Pak vite pas Luftës së parë Botërore pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë filluan të ngrenë centrale elektrike që furnizonin me energji qendrat e qyteteve dhe disa familje të rëndësishme të qyteteve përkatëse. Po ashtu, centralet me fuqi motorike prodhonin energji edhe për ndërmarrje të ndryshme të kohës. Që gjatë Luftës, ushtritë e huaja që ishin prezentë në Shqipëri (p.sh ushtria italiane në Vlorë) kishin sjellë motorë për prodhimin e energjisë elektrike.
Në vitet ’20-’30 në Shqipëri do të ishin disa shoqëri e individë që kishin në pronësi këto centrale elektrike:
Shoqëria S.E.S.A me kapital 2 milion franga ari kishte instaluar centrale elektrike në këto qytete:
-Shkodër, më fuqi motorike 675 kuaj fuqi
-Vlorë, me fuqi motorike 360 kuaj
-Gjirokastër, me fuqi motorike 175 kuaj
-Berat, me fuqi motorike 85 kuaj
-Fier, me fuqi motorike 75 kuaj
-Tiranë, fuqi motorike prej 440 kuajsh
Po ashtu, në Korçë ishte Shoqëria Generale e elektrikut me fuqi motorike prej 4900 kuaj dhe centrali hidraulik prej 500 kuaj fuqi. Kjo shoqëri, e financuar nga emigrantët, për herë të parë përdori fuqinë e ujit për të prodhuar energji elektrike.
Në Tiranë central elektrik do të kishte Shoqëria SITA ndërsa në Durrës shoqëria “STAMLES”
Ndërkohë, në Shqipërinë e viteve ’30 ishin dy individë që kishin në pronësi centrale elektrike. Në Elbasan ishte Andon Beça ndërsa në Pogradec Novruz Pasho.
Kush ishte Andon Beça
Andon Beça ka qenë një personalitet i njohur në Tiranë dhe Elbasan.
I lindur në 1881, ai do të kryente detyrën e inspektorit të arsimit në zonat e Elbasanit për të vijuar më pas në detyrën e deputetit e senator
it në vitin 1920.
Në 1924 ai do të bënte pjesë në grupin e atyre që do të arratiseshin si rrjedhojë e mënyrës së ardhjes në pushtet të qeverisë që u drejtua nga Fan Noli.
Pas kthimit ai do të rizgjidhej si deputet e senator i Elbasanit.
Gjatë periudhës së pushtimit italian e gjerman të vendit ai do të mbante detyra ministrore, si ministër i bujqësisë e ekonomisë dhe si ministër i Financave.
Beça zotëronte pasuri në zona të ndryshme të vendit e në listën e pasurive të tij ishte edhe centrali për prodhimin e energjisë elektrike.
Kush ishte Novruz Pasho
Novruz Pasho ishte një nga biznesmenët më të njohur në Pogradec.
Ai do të mbante funksione në pushtetin vendor dhe njëkohësisht do të kishte një serë fabrikash e pronash, mes të cilave edhe centralin elektrik që furnizonte Pogradecin.
/SCAN/InforCulture.info