KAOSI ARTISTIK

 Salvador Dali është një figurë unike e surealizmit dhe artit në përgjithësi. Ekscentrik, i marrë, i çuditshëm, por pa dyshim jashtëzakonisht i talentuar. Fitoi një vend të rëndësishëm në botën e artit, duke lënë një gjurmë që vijon të jetë e gjallë edhe në ditët e sotme. Ekstravagant, provokues dhe kontrovers, një nga figurat më të çuditshme në botën e artit dhe, pa dyshim, një gjeni i vërtetë. Të përkufizosh Salvador Dalinë mund të jetë e rrezikshme: jeta dhe krijimtaria e tij kanë ecur gjithmonë dorë për dore. Një identitet karakteristik, i mbarsur me vepra po kaq karakteristike, çka e bën të vështirë ta klasifikosh ose ta krahasosh me artistë të tjerë./Konica.al

Dali bën pjesë tek ata magjistarë të artit, gjurma e të cilit është e dukshme në të gjitha tablotë që dalin nga dora e tij. Piktura e tij mund të njihet edhe nëse nuk mund të jesh ekspert arti. Shenja e tij është kaq e njohur, gjë që bën të besosh se autorësia e pikturave të tij nuk mund të vihet në dyshim.

Surealist i mirëfilltë dhe një nga artistët më prodhues të shekullit XX, megjithëse dashuria për artin klasik dhe atë të Rilindjes ishin të dukshme gjatë fazës hiperrealiste. Përveç pikturave të shumta, ai punoi edhe në fushën e skulpturës, të modës, të shkrimit dhe të kinemasë. Një trashëgimi artistike, përmes së cilës ishte në gjendje të shprehte halucinacionet dhe ëndrrat e veta përmes gjuhës vizuale; dimensioni i ëndrrës është shumë i pranishëm në krijimtarinë e tij. Si pak të tjerë, ai trajtoi simbolikën fetare dhe e kapi atë në vepër, plot me imazhe ikonike. Polemik dhe ekstravagant, nuk ka dyshim që Dali ishte shumë më tepër, sesa thjesht një artist.

Salvador Dali lindi në Figueres, një qytet i Katalonjës, më 11 maj 1904. Për fëmijërinë nuk ka shumë të dhëna, po vetë ai komentonte se si fëmijë vuante nga kriza të forta irritimi dhe zemërimi ndaj shokëve të shkollës, sidomos ndaj prindërve. Duket se, pavarësisht gjithçkaje, ishte një djalë shumë inteligjent, i cili shquhej për aftësitë në artin plastik.

Në vitin 1921, kur vendosi të transferohej në Madrid për të studiuar arte, ishte ende në moshë të re. U regjistrua në një nga qendrat nga ku dolën disa nga artistët më të mëdhenj spanjollë të shekullit XX, “Residencia de Estudiantes”, ku  takoi edhe gjeni të tjerë të kohës, si Luis Bunuel dhe Federiko Garsia Lorka. Gjithsesi, qëndrimi në shkollë u shënua nga aktivitetet e tij politike antiqeveritare, të cilat i kushtuan një periudhë të shkurtër burgimi dhe përjashtimin nga Residencia. Në vitin 1928, Salvador Dali u transferua në Paris, vend që do ta çojë në kontaktin parë me surealizmin. Surealizmi është një lëvizje thuajse poetike që format e tjera të artit i kupton si shprehje artistike të poezisë. Përveç kësaj, surealizmi merr shkas nga ndikimet frojdiane në dimensionin e ëndrrës, për pasojë ajo shkon përtej realitetit. /Konica.al/Prapëseprapë, kjo lëvizje artistike përfundoi e etiketuar me një pafundësi kuptimesh politike; surrealistët besonin se revolucioni artistik duhet të shkojë paralelisht me revolucionin politik. Dali u shkëput pjesërisht nga kjo ide dhe vendosi të ndryshojë realitetin e tij. Ai nuk u angazhua politikisht dhe zhvilloi atë që ai e quajti metodë kritiko-paranojake, duke e përshkruar si: “një gjendje në të cilën, dikush mund të kultivojë iluzione, duke ruajtur shëndetin mendor”. Në të njëjtën kohë, ai takoi Galën, e cila do të bëhej gruaja dhe muza e tij. Stili i pagabueshëm i Dalisë, por edhe ekzaltimi që ai i bëri personit dhe punës së vetë i kushtouan dëbimin nga lëvizja surealiste. Ndërsa fitonte gjithnjë e më shumë famë përmes pikturave, por edhe angazhimit në kinema dhe skulpturë, nuk mund të thuhej e njëjta gjë për imazhin e tij, që filloi të humbasë besueshmërinë. E vërteta është se Dali ishte mjaft narcist dhe i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes. E mbani mend foton e Dalisë, që nxjerr shëtitje një milingonë? Pa dyshim, ai e çoi ekstravagancën dhe artin në nivele të atilla ekstreme që shiheshin për herë të parë. Vdekja dhe dekadenca, e përzier me një erotizëm të theksuar, janë të pranishme thuajse në tërë pikturat e Salvador Dalisë. Vepra të tilla janë një projeksion i teorive psikoanalitike të kohës, të cilat ndikuan fuqimisht në punën dhe jetën personale. Hajmali, simbole fetare, kafshë gati magjike, makina fantastike… Dali përdori teknikën psikoanalitike të shoqërimit të lirë për të kapur përmbajtjen e pavetëdijes në kanavacë. Zbërtheu realitetin, madje e shtrembëronte atë. Ai projektoi katarsis personal, metamorfozë dhe shkaktoi kaos. Një vepër e pagabueshme, që pavarësisht viteve, vazhdon të aprovohet dhe vlerësohet.

Salvador Dali vdiq në 1989, pas një jete plot polemika, ekstravagancë, polemikë dhe kryevepra. Talenti i garantoi suksese të shumta, por edhe kritika shumë të forta. Jeta dhe imazhet personale kontroverse ishin ndoshta, më të komentuarat e krijimtarisë së tij.

Gjeni apo i çmendur? Padyshim që ishte gjeni, edhe pse me siguri i çuditshëm. Nëse vuante nga një çrregullim psikologjik, ai ishte në gjendje të nxirrte gjithë thelbin e tij për ta pikturuar në pëlhura që ende vijojnë të na magjepsin./Konica.al /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here