Duke vendosur lidhje mes princërve të Arbnit dhe Arianitëve në shek. XII, Shuteriqi i ka bërë të së njejtës familje, dhe ka qenë i mendimit se nga “shteti i Arbnit” mund të nxirret “Shteti i Arianitëve”. Ka qenë, në të vërtetë, hipoteza e ngritur nga Hopfi qysh më të 1873.

Nën Karlin I d’Anjou, ata shfaqen si sevastë: sevasto Alexius Arianiti. Shtrirja e zotërimeve të tyre paraqitet e lëvizshme gjatë shkujve XIII-XV, ndaj ato mund të përshkruhen vetëm si zona të çrregullta: prej Dibrës s’Epër në Çermenikë, prej Mokrës në Polis dhe Shpat, prej Elbasanit në Kavajë etj.

Në shek. XIV ata paraqiten tanimë si njëra ndër familjet më të fuqishme të Arbërisë. Në mos të gjithë, një pjesë e tyrë duken të kthyer nga Roma: më 1319 një Guljerm Arianiti përmendet në dekretin e papës si protoalegator. Krushqi të tyre të mundshme me Komnenët, prej nga të ketë ardhur edhe mbiemri dyfish “Arianit-Komneni”, si dhe me Thopiat, prej nga “Arianit-Golem-Thopia” etj., mbeten për tu kthjelluar. Më i përmenduri ndër krerët e saj, Gjergj Arianit-Komneni, qe vendosur prej Republikës së Venedikut “vojvodë i madh” i rajonit mes Shkodrës dhe Durrësit, në të njejtën kohë kur të bijën e kishte martuar me të birin e Stefan Crnojevic, kunat i Gjergj Kastriotit si burrë i Maries, të emëruar “vojvodë i madh” i Zentës.

Gjergj Arianiti do të luajë rol me peshë në qëndresën dhe luftërat antiturke të kohës së tij, si edhe në aleancat me Gjergj Kastriotin, duke u lidhur dy herësh edhe në krushqi me të, – si vëlla i Vladanit që kishte marrë Angjelinë Kastriotin, dhe si at i Andronikës që do ta merrte Gjergj Kastrioti, – por edhe duke kombinuar njëherësh më të ndërlikuarin rrjet krushqish mes zotërve të Arbërisë nëpërmjet dymbëdhjetë bijave e bijve që pati prej dy barqeve të martesës. Në kohën e këtij kreu familjeje sundimi i Arianitëve shtrihej deri në Vlorë e Kaninë.


Shkëputur nga libri “Skënderbeu: Një histori politike” me autor Aurel Plasarin /Traditat, Instagram/ InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here