Duket sikur, sa herë që bëhet krahasim u Iliadës me Odisenë, merret si e mirëqenë i njëjti konkluzion – se që të dyja janë vepra të të njëjtit njeri – një teori që vëzhgimi i zakonshëm duhet ta hedhe poshtë si krejtësisht të pabazë. Të gjitha poemat rapsodike ose lirike duhet të kenë patjetër ngjashmëri shumë të madhe, që përforcohet edhe nga ngjashmëria e temës, dhe për këtë arsye do të ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi midis tyre. Në fakt ekzistonte edhe një stil tipik që krijuesit e këtyre lirikave e përdornin në mënyrë të natyrshme, ndonëse ky konformitet i ngurtë u braktis në kohërat e mëvonshme kur Pindari dhe Safo filluan të krijonin mënyrën e tyre të vjershërimit. Është njësoj sikur të presësh nga Moore dhe Byron që të shkruajnë poezi në vargje të gjata hekzametrike. Metrika ashtu si edhe sot, duhet t’i përshtatet temës, dhe kur metri përdoret për një temë që nuk përputhet me të, si tek Roliada (Rolliad), ndodh pikërisht ajo që u synua të arrihej – një epos heroik qesharak, një karikaturë. Kjo vërejtje merr forcë edhe më të madhe nga hipoteza që gjuha në të cilën janë veshur sot poemat e Homerit nuk ishte gjuha oregjinale në të cilën ato u ngjizën.

Ekziston një shprehje e cituar dhe stër-cituar e Longinusit, vërtetësia e të cilës nuk mund të thuhet se është shtuar nga përsëritja shekull pas shekulli, se ‘Iliada ishte si dielli në zenitin e vet, kurse poema tjetër si dielli në perëndim.’ Shprehja mund të jetë poetike dhe tërheqëse edhe pa qenë e vërtetë. Përshkrimi i një beteje është domosdoshmërisht më i fuqishëm se sa ai i një udhëtimi. Iliada nuk përmbanë asnjë nga ky i dyti, kurse Odiseja ka disa nga e para, si për shembull, vrasjen e kandidatëve të Penelopës, dhe nuk mund të thuhet që asaj skene i mungon ndonjë gjë për nga forca e burrëria.

Shkëputur nga libri ”Pellazgët – Pasardhësit e tyre të sotëm dhe origjina pellazge e poemave të Homerit” -Patrick Colquhoum dhe Pashko Vasa – /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here