Ka shumë atdhetar që pë shkaqe të ndryshme nuk njihen, ose janë lënë mënjanë nga historia, një prej tyre është edhe poeti, publicist, atdhetari democrat, Risto Siliqi.

Ai lindi më 16 gusht 1882 në Shkodër dhe shquhej për ndjenjat patriotike që kishte dhe ndjekjen e përhershme të çështjes shqiptare.

Këtë e tregoi duke hyrë që në moshë të re në lëvizjen atdhetare, duke u bërë pjesë e pandarë e saj. Madje atdhedashuria e dalloi që në bankat e shkollës. Qysh në moshë të re, Ristoja zhvillonte propagandë patriotike mes nxënësve të shkollës.

Qeveria turke, duke parë zellin e tij të veçantë dhe punën patriotike, donte ta arrestonte. Në një situatë të tillë, Ristoja u detyrua të largohej nga Shkodra dhe të shkonte në Cetinë të Malit të Zi. Në Cetinë, nisi një veprimtari të madhe, plot me sakrifica e rreziqe.

Ai shpenzoi gjithë pasurinë e familjes dhe vuri kokën në rrezik për shkak të veprimtarisë së tij patriotike. Kjo punë vazhdoi për rreth 10 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai shkoi me misione në Rumani e Bullgari, ku u shqua për fjalimet e tij të zjarrta patriotike.

Në këtë kohë nisi të botonte edhe poezitë e para. Por shteti malazez nisi të dyshonte mbi veprimtarinë e tij, kështu që Ristoja për të humbur gjurmët hapi hotelin “Albania”, që në të vërtetë ishte një qendër bashkimi e partiotëve shqiptarë.

Aty mblidheshin kohë pas kohe krerët e ndryshëm të asaj kohe si: Isa Boletini, Dedë Gjo Luli etj., që po përpiqeshin për një kryengritje, e cila do të fillonte në vitin 1910.

Më vonë ai merr pjesë bashkë me Luigj Gurakuqin me Hilë Mosin në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe bëhet këngëtari i saj. Ishte anëtari i “Komitetit Shqiptar” që krijoi Kryengritjen e armatosur në vitin 1911.

Mori pjesë në kuvendin e Gerçes së Kelmendit, dhe në hartimin e memorandumit të famshëm. Dallohet për trimëri ndër luftimet e ndryshme dhe gjatë kësaj kohe ai shkruan vjersha, ku paraqet përshtypjet e tij nga këto kryengritje.

Shkruan dhe vepra patriotike e i boton ndër gazetat e ndryshme që shtypeshin jashtë atdheut, duke nxitur shqiptarët për liri. Konflikti ballkanik e gjen sërish në Cetinjë, ku vazhdonte veprimtarinë e tij të palodhur.

Por kësaj here qeveria malazeze e dikton, prandaj vendos arrestimin e tij. Fatmirësisht Ristoja njoftohet në kohë nga një miku i shtëpisë së tij dhe arratiset në Kotorr. Gjyqi i Malit të zi, e gjykon në mungesë dhe e dënon me vdekje, duke e konsideruar të rrezikshëm për shtetin malazez.

Në këtë kohë në Kotorr ishin mbledhur shumë patriotë, të cilët prisnin çlirimin e Shkodrës. Më vonë në 1913 gjithë patriotët, me një anije që qeveria austriake ua kishte vënë në dispozicion, mbërritën në Shkodër – mes tyre edhe Ristoja.

Kështu që ju futën sërisht punës për ta çuar në fund atë që kishin nisur. Armiku gjithnjë mundohej të ngrinte krye midis shqiptarëve, ndaj patriotët nisën propagandën për bashkimin e kristianëve me muhamedanët.

Për këtë çështje u krijua një komision, ku Ristoja ishte anëtar.

Gjithandej organizoheshin konferenca e demonstrata, ku Ristoja shkëlqente në fjalime. Në këtë kohë në Shqipërinë e Mesme, Esad Pasha, kishte fituar famë të madh dhe mundohej të bënte propagandën e vet edhe në Shkodër.

Vetë Konferenca e Londrës njihte më tepër mendimin e Esadit, sesa të Shqipërisë së Lirë të shpallur nga Ismail Qemali.

Komisioni i lartpërmendur kundërshton me të gjitha mënyrat politikën e Esad Pashës, ndërhyn te gjenerali sundimtar i Shkodrës, duke formuar një komitet me një organizim të ri më të fortë që merr emrin “Klubi Lidhja Kombëtare”, ku Ristoja është sërish anëtar. Në vitet 1913-1914 ky komitet boton fletoren “Shqypnyja e re” (drejtor Hilë Mosi, kryeredaktor Risto Siliqi, e arkëtar Karlo Suma), duke u bërë kështu ndër publicistët më të njohur.

