Për disa shekuj, vikingët ishin superfuqia dominuese në pjesën më të madhe të Europës.

Shumë shpejt, ata u shfaqën rrufeshëm me barkat e anijet e tyre të shpejta, duke sulmuar, duke vjedhur e duke plaçkitur, duke vrarë e duke bërë masakra dhe më pas u zhdukën për t’u shfaqur në një formë tjetër e të fragmentuar (në kohët e sotme njihen mirë pasardhësit e tyre skandinavë: norvegjezë, islandezë, suedezë, danezë etj.).

Vetëm në një fazë të dytë, ata u bënë sërish të gjallë, këtë radhë duke pushtuar toka e duke zhvilluar qendra të rëndësishme tregtare. Por, gjatë këtyre hapave që ata kanë përshkuar në historinë e vet, ata ruajnë edhe plot mistere e të fshehta.

Rrënjët e ekspansionit viking

Fillesat e ekspansionit viking gjenden në fillim të shekullit të gjashtë pas Krishtit. Mendohet se ata u nisën për të kryer aksionet e tyre plaçkitëse, thjesht nga nevoja për të mbijetuar. Europa Kontinentale me klimën e saj relativisht të mirë e të këndshme, dhe me kështjellat e qytetet e saj të pasura, duhet t’u ketë ngjarë atyre si një parajsë e vërtetë. Duke filluar rreth viteve 800 të erës sonë nis dhe ajo që njihet si “epoka e vikingëve”. Ndërsa fillimisht, veprimtaria e tyre kufizohej vetëm në disa aksione të vogla plaçkitjesh e grabitjesh, nisin e ravijëzohen edhe ngulmimet apo kolonizimet e para vikinge.

Ata vendosen te Hebridët, ngulen në Angli, Irlandë, Islandë e Groenlandë, madje, mendohet se kanë arritur të parët edhe Amerikën, një teori kjo tashmë shumë e rrahur. Ata ngritën një rrjet të pasur e të gjerë tregtar dhe anijet e tyre çanin Atlantikun, detin e Veriut e atë të Lindjes, nga Rusia deri në Groenlandë. Në një kohë të caktuar, ata duket se u dhanë fund aksioneve të tyre plaçkitëse e grabitjeve. Asnjë kështjellë, asnjë qytet nuk ishte i sigurt prej tyre. Nga mbreti i Frankëve (në Gjermaninë e sotme) ata morën si dhuratë, madje edhe Normandinë, duke kursyer në këtë mënyrë vetëm Parisin. Nga shekulli i nëntë e duke vazhduar në atë të dhjetin, kronikat na dëshmojnë raporte të panumërta mbi sulmet vikinge. Aksionet e tyre u shtrinë, madje në kohë të veçanta deri në Ngushticën e Bosforit e Detin Kaspik.

Vetëm në shekullin e 11, ylli i tyre nisi të perëndojë. Qytetet nisën të mbroheshin më fort e të forconin muret e tyre. Në Angli, Harold Goduinson u shkaktoi vikingëve në “Stamford Bridge” një humbje shkatërrimtare. Harald III Hardraade, mbreti i Norvegjisë, ra në këtë betejë. Përveç tyre, ata filluan të kishin konkurrentë në dete. Qysh para themelimit formal të lidhjes hanzatike (lidhje tregtare e qytet-shteteve të zonës së detit Baltik) në vitin 1356, një tip i ri anijesh u doli përpara vikingëve, duke u hapur probleme serioze: Kogat.

Gozhdën e fundit në arkivolin e tyre, në njëfarë mënyre, sigurisht, e nguli edhe kristianizimi i Skandinavisë nga ana e mbretërve gjermanë. Nga burra trima e të etur për gjak nga Veriu, ata nisën të bëheshin kristianë të butë e të dhënë tashmë pas të rejave të kohës.

Tre shekuj me radhë, vikingët e kishin prekur ndjeshëm historinë europiane. Para së gjithash, sukseset e tyre ushtarake bënë që të merreshin me ta arkeologë prej shumë shekujsh.

Çfarë fshihet pas tyre? Si ndodhi që një masë fshatarësh skandinavë të mund të pushtonin gjysmën e kontinentit e ta ulnin atë në gjunjë nga frika? Njëri ndër çelësat e suksesit të tyre ishin sidoqoftë anijet e tyre.

