Mitologjia skënderiane e studiuesit Dhosi Liperi pasqyron një epokë historike të gjatë. Mishëron gjithashtu dhe përpjekjet e pandërprera të shqiptarëve për liri. Pajton elementet fetare heterogjene dhe armiqësore të tyre dhe shfaqet kështu si pioniere e bashkimit kombëtar. Adhurimi i popullit ndaj Skënderbeut s’ka kufi. Ka ardhur nga dashuria e besimi i madh i tij dhe ka përfunduar në hyjnizim. Kemi prova të gjalla, të cilat i kanë përjetësuar gjer më sot disa adhuronjës të mëdhenj të Atij (Mitol.Skënder. f. 505). Hyjnizimi i Skënderbeut, i motivuar prej dashurisë së pakufishme e besimit të jashtëzakonshëm të popullit tonë dhe i arritur pas vdekjes së tij, i dha krahë aspiratës së madhe kombëtare të çlirimit (MSk. 505). Skënderbeu është luftëtar i madh me famë të përbotëshme, po legjendat popullore, për fat të keq, ja kanë çveshur këtë tipar të lavdishëm, për shkak të shtypjes së rëndë që ushtruan turqit e të disfatave të mëdha që pësuan shqiptarët nga kryengritjet e tyre të pandërprera. Këtij fenomeni i dha shumë dorë dhe myslimanizimi në masë i popullsisë së Shqipërisë së Mesme, ku Ai zhvilloi vepra të përbindëshme: Cok si Mozeu, profeti i madh i Biblës, i mitologjisë biblike, i zë ujrat e Drinit, e bën lumin det dhe e ndalon armikun; e gjithashtu dhe në malin Skandërbeg përmbi Vinjoll, i bie shkëmbit me shpatë e nxier ujë për të pirë ushtria e tij – Atë burim që quhet “Gurra e Skandërbegut” e tregon me venerim populli edhe sot, – dhe si ndonjë titan i mitologjisë klasike, e lëkund prej themeli malin e Bulqizës në Dibër dhe nga ajo lëkundje bien ata gurë, që shtrihen pak më poshtë minierës e quhen edhe sot me emrin “Gurët e Skandërbegut” – madje do ta rroposte fare malin, sikur të mos ia kishte mbajtur duart një i dashëm i Allahut. (M.Sk. f.508).
Shehu i Lumës në vitin 1956 më tha me admirim dhe besim të madh tekstualisht: Armiku po e mësynte Skënderbeun nga ana e Lumës e do ta prishte, por Ky iu lut Zotit dhe Zoti i dha fuqi e Skënderbeu i ndaloi me një napë ujrat e Drinit. Drini u bë det dhe armiku s’mundi të kapërcente (MSk.583). Malësorët tanë katolikë të Shqipërisë së Mesme, në përgjithësi, nuk kundërshtojnë ç’thonë vëllezërit e tyre musulmanë që Ai ka prerë shkëmbënj me shpatë, ka zënë ujrat e Drinit e ka bërë dhe mrekulli të tjera, si evlia i madh i Allahut; gjithashtu dhe musulmanët, besimtarë të Atij, nuk mohojnë që është bekuar edhe prej Zojës së Bekueme. Kujtimi i tij për të dy palët është nyj’e fortë bashkimi (MSk. 490).
