, e cila përdorej për luftimin e malaries dhe ndërtimi i tubacioneve për ujin e pijshëm sipas standardeve bashkëkohore, ishte një masë tjetër profilaktike. Ndërsa për të sëmurët mendorë u morën masa për t’i kuruar dhe rehabilituar në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Një aspekt tjetër i DPSH-së ishte kontrolli i produkteve ushqimore dhe pijeve alkoolike, duke ndaluar prodhimin e tyre me alkool industrial. Ky standard ishte një arritje e madhe për kohën dhe për nivelin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Më 21 qershor 1926, dr. Osman Jonuzi, i cili vazhdonte specializimin për kirurgji dhe gjinekologji si bursist i shtetit shqiptar në një nga spitalet më të njohura të Parisit, nënshkroi me urdhër të ministrit të Jashtëm, Hysen Vrioni, anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Nga kjo konventë, Shqipëria përfitoi bursa për studentët dhe mjekët, ndihma mjekësore dhe shëndetësore nga fondacione të ndryshme nga e gjithë bota dhe sidomos nga fondacioni Rokfeler i SHBA-së. Në vitin 1927, si rezultat i një pune të madhe dhe sistematike për mbledhjen e të dhënave, DPSH-ja filloi të botonte buletinin statistikor mbi gjendjen shëndetësore të popullit shqiptar. Nga këto të dhëna rezultonte se në vitin 1927, në spitalet dhe dispanseritë e Shqipërisë ishin operuar 585 persona, mjekuar 4362 dhe vdekur 238. Përqindja e të vdekurve në spitale ishte 55 %, duke marrë në konsideratë vdekjet aksidentale dhe se gjendja e disa pacientëve që shtroheshin ishte aq e rëndë, sa që nuk mund të përfitonin nga shkenca mjekësore.
Ndërsa numri i individëve që kishin marrë shërbim mjekësor përgjatë vitit 1927 nëpër ambulancat e ndryshme të vendit kapte shifrën e 72.242 vetave. Në këtë buletin theksohej se një rëndësi e veçantë i ishte kushtuar luftës kundër malaries, e cila ishte realizuar në tri mënyra kryesore: me anë të ndërgjegjësimit të popullsisë, duke shpërndarë kininë dhe duke përmirësuar sistemin shëndetësor. Për ndërgjegjësimin e popullsisë rreth kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, një rol të rëndësishëm kishte luajtur botimi dhe shpërndarja falas i librit të deputetit të Vlorës, dr. S.Simonidhit, “Malaria në Shqipëri”. Ndërsa me buxhetin e DPSH-së ishte përkthyer dhe botuar raporti i dr. Haigh-ut, delegatit të Lidhjes së Kombeve, i cili ishte dërguar në vitin 1924 për të studiuar gjendjen shëndetësore të popullit shqiptar.
Ky raport ishte shpërndarë nëpër shkolla dhe konvikte, për të ndërgjegjësuar të rinjtë shqiptarë për rreziqet shëndetësore që i kanoseshin. Në të gjitha spitalet, dispanseritë dhe ambulancat e vendit ishte shpërndarë një sasi e konsiderueshme kinine. Për këtë nuk kishin munguar misione vullnetarësh, të cilat përbëheshin nga individë dhe murgesha që shëtisnin nga një shkollë në tjetrën. Në zonat kënetore dhe aty ku përrenjtë krijonin pellgje ujore ishin marrë masa për kininizimin e tyre.
Ndërsa qeveria shqiptare ishte duke lidhur një kontratë për ndërtimin e limanit dhe tharjen e kënetës së Durrësit; kanalizimin e lumit Drin etj., masa këto që do të ulnin ndjeshëm rrethanat mjedisore që favorizonin përhapjen e malaries. Një punë e madhe ishte zhvilluar edhe për zhdukjen e sifilizit. Pavarësisht opinionit sikur kjo sëmundje ishte shumë e përhapur, statistikat zyrtare tregonin se ajo nuk ishte në shifra alarmante. Në vitin 1927, nga mjekët e bashkive, qeverisë dhe nga mjekët shëtitës të paguar nga buxheti i DPSH-së, ishin vaksinuar kundra lisë në dy sezone (pranverë, vjeshtë) 61.250 persona. Një kujdes i veçantë filloi të tregohej ndaj nënave shtatzëna, që vinin kryesisht nga shtresa të vobekta.
