6.1 C
Pristina
Sunday, April 18, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Betejat bizantine në trevat e Shqipërisë së sotme

Betejat bizantine në trevat e Shqipërisë së sotme

HISTORIA E ANA KOMNENA

Nga Luan Rama/

Një nga kronistët më të vjetër të kohës bizantine që hedh dritë mbi historinë e Shqipërisë është padyshim Ana Komnena, librat e së cilës ende nuk janë botuar të plotë në Shqipëri.

Por ajo që ka rëndësi janë episodet që lidhen me Shqipërinë dhe betejat e mëdha. Ana Komnena, (1083-1153), ishte vajza e perandorit bizantin Aleksi I Komnena dhe e Irena Dukas, bijë po ashtu e një familjeje perandorake.

Më 1 dhjetor të vitit 1083, Aleksi I-rë kthehej nga lufta fitimtar. Të nesërmen lindi vajza e tyre, e cila do t’i ngjante shumë. Katër ditë më parë, perandoresha Irenë, duke ndjerë dhimbjet e lindjes, kishte bërë shenjën e Kryqit mbi gjirin e saj duke thënë: «Prit ti fëmija im gjersa të mbërrijë ati yt». Nëna e saj që e dëgjoi vajzën, i tha «A nuk e di ti që burri yt do dhe një muaj të kthehet? Si mund të durosh deri atëherë?»

Kjo vajzë «porfirogenet» (pra që lindi në dhomën e purpurt të pallatit imperial), sapo lindi, prindërit e fejuan me Kostandin Dukas, djalin e perandorit të mëparshëm Mihal VII Dukas, meqë Aleksi donte të krijonte lidhje familjare dhe aleancë me dinastinë e mëparshme. Madje Konstandini ishte lidhur tashmë me fronin perandorak. Tani edhe ai firmoste dekrete perandorake.

Por meqë Kostandini vdiq shpejt, Anën e martuan me Niqifor Briene, birin e një gjenerali që ishte mundur nga Aleksi, dhe kjo u bë sigurisht, për të ulur gjakrat midis tyre. Që në adoleshencë e më pas, Ana u edukua me letërsinë dhe shkencat, me filozofinë, retorikën dhe matematikën. Lexonte Platonin, Demostenin, Homerin, merej me astrologjinë.

Madje më pas në Konstantinopojë ajo do të drejtonte edhe një rreth intelektualësh që diskutonin rreth veprave të Aristotit. Personaliteti i saj ishte i jashtëzakonshëm, çka do ta shtyjë më vonë që të luajë një rol politik pranë atit të saj, Perandorit.

Ana kishte një dashuri të veçantë për të atin dhe e adhuronte atë dhe kjo ndihet në veprën e saj, ku ajo e vesh me vetitë më të mira dhe gjithnjë fitimtar.

Basileusi për të ishte «dielli i saj», «fanari»… Aleksi vdiq në vitin 1118, siç shkruan ajo, nga një tumor «malinj» me një zhvillim të shpejtë, që i zuri fytin. Por kur vdiq i ati, ajo nuk donte që fronin ta zinte i vëllai i vogël, Joani, i cili ishte i ri dhe pa përvojë për një perandori aq të madhe si ajo e Bizancit, dhe bashkë me nënën u përpoq që fronin ta zinte i shoqi, gjenerali i sprovuar Briene, të cilin ajo e përshkruan në libër me shumë simpati dhe si një njeri heroik, pas të cilit ajo është fort e dashuruar. Por nuk ndodhi kështu.

Pak kohë më vonë, gjenerali vdiq dhe nga dhimbja, Ana u mbyll në një manastir të quajtur «Teotoks Kesharitomene», («Virgjëreshës gjithë hirësi»), e cila përmbledh 15 libra, ku iu kushtua shkrimit të librave të Aleksiadës, siç do të quhej kjo vepër historike.

Në fakt, jetëshkrimin e jetës së Aleksit e kishte filluar më parë gjenerali Briene, por meqë ai vdiq dhe kishte lënë vetëm jetëshkrimin e rinisë së Perandorit, atëherë këtë e vazhdoi Ana. Ana Komnena vdiq në vitin 1153. Dhe vetëm në prag të vdekjes ajo pranoi të kungohej si murgeshë.

