1.
Sot, 39 vjet, në Untergruppenbach, afër Helbronit, në Gjermani, u vranë në një atentat tre prijësit e shquar të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla.
Atentati u krye me urdhër të Stane Dollanc, asokohe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, shef absolut i kupolës së shërbimeve sekrete të Jugosllavisë.
Atentatin e organizoi Drejtoria e Dytë e Shërbimit të Sigurimit Federal Shtetëror, e cila merrej kryesisht me kundërshtarët politikë që kishin migruar ose ishin arratisur jashtë Jugosllavisë.
Në organizimin e vrasjes kishte dorë drejtpërdrejt edhe funksionari i lartë UDB-së së Kosovës, Selim Brosha. Roli i tij ishte kordinimi i rrjetit të spiunëve që përcillnin aktivitetin e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Thënë më troç, vjelja e informatave më të freskëta që lidheshin me vendodhjen aktuale dhe lëvizjet e mundshme të të shënjuarve për ekzekutim.
Atentatin e kreu krimineli i njohur serbo-malazez Zheljko Razhnjatoviq, Arkan, me ekipin e tij, mes të cilëve ishte edhe Gjorgje Bozhoviq, Gishka.
Atentatorët e kishin zënë pritën, në një ndërtesë, ku ishin kryer vetëm punimet e vrazhda, 50 metra larg shtëpisë së Vëllezërve Gërvalla. Ngrehina ndodhej përballë garazhës ku ata mbyllnin veturën dhe në cep të rrugicës që çonte te vendbanimi i tyre.
Sipas të gjitha gjasave, vrasësit kishin qëndruar në pritë disa ditë e netë rresht, derisa e kanë kryer ekzekutimin.
Krahas revoleve, të kalibrit 7.65, ata ishin të armatosur edhe me bomba dore.
Nga dëshmi e dokumente të ndryshme del se Arkani, bashkë me Selim Broshën, më 10 tetor 1981, e kishin ekzekutuar në Bruksel, para shtëpisë dhe gruas së tij, Vehbi Ibrahimin, aktivistë i organizatës atdhetare “Besëlidhja Shqiptare“.
2.
Asokohe, Jugosllavia ishte një ndër shtetet më të fuqishme evropiane dhe, përmes shërbimeve të saj sekrete, kishte ekzekutuar nëpër shtete të ndryshme perëndimore shumë kundërshtarë politikë, kryesisht kroatë. Këto veprime kriminale të shërbimeve jugosllave kryheshin pa asnjë pasojë për Beogradin ose agjentët e tij vrasës.
Kjo u përsërit edhe me rastin e atentatit në Untergruppenbach.
Mediet gjermane, e sidomos javorja e njohur “Der Spiegel“, e drejtuan, pa asnjë hezitim, gishtin denoncues drejt autoriteteve jugosllave, si urdhërdhënës të këtij krimi të rëndë.
Nga shumë dokumente del se atentatet e ngjashme përgatiteshin nga ekspertë eminentë të shërbimeve sekrete dhe në to merrnin pjesë drejtpërdrejt 3 grupe specialistësh:
- grupi që mblidhte informata nga rrjeti i gjerë i spiunëve;
- grupi i vrasësve profesionistë; dhe
- grupi që shpërndante dezinformata lidhur me motivin dhe ekzekutorët e vrasjes.
Pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, si zakonisht në këso rastesh, grupi për dezinformim ishte shumë aktiv. Ky grup jo vetëm arriti të shpërndajë mjegull për të lehtësuar humbjen e gjurmëve të kriminelëve, por arriti që me shpifje gjithëfarësh të nxisë, për një kohë të gjatë, sherre e mosbesim në mes veprimtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.
Edhe sot, pas gati 4 dekadash, ka kalemxhinj-budallenj shqiptarë që nuk rreshtin së akuzuari njëri-tjetrin, dhe pa asnjë argument të qëndrueshëm, si persona të implikuar në këtë krim të rëndë.
3.
Vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës, ishte ndër grushtet më të rënda që kishte pësuar Lëvizja Kombëtare e Kosovës që prej vrasjes së Isa Boletinit, Shtjëfen Gjeçovit dhe Hasan Prishtinës. Vrasja ndodhi në valën e arrestimeve masive të studentëve dhe veprimtarëve shqiptarë gjithandej në territoret tona në ish-Jugosllavi. Humbja e tre prijësve aq të ditur, aq të përkushtuar e aq të sprovuar, pati pasoja të mëdha dhe të përhershme për Kosovën, deri edhe sot.
