Nga Albert Vataj
550 vjet nga dita kur ikona e parë e Pajtores së Shqipërisë, “Zojës së Shkodrës”, u përcoll nga Shkodra drejt Genazzano-s në Itali, kjo kryevepër e 1800-ës u rishfaq dje e rilindur në Katedralen e Shkodrës, falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me laboratorët e ekselencës së institutit Palazzo Spinelli në Firence.
“Zoja e Shkodrës”, një kryevepër që i mbijetoi përndjekjes së regjimit komunist dhe kohës, u restaurua në Firence dhe u rikthye në Shkodër.
Duke marrë fjalën në ceremoninë që u zhvillua paraditen e së martës në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” Shkodër, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kujtoi momentin kur pa për herë të parë ikonën e “Zojës së Shkodrës”, në shtator 2015 në famullinë e Shën Shtjefnit dhe vendimin e menjëhershëm për restaurimin e saj, si simbol jo vetëm i Shkodrës, por si pajtore e Shqipërisë. “Gjithçka nisi në shtator 2015, kur ndeshëm në telajon e ikonës që na magjepsi me vështrimin ende të pashuar dhe përkuljen elegante, por edhe më tronditi jo pak, pasi rrjepja e kohës dhe dhuna qoftë edhe metaforike që duhet ta kishte përplasur atë ikonë në vitet e errëta kur artin religjioz e burgosën pa e shuar, të gjitha këto flisnin më shumë se vetë ikona.
Madona është një imazh tradicional i shenjtë dhe i interpretuar në të gjitha llojet e arteve pamore. Veprat e frymëzuara nga ky subjekt kanë Jezusin fëmijë në krahë, por ndryshe ishte ikona që pashë dhe aty dëgjova historinë e Zojës së Shkodrës. Nuk i rezistova tundimit për ta prekur me dorë dhe aty për aty mora vendimin se Zoja e Shkodrës meritonte edhe identitet artistik, përtej atij shpirtëror që mbart”, tha Kumbaro. Sipas Kumbaros, “nga ky moment filloi edhe ky udhëtim i dytë i Zojës, në fillim drejt Tiranës për ta restauruar edhe pse mundësitë tona për të restauruar telajo janë thuajse zero, prandaj marrëveshja me Firencen ishte një mundësi e shkëlqyer që vetëm do të përforcohej”. “Ne e kemi ndjekur ikonën në proces e sipër restaurimi dhe jemi mahnitur nga kujdesi apo cilësia e punimeve. Nga pikëpamja profesionale dhe bashkëpunimi ndërkulturor falënderoj të gjithë ekspertët e Firences, por mbi të gjitha Dom Arturin dhe Famullinë e Shën Shtjefnit, që na dorëzoi Zojën, duke na bërë të ndërgjegjshëm që nuk kishim marrë në dorëzim thjesht një pikturë, por kishim marrë në dorë gjithë Shkodrën, kryeqytetin e kulturës”, tha Kumbaro.
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u shpreh se, “ky përvjetor i 550-të i shpërnguljes së Zojës është paradoksialisht një moment për të kremtuar rikthimin e saj. “Një histori mistike, një parabolë e përkryer e historisë të popullit tonë dhe sot mund të gëzohemi për restaurimin e kësaj pikture të Zojës. Dom Arturit i pëlqen të thotë se Zoja e Këshillit të Mirë është Kryezojë, Zoja e shpërngulur ishte natyrshëm Zoja e të arratisurve, e diasporës dhe e kurbetit”, tha Bushati.
Duke u ndalur te procesi i restaurimit, ai theksoi se restaurimi nuk mund të kuptohet pa procesin e dëmtimit. “Nuk mund të ketë rikthim në identitet pa pajtim me veten, sikundër nuk mund të ketë restaurim pa kuptuar dëmtimin. Vepra që na kishte mbetur ishte dëmtuar jo vetëm nga koha dhe kushtet e këqija, por edhe presioni i arratisë censuruese. Sot në këtë sallë nuk jemi të gjithë të të njëjtit besim, por duhet të ndiejmë të gjithë atë që sjell puna e përbashkët duke restauruar. Vendi ynë ka po ashtu nevojë për memorien kolektive të shtetndërtimit, shoqëria jonë ende po përjeton dëmtimin. Vetëm duke rigjetur momentet e shpresës dhe duke restauruar brenda vetes copëzat, vetëm në këtë mënyrë do të dalim nga marrëzia e dëmtimit dhe urrejtjes”, tha Bushati.
