Në fillimin e veprës me titull “Grammatica Albanese con le poesie rare di Variboba del Prof. Vincenzo Librandi”, botuar në Milano në vitin 1897, gjejmë një parathënie speciale të autorit për shqiptarët – shkruan Aurenc Bebja. Shkrimi është si më poshtë:
“Më shumë se dyqind mijë shqiptarë, të shpërndarë në tetëdhjetë komuna, jetojnë në krahinat jugore të Italisë. Bëjnë pjesë në faqet e shquara të historisë së popujve, por vazhdimisht pyesim: Kush janë ata?
Kush janë ata? – Një popull gjigantësh, një popull heronjsh. Shqiptarët e sotëm janë vetëm pellazgët e lashtë, më të vjetërit, banorët e parë të Greqisë.
Pas vdekjes (1467) së shqiptarit trim dhe të patrembur Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Shqipëria u bë një provincë turke dhe familjet, të cilat nuk besonin më se ishin të sigurta atje, emigruan dhe erdhën në Itali. Meqë e përmenda Skënderbeun, jam i kënaqur të them shkurtimisht se ai, duke shfarosur në fushat e Torviollit – më 29 qershor 1444 – ushtrinë e fuqishme të Muratit II, të komanduar nga Ali Pasha, dhe duke mbajtur lart flamurin e Shqipërisë për 27 vjet, pasi mposhti myslimanin në 22 beteja të tjera, atë e lavdëruan dhe admirimuan të gjithë sovranët e Evropës.
Shqiptarët e Italisë, nuk emigruan nga mëmëdheu i tyre vetëm një herë, por edhe në disa raste të tjera dhe u vendosën në Mbretërinë e Napolit, ku u mirëpritën nga Alfonsi i Aragonit, Charles III dhe mbretër të tjerë. Ata formuan shumë fshatra, disa prej të cilave sot janë të mëdha dhe tregtare dhe iu përkushtuan ekskluzivisht bujqësisë dhe blegtorisë.
Këto periudha të ndryshme të emigracionit i penguan ata të vendoseshin në një provincë të vetme; kështu që ne kemi shqiptarë në Siçili, Kalabri, Basilicata, Puglia, Abruzzi etj. Nuk u bë e mundur të vendoseshin në një krahinë të vetme, sepse mbretërit e Napolit, i njihnin cilësitë luftarake të shqiptarëve dhe kishin frikë se mos do t’u ktheheshin dhe t’i rrëzonin nga froni.
Shqiptarët pësuan ndodhi të ndryshme, por si një popull i fortë dhe i guximshëm, nuk e humbën shpirtin dhe vazhduan me zili të ruanin traditat, veshjet, fenë dhe mbi të gjitha gjuhën e tyre.
Ata kanë letërsinë e tyre, subjekt i studimeve të vazhdueshme nga kritikët vendas dhe të huaj. Nga studimi i kryeveprave të shumë shqiptarëve intelektualë ia arrita, me durim dhe hulumtim të zellshëm, të përpiloja Gramatikën aktuale.
Bazohet kryesisht në gjuhën e folur dhe në poezitë lirike shqiptare të Giulio Variboba (Jul Varibobës), të botuara në Romë që në vitin 1762.
Ishte për mua dhe për të gjithë shqiptarët, një fat i vërtetë që, pas shumë hulumtimeve të pafrytshme në bibliotekat e Italisë, rastësisht më ra në duar ky libër i artë. Nuk është detyra ime të flas këtu, për Varibobën dhe rimat e tij; me kalimin e kohës, kritikë të shquar dhe kompetentë do të shkruajnë më gjatë dhe mirë. Unë shtoj vetëm se, këto poezi meritojnë të studiohen dhe t’u përcillen brezave të ardhshëm dhe prandaj mora lirinë për ribotimin e tyre në gramatikën time, duke dashur gjithashtu të bëj diçka shumë të nevojshme për të gjithë shqiptarët.”
Vaccarizzo Albanese (Kalabri), Tetor 1896
Prof. V. LlBRANDI.” /Darsiani/