Për parandalimin e vdekshmërisë foshnjore, DPSH-ja i shkruante Ministrisë së Punëve të Brendshme se dispanseria e kryeqytetit do të funksiononte edhe si poliklinikë dhe i kërkonte të urdhëronte pleqësitë e lagjeve të hartonin listat e këtyre familjeve, me qëllim dërgimin e konsultoreve nëpër shtëpi para dhe pas lindjeve. Në vitin 1929 u kompletua me të gjitha mjetet instituti shtetëror “Rontgen”, i cili, tani e tutje, mund të quhej një institut radiologjie dhe kishte kapacitetin e duhur për të bërë çdo lloj elektroterapie. Vështirësitë e mëdha financiare nuk e penguan sistemin shëndetësor që të zhvillonte një aktivitet intensiv në luftën kundër sëmundjeve dhe kujdesin shëndetësor të shoqërisë shqiptare.
Kjo vihet re nga numri i pacientëve të trajtuar në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Kështu, duke iu referuar statistikave të DPSH-së, përgjatë vitit 1929 ishin mjekuar 63.709 persona, ishin shtruar për mjekim në spitale dhe dispanseri 4.513 veta dhe prej këtyre ishin operuar 543 pacientë. Nga ky numër i të sëmurëve, theksohej në botimin statistikor të DPSH-së, nuk duhej kuptuar përhapja e sëmundjeve të ndryshme në popull. Përkundrazi, ai ishte një tregues i ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për rëndësinë që kishte kujdesi shëndetësor dhe vajtja te mjeku. Edhe gjatë vitit 1929, luftës kundër malaries iu kushtua rëndësi e veçantë. Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim dha stacioni antimalarik i fondacionit “Rocfeller”, i cili e kishte përqendruar veprimtarinë e tij në tri qytete: Tiranë, Durrës, Shijak dhe në një rreze prej 3 km larg tyre. Me bursat e këtij fondacioni, disa mjekë shqiptarë u dërguan për t’u specializuar për malariologji në Romë dhe me anë të tyre u çelën degë për luftimin e kësaj sëmundjeje edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Për mjekimin e të sëmurëve me malarie ishin shpërndarë 250 kg kininë dhe ishin mjekuar 29.543 veta. Ndërsa për zhdukjen e sifilizit ishin mjekuar 1229 persona. Një punë e madhe nga DPSH-ja ishte zhvilluar në luftën kundër lisë, duke vaksinuar në të gjitha krahinat e Shqipërisë 50.000 veta.
Në vitin 1930 u bënë përpjekjet e para për ngritjen e një Sanatoriumi, i cili do të shërbente për kurimin e sëmundjeve pulmonare. Në mungesë të godinave shtetërore në vendet me klimë të përshtatshme për këto lloj sëmundjesh, Këshilli i Ministrave, sipas sugjerimeve të specialistit të sëmundjeve të mushkërive, dr. L. Kalmar, vendosi që provizorisht Sanatoriumi të vendosej në Manastirin e Shën Prodhromit, në Voskopojë. Ky vendim gjeti mbështetje të plotë edhe nga kreu i KOASH-it, Visarion Xhuvani. Për edukimin e brezit të ri me kulturën e nevojshme shëndetësore; për të mbajtur nën mbikëqyrje sëmundjet epidemike dhe nënat e reja, nën shembullin e vendeve europiane u ngritën disa “Qendra Higjienike”.
Në vitet ’30-të ekzistonin katër qendra të tilla (në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe në Korçë). Qendra Higjienike e Tiranës e filloi aktivitetin e saj në vitin 1932, e përqendruar kryesisht në përkujdesjen e nënave të reja dhe foshnjave. Në krye të këtij shërbimi u vendos një mjek pediatër, i cili, përveç mjekimeve dhe konsultimeve, u shpërndante një lloj ushqimi higjenik për foshnjat edhe atyre nënave që nuk ishin në gjendje t’i mbanin me qumështin e tyre. Ky shërbim vazhdoi deri në mbarim të vitit 1933, kur u kthye nga specializimi një mjek higjienist. Në vitin 1934, pranë “Qendrës Higjienike” të kryeqytetit u krijua shërbimi dentar i shkollave, duke shënuar kështu një sukses tjetër në historinë e mjekësisë shqiptare. Analiza e ujit të pijshëm ishte një praktikë e njohur në këtë periudhë.