Ana Komnena na paraqitet në librin e saj Aleksiada, si një kroniste që shkruan me penën e një shkrimtareje, pasi në të nuk mungojnë episode emocionante, ku përshkruhet madje dhe natyra apo gjëndjet e personazheve, siç e shohim në përshkrimin e skenës së «Traktatit të Devollit» (Deabolis), kur në pllajat e Devollit të sotëm, normandi i mundur Bohemond pranoi t’i nënshtrohej basileusit, atit të saj, apo skena e gjykimit familjar ndaj kushëririt të saj Joan, i cili ishte atë kohë duka i Durrësit, (Dyrrachium), dhe që peshkopi Teofilkate i Shkupit e akuzonte fshehurazi te Aleksi për tradhti ndaj perandorit, dhe episode të tjera, herë-herë me tensione dramatike.

Aleksiada është një burim i madh informacioni, pasi ajo u qëndron besnike ngjarjeve dhe datave historike.

Në rrethimin e dytë të Durrësit, ajo përshkruan se si normandët përdorën një pajisje me rrota në formën e një breshke gjigande, të mbuluar nga lëkura viçi të qepura mes tyre.

Ajo e tregon atë si një përbindësh të papërshkrueshëm, ku përmes tij, normandët u ngjiteshin bedenave të kështjellës. Ajo pohon se normandët përdorën kundër kështjellës mina të asaj kohe dhe njëkohësisht filluan të hapnin galeri nëntokësore për të hyrë në kështjellë, por kur mbrojtësit e kuptuan këtë, edhe ata hapën galeri duke shkuar në drejtim të galerisë së armiqve të tyre dhe atje, kur i pikëtakonin u hidhnin zjarr.

Për trupat e Robert Gusicard-it që mbërritën në brigjet e Ilirisë, ajo thotë se ishin 30.000. Të tjerë kronistë, si Malatera, apo kronikanë të tjerë anonimë, (Gesta Francorum), etj, japin shifra më të pakta. Tenda e betejës në kampin e Aleksit ishte në ngjyrë të purpurt, si ngjyrë perandorake që ishte dhe Ana tregon se i ati e përndiqte djallin, satanin, duke i treguar Kryqin e tij. Në flamurin e tij ishte «simboli i Virgjëreshës».

Për shkrimin e Aleksiadës, Ana Komnena është mbështetur në informacione të shumta të asaj kohe. Libri i saj, që do të referohej në mjaft kodikë të kohëve të mëvonshme, kopjuar nga kopistët e «scritoreve» kishtare, pra nga skribët e famshëm, kodikë që mbetën dhe burimet e vetë Aleksiadës, siç janë dy nga kodikët e hershëm të shekullit XII, Coislinianus 311 dhe Fiorentinus 70, apo kodikët e tjerë si Vaticanus graecus, 1438, Barberianus 235, Ottobianus gr.131, Apographum Gronovii, etj.

Kur shkruan për rrethimin e Dyrrachium-it nga normandët dhe largimin e dukës Paleolog, i cili drejtonte mbrojtjen e kështjellës për tu takuar me basileusin, meqë ai këmbënguli që ta takonte, Ana Komnena përmend dhe faktin se ai e la qytetin nën drejtimin e dy udhëheqësve: venecianëve dhe udhëheqësit me origjinë shqiptare siç i shkruan ajo, Kamiskortes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Kripa shëron këto sëmundje

Kripa është shumë e shëndetshme dhe ndihmon në parandalimin ose trajtimin e shumë sëmundjeve apo problemeve shëndetësore. Më poshtë...

Disa këshilla të thjeshta që do të bëjnë agjërimin tuaj më të lehtë

Deri më 12 maj, besimtarët myslimanë agjërojnë nga lindja e diellit e deri në perëndim. Agjërimi praktikohet për arsye fetare dhe shpirtërore...

Si të zhdukësh thinjat e parakohshme

Pavarësisht moshës, flokët e thinjur janë problem për shumë njerëz, femra dhe meshkuj. Thinjat janë tregues i pashmagshëm i plakjes, por që...

Me çfarë duhet të nisim iftarin?

Shpesh njerëzit pyesin: me çfarë duhet të çel iftarin? Në fakt, nuk ka asnjë obligim të përzgjidhni një ushqim...

Recent Comments