Përveç artikujve me theks të fortë etnik kombëtar, Ristoja boton edhe mjaft vjersha që nuk mundi t’i botonte si libra më vete për shkak të vështirësive financiare. Megjithatë, për shkak të ndërhyrjes së Esat Pashës e tradhtarëve të tij në fillim të 1914 në Shkodër nisi lufta e ashpër vëllavrasëse.

Komiteti u shpërnda dhe u zëvendësua nga një Komision i Posaçëm, brenda të cilit kishte edhe tradhtarë. Risto Siliqi kundërshton prerë propozimin për thirrjen e një ushtrie të huaj malazeze që të shuante luftën vëllavrasëse.

Më vonë në Durrës nis kryengritja e Esad Pashës ndaj Princ Vidit. Nga të gjitha vendet, nacionalistët i vijnë në ndihmë qeverisë së Shqipërisë, nën udhëheqjen e kolonel Tompsonit, i cili vritet. Ristoja gjithashtu merr pjesë në këtë luftë.

Me shpërthimin e luftës ballkanike, Ristoja u gjend në Shkodër. S’kaloi shumë kohë dhe Mali i Zi pushtoi Shkodrën. Tre ditë pas pushtimit, Ristoja arrestohet së bashku me Luigj Gurakuqin e shumë të tjerë dhe dënohet me vdekje.

E ndërsa nisin ekzekutimet, mes të cilëve u vra dhe Çerçiz Topulli, Ristoja me patriotë të tjerë shpëtojnë, pasi Austria pushtoi Malin e Zi e mbërrin në Shkodër. Deri në fund të luftës ballkanike, Ristoja ushtroi profesionin e avokatit, të cilin e kishte filluar që në kohën e 5 Fuqive.

Pas mbarimit të luftës ballkanike, ku Shqipëria nisi jetën si shtet i lirë e i pavarur, Ristoja vazhdoi avokaturën, por duke mos lënë pas punët e atdheut. Qeveria e emëroi në 1922 gjyqtar në Vlorë dhe në vitin 1923 si kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë dhe anëtar i komisionit të Ligjeve.

Në fund të vitit 1923 lidh miqësi me Fan Nolin. Më pas, u kthye sërish në Shkodër ku vazhdoi punën e avokatit deri në fund të jetës.

Ai vdiq më 1 maj 1936. Në emër të djelmisë shkodrane, profesor Ernest Koliqi me një oratori të veçantë theksoi vlerat e vërteta në Shqipëri e mërgim të Risto Siliqit, pjesëmarrjen e tij në kryengritjet kombëtare të veriut, duke e krahasuar me vjershëtorin shkodran Vaso Pashën, dhe me Naim Frashërin.

Ai e cilësoi Riston si një poet me ndjenjë të hollë e gazetar me kurajo dhe në fund theksoi zotësinë dhe ndershmërinë e tij si avokat. Shumë njerëz të famshëm janë interesuar e kanë shkruar më pas për Riston Siliqin.

Mes tyre edhe poeti Lasgush Poradeci shkroi disa artikuj në shtypin e kohës për Riston si poet e atdhetar, si dhe një baladë të titulluar “Mbi ta”. Familja e tij ka mbledhur gjithë poezitë dhe publicistikën në një libër të ri të botuar në 1998, me titull “Rreze Agimi”.

Libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” ruhet sot në Muzeun Kombëtar, dhe përbën një vepër dokumentare-letrare, ku detajohen kryengritja e Kosovës e 1910 dhe ajo e Malësisë së Mbishkodrës në 1911, paraqiten të dhëna për udhëheqësit e luftës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli etj.

Ristoja i ka përshkruar këto luftëra me aq vërtetësi, pasi ishte vetë pjesëmarrës me armë në dorë duke luftuar kundër armiqve të shumtë të asaj kohe. Tematika e vjershave të tij është atdhetare dhe shoqërore.

Ai lëvron edhe vjershën satirike. Krijimtaria e tij poetike shquhet për idetë demokratike, për simpatinë ndaj luftëtarëve të thjeshtë malësorë, për dufin luftarak, thjeshtësinë, ndikimin e frytshëm nga poezia popullore.

Vlerën artistike poesisë së tij ia zbehin notat retorike, që vihen re herë pas here dhe gjuha e papërpunuar. Megjithatë ka vjersha shprehëse si “Tradhtarëve të kombit” dhe “Mehmet Shpendi” ku portreti i trimit që i dha emrin vjershës, jepet me forcë epike dhe ngjyra legjendare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here