RITET MORTORE
Shqiptarët i kanë kushtuar gjithnjë vëmendje të vëmendje të veçantë, veç dasmave dhe ceremonive martesore, por edhe atyre mortore, hera-herës me ngjyresa monumentale.
Të gjithë burrat dhe gratë e krahinave, nderoheshin edhe pas vdekjes me një ceremoni mjaft të veçantë.
Ajo çfarë njihet më së tepërmi dhe është arritur të përçohet edhe në ditët e sotme është folku elegjiak, ose edhe vaji.
Vajtimi i burrave, dukuri me zanafillë tepër të lashtë, bie me vete deri në kohën tonë elementë të veçantë të prehistorisë, në përfytyrim e në simbolikën e saj të veçantë për vdekjen e rikrijimin në jetën njerëzore.
Në tërë popujt e Ballkanit është ruajtur vetëm te Shqiptarët e te Malazezët, diku-diku deri mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta vendi më klasik ku është ruajtur gjama në vdekje është Dukagjini, Mirdita, Malësia e Madhe, Rugova, disa vise të Kosovës e në përgjithësi viset shqiptare në Mal të zi. Të qarit e burrave me ligje është dëshmuar edhe në Labëri e në Arbërorët e Peloponezit në Greqi. Por ajo është dëshmuar në të kaluarën të thuash në pjesën më të madhe të Shqipërisë së Epërme duke përfshirë dhe viset e Kosovës. Ky rit mortor i burrave quhet me emra të ndryshëm: gjama, brima (britma) në vdekje, thirrja e vajit, të qarët me botë, “ligjet” e burrave në vdekje.
Duke falenderuar veçanërisht Agustin Miraka, për foton nga një ceremoni mortore në Veriun e Shqipërisë në shekullin e 19-të.
Për Labërinë nga eksploruesi R. Alikaj theksohet:
“Kur del kufoma për t’u varrosur, gratë përgjithësisht qajnë dhe ulurijnë, si në çastin e vdekjes. Edhe burrat mund të qajnë, por pa zë. Kur i vdekuri ka qenë me rëndësi dhe hidhërimi që ka shkaktuar me vdekjen ka arritur kulmin, atëherë mund të qajnë edhe këta me zë të lartë. Të vdekurit qahen dhe vajtohen me ligje”.
Me ligje qajnë gratë përgjithësisht. Por, edhe burrat mund t’i qajnë e t’i vajtojnë me “ligje”. “Ligje quhen vargjet që u ngrihen të vdekurve, vepra që kreu dhe historia ejetës që kaloi, e ajo e vdekjes që e korri dhe e dërgoi në të shumtët”.
Pra burrat e labërisë kanë bërë ligje (gjëmë), por në një mënyrë më të lehtësuar nga ç’e kanë pasur viset e Shqipërisë së Epërme.
Gjama në grup e në bashkari e përmbushin procesin në disa faza vazhduese, të njëkohëshme. E bëjnë bashkë 5 deri në 15 vetë nga një fis (me kuptimin më të gjërë të fjalës, qoftë ky dhe konvencional), nga një fshat a një krahinë. Grupi i gjamës bashkari mund të shkojë ndonjëherë deri në 70-80 vetë, po edhe më tepër. Çdo grup ka një kryegjamtar që e drejton gjamën, që është më i afti në interpretimin e këtij riti e më autoritari.
Gjama bashkëri ose dhe vetjake (ku bën gjamë vetëm një njeri i veçuar) mund të bëhet në tre raste:
a. duke ardhur grupi nga shtëpitë e tyre për në vdekje;
b. pasi janë mbledhur të gjithë që më parë te shtëpia e të vdekurit;
c. te varret, në kohën para varrimit nga që disa nga vende të largëta mund të arrijnë me vonesë, ndoshta vetëm në kohën e varrimit.
Grupi a i vetmuari e fillon gjamën 100 deri 500 metër larg të vdekurit që është vendosur në një vend të caktuar, vend i hapur e për t’u parë nga larg.
Le të kujtojmë gjamën e bërë nga Lekë Dukagjini kur vdiq Skënderbeu (më 1468), përshkruar nga disa autorë të asaj kohe: ai rrihte gjoksin e shkulte flokët siç bën Akili kur iu vra Patrokli në Luftën e Trojës tre mijë vjet më parë.
Misionari Rodini thotë më 1637 se burrat shqiptarë qajnë e bërtasin pa masë mbi të vdekurit e tyre: “bërtasin me të madhe më shumë se një gjysëm ore; bërtasin bashkarisht me të madhe nga ç’kanë bërtitur Izraelitët në vendin e Hananit ku kanë varrosur Patriakun Jakov (1800 vjet para Kr. : M. T.). Gjamën e burrave e vajin e grave na e ka përshkruar me hollësi r. Bardhi në shkrimet e tij. Thotë (viti 1641) se këta shqiptarë i quajnë me gjithë zemër njerzit e gjakut të vet në çastin e vdekjes.
Vaji e gjëma të bëra me tronditje të mëdha, kanë qenë praktikuar edhe në lashtësinë ilire, dëshmuar mirë te Dardanët, po kështu edhe në Trakë, në Grekë e në Romakë.
Ato janë të origjinës paleoballkanike, mesdhetare e të popujve të Lindjes së Afërme.
Le të kujtojmë rreth 4000 vjet më pare’ Gilgameshin, mbret i Urukut, te Sumerët indoeuropianë të Mesopotanisë, se si e vajton me gjamë e britme Enkidujin, mikun e tij të trimërive, se si shkul flokët e shkyen rrobat.
Vërehet pra ketu një ngjashmëri e madhe në gjëmë e vaje, mes asaj kohe sumere tepër të lashtë e Shqiptarëve, në këto rite tronditëse të vdekjes. Si e kanë vërejtur dijetarët e mëdhenj, të entologjisë religjioze në ritet e vdekjes në popuj të ndryshëm, mes tyre edhe në popuj të Ballkanit, vërehen jo pak dukuri kozmogonike: ide e përfytyrime të krijimit fillestar, të të asgjësuarit për t’u rikrijuar (për t’u ringjallur) në botën e përtejme e në pasardhës me anë të kalimit të shpirtit nga gjenerata në gjeneratë, asgjësim e rianimizim i vazhdueshëm.
Këto ide në forma simbolike e të gurëzuara i vërejmë edhe në veçoritë e gjamës së Shqiptarëve që u paraqit më parë, po edhe në disa vajtime grash, shoqëruar me veprime tepër arkaike e të çuditshme.
Po këta elementë janë të cunguar e tepër të diskutueshëm në përmbajtjen e tyre mirëfilltësore. /konica.al