Zoja e ShkodresShtrohet pyetja: çfarë mund të thuhet për figurën murale,“Zoja e Shkoders, Drita e Shqypniës”, e zhvendosur nga Kisha bri kalasë së Shkodrës për në Gjenacano në vitin 1467, e cila pas pak viteve u shpall figurë mrekullibërëse nga Papa Pali II, (1464-1471), duke marrë që në këtë kohë ngjarje me përmasa botërore.
Kjo histori e figurës së Zojës së Bekuar, domosdo na kthen në lashtësinë e Arbërisë, e në veçanti në qytetin e Shkodrës, i cili së bashku me Dioklenë, qytete të rëndësishme ilire, luante një rol shumë të rëndësishëm në fushën gjeopolitike të zhvillimit kulturor e pagëzimor në kohën romake. Me pushtimet sllave e avare në shek.VI, megjithëse shënohen degradime të këtij zhvillimi, me pranimin e krishterimit nga serbët në shek. IX-XI, evidentohen ndryshime pozitive në këtë pellg dhe ura ndërtimi të përbashkëta, të cilat kulmojnë sidomos në shek. XIII.
Shkodra me potencialin e saj, si nyje e lidhjeve në mes lindjes dhe perëndimit, vazhdonte të ishte e rëndësishme edhe në kohën veneciane në fushën e humanizmit, kulturës, pikëpamjeve filozofike e teologjike, shkencore juridike, në anën ndërtimore e artistikë e fusha të tjera. E gjithë kjo kuptohet nga dokumentet e kohës, kur flitet për qytetet e Arbërisë venecine si: Kotori, Shkodra, Tivari, Ulqini, Shasi, Drishti, Lezha e Durrësi. Ky lulëzim perëndimor zgjati deri me daljen në skenën politike të pushtuesve osmanë të trevave shqiptare në fillim të shek. XIV.
Në kudër të këtij zhvillimi duhet parë puna artistike më kulmore, e cila reflektohej në objekte fetare, si: kishat katedrale dhe kishat kanonike, abacitë dhe kuvendet e urdhrave kishtare dhe shenjtërore të përmasave krahinore e më gjerë. Vetëm në shek. e XIII, në territorin e Arbërisë Venedikase shënohet se janë ndërtuar 30 kuvende dhe Kisha rregulltarësh nga mbretëresha Helena Azhuniane, e martuar me mbretin serb Stefa Uroshin. (1237-1272). Në këtë bum ndërtimesh, katër kishat e kuvendet françeskane, në Kotor, Tivar, Ulqin e Shkodër, janë ndërtuar nga motra e Helenës, Maria Anselmus, e cila qe varrosur në Kishën e Shën Mërisë në Ulqin në vitin 1307.
Provë për ndërtimin e kishave e kuvendeve në Shkodër janë shënimet e priftit shkodran Marin Barleci, i cili në ditarin e tij të botuar në Venedik në vitin 1504, duke folur për tmerrin e rrethimit të Shkodrës nga turqit, shprehet se brenda qytetit dhe përreth e qark, që më parë kanë funksionuar kishat në kala: Kisha katedrale e Shën Shtjefnit, e Shën Nikollit, e Shën Gjergjit; përreth kalasë: Shën Aponalit, e të gjithë Shêjtënve, Shën Teodorit e të Shêjtes Krygjë, Shën Pjetrit e Palit dhe e Shën Vlashit.
Përtej Bune në Kasem, Kisha e Maria Magdalenës, Shna Prenes etj., dhe në jug-perëndim të kalasë bri murit qëndronte Kisha e Shën Marisë, e quajtur më vonë “Zoja e Këshillit të Mirë” si dhe në afërsi, Kisha e Shën Ilisë dhe e Shën Lazrit që gjendeshin në pjesën e Berdicës. Kishat e lartpërmendura të shek. XIII, i gjejmë edhe në Regjistrin e Kadastrës dhe Koncesioneve për rrethin e Shkodrës, 1416-1417.
