Kthimi i djellit për verë (në fund të dhejtorit). Me këtë duhet kuptuar rite të ndryshme të popullit tonë që zhvilloheshin që nga data 22 dhjetor e deri më një janar, në disa raste deri më 6 janar;  22 dhjetori quhej dita e kthimit të djellit për verë, më 23-24 ; kullotnat, në disa krahina këto bëheshin dhe për vit të ri ose dhe me 6 janar; nata e  buzmit më 24 dhjetor e që vazhdonte me rite, në disa raste edhe më një janar. Djegija e buzmit në disa krahina bëhej me intervale; 24 dhjetor, 3z dhjetor, 6 janar. Të gjitha këto rite, në përgjithësi, kanë lidhje me kultin e djellit, me kthimin e tij për verë; me këtë rast zhvilloheshin rite të ndryshme pjellorie. Por data me rite më të shumta ishte 24-25 dhjetor Nata e Buzmit. Kjo njihej më tepër me emrin ”Kërshëndellat”. Në popullsi të besimit islam njihej më tepër me emrin ”Festa e Borës” a ”Festa e Dimrit”, sidomos në Lurë, Dibër, Labëri, Skrapar e me radhë, por edhe me emra të tjertë. Ritet e besimet e lashta të kësaj feste burojnë nga dëshirat për pjellori e prodhimtari të mbarë gjatë vitit të ardhshëm në bujqësi, blegtori, mirëqenie në familje etj. Kjo ishte festa më e pasur me rite të karakterit bujqësor e blegtoral në të gjitha festat e vitit. Thonë se këtu fillon të zgjatet dita; ”sa kërcen gjeli nga trau në tra” (po thuajse në të gjithë Shqipërinë) ose ”sa një kokërr grurë”, apo ”aq sa kërcen dreri në mal”.

Ritet e kësaj feste janë të karakterit pagan, shumë të lashta, pra parakrishtere, sado që së jashtmi paraqitet si festë krishtere e që doemos, kishtedhe rite të kësaj natyre. Ritet e kësaj feste shoqëroheshin me zjarre kolektive në bazë shtëpie, farefisnie a lagjeje; këta flakadan ndizeshin në kopësht, në ara e kodra e kjo, sipas kuptimit të vjetër, bëhej për të i dhënë forcë djellit. Ritet që kishin të bënin me kultin e bimësisë, që shprehnin dëshirën për shtim prodhimi në bujqësi e blegtori, shoqëroheshin me flijime të zjarrit; bagëti a shpend, me ndriqime natën, me provim fati, me kërcitje përcje në zjarr apo me monedhë ”për fat”, në bukë rituale, bukë e ushqime në tjera rituale, me përshendetsin e parë këmbëmbarë, me kolendra e kolendarë, me veprime të ndryshme magjike në bagëti, në ara, në vreshtë a pemishte.

Kjo festë, sado me tipare të ndryshme, na dëshmohet dhe të popujt tjerë të Ballkanit e të Europës. Këtë e ndeshim edhe në popuj të Kaukazit, të Indusët në Indi, te Mitra-perëndi e diellit në Iranin e Lashtë. Edhe në Greqinë e lashtë më 25 dhjetor bëhej festë e madhe për nderë të Dionisit dhe të nënës së tij, sido që Dionisi ”ditlindjen” e kishte në 6 janar. Ditët më të rëndësishme të festave të lindjeve të disa perëndive të popujve të ndryshëm të lashtësisë kanë qenë 25 dhjetori a 6 janari.

(Shkëputur nga libri ”Etnologjia e Shqipëtarëve nga Mark Tirta) /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here