Një sërë burimesh hidrike iu nënshtruan kontrollit periodik nga Drejtoria e Laboratorit Kimik në Tiranë. Në disa raste, kampionet e ujit u dërguan edhe në laboratorët e kryeqyteteve të ndryshme të Europës. Për të mbajtur nën mbikëqyrje epidemitë dhe gjendjen shëndetësore, të gjithë nxënësit e shkollave fillore iu nënshtruan ekzaminimeve periodike. Kjo u shoqërua me statistika mbi patologjitë e konstatuara, llojin e ekzaminimeve dhe ecurinë e shëndetit të nxënësve. Ministrisë së Arsimit iu sugjerua të vendoste në programet shkollore mësime higjeniko-shëndetësore, duke përdorur librin “Mjeku i shtëpisë” të dr. Ismet Gegës.
Në vitin 1936, në një pjesë të Laboratorit Bakteriologjik u çel Laboratori i Ujërave i Institutit Rocfeler, nën drejtimin e një inxhinieri shqiptar. Në vitin 1928, me këmbënguljen dhe kontributin e dr. Osman Jonuzit, të kryetarit të bashkisë, avokat Ali Begeja, dhe të prefektit Abedin Nepravishta kishte nisur puna për projektimin e ndërtimit të spitalit “Zog I”, i cili sot njihet me emrin Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Për realizimin e projektit ndihmoi gjithashtu Giulio Berte dhe pasi qeveria bëri dëmshpërblimin e pronarëve, firma “Ragazzi” nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej nga më të mirët në Ballkan, me një sërë repartesh dhe me një kapacitet prej 200 shtretërish.
Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932, ku fjalën e rastit e mbajti dr. Ismail Tartari, i cili u caktua edhe si Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Ndërsa drejtor i këtij spitali u emërua dr. Osman Jonuzi, që njëkohësisht mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë. Me kalimin e viteve, spitalit iu shtuan pavijone të ndryshme. Ndërsa pjesë e ekipit të mjekëve të specializuar u bënë dr. Frederik Shiroka, dr. Mukini, dr. Stefan Pano, dr. Xhanfize Basha, dr. Remzi Fico etj. Në këtë spital u punësuan me kontrata edhe disa mjekë të huaj me emër në mjekësinë europiane si: dr. Questler, dr. Demner, dr. Schlesinger, dr. Lehman, dr. Kalmar, etj. Për shkak të mungesës së laboratorëve dhe teknologjisë së avancuar, një pjesë e analizave kimike dhe bakteriologjike të ujit të pijshëm dërgoheshin dhe në qendra të specializuara laboratorike në Romë. Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë ushqimore dhe higjienës publike, një kujdes i veçantë iu kushtua therjes dhe tregtisë së mishit.
Kështu, Zyra e Veterinarisë së Fierit konfiskoi një sasi të madhe mishi, megjithëse jashtë kompetencës, ai ishte “certifikuar” dhe nga mjeku i bashkisë. Kjo, për shkak se te ky produkt ishte konstatuar një shkallë e lartë infektimi nga një lloj i rrezikshëm paraziti (cysticercus intermis). Ngritja e sistemit spitalor në qytetet e fshatrat e Shqipërisë ndikoi drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit të popullsisë shqiptare e sidomos në rritjen demografike dhe uljen e vdekshmërisë nga viti në vit.
Më 1 shkurt 1937, Mbreti Zog urdhëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm qeveritar, i cili duhej të hartonte një plan pune pesëvjeçar për shëndetësinë publike të shtetit. Në këtë komision do të merrnin pjesë disa ministra, Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë dhe dy profesorë të huaj të kontraktuar nga institucionet e shtetit. Komisioni në fjalë zhvilloi disa mbledhje periodike ku mori në shqyrtim problematikat ekzistuese dhe rrugët për përmirësimin e cilësisë së sistemit shëndetësorë.