Faltoret Arbërore të Zojës se Bekuar në mesjetë
Përhapja e rregulltarëve në mesjetë në këtë zonë si: Bendediktinët, Dominikanët, Françeskanët, Karmelitanet etj., tërhiqte me vete, pos të tjerave, nderimin e madh që kishin ndaj Nënës së Krishtit, të lumes Mari, e cila në krishterim ka një rol tejet të rëndësishëm, sikurse perëndesha Vesta që kishte për Pellazgët e më vonë për Ilirët paganë. Me këtë synim duhen parë ndërtimet zinxhirë të manastireve kushtuar Zojës së Bekuar: të Shën Marisë në Budva, Zojës së Bekuar në Krajë, në shek. X dhe ajo e Dejës. Kurse në mesjetë kemi: kishën e Zojës, jashtë mureve të kalasë në Tivar, Kishën katedrale në dioqezën e Ulqinit, kishën kanonike të Shasit, Kishën e qytetit të Krujës, atij të Drishtit dhe kuvendin e kishës së Zojë së Bekuar, për të cilën jemi duke folur, ndërtuar jashtë mureve të kalasë, por brenda mureve të qytetit të Shkodrës, në shek. XIII.
Studiuesja Fatbardha Shkupi, duke cituar bizantologun e njohur Theofan Popa, shprehet se Abacia e Shirqit, e rindërtuar në vitin 1293, nuk ishte e stilit bizantin, por një faltore gotike e shek. XIII, sikurse edhe Kisha e Zonjës nën kala, e ndërtuar po në të njëjtin shekull, me të njëjtin stil dhe gurë të marrë nga kodra e kalasë së Shkodrës.
Për vendin se ku gjendej saktësisht në mesjetë Kisha e Zojës së Bekuar, e cila në dokumente figuron edhe si Zoja Nunciatë (Lajmërimi i Zojës), kemi informacione të ngjashme nga burime të ndryshme. Në dokumentin më të vjetër që kemi rreth toponimeve, Regjistri i Kadastrës dhe Koncesioneve për rrethin e Shkodrës, 1416-1417, duke përshkruar se ku gjendej te muret e qytetit shtëpia e Gajard Gajardit, e ku mbahej kripa e bashkisë, thuhej se ajo kufizohej edhe me Kishën e Shën Marisë së Shkodrës bri kalasë. Po kështu Kisha e Zojës përmendet, duke e përkufizuar pasurinë e Aleka Benkos në këtë zonë. Pastaj, duke përshkruar se ku gjendej vreshta e Piero Boiçinit, në Vreshtat e Shkodrës, në Berdicë, thuhej se kah pjesa e kalasë vreshta kufizohej me pasurinë e Kishës Zoja e Shkodrës. Po kështu edhe kur flitet për vreshtin e Proganit, e cila kufizohej me pasurinë e kësaj Kishe.
Për vendndodhjen e këtij lokaliteti në mesjetë, shprehet edhe albanologu i shquar, Giuseppe Valentini, në shkrimini tij botuar te revista Leka, (nr. 8 1934), duke u shprehur se themelet e këtij objekti mesjetar duhet të jenë në patalokun e tanishëm, ku akoma sot qartas shihen gërmadhat e vjetra, apo sa pak në afërsi të lumit Drin, në vendin e një Teqje, e cila sipas gojëdhënës, është ndërtuar në vitin 1649, si një konkurrencë dhe pengesë për Kishën “Zoja e Shkodrës”. Po kështu shprehet edhe historiani i parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, si kontribues i vyer i Shenjtërores. Në kujtimet e tij ai shprehet se Kisha e Këshillit të Mirë, sipas traditës popullore, duhet të ketë qenë aty ku sot janë gërmadhat e tepricat e vjetra, apo për shkak të madhësisë se Kuvendit, mund të ketë qenë shtrirë deri në shtratin e ujit të Drinit.
Zhvillimi i artit pamor në Dalmaci, ka pasur jehonën e vet edhe në Arbërinë veriore Venedikase në shek. XIII. Nga relacionet e ipeshkvijve dërguar Selisë së Shenjtë, kuptojmë se Kisha katedrale e Shën Gjergjit në Tivar ka qenë e stolisur me piktura të ndryshme murale madhështore. Po kështu dëshmohet edhe për kishat dhe kuvendet në dioqezën Shkodrës, Drishtit, Shasit etj.. Në relacionin e tij të vitit 1610, Marin Bici shprehet se Kisha e Shirqit ka qenë më e bukura e stolisur në tërë Shqipërinë. Po kështu flitet edhe për Kishën e Shna Prendës në Obot e shumë të tjera. Zhvillimin e artit të suksesshëm në mesjetë në Arbëri, e dëshmojnë sot prania e pikturave, edhe pse të dëmtuara, në Kishat: Pllanë, Balldre, Rubik e Derven.