Ndërkohë janë zhvarrosur nga thellësitë e deteve disa nga anijet e tyre dhe janë studiuar hollësisht. Restaurimi ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm. Mjeshtrit e ndërtimit të  anijeve vikinge rezulton të mos kenë përdorur kurrë sharra. Rrënjët e aheve ndaheshin në gjatësinë e tyre dhe kjo përbënte dhe një ndër të fshehtat e anijeve të tyre. Nëpërmjet ndarjes (jo prerjes me sharrë) druri arrin të mbajë strukturën e tij fillestare të paprekur e të fortë.

Dërrasat mund të shkëputeshin si ristela të holla, duke mbetur kështu shumë elastike. “Anijet e dragoit” nuk ishin konstruktuar për

t’u bërë rezistencë dallgëve, ato ishin bërë më shumë për t’iu përshtatur apo për t’i rrëshqitur atyre. Barkat apo anijet e tyre të lehta, krijonin në njëfarë mënyre rezistencë të vogël ndaj dallgëve, duke arritur një shpejtësi të admirueshme për atë kohë.

Interesante në formën e dizajnin e anijeve vikinge ishin edhe velat. Në fillimet e saj, fuqia e prodhuar nga era nuk ishte shumë popullore ndër veriorët. Si burra të vërtetë, ata preferonin më mirë të lundronin duke i dhënë fort rremave të tyre, se sa të qëndronin në bord të anijeve apo barkave të tyre duke pritur për erë të mbarë. Forma e velave ishte konceptuar nga vikingët shumë mirë, duke përbërë në fakt një inovacion për kohën. U besohej lëndëve të para vendase dhe kështu që leshi për prodhimin e tyre ishte i një cilësie shumë të lartë. Përveç kësaj, në përdorim vihej edhe një teknikë shumë e sofistikuar krehjeje. Në fund, materiali i përftuar ngjyhej edhe me dhjamë kali, duke u bërë shumë rezistent ndaj ujit.

Për sa u përket armëve të tyre, një supozim i ndërtuar mbi fakte e dëshmi arkeologjike flet për armë moderne për kohën, që të kombinuara pra me anijet e me tërbimin e tyre në luftë, sillnin një sukses të jashtëzakonshëm. Këmishat apo parzmoret e tyre të zinxhirta, dëshmoheshin si mburojat më të mira të kohës ndaj heshtave e shigjetave të çdo lloji e mase. Luftëtarët vikingë kishin ulur në maksimum rrezikun për vdekje, por sigurisht se plagosjet duhet të kenë qenë të mëdha, e së bashku me to edhe vuajtjet e tyre.

Nëse folëm pak për armët e tyre mbrojtëse, tashmë duhet të themi dy fjalë sigurisht edhe për armët e tyre mësymëse, pasi besohet se ato përbëjnë edhe thelbin e fitoreve vikinge. A mos ndoshta shpatat e tyre ishin diçka e rrallë? Thuhet se vrullit të goditjeve të tyre nuk mund t’i rezistonte dot askush. Por kjo nuk përbën një shpjegim. Shpatat e tyre nëpër muze, renditen tek ato të nivelit të mesëm e atij të vogël çuditërisht. Por ato dëshmojnë megjithatë një veçori që nuk e kanë të tjerat.

Duke i skanuar ato me rreze “Röntgen”, arkeologët kanë zbuluar se mbi materialin e tyre është punuar shumë, për sa i përket mprehtësisë dhe kjo duket se ka qenë një tipar shumë i veçantë i tyre. Motivet e tjera të suksesit të tyre në pjesën më të madhe kanë qenë ato religjioze, por edhe ato natyrore, të një race të zellshme e trime, me njerëz të gjatë e që rriheshin nga ajri i pastër i natyrës nordike. Religjioni (paganizmi dhe ritet e tyre për zotat) asokohe prekte shumë aspekte të rëndësishme të jetës së përditshme, dhe veçanërisht lidhej me luftëtarët.

Karakteri, morali, ndikimi i besimeve të tyre, anijet, armët dhe shpirti inovativ, punëtor e liridashës i tyre, bëri që ata të lënë gjurmët e tyre në historinë botërore si paraardhësit e një populli që edhe sot e kësaj dite, renditet me standardet e nivelin e mirëqenies, në shkallët më të larta në botë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here