Një përmendje e shkurtër, por interesante në kronikën e perandorit bizantin, Jan Kantakuzeni, sjell një përfytyrim të ri për Prishtinën.
E konsideruar si referenca e parë historike për Prishtinën, kronikani bizantin përmend ngjarjet e vitit 1342 dhe marrëdhëniet e rënduara mes bizantinëve në tërheqje dhe feudalëve serbë që po avanconin drejt jugut.
Duke qenë vetë i pranishëm në takimin me carin serb, Stefan Dushan, Kantakuzeni e përshkruan Prishtinën e asokohshme si ‘fshat i parrethuar me mure’.
“Kur mori vesh që Krali, së bashku me gruan, vinin tek ai edhe ai ua ktheu vizitën dhe bënte shumë deklarata për miqësinë. Duke u nisur nga Shkupi shkoi në një vend, i cili për bukurinë e tij quhej Palloj. Atje, në një fshat të parrethuar me mure që quhej Prishtinë, u takua me Kralin, i cili kishte arritur me gruan”.
Për historinë e shqiptarëve në botën bizantine, kronika e Kantakuzenit sjell njoftime me vlerë, sidomos për kryengritjet e tyre kundër pushtetit të perandorit, Andronik.