Legjendat popullore mbi Skënderbenë, si mendoj unë kanë filluar të krijohen qysh me gjalljen e Atij, po janë ndryshuar gjatë kohës e tiparin që kanë sot e kanë marrë pas gjysmës së parë të shekullit të 17-të kur filluan të myslimanizohen në masë shqiptarët, siç e thamë dhe më lart. Këta që përbëjnë shumicën absolute të banorëve të Shqipërisë Mesme. Këta megjithëse e ndruan fenë – të cilën kryesisht, drejtazi a zhdrejtazi, ua imponoi sundonjësi, i huaj, me qëllim që t’i asgjësonte e t’i turqizonte – nuk hoqën dorë kurrsesi nga ndjenjat e tyre për liri as nga kujtimi i prijësit të tyre, të Skënderbeut; Fatosin vetëm e myslimanizuan si vehten e tyre, e bënë madje dhe evlia të madh të Allahut, po lidhjen e qëndrimin e tyre të parë ndaj tij s’e ndruan në asnjë mënyrë; e mbajtën Atë me ngulm për hero kombëtar e për prijës e frymëzonjës ideal të lirisë e të kombësisë shqiptare; Ai tani do t’i mbrojë si një i dashëm i madh i Allahut e do t’u sjellë lirinë. Dhe në këtë fakt atyre shqiptarëve u takon një meritë e madhe patriotike, e cila është shumë vështirë të gjëndet në kombe të tjerë me fe antagoniste e qytetërime të përkundërtë. Skënderbeu për të parët tanë ka qënë promotori i lëvizjeve dhe kryengritjeve të tyre për liri; varri e shpata e tij kanë ushqyer aspiratat e tyre kombëtare; ato kanë shërbyer dhe si nyjë bashkimi e të robëruarvet, që ishin ndarë në dy fe të ndryshme dhe antagoniste, se Kreshniku është për të dy palët hero kombëtar i përbashkët, i madh dhe i adhuruar. Dhe për të gjitha këto kemi prova të gjalla prej folklorit të Shqipërisë së Mesme, ku janë krijuar legjendat. Unë i njoh mirë legjendat se qysh prej vitit 1929 e këtej kam vallakuar (shëtitur) nëpër malësi të ndryshme të kësaj treve, apostafat për studimin e tyre dhe i kam dëgjuar prej burrash të vjetër, të cilët i besonin me gjithë mënt, cok si ajete të Kuranit (MSk.510). Malësorët myslimanë të Krujës, Matit e të Dibrës e pjesërisht dhe ata të malësive të tjera të Shqipërisë Mesme, jo vetëm që s’hoqën dorë nga kujtimi i prijësit Skënderbe, por, për të fituar lirin’e tyre, e për hir të saj, e kanë lënë mënjanë fenë e janë bashkuar me popujt e krishterë të Evropës që kanë luftuar kundër Turqisë. Përqindja më e madhe e myslimanëve është në Shqipërinë e Mesme, se në malësit’e Veriut e mbrojtën fenë katolikët e në Jugë ka shumicë ortodoksësh. Në Shqipërinë e Mesme prej Shkumbinit gjer ne Drinin e Bashkuar të heqësh Mirditën.
Mirdita shpëtoi nga myslimanizimi se nuk i interesonte Turqisë se fitoi vetëqeverimin dhe se u paraqit si partizane e Lek Dukagjinit, i cili nga gojëdhanat popullore paraqitet si kundërshtar i Skënderbeut. Me anën e kompaktësisë fetare ruajti vetëqeverimin e saj.
Kështu pjesa musulmane e Krujës, Matit, Dibrës dhe malësive të Tiranës e të Elbasanit e përvehtuan Skënderbenë. Skënderbeu i myslimanizuar së dyti – Skënderbeu q’u rimyslimanizua mbeti një Evlia, i cili prapëseprapë qëndron kreshnik i madh shqiptar dhe e mbron lirin’e popullit të tij (MSk.494). Skënderbeu paraqitet si ndonjë titan i fuqishëm. Por më fort përfytyrohet si evlia i madh e me fuqinë e Zotit kryen gjeste të përbindëshme: Me pushtet të madh që ka prej Zotit, nëm (mallkon) e nomatis, bekon e profetizon dhe fjala e tij zë aty-për-aty e ka efekt të madh. Nëmat, që u ka dhënë tradhëtarëvet të tij, janë të kobëshme e rëndojnë dhe sot e kësaj dite mbi fiset e atyre njerëzve të pabesë. Me nomatisjen e tij i kthen në gurë arkat me pare (në Selishtë të Dibrës) dhe e përbeton tokën (në Qafën e Shenepremtes të Bulqizës) që t’ja ruajë armët (MSk.655).
