Shkruan:Nuridin Ahmeti
100 VJET MASAKRA E KEQEKOLLES (10 janar 1921) DHE MASAKRIMI I MULLA ADEMIT.
Pjese e nje punimi me te gjate
Yrrfia dhe mulla Ademi-Keqekolla Viti 1921 mund të thuhet se ishte viti më i tmerrshëm për banorët e kësaj ane të Gallapit. Masakra e vitit 1921, në kujtesën e këtyre banorëve, mbahet në mend edhe sot e kësaj dite me emrin: ”Janari i zi” apo “Yrrfia” .Në janarin e vitit 1921, Batalioni i Armatës së III të ushtrisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, i udhëhequr nga koloneli Radovan Radoniç dhe njësiti i Xhandarmërisë i komanduar nga Bozhidar Paunoviç, mbështetur edhe nga grupe të tjera paramilitare serbe, filluan ekspeditën për masakrimin e disa fshatrave shqiptare në Llap e Gallap. Ekspedita filloi në Popovë, Majac, Lupç, Bellopojë, Tërrnavë, Sharban, Koliq, Keqekollë, Ballaban dhe në Prapashticë. Më 10 janar 1921, kjo ekspeditë, pasi vrau në shtëpitë e tyre në këto fshatra, arriti në fshatin Keqekollë, ku së pari masakruan familjen e imamit të xhamisë së fshatit Prapashticë, mulla Ademin me të gjithë familjarët që u gjenden në shtëpi (gjithsej 9 anëtarë). Kishin zgjedhur mulla Ademin dhe familjen e tij, sepse mulla Ademi llogaritej ndër personalitetet më të shquara të kohës në këtë anë. Bazuar në burimet e kohës, thuhet se vetëm në fshatrat Prapashticë e Keqekollë nga kjo ekspeditë u vranë dhe u masakruan një numër i madh i banorëve të kësaj ane, e shumë familje u shuan përgjithmonë. Kush ishte mulla Ademi?Adem Emërllahu, u lind në vitin 1850 në Prapashticë. Shkollimin e kreu në Prishtinë, Shkup dhe Stamboll, e mëpastaj u emërua hoxhë në Prapashticë dhe në Keqekollë. Ishte njeri i dëshmuar në veprimtarinë e tij politike e shoqërore, ishte shok edhe me njërin nga veprimtarët e dalluar në Lëvizjen Kombëtar Shqiptare, sidomos në kryengritjen e vitit 1910, krahu i djathtë i Idriz Seferit, – mulla Sinan Maxherës të Karadakut të Preshevës, i cili do të dënohej me varje nga xhonturqit në Kaçanik më 1910. Njohja, kontakti i mulla Ademit me mulla Sinan Maxherën dhe qëndrimi i tij pro Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç duket, nuk do të shihej me sy të mirë nga qarqet osmane të kohës, prandaj në vitin 1908 u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare dhe u dënua me vdekje. Në burg qëndroi vetëm gjashtë javë, ngase u lirua me dekret të sulltanit. Në vitin 1911, kur sulltan Mehmet Reshati po e vizitonte Rumelinë, e në mesin e këtyre vendeve edhe vilajetin e Kosovës, namazin e xhumasë do ta falte në sheshin aty pranë Tyrbes së Sulltan Muratit, ku ishin të ftuar edhe paria e rajoneve të ndryshme të vilajetit të Kosovës. Ligjëratën (Hytben) në këtë tubim do ta mbante myderrizi i njohur Ismail Haki Manastirliu. Mulla Ademi në këtë tubim e kishte përfaqësuar Gallapin, dhe thuhet se kishte mbajtur fjalimin e tij në takim me sulltanin, të cilin e kishte përgatitur shqip-turqisht , dhe, në mes të tjerash, mulla Ademi kishte folur edhe për terrorin që ushtronin bandat serbe mbi shqiptarët e zonave kufitare. Veprimtarinë e vet mulla Ademi do ta vazhdonte edhe pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912. Në vitin 