Artan Shkreli, zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, publikon një hartë të rrallë italiane që i përket shekullit të XVII, që tregon territoret e Shqipërisë kur ishte nën zotërimin Osman.

POSTIMI I PLOTË

HARTA E RRALLË

Meqë pas një përndezjeje fillestare, interesi për botimin e gjërave të reja për Skënderbeun ka rënë (qoftë dhe për dromca jo të rëndësishme), po bëj me dije disa hollësi nga një hartë e vjetër italiane e pastudiuar më parë.

Harta paraqet me detaje relativisht të mira Lezhën dhe rrethinat e saj. Mjerisht autori i saj është i panjohur, dhe në dokument nuk është i shkruar gjëkundi as emri i tij e as viti i skicimit, por brendia e hartës na sugjeron të dhëna që hedhin dritë edhe në këto zbrazëti.

Bëhet fjalë për një dorëshkrim me penë që mban emërtesën DI ALESSIO, ndërkohë që në skedarin e arkivës titullohet frengjisht “Carte italienne de la région située à l’embouchure du Drin” (Hartë italiane e zonës që ndodhet në grykëderdhjen e Drinit). Ky manuskript sot ruhet në Bibliothèque Nationale de France, département Cartes et plans, GE D-17186, dhe është përgatitur në shkallën pak a shumë 1:30.000, në një fletë të vetme me dimensione 280×425 mm.

Pa i hyrë analizës së hartës, e cila paraqitet shumë interesante, po përqëndrohem shkurt në autorin dhe kohën e hartimit. Sa i takon autorit, ka shumë të ngjarë që ai të jetë një relator klerik vendas (arbër) i cili është ulur të përpilojë një hartë topografike si mbështetje të ndonjë relacioni deskriptiv për rajonin e Lezhës. Nuk duhet te jetë e vështirë për hulumtuesit e historisë të gjejnë një përputhshmëri të tillë në të ardhmen. Teza e autorit vendas mbështetet kryesisht nga fakti se në traktin e zmadhuar (bashkangjitur) vërehen dy mikrotoponime në gjuhën shqipe: “Vadimolin” (Vau i mullinit) të cilën autori e përkthen “cioe, Passo di Molini” dhe ca më poshtë: “Uraechenetez” (Ura e Kenetes), “Ponte di p…”.

E sa i takon periudhës kur është bërë, mund të thuhet jo pa bazë se harta duhet të jetë realizuar pak pas mesit të shek XVII. Kjo sugjerohet jo vetëm nga elementët e qartë paleografike, por edhe nga krahasimi i hollësive hartografike mes saj dhe një tjetër harte, të së famshmes “Corso delli Fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia…” e vitit 1688 nga At Coronelli. Madje ka shumë të ngjarë që dokumenti ynë, bashkë me shumë të tjerë të ketë shërbyer si material përgatitor për vetë hartën e Coronellit. Ky sugjerim vjen pasi me lehtësi vërehet se ky i fundit, në hartën e stampuar te 1688-es, i ka perdorur mot-a-mot këto mikrotoponime, por duke lajthitur paksa në emërtesat shqipe.

Gjithsesi, përtej këtyre të dhënave, çka bie në sy, është një shkrim didaskalik e i thekshëm mu pranë qytetit të Lezhës (paraqitur me një kështjellë të fortë e me flamurin osman në majë dhe me varoshin të shtrirë në këmbë të kodrës). Didaskalia thotë: “Alessio, castello ove morí Scanderberg, flagello dell’ Imperio Ottomano” – Lezha, kështjella ku vdiq Skënderbeu, kamzhik për Perandorinë Osmane. Duket se autori, në militantizmin e tij, më tepër se një njoftim enciklopedik, ka dashur të përkujtojë rezistencën e paharruar të arbërorëve, duke e shkrirë emrin e Lezhës me atë të Skënderbeut.

Gjergj Kastrioti qe bërë mit qysh në të gjallë të tij, e me pas nuk ka moment në historinë e shqiptarëve që të zhbëhej çka ai perfaqësoi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here