Legjendat janë të ndryshme për krahina të ndryshme. Po gjithë kjo larushi tregimesh nuk e cënon unitetin e legjendave popullore mbi Skënderbeun; përkundrazi e forcon këtë, se fshatarët, me gjithë grindjet që kanë patur ndërmjet tyre e me gjithë armiqësit’e një krahine kundër tjetrës për shkak të regjimeve antipopullorë, ata ndaj Skënderbeut kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për një kohë shumë të gjatë; me shekuj, që nga fillimi i sundimit turk e gjer më sot e kanë patur një pikëpamje për të, kanë ushqyer njato ndjenja e kanë varur njato shpresa, kanë patur pikpamje të njëjtë, me shpresë të plotë se do të vijë dita që të lirohen e të bashkohen nënë hijen e tij (MSk.659).
Mitologjia skënderiane pasqyron një epokë historike të gjatë, atë të robërisë turke, e vë në dukje efektet e kobëshme të saj: mishëron gjithashtu dhe përpjekjet e pandërprera të shqiptarëvet për liri. Pajton elementet fetare heterogjene dhe armiqësore të këtyre e del kështu pioniere e bashkimit kombëtar. Shpreh dhe aspiratat e tyre shekullore të çlirimit. Heroi i saj, në raste të ndryshëm, përfytyrohet si mesias e qëndron kurdoherë promotori i lëvizjeve nacionaliste. Kështu ne me anën e mitologjisë skënderiane hyjmë në kontakt të drejtpërdrejtë me kulturën e përbotëshme dhe i japim kësaj një kontribut të madh. Bëjmë të njohur dhe geniun arbëror (MSk. 663).
Në cilin popull tjetër, legjendat popullore, kushtuar një heroi kombëtar, janë bërë nyje bashkimi e elementeve fetarë antagonistë të tij në luftëra të pandërprera për liri, si në popullin tonë me Skënderbeun në krye?
Legjendat tona popullore, gjatë shekujvet të 18-të e të 19-të, kanë pajtuar myslimanizmin me kristianizmin, në sajë të kujtimit e të adhurimit që ushqen populli ndaj Skënderbeut; në cilin popull tjetër është realizuar një fenomen i këtillë? (MSk. 485). Populli shqiptar, i cili, për shkak të prapakthesës së thellë të rendit shoqëror të tij, përfundoi në një rënie të tmerëshme ekonomike, shoqërore e kulturale, në ato kohë rebeshesh të mëdhenj nuk dinte kurgjë nga bëmet e botës klasike e biblike, as nuk ishte katekizuar në dogmatizmin islamik; e pra mitologjinë skënderiane e krijoi prej gjeniut të vet. Nga feja myslimane, e cila më fort i u imponua prej pushtonjësit me forcë, mori vetëm disa gjëra të jashtësme e të përgjithëshme: myslimanizoi Kreshnikun, ndonëse kishte vdekur prej kohe dhe, e ndroi fytyrën e tij nga shënjt në evlia, që të mos e shkëputte lidhjen me të. Në themel ai, i shtytur prej një farë instikti natyror, shkeli në ato pozita, ku qëndruan para mijrave vjetësh popujt më idealistë të botës, grekët e vjetër e judenjtë, dhe arriti si ata në rezultate të shkëlqyera. Këtu qëndron merita e saj e lartë, e cila, po të dalë në pah, i kalon tej-përtej kufitë e ngushta të Shqipërisë e merr një rëndësi të madhe dhe për epikën e letërsisë së përbotëshme. Ta studjojmë pra, e, duke hyrë thellë në esencën e saj, ta ngrejmë në këmbë e t’ja tregojmë botës mbarë. E kemi për detyrë patriotike, se ajo do të na nderojë fort (MSk.662).
