Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Qershor 2018

Në dokumentin me titull “Contribution à l’étude de la femme en Orient. Dr. Zambaco, de Constantinople.”, të doktorit Demetrius Alexandre Zambaco (1832 – 1913), gjejmë një përshkrim të veçantë në lidhje me shtatëzënësinë e grave shqiptare dhe kujdesin e tyre për fëmijën, më saktësisht në faqen n°196, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“…Do të shtoj dy fjalë për myslimanët shqiptarë, të cilët, të strehuar në malet e tyre, nuk janë aspak të turqizuar, dhe ruajnë me bashkatdhetarët e krishterë, zakone krejt të ndryshme nga ato të bashkëfetarëve prej Azie apo Afrike.

Dhe së pari, poligamia nuk ekziston në Shqipëri. Edhe pse ka më shumë vajza sesa djem, është shumë e rrallë që një shqiptar të marrë një grua të dytë. Do të ishte një fyerje për gruan dhe të gjithë familjen e tij.

Në Shqipëri nuk ka skllevër. Megjithatë hasim atje zeshkanë dhe zezakë. Ata janë pasardhës të skllevërve etiopianë, të sjellë në vend nga pashallarët dhe guvernatorët turq. Këta zezakë, absolutisht të lirë, janë malësorë të vërtetë që mbrojnë me xhelozi lirinë e tyre. Ata që pashë janë të hollë, të zgjuar, madje paraqesin të njëjtën formë të kafkës si shqiptarët.

Shqiptarja, e njohur për guximin e saj, nuk duhet të bërtasë gjatë lindjes, sepse është diçka e turpshme nëse nuk përballon dhimbjen. Ajo ndërron fshehurazi rrobat e fëmijës së saj, ndoshta për të shmangur të qarat të cilat nuk mund t’i kontrollojë dot. Fakti është se fëmija vjen në botë pa dijeninë e babait, i cili mëson ngjarjen vetëm pas lindjes. Është nëna e gruas, dhe në rast mungese, gruaja më e moshuar e familjes, që kryen funksionin e mamisë.

Në Shqipëri ka shumë druajtje. Pra, është e turpshme të flitet për shtatzënësinë. Gruaja e fsheh atë sa më shumë që të jetë e mundur. Një grua shtatzënë ka gjithmonë me vete një kanif, që të presë kordonin e kërthizës nëse është e nevojshme.

Gruaja popullore punon tokën me burrin e saj deri në një periudhë shumë të vonshme të shtatzënësisë.

Të porsalindurin e lajnë çdo ditë ; koka e tij qëndron e zbuluar, gjymtyrët e tij nuk bllokohen nga mbulesat, por lihen në gjendje të lirë ; fëmija rritet rehatshëm. Kështu shqiptarët i kanë këmbët e tyre të drejta dhe jo të shtrembura si shumica e osmanllinjve.

Gruaja shqiptare është një shoqe e vërtetë dhe e barabartë me burrin e saj, nuk është një qenie inferiore që Perëndia ka krijuar për kënaqësinë e njeriut dhe për plotësimin e nevojave të tij natyrore.

Në Shqipëri ka një respekt të jashtëzakonshëm për gruan më të moshuar të familjes, e cila gjithmonë pyetet për të gjitha interesat dhe aktet që kanë të bëjnë me anëtarët e saj të ndryshëm.

Së fundi, zakonet shqiptare nuk lejojnë abortin siç ndodh tek myslimanët e tjerë. Kështu, gratë mund të lindin deri vonë. Ka nga ato që lindin derin në moshën 48 dhe 49 vjeç…”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here