Ndërtimi i kishave, abacive dhe kuvendeve në mesjetë, në tokën Arbërore kushtuar Zojës së Bekuar dhe stolisja me ikona të Zojës së Bekuar, ishte shenjë e nderimit të madh të popullit tonë ndaj kësaj Nëne Hyjnore. Kjo shihet nga edhe fakti se një ndër 7 pikturat e realizuara nga bashkëkohësi i saj, Shën Luka ungjilltar, kushtuar Zojës se Bekuar, ka qëndruar në katedralen e Ulqinit deri para shkatërrimeve osmane në vitin 1571, dëshmohet në Iliricum Sacrum të Farlati – Riceputi. Në këtë vazhdë të vlerësimit të posaçëm ndaj Nënës së Krishtit, është edhe Kisha Zoja e Këshillit të Mirë, bri Kalasë së Shkodrës, e shek. XIII, e shndërruar në një Shenjtërore mbarëkombëtare, për shkak të mrekullive të ndodhura nga rrezatimi shpirtëror i ikonës murale, vendosur në altarin qendror të këtij tempulli fetar. Duke ruajtur një mister rreth vetes, që tejkalon fazën e Krishterimit, Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, bëri që heroi ynë legjendar, Gjergj Kastrioti dhe Donika, të çonin dhurata të çmuara prej ari e argjendi e ta donin këtë Shenjtërore mrekullibërëse, me një dashuri të përkushtuar e entuziast. E Nëna e Kujdesit të Mirë, siç e quanin disa, si shpërblim, jo vetëm që e bëri atë një shëmbëlltyrë të përsosmërisë kishtare, po i dha edhe pushtet të pamposhtur, jo vetëm që shpëtoi Shqipërinë nga pushtime e egra turke, por edhe krishterimin, gjatë mbretërimit të tij.
Duke u pushtuar nga Perandoria Osmane, në vitin 1434, nga sulltani Murati II, Shqipëria kishte filluar të mbante mbi kurrizin e vet një kalvar tejet të mundimshëm pesëshekullor.
Ngjarjet që kanë lidhje me zhvendosjen e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë për në Gjenecano, ishte fushata e egër e ndërmarrë në Arbërinë e Mesme dhe Veriore nga sulltan Mehmeti II në vitin 1466-1467. Duke dëgjuar për sëmundjen e
Gjergj Kastriotit, në fillim të vitit 1467, sulltan Murati do të shprehej: Kush do të më ndalojë t’i shfaros të krishterët? Kanë humbur shpatën dhe mburojën e tyre. (v. Dandolo, Roma dhe Papët, vol.2). Kërcënimet e sulltanit pasuan ngjarjet e pranverës të vitit 1467, si: rrethimi i dytë i Krujës, Lezhës, Drishtit, Shkodrës dhe pushtimi i Danjës. Me këto djegie, tortura e vrasje të shqiptarëve nga Mehmeti II, populli ynë ishte trullosur dhe u mendua së mbërriti dita e gjykimit të Hyjit, ku e gjithë Shqipëria do të përfshihej në shfarosje.
Hakmarrja turke i bëri ata që të parashikonin jo vetëm humbjen e menjëhershme të pasurive, por edhe shtypjen, ndikimin brutal, shfarosjen e plotë të besimit dhe të qytetërimit. Duke mos parë asnjë rreze shprese nga këta njerëz, populli iu drejtua qiellit: mbushte tempujt e shenjtë, shumëfishonte lutjet publike, mbante kreshmë të rreptë dhe i lartësonte Hyjit premtime të çdo lloji, që ta ndalte fatkeqësinë e zemërimit të tij.
Zhvendosja e Figurës se Zojës nga Shkodra për në afërsi të Romës, në Gjenacano në vitin 1467
Vërehej bri kalasë së qytetit të Shkodrës, mbi një kodër, një kishë e vogël ku nderohej një figurë çudibërëse e Marisë tejet të shenjtë, e pikturuar në mur, që mbante emrin Zoja e Këshillit të Mirë.