Në shekullin e XV, kur Turqia pushtoi Ballkanin dhe po i kërcënohej gjithë Evropës, urrejtja e evropianëve ishte e madhe kundër invadorëvet që shtypnin egërsisht jo vetëm rendin politiko-ekonomik e shoqëror të popujve të krishterë po dhe fenë e tyre. U ngjall dhe fanatizmi fetar. Ky fanatizëm i ushqyer nga urrejtja, kuptohet se u ndez më i keq ndaj arbërorëvet, të cilët me Skënderbeun në krye, luftonin për jetë a për vdekje, dhe është njëri nga sekretet e fitoreve të Skënderbeut. – Këtu duhet të vëmë në dukje urtësinë e madhe të prijësit gjenial, i cili dijti të sillej si jo më mirë me një pakicë, që kishin përqafuar qysh më parë fenë islame, e tani banorë të shtetit të tij. Ç’kanë këta pronja çi shungojnë. – Parulla “për atdhenë e për fenë” u bë kushtrim e mobilizoi masat popullore, jo vetëm kundër Turqisë, por dhe kundër myslimanizmit, që u bë aleati më i fortë e më besnik i tyre dhe u shërbeu pa rezerva për zhdukjen e fesë së krishterë. Në ato kohë mesjetare feja ishte shum’e shtrënjtë e prandaj Skënderbeu, kur u kthye në Shqipëri e filloi luftrat e tij të rrepta kundër turqëvet, u përshëndet si çlirimtar, e u njojt si mbrojtës i madh i krishtërimit prej popujve të Ballkanit e të Evropës mbarë. Vetë Papa e ka bekuar….. Këngë të ndryshme epike, ku spikatte dhe motivi fetar iu kushtuan e iu kënduan Atij qysh në fillim dhe gjatë fitoreve të tij të më parëshme jo vetëm brënda po dhe jashtë Shqipërisë. U krijuan dhe legjenda. Ndër legjendat e Shqipërisë përmëndeshin sigurisht dhe kensi të mbinatyrëshme kristianike. Figura e Skënderbeut për shëmbëll është sosur gjer në ditët tona. Për këtë fenomen kemi provë bindëse krijimin e mëvonshëm të kënsive të mbinatyrëshme musulmane, evliajtë, Hizri, të dashmit e Allahut (MSk. 496).
Çdo fshatar, që i ka dëgjuar emrin prej të vjetërish, ja ekzalton meritat e larta, vënjesën (vlerën) e tij të pashoqe e pikëzon bukur edhe Rahman Rasha, një plak i moçëm nga Lashkiza e Dibrës, kështu: (Tekstualisht). Skandërbegju ka bae luftë në Kalan’e Çanit e ven-më-ven e kan-më-kan në Mat, në Dibër e në Krue. Si Skandërbegju s’vjen ma; ç’aq trem ka çanë. Skandërbegju ka çanë Evlia me vepra e s’un e kapte kush. Nja Skandërbegj ka çanë, s’gjen ma tjetër. Kalan’e Çanit Skandërbegju nuk e ka nreçë vetë, por e ka xhetë ka kauri. Dhe fjala e Rahman Rashës ka rëndësi, se ky njeri ka qënë bylykbash, që prej kohës së Turqisë e gjer në çlirimin e Shqipërisë, dhe i njeh mirë punët e vjetra të malësive tona. Bylykbashët kryesonin dhe udhëhiqnin çetat që merreshin me pré dhe grabitjen e kishin mjet jetese dhe akt zotësie.
Dhe fjalamani Ali Zejneli, duke çmuar zotësin’e tij si politikan i zoti, na çudit kur na thotë: (Tekstualisht) “Shtatë herë kaur e shtatë herë turk asht bao Skandërbegju!” Me këto fjalë malësori spirituoz don të na mbushi mëndjen se Ai, për të mbrojtur lirin’e Shqipërisë, synonte kurdoherë bashkimin e popullit e pra s’bënte asfare dallime fetare; madje fenë s’e kishte për gjë. (MSk.473).
Xhokia hallemadhe
Malësorët musulmanë thonë se i kemi nxirë xhoket tona e stravecet e gravet tona për zin’e Skënderbeut; pokështu thonë edhe malësorët katolikë – madje grat’e Mirditës i mbajnë edhe sot stravecet e nxira (Ali Zejneli); ja pra prova e bashkimit të musulmanëve dhe katolikëve në kujtimin e Skënderbeut (MSk.351). Një provë tjetër më e sigurt akoma janë panairet e Shëngjergjit gjer në ditët tona, që luteshin në shumë krahina të Shqipërisë dhe ndaj musulmanëve akoma në Mat e gjetiu, konsideracioni i ditës së tij përkujtimore si fillim i pranverës dhe si ogur për disa zakone që mbahen pa dallim feje, emri toponomik i krahinës së Shëngjergjit të Tiranës.