1921, disa ditë para masakrës në këto anë, mulla Ademi si njeri me autoritet, kishte mbajtur takim edhe me kaçakët e kësaj ane, me qëllim të koordinimit të punëve të mëtutjeshme kundër pushtuesve serbë. Për kaçakët mulla Ademi i kishte thënë popullatës “këta janë hairi jonë”. Familja e mulla Ademit ishte gjithnjë nën trysninë e pushtuesve, por kjo trysni sikur nuk e lëkundi në bindjet e tij. Ai, edhe pse u lut nga të afërmit e tij që ta lëshonte vendin dhe të shkonte diku në shkretëtirat e Anadollit, ku do të tretej përgjithmonë, pati vendosmëri të patundur për të mos e lëshuar vendlindjen dhe ky fakt është edhe një tregues i qartë që flet për personalitetin e këtij njeriu, sepse, sikur të merrte një hap të tillë dhe të shpërngulej prej vendit, sigurisht me të do të shkonte edhe një pjesë e madhe e popullatës së asaj ane, një gjë që natyrisht do t’u konvenonte pushtuesve të asaj kohe. Përpjekjet e tij për t’i shkolluar djemtë – Hasanin dhe Mustafën dhe nipat e tij, dëshmojnë se ky personalitet e çmonte së tepërmi dijen (ilmin).Ky atdhetar i shquar, aktivitetin e vet nuk e ndërpreu për asnjë çast deri në fund të jetës, deri më 10 janar 1921, kur ushtarët dhe xhandarët serbë e vranë në prag të shtëpisë, bashkë me nëntë anëtarë të tjerë të familjes.Varri i mulla Ademit sot gjendet në lagjen Hoxhaj të Keqekollës, pranë shtëpisë së tij, ku është rritur, edukuar, burrëruar e ku ka jetuar dhe pleqnuar. Të masakruar në shtëpinë e mulla Ademit më 10 janar 1921 ishin:1. Adem Emërllahu (70)- Mulla Ademi), 2. Mihrije Emërllahu (68)- gruaja e M. Ademit, 3. Mehmet Emërllahu (30) djali i M. Ademit, 4. Hasime Emërllahu, gruaja e djalit të M. Ademit, Mehmetit, 5. Selime Adem Emërllahu,6. Tahire Adem Emërllahu, 7. Fahrije Adem Emërllahu,8. Mustafë Adem Emërllahu, 9. Një foshnjë e mbytur në djep. Lidhur me vrasjen e mulla Ademit dhe të familjes së tij, interes përbën edhe një e dhënë gojore e shënuar si dëshmi e Osman Abazit, i lindur në Svircë të Medvegjës më 1943, tani banues në Prishtinë. Dëshmia e tij përmblidhet në këto fjalë: “Pas Luftës së Dytë Botërore, aty nga viti 1950, ne si familje e madhe që kemi jetuar në fshatin Svircë të Medvegjës, kemi pasur edhe shërbëtorë. Shërbëtori ynë ka qenë prej fshatit Keqekollë dhe ishte rom, emrin e kishte Tahir Sylejmanoviq. Në familjen tonë ka ndenjur edhe Dema i Cakajt, kështu e kemi thirrur. Një natë Dema dhe shërbëtori (Tahiri) patën një konflikt dhe, në mes të tjerash, Tahiri i tha Demës ‘kam me ta ba ty ma zi se mulla Ademit të Keqekollës’. Dema i Cakajt i tregoi për këtë axhës tim, i cili, nga frika se do të na nxirrte ndonjë problem, e largoi Tahirin nga shtëpia. Tahiri në atë kohë i kishte rreth 60 vjet. Para se ta largonim nga shtëpia jonë, Tahiri tregoi se kishte qenë shërbëtor në familjen e mulla Ademit të Keqekollës në kohën kur ishte bërë masakra mbi këtë familje. Tahiri tregoi se si, kur kishin hyrë forcat serbe në fshatin e Keqekollës, i kishin detyruar atë (Tahirin) dhe babanë e tij, që t’i mbysnin një nga një mulla Ademin dhe familjen e tij” .
Shkrimi i mësipërm është marrë në Profilin e Nuridin Ahmetit në facebook./InforCulture.info