Para saj ishte lutur shumë herë trimi Kastriot dhe kishte marrë atë shkëndijë trimërie dhe zjarri, falë të cilit, në mes të betejës dhe flakëve, ngjante si
Hyji i luftës; dhe tani shkodranët i drejtoheshin po Asaj për t’ju lutur që të largonte fatkeqësinë e shkaktuar nga perandoria osmane. Në afrimin e paepur të fatkeqësisë turke, shumë prej tyre nuk dinin ku tjetër të gjenin shpëtim veçse jashtë atdheut dhe të kërkonin në vende të huaja sigurinë e një jete të vështirë prej mërgimtari. Para se të merrnin rrugën e mërgimit, shkodranët shkonin të pikëlluar që t’i kërkonin ndihmë Zojës së tyre, që me keqardhje duhej ta linin vendlindjen në duart e njerëzve të egjër dhe brutalë, dhe i luteshin për të fundit herë që t’i shoqëronte me bekimin e saj në të panjohurat e mërgimit. Mes këtyre mërgimtarëve dalloheshin për mëshirën e tyre dy vëllezër katolikë, të pikëlluar thellë për fatet e ardhshme të atdheut të tyre. Njëri prej tyre ishte familja De Sklavis, dhe shqiptari tjetër, me mbiemër Gjergji.
Nëse i referohemi aspektit teologjik, afresku i Zojës në mënyrë të mrekullueshme ishte shkëputur nga muri, duke u paraprirë dy rojeve, Gjergjit dhe Sklavis, kishte kaluar detin e Adriatikut dhe kishte zënë vend afër Romës në Gjenacano, më 25 prill, 1467.
Por, nëse i referohemi anës studimore, atëherë themi se, për shkak të shkatërrimeve turke, për ta shpëtuar këtë vepër unikale, ajo qe shkëputur nga muri i kishës dhe në mënyrë të mirëkoordinuar qe mbartur për në Gjenacano, ku shërbenin eterit eremitë agustinianë, dhe fisnikja, Petrucia, e cila kishte filluar ngritjen e një kapeleje të veçantë për figurën e Zojës. Hiret mrekullibërëse që filloi të shpërndante Virgjëresha nga shtëpia e saj e re në Gjenecano, ishin të shumta dhe kaq të jashtëzakonshme, sa që u desh të merrej Selia e Shenjte që të shqyrtonte, të vërtetonte dhe t’i regjistronte zyrtarisht ato.
Zëri i një shfaqjeje të mrekullueshme të Virgjëreshës në Gjenacano vjen deri në Romë, dhe papa Pali II, në vitin 1467, ngriti një komision, i cili në bazë të studimeve të kryera, shprehet se, Figura e Zojës është mrekullibërëse. Këtë figurë, si të tillë, e kanë konsideruar edhe papë të tjerë në vazhdim: Siksto IV, 1475; Urbani VIII, 1630; Benedikti XIV, 1753; Pio IX, 1854; Leoni XIII 1883; Gjoni XXII 1959; e deri tek papa Gjon Pali i II, më 25 prill 1993, me rastin e ardhje së tij në Shqipëri.
Papët e pranojnë se afresku i “Zojës së Këshillit të Mirë” është nga Shkodra
Për lidhjet e kësaj figureje me Shkodrën flet papa Benedikti XIV në bulën e tij në vitin 1753, ku ndër të tjera është shprehur, se: Figura siç thotë gojëdhëna e devotshme, me shërbesë të engjëjve, ishte bart prej qytetit te Shkodrës e çua në Gjenecano. Po kështu flasin shumë nga eprorët e lartë të etërve Agustinianë. Dëshmime të shqiptarëve në këtë drejtim janë të shumta nga ata të shpërngulur në Lacio, Kalabri e Pulia, si dhe dëshmitë e shkodranëve të shpërngulur më vonë nga represaliet turke. Nga dëshmitë e arbëreshëve do të veçonim Dom Shtjefen Rrodotaji në vitin 1713 dhe kanonikun Baçi në vitin 1747. Ndër autoritete e larta nga Shqipëria, kemi dëshmitë që kërkoheshin nga Selia e Shenjtë: Konti Shtjefen Medini, 1742, dëshmia e fisnikut Kol Kamsit, e arqipeshkvit të Shkupit Gjon Nikollë Kazazit, të dyja në vitin 1745.