Shëngjergji
Shëngjergji është një personazh kristianik, të cilit i janë atribuuar pa kursim cilësi e gjeste kreshnike pagane të vjetra e krishtere të kreshnikëve mesjetarë. Shëngjergji, simbas legjendave kishëtare orientale përfytyrohet si luftëtari më i madh i krishtërimit, kalorës kordhash, që me shpatën e tij ka vrarë kuçedrën. Adhurimi i tij ka qënë i fortë e shumë i parhapur në Shqipëri saqë dhe në ditët tona akoma. Në malësi të Dibrës përmbi Homesh e festojnë dy dit Shëngjergjin dhe patkonin lulet …Por duhet të dimë se dhe arixhinjtë, kurbatët normadë e festojnë ditën e shëngjergjit kudo që t’i zërë rruga. Në Lipivan, këndonin e kërcenin arxhinjtë në lëmë dhe shiu gërr dhe plot gra e fëmijë i mbanin sehir.
Hankoja, Sabrieja
Nisur e stolisurë
Me fustan qëndisuro.
Në Përmet evgjitët si musulmanë që ishin shkonin në katundin Petran, në Mekan të Petranit, në kohë të qërshive, Shën Pjetrit. Mekani ka qënë Shën Pjetri. Shëngjergji nderohej shumë në Shqipëri. Festa e tij tradicionale që bie në pranverë, kremtohej shumë, gjer në ditët tona, dhe ndaj musulmanë të Matit organizonin panahir, me emrin “Shëngjergj”. Zakoni që i bënin kurban (MSk. 697 – 698).
Legjenda popullore me frymë kristianike kemi. Sa gjurmojmë legjendat popullore, në të cilat mund të pikasim frymën kristianike. Kështu kemi legjendën e Pal Bulit. Në besimet, doket e zakonet që praktikonin shqiptarët e myslimanizuar, gjer në ditët tona, kemi shumë të dhëna dhe rite bile, që i përkasin fesë së mëparëshme të tyre. Po sjellim si shëmbëll ato të Shëngjergjit. Iu përshtatën bile dhe atribute të një hyji pagan, se me emrin e tij lidhet fillimi i stinës së ngrohtë, begatia e blegtorisë. Zhdrejtasi del si mbrojtës i bagëtisë. Prej barinjve dhe bujqëve pa dallim feje dita e tij, njihet si dita e parë e beharit. Përdoren dhe fraza: Pa Shëngjergj s’vjen behari. Për barinjtë…. Rite zakonore (zilet, vezë të kuqe, kurban). (MSk. 698)
Në këtë legjendë hasim në motivin që ka hyrë nënë ndikimin e kristianizmit: “kau me koc kriç në zemër”. Shumë interesante sidomos është bindja e kallëzonjësit, që po deklaron: “Ene tahé ja kam xhetë (kaut) nji koc si kriç”. Ky plak beson se feja e Krishtit e ka vulën e saj jo vetëm në zemër të njerëzve besnikë, po dhe në zemër të kaut akoma! Shkencërisht, simbas kompetentëve, sendi, të cilin fshatari e quan koc të zemrës, mund të jetë ndonjë proçes patologjik i valvolave atrio-ventrikulare. (MSk. 477). Turqia gjatë kohës së gjatë të sundimit të saj, u rrapat me zjarr dhe hekur që t’i asgjasonte shqiptarët ose t’i asimilonte, po s’mundi. Rezistenca e këtyreve ishte më e fortë, e atillë që shumë rrallë mund të haset në popuj të tjerë. Atëhere ajo vendosi t’i myslimanizonte në masë dhe gjeti rastin ta realizonte qëllimin nga gjysma e shekullit të 17-të e gjatë shekullit të 18-të, pas disfatave të rënda që patën shqiptarët kur dështonin në kryengritjet e njëmbasnjëshme që bënin për të hequr qafet zgjedhën. Zjarr dhe hekur përdorën dhe shteg shpëtimi lanë vetëm ndrimin e fesë.