Mjafton t’i këqyrësh me vëmendje veprimet e elitave tona politike.
Nuk është e rastit prandaj, pse paria e përzgjedhur e Serbisë, kur ishin në pyetje popujt e pushtuar prej saj, shqiptarët në radhë të parë, gjithmonë e përseriste se “… armiqtë duhet t’i godasim vazhdimisht në kokë, sepse me trupin pa kry mund të bësh çka ta dojë qejfi“.
Nga gjithë përvoja dhe sidomos nga studimet e vazhdueshme të historisë së Serbisë, vihet lehtë në përfundimin se, po t’i kishte Serbia tre kuadro të kalibrit të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit do ta destabilizonte thellë dhe gjatë krejt Ballkanin.
4.
Shteti shqiptar, mjerisht, nuk dijti apo thënë më mirë nuk deshti asnjëherë t’i mbështesë si shtet këta djem të paepur të Kosovës. Çka është edhe më keq, përdori ndikimin e tij absolut për t’ua futur ndërskamcat, për t’i përçarë e për t’i daktisur si mos më keq. Me qëllimin e vetëm që të mund t’i kontrollonte sa më lehtë.
Qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj Lëvizjes Kombëtare të Kosovës para, gjatë dhe pas ngjarjeve që po i përshkruaj, dëshmon se Shqipëria londineze ende, edhe pas mbi një shekulli pavarësie, nuk di dhe nuk do të sillet si shtet ndaj trojeve të tjera shqiptare.
I njoh mirë dhe personalisht, të paktën, tre persona, e të cilëve për shkaqe higjenike nuk po ua përmend emrat, e përmes të cilëve, Tirana i kontrollonte Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Eshtë pak të thuash se janë ndër njerëzit më të pamoralshëm që mund t’i hasësh në jetë.
Njëri prej tyre, edhe sot, pas gati 4 dhjetëvjeçarësh, e thotë publikisht e sa herë që i jipet rasti dhe, pa asnjë pasojë, se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së. Natyrisht duke përsëritur papagallisht atë që ia kishin ngulitur në kokë sigurimsat e Shqipërisë.
Tjetri, për motive e inate krejt personale, këmbënguli dhe ia arriti, natyrisht me kurthe e intriga të paimagjinueshme, ta përçajë organizatën dhe ta heqë nga ballina e “Zërit të Kosovës“ citatin aq domethënës të Jusuf Gërvallës, të shkruar me gjakun e tij:
“Në ballë të këtij populli dhe këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën.
Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.“
Ndërsa në vend të tij vuri citatin që nuk kishte asgjë të përbashkët as me Kosovën e as me çështjen e saj:
“Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!“
I treti, në kohën kur, pas vrasjes që po e përshkruaj, u arrit, me shumë sakrifica, një konsolidim i Lëvizjes, për motive të ulëta dhe sipas thënieve të tij, i nxitur nga përfaqësues të shtetit shqiptarë, e përçau Lëvizjen, duke nxjerrë një gazetë tjetër, por me të njëjtin emër (“Zëri i Kosovës“), dhe në emër të të njëjtës organizatë (Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi). Kjo gazetë e dytë, një prarendëse e asaj që sot rëndom njihet si «fake news», ishte e mbushur me shpifje dhe dekonspirime që patën pasoja katastrofike për Kosovën dhe qëndresën e saj.
Kjo praktikë e neveritshme e individëve që vepronin e veprojnë në emër të shtetit shqiptar, vazhdoi gjatë gjithë viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë, para, gjatë dhe pas Luftës në Kosovë dhe kulmoi me implikimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit aktual shqiptar në përpjekjet e Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.
Këto janë gjëra tepër të rënda por ja që duhet t’i thotë dikush, sepse ndryshe historia jonë do t’i ngjante praktikës së gomarëve që, pjesën më të madhe të kohës dhe jetës së tyre, e çojnë duke kruar njëri-tjetrin.
Për më shumë lidhur me vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, lexojeni analizën e botuar 19 vjet më parë, “Anatomia e një atentatit“:
https://xhafershatri.info/jusufgervallakadrizekabardhosh…/Marrë nga profili Xhafer Shatri në FaceBook /InforCulture.info