Duke iu rikthyer historikut të kësaj figure, me në krye Atë Belgranos, etërit agustinianë, formuan më 8 korrik të vitit 1878, komisionin e posaçëm që do merrej me këtë punë. Në komision bënin pjesë Atë Gianpiero Da Bergamo, Don Engjëll Radoja e Don Pashko Junku. Në përfundim, ky komision, me kryeipeshkvin Karlo Poten, dhanë analizën e hollësishme për vendin e gërmadhave bri kalasë Rozafat nga ishte zhvendosur për në Gjenacano, Itali, figura e Zojës së Këshillit të Mirë, në vitin 1467. Kjo analizë përputhej me të dhënat e publikuara më parë nga shqiptarët në mërgim dhe krerët e lartë kishtarë nga Shqipëria.
Historia më e thelluar rreth Shenjtërores së Gjenacanos, figurës se mrekullueshme dhe lidhjeve të ngushta që ky afresk ka me Shkodrën dhe popullin shqiptar, është pasqyruar më se miri në librin e ipeshkvit të Sidnev, (Australi) misionarit apostolik, agustinianit Mons. Giorgio Dillon, La Virgine Madre di Buon Consiglio, Siena,1892.
Përshpirtëria ndaj Zojës së Bekuar nuk ishte ndërprerë as në kohën e pushtimit osman, në kohën kur perandoria osmane në shek. XIX, ishte në shkatërrim e sipër, por sa kishte ardhur duke u shtuar. Nisur nga ky fakt dhe të tjera fakte historike, në emër të ipeshkvijve të trevave shqiptare, kryeipeshkvi i Shkodrës, Pashko Guerrini, në vitin 1872, i ftoi besimtarët që të jepnin kontributin tyre për ringritjen e gërmadhave ekzistuese të një Shenjtëroreje dinjitoze për popullin shqiptar.
Për t’i dhënë një hov të ri shpirtëror dhe kombëtar, ipeshkvijtë e dioqezave shqiptare në Koncilin e tretë të Arbrit në vitin 1895, kërkuan nga Selia e Shenjtë që Zoja e Këshillit të Mirë, të shpallet zyrtarisht, Mbrojtësja e Popullit Shqiptar. Kjo kërkesë u pranua nga papati dhe në vitin 1896 papa Leoni XIII dha përgjigjen pozitive, duke ia mbështetur popullin shqiptar Nënës Qiellore. Ky vendim i Selisë së Shenjtë, qe një nxitje e mëtejshme për grumbullimin e mjeteve financiare për ringritjen e Shenjtores së re. Por për shkak të luftrave ballkanike, themelet e saj u vendosën më 17 gusht të vitit 1917, në kohën e
Austro-Hungarisë. Në shenjë përkrahjeje të shenjtërores u themelua edhe revista, “Zoja e Shkoders, Drita e Shqypniës”. Rrethanat politike e shoqërore ngadalësuan punimet, të cilat përfunduan me inaugurimin e bërë ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, më 26 prill të vitit 1930. Kjo shenjtërore gjigante u shkatërrua gjatë sistemit komunist me rastin e mbylljes së kishave në krejt Shqipërinë, në vitin 1967. Pas demokratizimit të vendit, në vitin 1994, rifilluan punimet në ndërtimin e kësaj Shenjtëroreje legjendare, e cila u inaugurua më 26 prill të vitit 1989.
Afresku, i cili sot gjendet në Gjenacano, sipas grupit të studiuesve shqiptar dhe italian, i cili bëri analizat fizike bërthamore, të këtij afresku më 19-21 mars 2017, rezulton se është një imazh mural unikalale dhe ka një madhësi shumë të madhe në krahasim me atë që jemi mësuar ta shohim deri tani. Kjo figurë e shekullit XIII, apo fillim shek..XIV e cila paraqet Zojën e Bekuar ulur më fëmijën në krah, tani fiton një vlerë edhe më të madhe kombëtare, për shkak të zbulimeve më të reja, vlerës artistike dhe historikut që ka në lidhje me zhvillimin e kulturës shqiptare në mesjetë.
Dr.Dom Nikë Ukgjini
Shënim:Kumtesa u mbajt dje në “Konferencën Ndërkombëtare “Zoja e Shkodrës drita e Shqyniis” (Marrë nga Shqiptarja.com).