Në Focesh, Jakup Has Sula më tregoi për priftin e Mollagjeshit dhe varrin e tij: “Katunet tona edhe Mollagjeshi ishin ba myslimanë, po prifti i Mollagjeshit vinte nëpër katundet tona me kusi në dorë e i lagte pleqt e plakat musulmane me ujë të bekuem. Po nje ditë i dolli Shën Gjergji mbudhë edhe e vrau priftin. Vorri i këtij priftit gjindet edhe sot në majë përmi Varrosat. Varrosat janë lagje e Shëngjergjit. Ai varri i priftit e mban emnin ‘Vorri i Priftit’. Kjo pun’e priftit ka nodhë në kohën e katragjyshëvet” (MSk. 473)
Krerët shqiptarë që hynë në shërbim të pushtonjësit qysh në fillim, siç e kemi theksuar dhe më lart, dhe të tjerë të rinj, më vonë, për të siguruar privilegjet e tyre, e përqafuan me dëshirë fenë islame; tërhiqnin me vehte dhe shumë shqiptarë që kishin nënë urdhër. Këta renegatë dhe pasardhësit e të myslimanizuarve me forcë, duke ju bindur kërkesave këmbëngulëse të fesë së re e, patjetër, duke pranuar dogmat e saj, u armiqësuan me fenë e krishterë e me ideologjinë e kulturën perëndimore. Pranuan mjaft doke e pikëpamje të qytetërimit oriental. U thye rezistenca në këtë aspekt. Forca madhore e pushtonjësit i mbante malësorët e pabindur, të rrethuar ngushtë e të izoluar dhe fusharakët i shtypte egërsisht. Rriedhimisht dyert e dritaret u mbyllën. U krijuan dhe klasa. Musulmanët ishin të privilegjuar dhe mund t’i shtypnin të krishterët, të cilët u bënë kastë e ulët me të drejta civile të kufizuara, raje. Turqit bile e kishin në detyrë t’i myslimanizonin të gjithë shqiptarët , por nuk e bënë këtë punë nga frika se bashkimi tyre fetar do të sillte bashkimin kombëtar. Zbatuan moton e tyre të famëshme “ndaj e sundo”. Të myslimanizuarit me forcë mbanin qëndrim oportunist. Në të vërtetë ishin të krishterë e shërbesat e tyre fetare, sa dhe kur mundeshin i kryenin fshehurthi. Gjejmë mjaft shëmbëlla dhe sot akoma në folklorin tonë: Në mal të Shëngjergjit të Tiranës gjëndet “Varri i Priftit”. Ky prift është vrarë në atë vënd nga Shën Gjergji. Në Shpat të Elbasanit shumë pleq të krishterë ortodoksë mbajnë edhe sot emrin e madh, me të cilin paraqiteshin si musulmanë (turq), gjer në kohën, kur u shpall indipendenca shqiptare dhe emrin e vogël që kanë marrë kur janë pagëzuar. Emër musulmani merrnin dhe shumë katolikë në Shqipërinë e Veriut. Dhe në të folmen popullore përdoret aforizma: “Këcen prifti prej belaje”, se vërtet prifti është vënë prej turqëve në valle për bela, për mundim e diskreditim të tij (MSk. 475). I biri i drangojt, Habib Koçeku, ka qënë dhe ushtar i Dovletit. Ka ngrënë tre vjet e gjysmë bukë në ushtrinë turke e ka shërbyer në Anadoll e në Jemen; ka marrë pjesë dhe në luftën e Çatallxhes, gjatë luftës së parë botërore, së bashku me njëqind luras të tjerë, prej të cilëvet u vranë dyzet.Ndër këta të vrarë ka mbetur dhe i vëllai. Kur shkoi ushtar ishte katolik dhe e quanin Bib, po në ushtri e ndroi emrin në Habib, gjithashtu dhe fenë e në shtëpi u kthye musulman. Po gruan e mori katolike nga Selita; dhe nga të katër djemtë e tij, më të vogëlin deshi ta mbante në fenë e tij të vjetër, po s’mundi. Të gjithë iu bënë musulmanë. (MSk. 689).
Marrë nga libri i studiuesit Dhosi Liperi, “Mitologjia Skenderiane”, 2015, Përgatiti për botim: Ylian Dhosi Liperi /zanimalsise.com/